Debati i Rastit “Kiçina” Vlerësohet Ndërhyrje në Gjyqësor

Me kërkesën e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, rasti i njohur si “Kiçina” do të diskutohet në seancën e së premtes më 15 mars në Kuvendin e Kosovës.

Vendimi u mor në takimin e Kryesisë së Kuvendit, të hënën.

Por profesionistët e fushës së drejtësisë janë të brengosur për, siç thonë ata, ndërhyrjen në pavarësinë e gjyqësorit.

Futjen e rastit “Kiçina” në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës, e ka cilësuar si ndërhyrje të pastër të pushtetit legjislativ në pushtetin gjyqësor, Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi .

“Në asnjë rrethanë vendimet gjyqësore nuk mund të komentohen, e aq më pak të ndërhyhet nga pushtetet tjera, sepse kjo në parim paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në pavarësinë e gjyqësorit”, tha Musliu.

I pyetur për rrjedhën e mëtutjeshme të ngjarjeve në rast se nga Kuvendi i Kosovës rekomandohet që rasti “Kiçina” të shkojë në rigjykim, Musliu shprehu shqetësim nëse ndodhë diçka e tillë.

“Edhe nëse parlamenti rekomandon që rasti të kthehet në rigjykim kjo nuk është obliguese për gjykatën

“Kjo nuk mund të ndodhë assesi, duke ditur kompetencat e Kuvendit të Kosovës. Por, nëse propozohet një gjë e tillë, atëherë kemi të bëjmë me një pushtet suprem të Kuvendit të Kosovës, i cili mund të bëjë çfarë të dojë, të nxjerr ligje, t’i zbatoj ato dhe të vendos drejtësinë. Kjo është në kundërshtim të plotë me të gjitha parimet e së drejtës, nuk ka logjikë të ndodhë, dhe nuk besoj se mund të ndodhë”, i tha ai Gazetës Jeta në Kosovë.

“Nuk mund të paragjykoj se cilat do të jenë rekomandimet e parlamentit” tha Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Ibrahim Dobruna, duke shtuar se edhe nëse parlamenti rekomandon që rasti të kthehet në rigjykim kjo nuk është obliguese për gjykatën.

Doburna, i cili ka qenë edhe avokat mbrojtës në rastin “Kiçina”, i tha gazetës se megjithatë duhet të pritet rekomandimi dhe të shihet se çka do të bëhet pas zhvillimit të debatit parlamentar

Kryetari Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci thotë se në parim tashmë ka dhënë qëndrimin e tij dhe se këshilli do të dalë me një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.

“Ne do të diskutojmë me anëtarët e tjerë të Këshillit dhe do të dalim me një qëndrim”, i tha Peci Gazetës Jeta në Kosovë.

Deputetët përkrahin iniciativën e Lladrovcit

Për hapjen e debatit parlamentar, për rastin Kiçina, të iniciuar nga deputeti i PDK-së Ramiz Lladrovci, kanë nënshkruar 85 deputetë, nga pozita dhe opozita. 

“Është e nevojshme të hapet një debat dhe të krijohet një komision, ashtu që të qetësojë zemrat e njerëzve dhe zemrat e familjarëve”

Nait Hasani, njëri nga deputetet e PDK-së, nënshkrues i kësaj iniciative tha: “duke njohur rrethanat në Kosovë, duke njohur edhe rastet në Kosovë, edhe imponimet në Kosovë, aty ka pasur mundësi të jenë bërë imponime të ndryshme”.

Hasani tha se e sheh të nevojshme të hapet një debat dhe të krijohet një komision, “ashtu që të qetësojë zemrat e njerëzve dhe zemrat e familjarëve”.

Kurse, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri i cili po ashtu ka nënshkruar iniciativën e Lladrovcit, tha se ky rast është njëri nga rastet më eklatante, për të cilin është vendosur në mënyrë arbitrare.

“Ajo që unë gjithmonë kam dyshuar dhe kam bërë thirrje, është thirrja për drejtësi. Te rasti konkret dyshohet për mungesë faktesh dhe vendosje arbitrare”, i tha Haziri gazetës.
85 deputetë kanë përkrahur nismën e Ramiz Lladrovcit | Foto: Facebook

Kërkesa e Lladrovcit është nënshkruar edhe nga disa deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, ndër ta edhe Afrim Hoti, i cili tha se rasti Kiçina tashmë është i njohur për të gjithë, si rasti më flagrant i shkeljes së të drejtave të njeriut, ligjeve dhe procedurave ligjore.

“Rast ky që me një vendim të padrejtë ka sjellë pasoja të dëmshme për personat që po e vuajnë dënimin, padrejtësisht. Mosadministrim i provave materiale fizike, duke bërë që të humben  të gjitha provat që janë  gjetur në vendin e krimit”,  i ka thënë Hoti gazetës.

Ahmet Isufi nga AAK, tha se, duke pasur parasysh se edhe ky rast dhe disa raste tjera kanë mbetur ende të diskutueshme, “atëherë nuk kam hezituar që të nënshkruaj që të hapet një debat rreth drejtësisë në Kosovë”.

Për herë të parë, deputeti  Ramiz Lladrovici më 3 dhjetor të vitit 2012 kishte propozuar që ta fusë në rend të ditës diskutimin e rastit Kiçina. Por dy javë më vonë, më 17 dhjetor, pak orë para se të mbahej mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, ai kërkoi  shtyrjen e shqyrtimit të kërkesës së tij.

“Përmbajtja e rastit e Kiçina ka rreth 4,000 faqe dhe më duhet kohë ta analizoj tërë atë”, i pat thënë Lladrovci Gazetës Jeta në Kosovë.

Sipas Lladrovcit, procesi gjyqësor në rastin “Kiçina” është zhvilluar në mungesë të argumenteve faktike, ka kaluar nëpër instanca gjyqësore në bazë të rrethanave fiktive dhe, sipas tij, në të janë shkelur të drejtat kushtetuese të akuzuarve. 

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ

Por kundër diskutimit të procesit gjyqësor ne parlamentin e Kosovës kishte dalë Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Zyra e Bashkimit Europian në vend.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës të përmbahet nga veprimet të cilat mund të interpretohen si tentim për të ndikuar, ose për të kthyer ndonjë vendim gjyqësor.

“Duhet të ekzistojë një ndarje e qartë ndërmjet pushtetit gjyqësor, ekzekutiv dhe legjislativ”, kishte thënë Fjolla  Çeku, zyrtare informimi e BE-së,  e pyetur nëse parlamenti duhet të diskutojë për rastin gjyqësor  “Kiçina”. 

Familja pesantarëshe e Hamëz Hajrës ishte vrarë në veturë nga një breshëri e armëve automatike, në gusht 2001. Gjykatat e të gjitha instancave – që nga viti 2003 deri në vitin 2012 – kanë gjetur fajtorë Burim e Arsim Ramadanin dhe Arben, Blerim e Jeton Kiçinën për këtë vrasje.

Propozimi i Ramiz Lladrovcit dërguar në Kryesi ka marrë mbështetjen edhe mbështetjen e disa prej deputeteve nga: Koalicioni për Kosovë të Re, Lëvizja për Bashkim dhe Partia e Pavarur Liberale.