Deçani_Foto_KALLXO.com

Deçani i AAK-së

E qeverisur për një kohë të gjatë nga partia e Ramush Haradinajt, komuna e Deçanit është njëra nga komunat me më së paku probleme në infrastrukturën rrugore.

Nga rrugëtimi në komunë e kupton se rrugët dhe rrugicat e fshatrave janë të asfaltuara ndërsa problemin kryesor komuna vazhdon ta ketë në qendrën e ngushtë të qytetit, ku tollovitë në trafik shkaktojnë kolona të gjata.

Bashkim Ramosaj erdhi në krye të Komunës për ta zëvendësuar Rasim Selmanajn po ashtu nga AAK.

Lideri i ri i Deçanit erdhi me shumë premtime të cilat ende nuk janë përmbushur.

Menaxhimi dhe rritja e cilësisë së arsimit ishte një nga prioritetet e premtuara të Ramosajt ndërsa të dhënat nga terreni tregojnë se nën menaxhimin e tij shkollat kanë vazhduar të jenë të politizuara.

Në Deçan më shumë se gjysma e drejtorëve të shkollave janë edhe anëtarë të partisë së Ramush Haradinajt, parti kjo të cilës i takon edhe Bashkim Ramosaj.

Deklaratat e vetë drejtorëve të shkollave konfirmojnë se partia ndikoi që ata të marrin postin në këto institucione arsimore. Komuna e Deçanit ka 20 shkolla, ndërsa numëron mbi 5 mijë e 500 nxënës në përgjithësi. Kjo komunë nuk ka telashe me infrastukturën e shkollave, pasi në shumicën e fshatarave dhe në qytet janë ndërtuar shkolla të reja, qoftë më investime të nivelit lokal apo atij qendror.

Por, një telash që përcjell arsimin e Deçanit është zgjedhja e drejtorëve. KALLXO.com zbuloi se drejtorët e shkollave janë pjesë e AAK-së, parti që udhëheq këtë komunë që disa mandate radhazi, ndërsa telashet në konkurset për personael të arsimit i evitdentoi edhe Zyra Kombëtare e Auditorit për këtë vit.

Madje, ka drejtor i cili e thotë hapur që partia e ndihmoi, jo vetëm që të jetë drejtor. Ai thotë se pa AAK-në “nuk do të mundte të merrte frymë”. 

Sami Lokaj, drejtor në shkollën fillore “Sylejman Vokshi” në fshatin Prilep në një bisedë për KALLXO.com thotë se është anëtarëi AAK-së.

“Paj, jemi simpatizantë të AAK-së. Simpatizantë edhe anëtarë, po jam por nuk jam në ndonjë organ të partisë, por anëtar po. Unë jam që një kohë të gjatë drejtor, nuk ka pasë as konkurrencë në dy mandate të mia”, thotë ai.

Lokaj e thotë hapur që partia në pushtet e mbështeti që të zgjidhet drejtor shkolle.

“Qysh nuk na ka ndihmu AAK-ja me u bë drejtor, mos me kanë AAK-ja s’kisha mujtë me kanë drejtor, normal drejtorat i bën pushteti. Gjatë të gjitha etapave ka qenë Aleanca, edhe normal më ka favorizuar normal, mos me pasë kanë Aleanca nuk kisha mujtë me marr as frymë. Unë jam me Aleancën deri në vdekje, se lëshoj kurrë hiç”, ka thënë ai.

Sami Lokaj drejtor i shkollës “Sylejman Vokshi”, Prilep

Drejtorët tjerë të shkollave, të kontaktuar nga KALLXO.com, edhe pse deklarojnë se janë votues, simpatizantë e anëtarë të AAK-së e postojnë fotografi të partisë nëpër rrjete shoqërore, mohojnë që kjo parti që udhëheq Deçanin të ketë ndikuar që ata të jenë në krye të shkollave.

Hamid Qorraj, drejtor i Gjimnazit “Vëllëzërit Frashëri” në Deçan, ka mohuar se është pjesë e partisë së Bashkim Ramosajt, kryetarit të kësaj Komune, por thotë se e pëlqen AAK-në.

“Jam votues i Aleancës, asnjë pozitë politike nuk kam në AAK. Nuk e di nëse i kam shpërndarë, veç i këqyr e i përcjell. Që dy vite jam drejtor në shkollë. Nuk ka ndikuar partia që të bëhem drejtor, konkursi ka qenë publik. Nuk jam aktiv në asnjë parti, normal më pelqen AAK sepse ka dhënë shumë për Deçanin”, është shprehuar ai.

Hamid Qorraj, drejtor në shkollën “Vellezërit Frashëri”, Deçan

E drejtorit të shkollës fillore “Isa Boletini” në fshatin Isniq i ka penguar fakti që është pyetur nëse është pjesë e AAK-së. 

Shaban Mehmetaj kishte qenë për disa vite në krye të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Deçanit. Tani ai është drejtor shkolle.

