Debati i cekët dhe huqjet rreth papunësisë

Kosova prej vitesh ka vuajtur për mungesë të debatit për çështje ekonomike. Edhe ato pak raste kur është debatuar e folur për ekonominë ka qenë për ndonjë të arritur apo në kohë krizash. Zakonisht për ekonominë është folur pak për t’u rikthyer te diskursi i pushtetarëve dhe opozitës për çështje politike si: bisedimet me Serbinë, demarkacioni apo interpretimet kushtetuese etj.

Së fundi kemi pas një debat për papunësinë, që u nis pas një postimi të bërë nga ministri i Financave dhe i Transfereve, Besnik Bislimi, për uljen e informalitetit në punësim dhe ndikimin e këtij fenomeni në papunësinë. Debati ishte i cekët. Fillimisht nuk u konsultua askush me Agjencinë e Statistikave, sepse përveç aspektit ekonomik, kjo është edhe çështje statistikore. Si dhe u debatua vetëm për papunësinë, njëri prej tri elementeve të tregut të punës. Dy elemente të tjera që nuk ishin pjesë e këtij debati janë punësimi dhe personat joaktivë, të dy grupe shumë të rëndësishme për të pasur një pasqyrë të plotë të tregut të punës.

Është për t’u habitur se si mediat që e përcollën debatin e papunësisë nuk u kujtuan ta konsultojnë Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), institucionin e vetëm kompetent për prodhim të statistikave në Kosovë. Kjo Agjenci është institucioni suprem i statistikave. Pra, statistikat që prezantohen nëpër media si të Bankës Botërore, zakonisht burim e kanë ASK-në, në përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me parashikime siç është shembull “rritja ekonomike për vitin e ardhshëm”. Njëjtë edhe Banka Qendrore e Kosovë statistikat duhet t’i përshtatë me ato që i prodhon Agjencia e Statistikave.

Përveç që nuk u konsultua fare Agjencia e Statistikave nga mediat, në debat u shpërfaq edhe mungesa e konsultimit të dokumenteve të prodhuara nga kjo Agjenci që është në kudër të Zyrës së Kryeministrit. Madje, kjo u vërejt edhe tek ekspertët e ekonomisë që u kyçën në debat, e madje edhe te vet pushtetarët. Huqjet që janë bërë kanë të bëjnë me gjëra shumë bazike, siç është metodologjia dhe terminologjitë që përdorën nga ASK-ja.

Në gjithë këtë debat një gjë nuk mund të kontestohet. Është ulur informaliteti në punësim. Janë regjistruar 9,946 punëtorë të rinj dhe është ulur informaliteti, falë incentivës së Ministrisë së Financave në kuadër të pakos emergjente. Ky numër i punëtorëve të formalizuar tash mund të ketë arritur edhe në 13 mijë persona të regjistruar si të punësuar. Kjo analizë nuk merret fare me këtë element shumë pozitiv siç është formalizimi i punëtorëve, meqë përveç kontributit në buxhet e rrit në masë të madhe mirëqenien e atyre punëtorëve. Por, marrë parasysh që informaliteti është rreth 30%, atëherë prapë duhet thënë se ky është vetëm një hap i vogël në një sfidë të madhe për formalizimin e ekonomisë së Kosovës.

Gabimi i ministrit të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, nis kur numrin e punëtorëve të formalizuar e zbrit nga numri i personave që konsiderohen të papunë në bazë të statistikave të prodhuara nga Agjencia e Statistikave. Kjo është huqje. ASK-ja shkallën e papunësisë dhe punësimin e tregon bazuar në një anketë dhe jo duke iu referuar punëtorëve të regjistruar në ATK dhe Trust apo atyre që janë regjistruar si të papunë. Fakti që bazë e statistikave është anketa statistika e ASK-së supozohet që në vete përmban edhe numrin e punëtorëve joformalë. Një person mund të mos ketë kontratë, mirëpo Agjencia e Statistikave e konsideron të punësuar.

