Dënohen 14 Persona për Përleshjet në Kalanë e Shkupit

Gjykata penale e Shkupit u dha të martën dënime shtatëmuajshe me kusht 14 pjesëmarrësve të përleshjeve ndëretnike në kalanë e kryeqytetit të Maqedonisë, përleshje që ndodhën gjatë vitit 2011.

Përleshjet patën nisur kur maqedonasit brenda kalasë filluan ndërtimin e një muzeu në trajtë të kishës, ndërsa shqiptarët shkuan atje për të ndërprerë punimet.

Lideri i Lëvizjes “Zgjohu” Artan Grubi, tash pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit, atëherë u priu përpjekjeve për ta ndërprerë ndërtimin e muzeut brenda kalasë, duke mobilizuar njerëz përmes rrjeteve sociale.

Me qëllim të mbrojtjes së konstruksionit të muzeut, në oborrin e kalasë së Shkupit, shkuan edhe maqedonas, kryesisht tifozë të ekipeve të futbollit.

Tetë njerëz u lënduan në këto përleshje ndëretnike të shkurtit 2011.

14 të dënuarit nga gjykata penale e Shkupit do të shkojnë direkt në burg, nëse e shkelin përsëri ligjin gjatë dy vjetëve të ardhshëm.

Dhuna e motivuar etnikisht vazhdimisht e karakterizon Shkupin. Gjatë marsit të sivjemë grupe të organizuara maqedonase rrahën nxënësit shqiptarë në një shkollë të fshatit Haraçinë, duke provokuar tensione.

Tensionet u rritën edhe pas zgjedhjes së ish-guerilit të UÇK-së Talat Xhaferi si ministër i Mbrojtjes së Maqedonisë.