“Ajo është krejt çështje personale e secilit, po më vjen keq që jeni ra në këtë pikë me i pyet njerëzit se ku jeni me cilat parti jeni. S’ki nevojë me më pyet mua për atë punë hiç, po më vjen keq, është problem i secilit individ, a po kupton çka po më pyet hiç për atë punë…”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Edhe një ish-drejtor i Arsimit në Komunë u bë pastaj drejtor shkolle në Deçan. Qazim Maloku fillimisht u shkarkua nga drejtoria komunale e Arsimit sepse, siç tha ai, kryetari Ramosaj nuk e kishte dashur në ekipin e tij. Ai thotë se partia nuk ndikoi që të zgjidhet drejtor në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

“Kam qenë drejtor i DKA-së, pas një muaji është hapur konkursi për drejtor shkolle dhe unë jam zgjedhur. Ka qenë konkurs publik, kam pasur kundërkandidatë. Mund të ketë hipoteza të ndryshme, por unë kam aplikuar me konkurs publik, nuk shoh ndonjë konflikt interesi. Bashkim Ramosaj nuk më ka pa si ekip të tijin, prandaj më ka shkarku”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Qazim Maloku, drejtor i shkollës “Lidhja e Prizrenit”, Deçan

Pjesë e AAK-së dhe drejtor shkolle është edhe Bashkim Berisha nga Strellci i Epërm. Atij i është dukur e pavend pyetja nëse është pjesë e politikës dhe nëse kjo e fundit ndikoi që të bëhej drejtor shkolle.

“Çfarë rëndësie ka ajo se a jam pjesë, për çfarë po të vyen, çfarë rëndësie ka nëse jam ose s’jam? Po më duket absurde me më pyet a jeni anëtar i një subjekti politik, kryetarët po i përzgjedhin, a s’po e dini ju me gazetari hulumtuese a? Jam pjesë (e AAK-së), nuk kam naj pozitë po anëtar i thjeshtë, jam drejtor shkolle”, ka deklaruar Berisha.

Anëtar i AAK-së është edhe Mujë Avdiu, drejtor i shkollës fillore “Drita” në fshatin Gramaçel të Deçanit.

“Jam anëtar i AAK. Jam anëtar prej vitit 2000, partia nuk më ka ndihmu me u bë drejtor, s’ka pasë pse sepse e kam pasë fakultetin e kryer”, ka thënë shkurt Avdiu.

Mujë Avdiu, drejtor i shkollës “Drita”, Gramaçel, Deçan

Zeqir Nitaj është drejtor në shkollën fillore “Sylë Alaj” në Drenoc të Deçanit. Ai është vëllai i zëvëndësministrit të Ekonomisë dhe Ambientit nga AAK në Qeverinë Hoti, Muharrem Nitaj.

Nitaj e ka pranuar që është anëtarë i partisë së Ramush Haradinajt.

“Po, jam anëtar i AAK-së, që 10 vite jam, nashta pak më pak. Drejtor shkolle jam që 7 vite. Partia nuk ka ndikuar që të bëhem drejtor, apsolutisht, kam 32 vite përvojë pune, jam ardhë me konkurs të rregullt. Po, unë e kam vëlla zëvëndësministrin, Muharrem Nitaj”, ka thënë Nitaj për KALLXO.com.

Fotografi të liderit të AAK-së shpërndan edhe drejtoresha e shkollës “Heronjtë e Dukagjinit” në Gllogjan. Por, Lumturije Avdiaj mohon se ka nodnjë lidhje me partinë e Ramush Haradinajt.

“Unë jam pjesë e arsimit, drejtoreshë e shkollës. Nuk jam pjesë e asnjë partie politike. A ka diçka të keqe me i shpërnda fotografitë e politikanëve? Facebooku është personal, nuk e di që ka ndonjë të keqe nëse është te faqja ime. Do të jem më e kujdesshme herave tjera, nuk e di që është ndonjë problem me qenë simpatizante, ne jemi qytetarë të lirë, kemi të drejtë të jemi simpatizantë. Nuk e di a keni të drejtë sepse është Facebook-u personal. Unë që 29 vjet punoj në arsim, nuk ka ndikuar askush, që tri vite jam drejtoreshë në këtë shkollë, konkursi ka qenë i rregullt”, ka thënë ajo.

Lumnije Avdiaj, drejtoreshë në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjnit”, Gllogjan
Lumnije Avdiaj, drejtoreshë në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjnit”, Gllogjan

Pjesë e AAK-së është edhe drejtori i shkollës fillore “Lan Selimi” në Lumbardh të Deçanit, Smajl Lekaj.

“Po, unë jam pjesë e AAK-së, si anëtar si të gjithë nuk kam ndonjë detyrë më të rëndë atje. Jam pjesë e AAK-së mbas vdekjes së Rugovës. Më patën thënë me ardh drejtor në Lumbardh sepse unë kam qenë në gjimnaz, aq ka qenë. Unë u kam thënë që, unë dua që të jem drejtor po pa ndikime, edhe nuk më kanë ndiku asnjëherë më. Nuk ka ndiku partia, mu më ka interesu vetëm puna”, ka thënë ai në një bisedë përmes telefonit për KALLXO.com.

Prej kur u themelua AAK, pjesë e saj është edhe drejtori i shkollës fillore “Maxhun Cekaj”, Mehdi Dodaj nga Irzniqi.

“Po, jam pjesë e AAK-së, prej themelimit të Aleancës jam. Drejtor i shkollës jam që dy mandate, që 6 vite. Jo, nuk ka ndikuar partia, ka qenë konkurs publik dhe transparent”, ka thënë ai.

