Deklarata 'stigmatizuese' e Zemajt kundrejt të infektuarve me COVID-19

Deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj drejtuar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli, lidhur me “simptomat e saj për COVID-19“, sipas njohësve të çështjeve sociale rrezikon që të prekurit të ballafaqohen me stigmatizim dhe refuzim shoqëror.

Në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës të mbajtur të hënën, ministri Zemaj paragjykoi deputeten se është e infektuar me coronavirusin e ri, pa ndonjë rezultat të testit për COVID-19, kreu i institucionit shëndetësor e “zbuloi” përmes të pamurit.

“Po ti në sy shihesh që je me simptoma. Ty sytë të kallxojnë që je me simptoma”, i tha Zemaj – Pacollit.  

Pas kësaj, deputetja reagoi përmes dy shkrimeve ndaras, duke ironizuar me deklaratën e ministrit Zemaj. “Ministri Jurist sapo na përshkruajti diagnozën se në sytë tanë shihet se jemi me COVID-19… S`keni më nevojë të bëni teste Ministri Jurist Zezaj posa t’iu shikoj në sy e din a jeni me COVID-19 a jo”, ka shkruar ajo në rrjetin social “Facebook”.

Qasjen e ministrit Zemaj drejtuar deputetes, sociologu Genc Xërxa e ka quajtur të “pafalshme” dhe “jo-njerëzore”.

Xërxa në një prononcim për gazetën Jeta në Kosovë ka thënë se informatat e sintetizuara po ndikon që të infektuarit të i stigmatizojnë me epitete te ndryshme.

“Varësisht prej informatave të sintetizuara, shkallës së edukimit dhe emancipimit social po mvaret edhe se si kjo po ndikon tek individët ne arsyeshmërine e tyre në ballafaqimin me individët tjere te infektuarë, duke i paragjykuar ose shmangur apo në variantin me te keq duke i stigmatizuar me epitete te ndryshme. Analogjikisht sikurse shprehja jo-njerëzore e ministrit të shëndetësisë drejtuar deputetes në fjalë gjatë seancës se djeshme në kuvend. E pafalshme një veprim i tillë i një figure publike, për një përfaqësues institucional të shëndetit publik mënyra e shprehjes së tillë”, ka deklaruar ai. 

 “Kërcënimi” për publikimin e emrave nga ana e politikanëve 

Gjuha e përdorur në seancën e së hënës duke filluar nga ministri dhe deputetë opozitar ka vënë në rrezik për mundësinë e publikimit të emrave të të infektuarve me COVID-19. 

Gjatë polemizimit me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ministri Zemaj shprehu gatishmërinë që edhe të bëjë publike emrat e anëtarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilët tha se u infektuan nga tubimi i 12 qershorit. 

Ani pse të dhënat personale e në veçanti në situata të ndjeshme mbrohen me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Shkelja e tyre mund t’u kushtojë me gjobë institucioneve, zyrtarëve, mediave e individëve.

“Pas karantimint të plotë ka qenë normale që të jenë 5 edhe 4 raste jo vetëm këtu, po edhe në gjithë botën. Por më e keqja ka ndodhë pas datës 12 qershor. Ku infeksioni është shpërndarë në mënyrë marramendëse. Mbyllne seancën për publikun dhe ua lexoj me emra e mbiemra të anëtarëve të afërme të juaj, aktivistët që janë të infektuar me COVID-19 pas 12 qershor. Ju jeni të dyshuar të infektuar, jeni persona kontakti. Hajde shkoni bëni testet. Ecni ren shkoni bëni testet. Pse po ikni nga testet?!”, tha ai drejtuar deputetëve të LVV-së. 

Në anën tjetër, në emër të partisë që përfaqëson, deputeti i Kuvendi të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në seancën e së hënës propozoi që të bëhen publik emrat e personave që janë testuar dhe atyre që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. 

Pasi që sipas tij, transparenca në këtë drejtim është “interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse”. 

 “Autorizohet IKSHPK-ja që të bëjë publike emrat e personave që janë testuar dhe të atyre që kanë rezultuar pozitiv, transparenca në këtë drejtim është interes publik sot dhe mundësi e ndjekjes penale për personat të cilët me COVID-19 shkelin kriteret e izolimit dhe masat mbrojtëse”, deklaroi Haxhiu në seancën ku po raportonte kryeministri Hoti. 

Por, publikimi i të dhënave personale në mënyrë që të parandalohet përhapja e COVID-19 nuk është zgjidhje, sipas sociologut Genc Xërxa. 

“Kuptojë qëllimin që një pjesë që spo besojnë t’i bindin në këtë mënyrë por një kohësisht po thyejnë të drejtëne e privatësië dhe ruajtën e të dhënave të pacientit. Mund të jenë cak i stigmatizimit apo edhe në rastin më të keq i sulmeve të ndryshme nga njerzit në panik”, tha ai. 

Ndërkaq, juristja e të drejtës për media, Flutura Kusari në një prononcim për gazetën ‘Jeta në Kosovë’ ka deklaruar se iniciativa e tillë është në kundërshtim me të drejtën e privatësisë të garantuar me nenin 8 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas saj, qytetarët do të humbisni besimin në institucionet shëndetësore në rast se miratohet publikimit i identitetit të pacientëve me coronavirusin e ri. 

“Të dhënat rreth shëndetit gëzojnë mbrojtje të madhe dhe kinse ‘mbrojtja’ nga infektimi nuk është arsye për të shpalosur këto të dhëna në publik. Pasojat do të ishin tejet të rënda për sistemin shëndetësor – sidomos Infektivën dhe IKSHP-në – sepse kur njerëzit e dinë që të dhënat e tyre shëndetësore do të publikohen, ata nuk do t’i drejtoheshin më këtyre institucioneve. Prandaj, do të humbiste edhe më shumë besimi në institucione shëndetësore”, ka deklaruar ajo. 

A do të zbulohet identiteti i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë?