Dëmtimi i ndërmarrjes publike: Borxhi nga 300 mijë u bë 1.8 milion euro

Ujësjellësi i Prizrenit “Hidroregjioni Jugor” është dëmtuar rreth 1.8 milionë euro për shkak të mos-zbatimit të marrëveshjes për pagesën e borxhit ndaj KEK-ut. Në një raport të hartuar nga Bordi i përkohshëm i kësaj ndërmarrje për gjendjen financiare është përshkruar edhe dëmi i shkaktuar nga mos-shlyerja e borxheve ndaj KEK-ut.

Bordi ka gjetur se obligimet e Kompanisë ndaj KEK-ut të papaguara kanë qenë 1,489,775 euro, ku sipas marrëveshjes nga ligji për faljen e borxheve publike kompanisë i janë falur 1,188,868 euro ndërsa pjesa e mbetur për pagesë ka mbetur vlera 300,907 euro.

Nga mos zbatimi i kësaj marrëveshje kompania është paditur në gjykatë dhe nga vendimi i gjykatës për mos respektimin e marrëveshjes kompanisë i është kthyer borxhi i vjetër dhe është llogaritur kamatë ndëshkuese 317,709 euro dhe obligimet e përmbaruesit në vlerë 27,650 euro.

Nga mosrespektimi i kësaj marrëveshjeje kompania është dëmtuar në vlerë prej 1,804,078 euro.

Sipas një dokumenti të bordit të siguruar nga KALLXO.com janë shtatë shkelje që e kanë vështirësuar gjendjen financiare të ndërmarrjes. Në raport thuhet që ndërmarrja ka borxh ndaj palëve të tretë në vlerë prej 3.3 milionë eurosh.

Tutje Bordi ka gjetur se moszbatimi i duhur i ligjeve tatimore nga ndërmarrja ka rezultuar ndëshkim tatimor nga Administrata Tatimore e Kosovës në vlerë prej 291,275 euro, vlerë të cilës i janë shtuar interesat dhe ndëshkimet shtesë dhe totali i këtij ndëshkimi është në vlerë 502,221 euro me vendimin e ATK nr. 332/2019 i datës 28 gusht 2019.

Bordi ka gjetur se ndërmarrja ka blerë dy makina me kredi bankare duke iu shmangur Planit të Biznesit dhe duke e marr kredinë pa miratimin e Bordit të Drejtorëve. Ndërmarrja ka marrë kredi në vlerë prej 45,000 euro dhe garantues për këtë kredi është një nga Zyrtarët e Ndërmarrjes.

Tutje në raportin e Bordit thuhet se ndërmarrja “Hidroregjioni Jugor” rrezikon të paditet nga furnitorët në vlerë prej 807,225 eurosh për shkak se nga paaftësia financiare nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet ndaj tyre.

Kjo ndërmarrje ndonëse ka pasur zyrë ligjore, ka angazhuar avokat të jashtëm që qëllim q të përgatisë padinë në rastin e KEK-ut. Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, ndërmarrja dëmtohet me kosto shtesë financiare.

Bordi ka gjetur gjithashtu se bazuar në lëndët të cilat janë procedurë gjyqësore ndërmarrja mund të dëmtohet në vlerë rreth 111,600 Euro. Sipas bordit këto lëndë përfshijnë kompensimet e largimit të punëtorëve nga puna pa bazë ligjore dhe kompensim i dëmeve të tjera.

Gjithashtu, kjo ndërmarrje ka kryer blerje me para të gatshme duke i mënjanuar procedurat e prokurimit publik, gjetje këto të evidentuara nga Auditori i Brendshëm dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, Besim Baraliu është shkarkuar me datën 27 prill nga pozita e tij e kryeshefit ekzekutiv nga ana e bordit të përkohshëm të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas kryesuesit të bordit, Ylber Elshani, Baraliu është shkarkuar pasi në raportet e auditorit në tri vitet e fundit janë gjetur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes.

Përveç kësaj, Elshani ka thënë për KALLXO.com se për Baraliun ka pasur edhe shumë arsye të tjera që e kanë shtyrë bordin të marrë këtë vendim.

“Po mund të konfirmoj se është shkarkuar, ka shumë arsye për të cilat është shkarkuar por më kryesorja është se në raportet e auditorit në tri vitet e fundit ka pasur shumë shkelje në menaxhimin e ndërmarrjes”, ka thënë Elshani.

Me 23 prill në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor” qeveria në detyrë emëroi katër anëtarë në bordin e përkohshëm, Altin Sahiti, Arieta Vula- Pozhegu, Edmond Halimi dhe Ylber Elshani.

Shkarkohet kryeshefi i “Hidroregjionit Jugor”