Degradimi i kulturës përmes shkatërrimit të bibliotekave

Duke jetuar në një shoqëri në të cilën të lexosh shumë libra konsiderohesh “budalla” e të ndërtosh tempuj leximi “i çon paratë dëm”, rrënimi i bibliotekave është veç se një temë “luksoze” për t’u trajtuar.

Gjatë një shëtitje në kryeqytet mund të shohësh në disa nga lagjet kryesore biblioteka të vogla të thyera, pothuajse boshe, të cilat në fillim u vendosën për ta shtuar kulturën e leximit dhe për ta pasuruar imazhin e Prishtinës.

12 mini-bibliotekat ende pa mbushur gjysmë viti që nga vendosja, u vandalizuan, u vodhën e shkatërruan në forma të ndryshme. Tash, shumica prej rafteve janë krejtësisht bosh dhe librat që ishin vendosur janë zëvendësuar me libra shkollor e  fletushka të ndryshme. Në mesin e atyre librave të pa mirëmbajtur rrallë që mund të gjesh një roman apo libër tjetër.

Agon Ahmeti, drejtor ekzekutiv i organizatës ETEA tha për KALLXO.com se këto mini-biblioteka u dëmtuan ende pa u hapur të gjitha ato që ishin planifikuar.

Ai tha se dëmtimet kishin filluar në bibliotekën e lagjes “Bregu i Diellit” ku sipas banorëve ajo ishte sulmuar nga fëmijët e lagjes dhe të shkollës afër. E njëjta bibliotekë u rrënua plotësisht menjëherë pas nisjes së procedurave për renovim. Si pasojë e këtyre rrethanave organizatorët u detyruan ta zhvendosin në një pikë tjetër, që sipas ETEA-s është zonë më e sigurtë dhe më e frekuentuar.

Ndryshe nga kjo, mini-biblioteka e vendosur në lagjen Ulpiana ishte mirëpritur nga pensionistët të cilët qendër frekuentimi e kanë zonën rreth fontanës, lokacion në të cilën është vendosur biblioteka.

Tre pensionistë të lagjes “Ulpiana” thanë se këto dëmtime të mini-bibliotekave po i bëjnë hajnat dhe konsumuesit e drogës që sipas tyre tërë ditën e natën enden para fontanës që të “nxjerrin diçka”.

“Krejt do drogaxhi natën i kanë thy këtë bibliotekë. Se sa për neve pensionerave ajo edhe 100 vite kishte qëndruar aty e pa dëmtuar. Por janë do të rinjë që merren me droga e hajni që nuk na lënë as rehat të luajmë shah, e shumë herë kanë tentuar të na i vjedhin telefonat. Ata i kanë prish se nuk ka kush tjetër”, tha njëri prej pensionistëve.

Tutje, ai tha se në kohën e tij, për një fletë e një shkumës kanë ec me kilometra e tash të rinjët i kanë kushtet, e shkojnë i dëmtojnë ato që ata dikur i kanë pasur ëndërr t’i kenë.

Sipas Ahmetit edhe pse kjo mini-bibliotekë u trajtua me kujdes të lartë nga banorët, më vonë ajo u bë pikë frekuentuese për shkëmbimin e librave e fletushkave propagandistike fetare. Ai tha që edhe pas vendosjes së rregullave për ndalimin e librave dhe fletushkave fetare, ato u vendosën përsëri e që vazhdoi deri tek sulmimi disa herë radhazi e që në fund përfundoj në rrënim.

Edhe pse organizata ETEA ka denoncuar rastet në Polici ende nuk janë  njoftuar nëse është arritur deri tash  identifikimi i personave përgjegjës apo është ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Shkrimtarja Majlinda Bregasi, tha se shkatërrimi i bibliotekave është thjesht fytyra e shëmtuar  e injorancës dhe se injoranca lulëzon kudo në botë, dhe se në ato ngjarje ku ka marrur pjesë në Kosovë i janë dukur sikurse bombula oksigjeni në një ambient të macchiatizuar.

“Që të jem e sinqertë, unë nuk kisha vazhduar me mbjelljen e tyre në këtë formë. Është si lufta kundër erës. Në Itali biblioteka të tilla ka kudo, por në vende të mbikëqyrura e ku ka shumë vizitorë si hollet e supermarketeve. Gjithkund ka një kënd për librin “e rrugëve” ku ti mund të marrësh e të lësh ç’të duash. Unë e kisha marrë këtë model derisa të vijnë kohë më të mençura edhe për ne”, tha autorja e librit “Gërsheti i Parë.”

Studiuesi Shemsi Krasniqi, profesor në Departamentin e Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së, tha se shkatërrimi i mini-bibliotekave nuk është vetëm akt vandalist mbi pronën publike, por edhe një akt agresiv mbi librin, mbi dijen dhe mbi kulturën.