Mehdi Dodaj, drejtor i shkollës “Maxhun Cekaj”, Irzniq

Pjesë e strukturave të partisë ka qenë edhe drejtori i shkollës “Dëshmorët e Vokshit” nga Pobërgja. Por, Burim Hadergjonaj ka thënë se më nuk mban ndonjë pozitë brenda AAK-së.

“Jam kanë më herët në kryesi të AAK-së, tash mas zgjedhjeve të fundit nuk jam marr më, tash jam vetëm anëtar i thjeshtë”, thotë Hadergjonaj.

Burim Hadergjonaj, drejtor i shkollës “Dëshmorët e Vokshit”, Pobërgjë

Për zgjedhjen e drejtorit në Ratishë të Ulët u desh vetë drejtori aktual të gjejë kundërkandidat në mënyrë që mos të dështojë konkursi për drejtor shkolle. 

Isuf Sadikaj tha se është pjesë e partisë që udhëheq Deçanin por mohoi të ketë ndikuar partia që ai të zgjidhet drejtor në shkollën “Faik Konica”.

“Po, jam pjesë e AAK-së që shumë kohë. Drejtor në shkollë jam që një vit e diçka. Jo, nuk ka ndikuar partia që të bëhem drejtor, menxi i kam gjetë kandidatët, se tre po duhet. U dashtë me i gjetë vetë kundërkandidatët. Jo, partia nuk më ka ndihmu, kush ja ka pa hajrin partisë? Jam vetëm anëtar i thjeshtë në parti”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Isuf Sadikaj, drejtor i shkollës “Faik Konica”, Ratishë e Ulët

Edhe drejtori i shkollës “Esad Mekuli” nga fshati Maznik është pjesë e AAK-së.

“Po, po, jam, prej fillimit, prej themelimit deri më tani. Jam votues dhe anëtar, nuk kam ndonjë pozitë. Jo, absolut nuk ka ndikuar partia që të jem drejtor shkolle. Ky është viti 12 që jam drejtor”, thotë ai.

Hysni Ramaj, drejtor i shkollës fillore “Esad Mekuli”, Maznik

Pyetja nëse është pjesë e partisë së AAK-së i ka penguar drejtoreshës së shkollës “Kuvendi i Verrave të Llukës”, Besarta Tahirukaj. Ajo e ka mohuar që ka ndikuar partia në pushtet që të bëhet drejtoreshë.

“Shumë pyetje personale. Nuk kam asnjë pozitë në asnjë parti, jam drejtoreshë. Normal që e përkrahi një parti, por s’kam pozita, anëtare e AAK-së e thjeshtë jam, por s’kam pozita. Nuk ka ndiku partia që të bëhem drejtoreshë, jam në mandatin e tretë”, ka thënë ajo.

I fotografuar me kryetarin e Komunës e në zyret e AAK-së është parë edhe drejtori i shkollës fillore “Rexhep Kadriaj” nga Rastovica, Blerim Selmonaj. Ai tha se partia nuk ka ndikuar ndonëse ky e pranoi se ka një simpati për AAK-në.

“Pse çka ka me qenë pjesë e partisë, jo nuk jam pjesë as nuk kam qenë. Kemi njëfar lloj simpatie. Kemi qenë më herët, anëtarë, po tash jo, se tash posti i drejtorit, jemi larguar  prej këtyre. Drejtor jam që gjashtë vjet e gjysmë, më është vazhduar mandati sepse kam pasë përformancë të mirë. Kaniherë, kryetari, na thërret me pi kafe, i kemi vizitu zyret e AAK-së. Nuk ka ndikuar partia që të bëhem drejtor, absolutisht”, ka deklarua ai për KALLXO.com.

Blerim Selmonaj, drejtor i shkollës “Rexhep Kadrijaj”, Rastovicë

I afërt me parinë e AAK-së shihet edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të shkollës fillore “Jusuf Gërvalla” në Prapaqan të Deçanit.

Agron Berisha tha se afërsia me partinë e AAK-së nuk ka ndikuar që të bëhet u.d. drejtor i shkollës por përvoja e tij profesionale.

“Jo, nuk jam pjesë e AAK-së, anëtar i thjeshtë jam, por nuk ushtroj asnjë pozitë brenda partisë. Shiko, unë jam i afërt me Dautin e me Ramushin, për shkak të lidhjeve famijlare edhe për shkak të veprimtarisë së luftës. Kurrë asnjëherë nuk ka pasë ndikim për këtë funksionin tim që e kam marrë si ushtrues detyre i drejtorit të shkollës. Me Ramosajn kam raporte institucionale. Po, kam synime me u bë edhe drejtor”, ka thënë Berisha për KALLXO.com.

Agron Berisha, drejtor i shkollës fillore “Jusuf Gërvalla”, Prapaqan
Agron Berisha, drejtor i shkollës fillore “Jusuf Gërvalla”, Prapaqan

Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit ka thënë se ai nuk e di nëse dikush nga drejtorët e shkollave në këtë komunë ka poste politike.

“Sa e di unë, sa jam kompetent, sepse unë jam që dy vite drejtor i DKA-së, ende nuk jam bë, sa e di unë asnjë drejtor që është në komunën e Deçanit nuk janë nëpër poste politike, nuk e di nëse dikush ka ndonjë detyrë nëpër parti politike, e për anëtarë nuk mundem me thënë asgjë sepse nuk kam kompetenca as ligjore as morale, me pyet dikë se çfarë partie është”, ka thënë Bekim Vishaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Deçanit.

