Grafike 240621-Defici tregtar 2010-2020

Burimi: Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK)

Deficiti tregtar sa buxheti i Kosovës

Ndonëse Ligji për Buxhetin e Kosovës për sivjet, vitin 2021, thotë se buxheti parashihet të jetë mbi 2.4 miliardë euro, ndërsa ai i rishikuari për vitin e kaluar ishte mbi 2.6 miliardë, në anën tjetër të dhënat e ASK-së, lidhur me tregtinë e jashtme të Kosovës tregojnë se në vitin 2020 kishte deficiti tregtar në vlerë prej 2,8 miliardë euro, apo më të ulët për 9.4 për qind krahasuar me vitin 2019, në të cilin po ashtu ishte evidentuar bilanc negativ.

Me fjalë të tjera i bie se në Kosovë bleu mallra në vitin e kaluar më shumë se sa buxheti i përgjithshëm i rishikuar i vitit 2020 dhe ai i planifikuar për sivjet.

Në vitin 2020, buxheti i përgjithshëm ishte mbi 2.6 miliardë euro ndërsa ai i parashikuar për sivjet mbi 2.4 miliardë euro.

Eksportet e Kosovës ishin 474,8 milionë euro, ndërsa importi 3,2 miliardë euro. Eksporti arriti të mbulonte importin vetëm në shkallën 14.4 për qind.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksportet e Kosovës në vitin e kaluar në krahasim me vitin 2019, tregojnë rritje vjetore për 23.8 për qind, rritje e cila ende mbetet në bilanc negativ tregtar të Kosovës.

Çka eksportoi Kosova në vitin e pandemisë, 2020?

Raporti ASK-së, tregon se Kosova eksportoi më shumë metale bazë dhe artikuj të metaleve bazë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 173,9 milionë euro, eksporti i të cilave u rritë për 29.4 për qind, gjithashtu u eksportua plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre në vlerë rreth 57,1 milionë euro apo 12.5 për qind më tepër. Kosova eksportoi edhe produkte bimore në vlerën e 31.7 milionë eurove të cilat shënuan rritje mbi 38 për qind. Me vlerë dhe përqindje më të vogël pati eksport të makinerive tekstil dhe artikuj prej tij, eksport i ushqimeve të përgatitura e deri tek eksporti i letrës.

Të dhënat e ASK-së thonë se gjatë kësaj periudhe rënie më të madhe kishte tek produktet minerale. Nga 40 milionë euro sa ishin një vit më parë, në 2020 ato ranë në 26 milionë euro me një rënie prej 34.8 për qind, pastaj nga 6.5 milionë euro në 4.1 milionë euro ra eksporti i lëkurës dhe artikujve prej tyre. Rënie kishte edhe tek druri dhe artikujt prej tij.

Nga 2010-ta e këndej cilat gupe patën rritje?

“Trend pozitiv të rritjes së eksporteve nga 2010-2020, kanë pas këto grupe të seksioneve: plastikë, gome dhe artikuj prej tyre nga 8,1 milionë euro në 57,1 milionë euro, artikuj të ndryshëm të prodhuar nga 1,9 milionë euro në 49,7 milionë euro, ushqime të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan nga 11,5 milionë euro në 43,5 milionë euro, produkte bimore nga 12,2 milionë euro në 31,7 milionë euro. Të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2020 kanë shënuar një rënie vjetore rreth (5.7%) duke krahasuar me vitin paraprak 2019”, thuhet në raportin e ASK-së.

Çfarë mallrash bleu më shumë Kosova në pandemi?

Gjatë vitit të pandemisë, Kosova më së shumti bleu makineri, pajisje mekanike dhe elektrike në vlerë rreth 434.9 milionë euro duke shënuar rritje kështu prej 1.7 për qind më shumë në raport me një vit më parë. Rreth 13 milionë më pak se importi i sipërpërmendur respektivisht 422.2 milionë euro ishte importi i ushqimeve të përgatitura, pije, pije alkoolike dhe duhan, 283.9 milionë euro produkte të industrisë kimike të cilat ishin më të larta për 15 për qind. Kosova gjithashtu importoi produkte bimore, instrumente optike, mjekësore, fotografike e muzikore por më vlera më të ulëta.