“Shkatërrimi i minibibliotekave është dukuri mjaft shqetësuese në shoqërinë tonë. Kjo, jo aq nga aspekti material, sa nga aspekti simbolik dhe kulturor. Libri ka qenë gjithmonë gjëja më e dashur te ne, aq sa edhe i kemi thënë “miku më i mirë”, ndërsa në traditën tonë ne e dimë se çfarë rëndësie ka miku”, tha Krasniqi.

Tutje, ai tha se gjendja e tyre është kërcënim mbi mendjen, mbi dashurinë për dijen, madje edhe mbi lidhjen me njëri-tjetrin, sepse librat merren e lihen aty.

Sipas tij nëse ky është veprim i organizuar, tregon se forca të organizuara në vendin tonë duan të pengojnë leximin, dijen dhe kulturën, dhe duan që në Kosovë të mbretërojë injoranca.

“Nëse ky është akt spontan, kjo tregon se në sistemin tonë të vlerave kemi një rënie të madhe, sepse dashuria për librin, leximin dhe dijen, duhet të jetë prej vlerave më të larta në shoqëri”, tha ai.

Profesori universitar dhe akademiku Jeton Kelmendi tha se kjo gjendje në të cilën kanë arritur këto qendra të librave është një vandalizëm, akt i paparë, i shëmtuar dhe që ia prish imazhin Kosovës.

Kelmendi njëherazi edhe autor i disa librave si “Thoughts Hunt the Loves” tha se në momentin e parë që i kanë vendosur mini-bibliotekat e ka pasur përshtypjen që nuk janë vendosur në formën më të mirë, duke e marrë parasysh mentalitetin shqiptar.

“Unë mendoj se qytetarët duhej të nënshkruheshin, ata që janë lexues, e jo të hapet libraria ashtu si thotë populli me “Prashit në ujë.” Është dashur të regjistrohen ata të cilët janë lexues të mundshëm dhe të dihet pak a shumë se kush lexon e kush jo”, tha ai.

Sipas Kelmendit këto veprime do të lënë pasoja në kulturën tonë duke marrë parasysh që edhe ashtu kemi pasojë për shkak të numrit të pak të lexuesve.

Ai për këtë gjendje i fajëson edhe vet institucionet kulturore të cilat nuk stimulojnë politika të të lexuarit, mbështesin libra të kategorive të treta e të katërta por nuk mbështesin nobelistët dhe librat që kërkohen. Ndërsa Akademisë e Arteve dhe Shkencave i atribuoi emrin “shoqatë apo shtëpi e pleqve”, e cila sipas tij nuk po funksionon në formën e duhur.

“Edhe kësaj i kanë kontribuar në vazhdimësi edhe vet institucionet që merren me librin si Ministria e Kulturës. Kemi pas raste t’i shohim që mbështesin libra të kategorisë së tretë e të katërt e nuk ka mbështetur libra që kërkohen, të nobelistëve. Siç është rasti me Akademinë e cila është shndërruar në një shoqatë, ta themi dom i pleqëve”, tha ai.

Tutje, ai tha se si popull nuk e kemi kulturë leximin, se masa më e madhe nuk lexon, duke i përjashtuar individët.

“Jo vetëm librat e rëndomtë por as librat obligativ nuk lexohen. Mbi 95 përqind e studentëve të mi as librat obligativë nuk i lexojnë e le më më shumë. Edhe nuk mundesh të dëmtosh diçka që veç është e dëmtuar. Është fatkeqësi dhe realitet”, tha Kelmendi.

Ndërsa Ahmeti tha se kjo gjendje është alarm për institucionet përgjegjëse dhe për çdo familje në Kosovë se gjendja e këtyre mini-bibliotekave shpërfaq të ardhmen e shoqërisë sonë.

Lexuesja Medina Shala, studente e Gazetarisë tha se projekti i mini-bibliotekave ka qenë kreativ por jo edhe i qëlluar se si shoqëri i nënvlerësojmë idetë inovative e sidomos ato në fushën e leximit.

“Në përgjithësi mendoj që shoqëria kosovare është plotësisht e orientuar kah teknologjia dhe tepër pak kah libri. Dëmtimi i mini-bibliotekave në Prishtinë dhe jo vetëm, është dëshmi konkrete i këtij fakti”, tha Shala.

Sipas saj mungesa e përgjegjshmërisë dhe kujdesit ndaj librave po shfaqet edhe në bibliotekat komunale në të cilat supozohet që kontrollimi dhe mbikqyrja e librave të jetë akoma më e shtuar.

“Kam rastisur të marr libra me faqe të shkyera e të dëmtuara nga biblioteka komunale në Pejë. Mendoj qe shoqëria jonë ka shumë nevojë të lexojë, sidomos gjeneratat e reja. Nëse nuk dëshirojnë të lexojnë të paktën të mos i dëmtojne librat”, tha ajo.