Tutje, drejtori i DKA-së ka thënë se është shqetësuese nëse politika ndërhyn në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave. Por, sipas tij, një gjë e tillë nuk ndodh në Komunën e Deçanit.

“Unë mendoj që asnjë me pozitë politike, partiake, unë e di që nuk janë. Ata janë qytetarë të lirë, veprojnë dhe mendojnë lirshëm, kanë të drejtën e lirë të mendimit. Sa e di nga përvoja ime personale, më së paku në Deçan favorizohen sa i përket kësaj. Sigurisht që është shqetësuese me u përzi partia në përzgjedhjen e drejtorëve. Unë mendoj që më së paku duhet me ndiku partia dhe mendoj po ashtu që në Deçan më së paku ndikon partia, jemi komunë e vogël dhe jemi shku te vlerat e drejtorëve”, tha ai.

Së fundmi si mësimdhënëse në shkollën fillore “Lan Selimi” në fshatin Lumbardh u punësua Lirije Cacaj, motra e shefes së kabinetit të kryetarit të Komunës së Deçanit, Dafina Cacaj.

Vetë shefja e kabinetit të Bashkim Ramosajt ka thënë se nuk ka ndikuar që motra e saj të punësohet si mësimdhënëse.

“Cacaj është gjysma e Deçanit, më së shumti në Deçan ka me mbiemër Cacaj, unë nuk mund t’i njohë krejt, por, po Lirijen e kam motër. Tash nuk do me thanë që tash që unë jam në punë të tjerët me nejt pa punë, ka diplomuar për edukim. Motrën tjetër e kam para saj të diplomune po s’u hi në punë, s’e ka pasë fatin, kjo ka hi si zëvendësim. Jo, nuk kam ndiku aspak”, deklaroi ajo në një bisedë për KALLXO.com.

Telashet në arsim i gjeti edhe ZKA-ja

Zyra Kombëtare e Auditimit për vitin 2020 gjeti se në Komunën e Deçanit gjatë rekrutimit në sektorin e arsimit pati parregullsi. Kandidatët kishin dhënë përgjigje të njëjta sikur në shabllonin e përgjigjeve gjë që nënkuptohet që ata i kishin siguruar paraprakisht ato.

“Në njërin prej rasteve kandidati në tre pyetjet e para të testimit me shkrim përgjigjet i kishte identike me përgjigjet në shabllonin e testit”, thuhet në gjetjet e Auditorit.

ZKA rekomandoi që kryetari të sigurohet që të menaxhojë më mirë procesin e rekrutimit. “Duhet të shtojë masat e sigurisë lidhur me qasjen në dokumente/testet për kandidatët”, thuhet në raportin e Auditorit.

Komuna e Deçanit nuk ofron bursa për studentët e kësaj ane. Këtë e konfirmoi për KALLXO.com edhe vetë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Bekim Vishaj. Ai tha se nuk po japin bursa për studentët deçanas për shkak të mungesës së parave.

Komuna që udhëhiqet nga Bashkim Ramosaj i AAK-së, 20 vjet pas luftës, ende nuk e ka një çerdhe publike. Në këtë qytezë është vetëm një çerdhe private. Drejtori i DKA-së, Vishaj, tha se ka qenë e planifikuar që të ndërtohet një e tillë, por edhe për këtë, sikur për bursat, mungojnë mjetet financiare.

Punësimet partiake në sektorë të tjerë

Bashkëshorti i drejtoreshës së Ekonomisë dhe Zhvillimit, Fitore Hulaj, u punësua në kompaninë publike lokale “Higjiena”. Kreshnik Hulaj është punësuar gati që një vit në kompaninë publike. Në një bisedë për KALLXO.com drejtoresha Hulaj e ka mohuar që ka ndikuar në punësimin e burrit të saj në këtë kompani publike.

“Jo, nuk kam ndikuar dhe nuk kam pasur kurrfarë roli atje në kompani, ai ka konkuru, i ka qitë dokumentat edhe u pranu, absolutisht nuk kam punë unë në këtë çështje. Mundeni me i përcjell dokumentet, e ka shkollimin, ai u punësu tashmë u bë një vit”, ka deklaruar drejtoresha e Ekonomisë dhe Zhvillimit, Fitore Hulaj.

Jo shumë kohë më parë, nga LDK në AAK kaloi edhe Besnik Hulaj, vëllai i Kreshnik Hulajt e kunati i drejtoreshës, Fitore Hulaj. Ai ka thënë se kishte qenë edhe në të kaluartën në partinë e Ramush Haradinajt ndërsa ishte larguar pas një keqkuptimi. 

Besnik Hulaj mohoi se ka ndikuar për punësimin e vëllait, Kreshnikut, në kompninë “Higjiena”.

“Jo, absolutisht nuk kam ndikuar. Pas një keqkuptimi me kryetarin e mëparshëm pata kalu në LDK, tash jam kthy prapë, po nuk kam ndiku asgjë. Fitore Hulaj është kunata ime, para se unë të kaloj në AAK për herë të dytë”, ka thënë ai.