Mirëpo kishte edhe importe të cilat shënuan rënie gjatë vitit të pandemisë. Importi i produkteve minerale (lënda djegëse) ra nga 517.6 milionë euro në 353.8 milionë euro, rënie pati në importin  e metaleve bazë nga 371.4 milionë euro në 351.1 milionë euro. Në 288.8 milionë euro ranë nga 314.7 milionë euro importi i mjeteve te transportit të ndryshëm. Rënie pati në importin e kafshëve të gjalla, produkte me origjinë kafshe, artikuj prej guri e allçie dhe produkte tjera.

Në 2020-ën, eksporti i Kosovës me vendet e BE-së ishte mbi 163 milionë

Në vitin e kaluar, eksporti i Kosovës drejt vendeve të Bashkimit Evropian arriti në 163,4 milionë euro, ose rreth 34.4 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 28.5 për qind.

Gjermania vazhdon të jetë partneri kryesorë i Kosovës, përderisa Kosova eksporton më shumë hekur, çelik dhe plastikë

“Partnerët kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermani (9.3%), Italia (6.0%), Holanda (4.6%), etj. Sipas kapitujve pjesëmarrje më të lart nga vendet e BE-së kanë te këto grupe të eksporteve: hekur dhe çelik 35,6 milion Euro, ose rreth (21.8%), plastika dhe artikujt prej tyre 28,3 milion Euro, ose rreth (17.3%), Mobilieritë: Krevatet, dyshekët, mbajtëset e dyshekëve dhe shtresa të ngjashme të mbushura llambat dhe pajisje ndriçimi, jo të përfshira diku tjetër 10,0 milionë euro, ose rreth (6.1%), etj”, tregon ASK.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së, ishin rreth 1,5 miliard euro, ose 45.8 për qind e importeve të përgjithshme, me një rënie prej -12.0 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lart ishin nga: Gjermania 13.0 për qind, Italia 5.6 për qind, Greqia 4.2  për qind, Sllovenia 3.2 për qind dhe Polonia 3.1 për qind, etj. Vendet e BE-së mbulojnë pjesën më të madhe të importeve të përgjithshme të Kosovës.

Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te këta kapituj: mjetet e transportit të ndryshëm ku arritën në 238,2 milionë euro, ose rreth 15.8 për qind, lëndët djegëse minerale dhe vajrat minerale, produktet e destinimit të tyre ku arritën në 172,4 milionë euro, ose rreth 11.4 për qind etj.

Import mbi 615 milionë euro në 2020-n nga vendet e CEFTA-s

Në vitin 2020, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 210,7 milionë euro, ose 44.4 për qind të eksporteve të përgjithshme, ku kishte rritje prej 27.8 për qind.

Shqipëria më shumë bleu mallra nga Kosovë në vitin 2020

“Partner kryesor për eksport në vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (23.2%), Maqedonia (9.3%), Serbia (6.4%) dhe Mali i zi (3.9%). Sipas kapitujve pjesëmarrje më të lartë nga vendet e CEFTA-së kanë te këto grupe të eksporteve: hekuri dhe çelik ku arritën në 55,8 milion euro, ose rreth (26.5%), artikujt prej hekuri dhe çelik ku arritën në 30,6 milionë euro, ose rreth (14.6%), pijet, pije alkoolike dhe uthllat ku arritën në 20,7 milionë euro, ose rreth (9.8%), etj”, bën të ditur raporti i ASK-së.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në vitin 2020, arritën në 615,3 milionë euro, ose 18.7 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 22.4 për qind.

Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria 5.8 për qind, Maqedonia 5.7 për qind, Serbia  5.3 për qind.

Tutje thuhet se Importet me pjesëmarrja më të lartë ishin te këta kapitujt: hekuri dhe çeliku ku arritën në 120,3 milionë euro, ose rreth 19.6 për qind, kripërat, sulfuret, oksidet, gurët, materialet suvatuese, gëlqere dhe çimento ku arritën në 55,8 milionë euro, ose rreth (9,1%), etj.

Ndryshe, në tregtinë me vendet e tjera të botës, eksportet e Kosovës arritën ne 100,6 milionë euro, ose 21.2 për qind nga totali.

Si partner më të rëndësishëm nga këto vendet për eksport janë: Zvicra 8.2 për qind, SHBA 5.0 për qind. Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera arritën në 1,1 miliard euro, ose 35.5 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12.4 për qind dhe Kina 9.8 për qind.