Përveç këtyre, drejtori i organizatës implementuese ETEA shtoi se problematikë tjetër është edhe mosrespektimi i rregullit bazë që është shkëmbimi i librave. Dhe se si rrjedhojë e kësaj, shumica prej tyre po mbesin pa libra dhe pa funksionin për të cilin ekzistojnë. Përpos kësaj ai shtoi se edhe kushtet atmosferike shpesh kanë qenë faktorë të dëmtimit të tyre.

“Përndryshe, vlen të theksohet se edhe kushtet atmosferike shpeshherë kanë shkaktuar dëme, por shumë më të rralla dhe me të vogla krahasuar me ato që ka shkaktuar faktori njeri”, tha ai.

Ahmeti tha se janë në bisedime me “Mural Fest” për të sjellur risi në mini-bibilioteka ku përveç renovimit të strukturës së tyre, të njëjtat planifikojnë t’i rifreskojnë me murale/grafite duke ruajtur tematikën e librit, leximit, dijes, edukimit dhe kulturës. Por, ai theksoj se një marëveshje e tillë ende nuk është arritur pasi kanë nevojë edhe për pak mbështetje institucionale.

Megjithatë, sipas organizatës ata kanë në dispozicion një fond prej rreth 500 librash të cilat pritet të shpërndahen në mini-biblioteka pas renovimit.

Ahmeti fajin për këtë situatë ia lë shoqërisë e cila ende nuk ndjejnë përkatësi të pronës publike. Ai tha se ndoshta për faktin se vijmë nga një sistem ku publikja nuk ka qenë e jona, apo është përceptuar si diçka që i përket shtypësve prandaj edhe është trajtuar në mënyrë jodinjitoze.

“Ndryshimi i kulturës do kohë, por që tek ne kjo kohë po shkon përtej limiteve të normales, fatkeqësisht. Diçka tjetër që duhet përmendur është edhe fakti se libri në shoqërinë tonë shpeshherë nuk përceptohet si diçka që mundëson argëtimin dhe relaksimin tonë. Sidomos tek fëmijët”, tha ai.

Në lidhje me këtë çështje ai tha se fëmijët librin e shohin si detyrim, dhe detyrimi në nëndije krijon aversion duke marrë shembull nxënësit e gjimnazeve që në fund të vitit ata shkyenin librat dhe faqet e tyre i hidhnin nga dritarja, si shenjë çlirimi apo revolte.

Sipas tij incimi dhe menaxhimi i mini-bibliotekave është përgjegjësi e lartë për shkak se  ky projekt  është mbyllur dhe është  e vështirë të sigurohen fonde për mirëmbajtjen e tyre.

“Mund të them lirisht se kjo është punë vullnetare. Pra, fakti që mirëmbajtja është tejet e vështirë, shpeshherë na ngarkon. Pasi të shohësh librin të vendosur në struktura të dëmtuara e të pluhrosura – nënkupton trajtim jodinjitoz ndaj librit”, tha ai.

Plani i organizatës ishte që të zgjerohet rrjeti i mini-bibliotekave edhe në komuna të tjera por duke parë trajtimin që i ka bërë shoqëria 12 të parave, i ka bërë që ta rimendojnë këtë plan.

Megjithatë, plani kryesor është renovimi, rifunksionalizimi dhe mirëmbajtja e minibibliotekave aktuale, para se të procesojnë me zgjerim e cila varet edhe nga interesimi i përfshirjes së donatorëve vendor e të huaj.

“Ka edhe të tillë, padyshim, që e shohin projektin si diçka të kotë apo si diçka që thjesht nuk bënë t’i ofrohet shoqërisë sonë. Zhurmagji pa zgjidhje – që ditë e natë rrijnë në rrjete sociale për të kritikuar nisma shpresdhënëse”, u shpreh Ahmeti.

Synimi i ETEA-s  dhe bashkëpunëtorëve tjerë, duke përfshirë edhe komunën e Prishtinës – Drejtorisë së Kulturës, është që mirëmbajtja e minibibliotekave të kaloj në përgjegjësi të Ndërmarrjes Publike Banesore. Ndërkaq zgjidhjet e tyre të vetme janë zhvendosja e bibliotekave në pika më të ndriçuara dhe më të frekuentuara apo  arritja e pajtueshmërisë me lokale, kafiteri, organizata apo institucione që mini-bibliotekat të vendosen në afërsi dhe të mbikëqyren nga ata.

Mini-biblioteka e vendosur në Dardani gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, pak orë pas inaugurimit të saj ishte sulmuar me vezë.

Projekti “Mini-bibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë “Dukagjini”, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Komuna e Prishtinës.

Mini-bibliotekat funksionojnë sipas mënyrës “sill një libër – merr një tjetër”, ku banorët e lagjeve do të kenë mundësinë edhe të huazimit të librit përgjatë qëndrimit në oborrin e lagjes përkatëse. Ato janë të qasshme 24 orë në 7 ditë të javës.