Pak muaj më parë në krye të kompanisë publike “Higjiena” në Deçan erdhi Kastriot Hulaj. Ai nuk ka ndonjë lidhje familjare me drejtoreshën e Ekonomisë dhe Zhvillimit në këtë komunë por, në profin e tij të Facebook-ut, Hulaj shihet i afërt me Ramush dhe Daut Haradinajn.

Përveç tyre, ai është parë i afërt edhe me kryetarin e komunës, Bashkim Ramosaj por ka mohuar se prijësit e AAK-së dhe kryetari i Deçanit ndikuan që ai të punësohej në kompaninë publike “Higjiena”.

“Drejtor jam që  tre muaj, pjesë e AAK-së nuk jam. Fakti që jam në foto me ta nuk do të thotë që jam i afërt me ta. Nuk ka ndikuar askush që të punësohem, kam përvojë të mjaftueshme, prej 2008-tës, veç një fotografi me kryetarin e kam edhe atë pas përfundimit të procedurave, po edhe me pasë na të Deçanit jemi, nuk mundem me bë fotografi me të tjerë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Edhe një familjare e njërit prej drejtorëve të Komunës së Deçanit u punësua në sektorin publik. 

Bashkëshortja e drejtorit për Buxhet dhe Financave në Komunën e Deçanit, Agron Demuka, u punësua në Qendrën e Mjeksësisë Familjare në Deçan “Adem Ukëhaxhaj”.

KALLXO.com raportoi se Fatmire Buleshkaj- Demukaj fillimisht doli e para në testimet me shkrim. E më pastaj, ajo u zgjodh edhe për vendin e punës “Zyrtar financiar”.

“Absolut hiç s’kam ndiku, krejt janë kryer ato formalitetet, me teste, me të gjitha. Do me thanë ka pasur përvojë”, ka thënë drejtori i Financave në Komunën e Deçanit.

 Tri vite në pushtet, vetëm gjysma e premtimeve të realizuara

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, që vjen nga partia e Ramush Haradinajt, realizoi vetëm gjysmën e premtimeve që dha në zgjedhjet e fundit. Në analizën e Institutit GAP, Ramosaj nga 27 premtimet, përfundoi 15 ndërsa 5 premtime të tjera i la në gjysmë. Filloi por nuk i përfundoi edhe 5 të tjera ndërsa 2 premtime që i dha në vitin 2017, nuk i nisi fare.

Bashkim Ramosaj kishte premtuar se do të fillonte ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në tërë territorin e komunës së Deçanit, por siç vërejti edhe ekipi i KALLXO.com që vizitoi disa prej fshatrave të Deçanit, atje mungon shtrirja e kanalizimit.

Bashkim Ramosaj kishte premtuar edhe ndërtimin e një pende për ujë të pijes në fshatin Lloqan, por deri më tani Komuna vetëm e ka hartuar një plan dhe po kërkon financim nga Qeveria për të.

I pari i kësaj Komune kishte premtuar se do ta trajtonte qendrën e qytetit të Deçanit ku edhe do të ndërtonte nënkalime për këmbësorë. Ndonëse disa prej trotuareve kanë nisur të ndërtohen, punimet për to ende nuk kanë përfunduar. Projekti për zgjerimin e rrugës “Qendra” po bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës.

Kandidati i AAK-së që udhëheq me Deçanin kishte premtuar se do ta hiqte nga tavolina e punës një problem të kamotshëm të banorëve të kësaj komune.

Bashkim Ramosaj premtoi se do ta rregullonte një herë e mirë problemin me ujë të pijes. Por, edhe pas tri viteve të punës, deçanasit vazhdojnë të kenë probleme me ujin e pijes. Banorët e fshatrave Strellc i kanë thënë ekipit të KALLXO.com se detyrohen që ujin e pijes ta sigurojnë nga një krua i fshatit pasi ujësjellësi ka reduktime të ujit.

Gjetjet e Auditorit

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2019 gjeti disa raste kur Komuna e Deçanit bëri keqmenaxhim në kontrata, nuk zbatoi rekomandimet paraprake të këtij institucioni dhe nuk respektoi procedurat e prokurimit gjatë dhëniës së kontratave.

Auditori tregoi se Komuna e Deçanit angazhoi 80 persona me kontratë mbi vepër. Në 72 raste, komuna nuk ka zhvilluar ndonjë procedurë të rekrutimit.

Gjithashtu, në raport thuhet se procesi i rekrutimit të punëtorëve më kontratë mbi vepër nuk ishte menaxhuar nga zyra për burime njerëzore por nga zyra e kryetarit të Komunës. Kështu, siç ka vlerësuar Auditori, nuk është bërë një vlerësim i drejtë i nevojave për angazhimin e tyre.

Derisa për vitin 2018, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte bërë 18 rekomandime për punët jo të mira, prej tyre, nuk u zbatuan 7 rekomandime, 8 të tjera u zbatuan, 2 u mbyllën dersa 1 u zbatua pjesërisht. Në vitn 2019, ZKA ka bërë 14 rekomandime të tjera.

Auditori gjeti se Komuna e Deçanit nuk respektoi edhe procedurat e prokurimit publik kur bëri udhëtime zyrtare jashtë vendit. Biletat e aeroplanit kushtuan 620 euro ndërsa shpenzimet në total të udhëtimit zyrtar kapën vlerën e 2 mijë e 500 eurove. Sipas legjislacionit në fuqi, çdo shpenzim i parasë publike duhet të bëhet në përpudhje me prokurimin publik.