Prandaj, është e pasaktë dhe gabim që numri i punëtorëve të formalizuar të zbritet nga numri i të papunëve që është pjesë e statistikave të ASK-së. Sepse, nën supozimin që statistikat e ASK-së janë të sakta (me këtë supozim nuk pajtohem), atëherë këta 10 mijë punëtorë do të duhej të llogariteshin si të punësuar në anketën e fuqisë punëtore. Kjo huqje e bën të panevojshme të lëshohemi në analiza të numrave të tjerë, nëse është i saktë konstatimi që papunësia ka rënë për 6.6% apo nëse shkalla e papunësisë ka rënë nga 25.9% në 24.5%.

Megjithatë, është shumë e nevojshme të kalojmë edhe nëpër disa definicione që përdoren nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Shembull, të punësuar konsiderohen: “personat, të cilët gjatë javës referente kanë bërë ndonjë punë për pagesë, fitim ose përfitim familjar, në të holla ose në natyrë, ose ata që mungonin përkohësisht në punën e tyre”.

Sipas këtij përkufizimi personat të cilët mungojnë përkohësisht në punën e tyre, siç është rasti i mungesave për shkak të pandemisë, konsiderohen të punësuar. Megjithatë, me shpjegimet shtesë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës del që ky konstatim nuk është tërësisht i saktë, sepse janë edhe disa parakushte për t’u konsideruar i tillë. Të punësuar, sipas ASK-së konsiderohen personat që kanë munguar përkohësisht nga puna, por që kanë marrë të paktën gjysmën e pagës. E nëse marrin më pak se gjysma e pagës së tyre nga punëdhënësi apo ndonjë donator (qeveria në këtë rast), ata konsiderohen të papunë.

Shembull, nëse një punëtor që kishte një pagë prej 450 euro dhe gjatë këtyre dy muajve nuk ka punuar, por ka marrë si kompensim nga qeveria vetëm 170 euro, atëherë ai konsiderohet i papunë. Deklarata e ministrit u cilësua si “manipuluese” dhe “keqinformuese”, por asnjëherë nuk u bë bazuar në të dhënat e ASK-së, por vetëm duke iu referuar teorive të ndryshme të makroekonomisë si dhe anketave të ndryshme nëpër debate televizive. Është pothuajse e pamundur që të shkruash për papunësinë dhe punësimin e të mos e trajtosh edhe ‘armatën’ e personave joaktivë. Bazuar në metodologjinë e ASK-së, për t’u konsideruar i papunë nuk mjafton të jesh në moshë pune dhe mos kesh një vend pune, mirëpo duhen edhe disa parakushte tjera. Personi që nuk ka një vend pune por nuk ka kërkuar punë në muajin e fundit nuk konsiderohet i papunë. Ai konsiderohet person joaktiv. Të tillë janë 59% e personave në moshë pune, apo 718 mijë persona të moshës prej 15-64 vjeç.

Kjo është një anomali tjetër në statistikat e papunësisë, që kryesisht është përdorur nga politika për të ndryshuar numrat e papunësisë në favor të tyre. Madje, në disa raste kemi raportuar se për një periudhë të caktuar është rritur punësimi dhe papunësia. Në shikim të parë duket gjë e pamundur, por kjo gjë bëhet duke ‘luajtur’ me numrin e personave joaktivë.

Kjo është pika më problematike e statistikave për punësimin në Kosovë e cila do të duhej të ishte pikë fillestare për një qeveri të re. Dikush edhe mund të thotë se ky numër i personave joaktivë është për shkak të nivelit të ulët të punësimit të grave dhe sepse ne kemi më shumë rini, rrjedhimisht më shumë nxënës dhe studentë. Por, kjo nuk qëndron. Janë mbi 100 mijë persona që thjesht janë lodhur duke e kërkuar një vend pune dhe ata konsiderohen persona joaktivë dhe rrjedhimisht nuk konsiderohen të papunë. Një qeveri duhet të bëjë një strategji të veçantë për uljen e numrit të personave joaktivë.

E mira e gjithë këtij debati të cekët është vetëm diskutimi që u bë për çështjet ekonomike e sociale e që do të duhej të ishte halli kryesor i një qeverie e shoqërie normale. Por, konsultimi i dokumenteve dhe institucioneve përgjegjëse është hapi i parë që duhet të bëjë një gazetar e opinionist. Ajo që ka ndodhur në debatin për statistikat e papunësisë është njëjtë sikur për çështjen e mandatarit për formimin e qeverisë të mos konsultohej fare Kushtetuta e të mos pyetej Gjykata Kushtetuese.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!