Problemet me ujë e kanalizime në Deçan

Si shumë komuna të tjera, edhe Deçani ka dështuar që t’u sigurojë qytetarëve shërbimet esenciale për jetesë, siç është uji i pijes.

Disa fshatra të komunës së Deçanit ende ujin e pijes e sigurojnë nga puset në mungesë të ujësjellësit ndërsa në disa vende të tjera edhe pse sistemi i ujësjellësit është i shtrirë, mungon rrjedha e ujit.

Komuna e Deçanit ka gjithsej 37 fshatra dhe afër 41 mijë banorë.

Xhemajl Haradinaj është përfaqësues i fshatit Ratishë e Epërme. Në një bisedë për KALLXO.com ai ka treguar për telashet që kanë me ujin e pijes.

“Ratisha e Epërme problemin kryesor e ka ujin. Gypat i kemi vendosur, orët i kemi krejt në rregull, krejt janë bë, por ujë nuk kemi. Uji, sipas Komunës dhe zyrtarëve nuk ka ujë sa duhet, është verë e thatë, për të tjerët po ka e për ne jo. Nuk e di ku është problemi”, thotë Haradinaj.

Për ta shtrirë sistemin e ujësjellësit në këtë fshat investoi një organizatë e huaj, thotë përgjegjësi i fshatit ndërsa, ai thotë se shtëpitë u desh të participojnë me para për hapjen e kanaleve.

“Invesimet për rrjetin e ujësjellësit i ka bërë një oranizatë humanitare zvicerane ndërsa të tjera ne vetë i kemi paguar, me vetëkontribut. Ne s’po ankohemi që kemi investu vetë po vetëm ujë që s’po kemi”, deklarohet Haradinaj.

Xhemaijl Haradinaj, përfaqësues i fshatit Ratishë e Epërme

Përveç ujit të pijes, fshati Ratishë e Ulët ka problem me kanalizimet. Në fakt, në këtë fshat, por edhe në shumicën e fshatrave të Deçanit mungon kanalizimi.

Haradinaj, që përfaqëson fshatin, tha se nuk pret shpejt zgjidhjen e këtij problemi edhe pse premtime kishte marrë disa herë nga kumunarët.

“Kanalizim nuk kemi jo veç fshati jonë, por plot fshatra të kësaj ane. Në këtë pikë me iu thanë të drejtën nuk e kemi shty shumë komunën, sepse i kemi pa mundësitë sepse janë 30 e disa fshatra, kanë qenë mundësitë pak më të vogla. Në kanalizim kanë hy disa fshatara, na kanë premtu edhe neve, po unë mendoj që edhe 5 deri në 10 vitet e ardhshme nuk do të ketë kanalizim”, ka thënë ai.

Telashe me ujin e kanalizime e ka edhe njëri ndër fshatrat më të mëdha në komunën e Deçanit, Strellci i Epërm.

Kryetari i këtij fshati, Salih Rrustemaj, ka thënë se ballafaqohen me reduktime të ashpra të ujit, ndërsa tha se Komuna ua ka lënë fajin banorëve se po e keqpërdorin ujin.

“Kemi reduktime me ujë të pijes po fshati jonë nuk ka as ujë të sistemit për ujitje. Pagesën e bëjmë si krejt qytetarët e në fakt ne kemi mungesa te mëdha të ujit, jemi anku edhe në Komunë. Disa gypa i kanë ndërru, disa tjerë i kanë lënë mbi tokë, ne veç po dëshirojmë me zgjidh njëherë e mirë problemin e ujit”, thotë Rrustemaj.

Fshati Strellc i Epërm e ka një krua ku shumë banorë jo vetëm të këtij fshati furnizohen me ujë. 

“Ne furnizohemi me ujë te një krua i fshatit, me bidonë, me traktorë, njerëzit marrin ujë të pijes. Nuk ka pasë interesim me zgjidh këtë problem as nga komuna as nga Qeveria. Ne jemi një fshat që kemi kontribu shumë në luftë”, thotë ai.

Kroi në Strellc të Epërm

Rrustemaj thotë se patën premtime edhe për rregullimin e kanalizimit, por asnjëherë nuk ndodhi.

“Na kanë thënë që do të bëhet kanalizimi, nuk e dimë kurrë se a do të bëhet”, thotë ai.

Fshati Drenoc i Deçanit e ka kanalizimin që është ndërtuar jo shumë kohë më parë. Por, banorët e fshatit janë në hall me ujërat e zeza që dalin nga kanalizimi dhe erën që verës bëhet problem serioz. Elez Mazreku, banor i fshatit Drenoc tha se era e cila kundërmon nga kanalizimi arrinë deri te shtëpitë.

“Po na pengon shumë, fëmija po më dhimen edhe të rinjtë se neve që i kemi bë nga 70-80 vjet, veç prej që është bë është me këto era, sa del në një shakt sa del në tjetrin. E deri kur më, nuk e di. Verës, era vjen shumë e keqe, era vjen deri te shpia nëpër gypa kthehet e vjen era”, tha ai për KALLXO.com.

Elez Mazreku, banor i fshatit Drenoc

Kanalizim nuk ka as në fshatrat Isniq, Maznik e Prilep. Derisa në Isniq ujërat e zeza derdhen në kanalin që përshkon afër rrugës kryesore të fshatit në fshatin Prilep kanalizimet derdhen në lumë. 

Prilep, kanalizimet dershën në lum

Vetë Komuna e Deçanit e ka pranuar se ka telashe me shtrirjen e kanalizimit në të gjitha fshatrat. Në një përgjigje me shkrim, Komuna ka thënë se as gjysma e territorit të kësaj komune nuk mbulohet me kanalizim.

“Shtrirja e rrjetit të kanalizimit në komunën tonë përfshin rreth 27 % të territorit që do të thotë qyteti i Deçanit dhe një pjese e fshatrave për rreth ku derdhja bëhet në Lumin Lumbardhë në një impiant klasik tre shkallësh që është jo standard për ndotjen në natyre. Deri më tani komuna jonë ka qenë e anashkaluar nga niveli qendror për marrjen e fondeve për ndërtimin dhe shtrirjen e kanalizimit në pjesë të tjera”, thuhet në përjgigjen e Komunës.

Ndërsa, komuna që udhëhiqet nga Bashkim Ramosaj e ka edhe një përgjigje për problemet me ujë. Sipas saj, të gjitha fshatrat tani kanë ujë.

“Komuna e Deçanit gjatë mandatit të Kryetarit Bashkim Ramosaj 3 fshatrat e fundit të cilat kanë qenë pa ujë sjellës ka përfunduar projekti për shtrirjen e ujësjellësit me ujë të pijës konkretisht në fshatrat; Ratish i Eperm, Ratish i Ulet, Maznik , do të thotë se i gjithë territori i komunës është i furnizuar me ujë te pijës”, ka konfirmuar Komuna e Deçanit në një përgjigje për KALLXO.com.

Rrugët dytësore të paasfaltuara

Komuna e Deçanit rrugët kryesore i ka të asfaltuara të gjitha pothuajse. Por, banorët e fshatit Ratishë e Strellc kanë kërkuar që të asfaltohen edhe disa rrugë dytësore.

Kryetari i fshatit Strellc pati edhe një kërkesë për prijësit e Komunës. Salih Rrustemaj kërkoi që të shtrohen edhe disa rrugë dytësore në këtë anë.

Ndërsa, fshatarët në Ratishë i thanë ekipit të KALLXO.com se kanë nevojë për afaltimin e rrugës që njihet si “Rruga e Kuçëve”.

“Rruga e Kuçëve” në fshatin Ratishë e Epërme

Ujë për ujitje

Deçani llogaritet ta ketë një sipërfaqe pak më shumë se 288 kilometra katrorë. Prej tyre, rreth 950 hektarë llogaritet se është tokë pjellore.

Xhemajl Haradinaj, përfaqësues i fshatit Ratishë e Epërme, ka thënë se mungesa e ujit për ujitje paraqet problem më të madh se mungesa e ujësjellësit në këtë fshat. Ai thotë se dikur funksiononin disa kanale për ujitje me të cilët ujitej toka bujqësore.

“Për këtë popullatë, problem më i madh është mungesa e ujit për ujitje sesa uji për pije. Uji për ujitje për ne është jetike. Kemi kërkuar disa herë për rregullimin e kanalit, për mirëmbajtjen e kanalit se qysh ka qenë më përpara, sepse më herët këndej pari është ujitur tre-katër herë brenda ditës”, thotë ai.

Sipas tij, nëse kjo anë e fshatrave kanë ujë për ujitjen e tokave bujqësore, të rinjtë do të punonin tokën e nuk do të kërkonin ta lënë fshatin.

“Me pasë ujë për ujitje, ia kishin pa popullata hajrin, edhe komuna ia kish pa hajrin se të rinjtë nuk kishin kërku me shku jashtë. Në Komunë po na thonë që duhet shumë buxhet, nuk ka para të mjaftueshme. Për mendimin tim, nuk kanë interesim, se kishin mujtë”, thotë Haradinaj.

Problemin me ujë të ujitjes e kanë edhe shumë fshatra të tjerë të Deçanit, duke përfshirë edhe Strellcin e Epërm.

Bërllok në hapësira gjelbëruese

Deçani është ndër qytetet me natyrën më të bukur në Kosovë. Por, në disa pjesë të kësaj komune ambienti është ndotur nga bërlloku.

Deponitë ilegale shihen ende nëpër disa pjesë të fshatrave në Deçan. Megjithatë, ekzekutivi ka thënë se po punohet që qyteti i Deçanit të jetë model të për të tjera komuna kur në pyetje është ambienti.

“Qyteti i Deçanit dhe fshatrat përreth ka pasur për afërsisht 50 deponi ilegale por me funksionalizimin e kompanisë “Higjiena” dhe kthimi në kompani komunale ka bërë që Deçani ta marrrë një pamje tjetër dhe të jetë model për komunat e tjera. Shumica e këtyre deponive janë eliminuar dhe janë kthyer ne hapësira të gjelbëruar (pyllëzuar). I gjithë territori i komunës sonë në dhjetor të vitit 2019 është mbuluar në shërbim dhe grumbullim te mbeturinave në ekonomi familjare dhe biznese”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Por, pamje të tjera vijnë nga vendi i njohur si “Qesta e Lloqanit” e në rrugët dytësore që të çojnë në fshatrat Lumbardh e Rastavicë.

“Qesta e Lloqanit” në rrugët dytësore që të çojnë në fshatrat Lumbardh e Rastavicë
“Qesta e Lloqanit” në rrugët dytësore që të çojnë në fshatrat Lumbardh e Rastavicë
“Qesta e Lloqanit” në rrugët dytësore që të çojnë në fshatrat Lumbardh e Rastavicë

Shëndetësia

Në fshatrat Ratishë e Epërme dhe Irzniq edhe pse objektet ekzistojnë, shtëpitë e shëndetit nuk janë funksionale. KALLXO.com ka vizituar të dy objektet në këto fshatra, ato tashmë janë të boshatisura.

Objekti i Shtëpisë së Shëndetit në Irzniq

E, mosofrimi i shërbimeve mjekësore po sjell shumë telashe për banorët e fshatrave. Ata thonë se për një shërbim u duhet të shkojnë në Qendren Kryesore Familjare në Deçan.

“Objekti i Ambulancës është që shumë vite në Ratishë të Ulët, atje jemi kontrolluar, ka pasur edhe mjek rregullisht e kemi pasur një përparësi sepse ka qenë më afër. Ne jemi pa shtëpi të shëndetit, ne për një sëmundje çfarëdo, jemi të detyruar që të shkojmë në Deçan ose në Pejë. nuk na kanë premtuar për ndërtimin ose funksionalizimin, kinse nuk ka pacientë sa duhet”, thotë Xhemajl Haradinaj nga Ratisha e Epërme.

Objekti i Shtëpisë së Shëndetit në Ratishë

Ai ka një shpjegim pse mungojnë investimet e Komunës në fshatin e tij dhe fshatrat përreth.

“Unë i kuptoj udhëheqsëit e Komunës. Kjo shpjegohet me atë thënien: kur shqiponja nuk ka ushqim për vete po e mbytke njërin zog e po e lëke vetëm njërin. Ne jemi pakicë, nuk kemi vota shumë, ua kam thënë edhe kështu publikisht, ne nuk kemi shumë vota e për ata edhe investimet i dergoni tjetërkah. Neve na kanë lanë mas dore, pse me na lanë neve pas dore, gjithmonë të fundit na lënë. Një votë, një votë, edhe ajo është e shenjtë. Me 30 a 40 shtëpi, nuk ka vota shumë e normal që atje ku janë nga 700 shtëpi, ka investime”, vlerëson Haradinaj.

Shtëpia e Shëndetit në fshatin Prapaqan edhe pse është funksionale, aty nuk ka shërbim tërë kohën. KALLXO.com vizitoi objektin e AMF-së pak pas orës 13:00, por aty nuk punonte askush, ndonëse njoftimi në derë thotë që orari i punës në të është nga ora 07:00 e mëngjesit deri në ora 15:00.

Shpenzimi i parasë publike nga kumunarët në Deçan

Dreka dhe darka, ekzekutivi i Deçanit harxhoi mbi 40 mijë euro. Kështu konfirmoi vetë kjo Komunë përmes një përgjigje për KALLXO.com.

“Janë shpenzuar gjithsej 40.315,00€ ( 12.010,00€ janë shpenzime për pije nga byffe brenda objektit të komunës dhe pjesa tjetër 28.305,00€ janë shpenzime për dreka dhe darka për evenimente të ndryshme)”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Mbi 67 mijë euro të tjera janë shpenzuar në karburante.

“Naftë e shpenzuar për ndërmarrjen komunale “Higjena” 26.986,00€, naftë e shpenzuar për ngrohje të objekteve të administratës 39,504,29€, naftë e shpenzuar për shëndetësi 50.209,00€ ( Naftë për ngrohje 29.994,00€, naftë për vetura të shëndetësisë 17.855,00€ dhe naftë për gjenerator 2.360,00€), nafte për Arsim 25.528,00€ (naftë për ngrohje të shkollave 22.413,00€ dhe naftë për vetura 3.115,00€)”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Deçanit.

Kjo Komunë ka treguar edhe sa vetura ka në shfrytëzim.

“Komuna – Administrata ka 11 vetura me qera sipas kontratës mes MAPL dhe MFT, ndërsa ne pronësi kemi 10 automjete tjera duke përfshi një autobus, një kombi bus, katër xhipa 2 Toyota, 1 Mitsubishi dhe 1 Suzuki dhe 4 automjete tjera, pa i përfshi edhe 7 automjete te njësisë se zjarrfikësve”, ka deklaruar ekzekutivi që udhëhiqet nga Ramosaj.

Barazia gjinore në Komunën e Deçanit

Gratë nuk përfaqësohen 50 për qind në Komunën e Deçanit. Kjo Komunë ka vetëm dy gra drejtoresha. Më shumë nuk kishte premtuar as në vitin 2017 kur kandidonte për kryetar Komune Bashkim Ramosaj. Tani, ai ka mbajtë fjalën për vetëm dy gra drejtoresha.

“Dy drejtori do të udhëhiqen nga gratë”, kishte thënë ai në emisionin “Jeta në Kosovë”.

Që tri vite, në komunën e Deçanit regjistruan vetëm 132 gra pasurinë në emër të tyre. Ndërsa, numri i grave të punësuara në Komunë është 22.5 për qind. Në pozita udhëheqëse, gratë në Komunën e Decanit përfaqësohen vetëm 6.7 për qind.