‘’Dashni pa kushte’’

Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera nga tjetri prind.

Në rastin e sindromit Down, në çiftin e 21-të bashkangjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Termi sindrom nënkupton një varg karakteristikash të cilat shfaqen së bashku. Për herë të parë sindromi Down është përshkruar në një punim akademik të dr. Longdon Down, në vitin 1886, për nder të të cilit është emëruar me po këtë emër.

Sindromi Down nuk është sëmundje, ndaj nuk ofrohet kurë mjekësore për të.

Personat e prekur me Sindromën Down nuk janë ndryshe nga të tjerët përveç ndryshimeve gjenetike. Madje, ata mund të quhen ndryshe nga të tjerët për të vetmen arsye, sepse ata ofrojnë dashuri pa kushte. Ata janë të njohur për ndjeshmërinë e tyre.

Aldi Hoxha është 22 vjeçar nga Gjakova, i prekur me sindromin Down. Ai jeton dhe punon në Prishtinë.

Në shoqërinë kosovare ekzistojnë paragjykime dhe stereotipe të ndryshme për personat me sindromin Down.

Mos informimi i njerëzve nga ana e institucioneve përkatëse të shtetit, ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në diskriminimin e këtyre personave. Ndërsa në vitet e fundit, me themelimin e organizatës Down Syndrome Kosova, është vërejtur një ngritje e vetëdijësimit në lidhje me këtë çështje.

Aldi, është shembulli ose faktori më i mirë që i thyen këto paragjykime dhe diskriminime. Ai është shkolluar, punon, mirret me aktivitete sportive, ka luajtur një rol në një shfaqje dhe madje ëndrra e tij më e madhe është që të bëhet polic.

Në maj të këtij viti ai ka përfunduar shkollimin e mesëm në ‘Shkollën Speciale Përparimi’. Pasi ai në të kaluarën  ka vizituar shtetet si  Shqipëria, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, dëshira e tij është që të shkojë në Stamboll për studime.

‘’Kam qef mu bo student. Me shku në Stamboll edhe me studiu atje. Ende nuk kam qenë por kam dëshirë shumë’’, thotë ai me një zë entuziast.

Kafiteria X21, gjendet në lagjen Pejton në Prishtinë. Është një projekt, i cila ka për qëllim aftësimin profesional të personave me sindromin Down. Në kuadër të këtij projekti, personat më sindromin Down përvetësojnë aftësi drejtuese, menaxheriale dhe të shërbimit.

Aldi punon në këtë kafiteri dhe pothuajse shumicën e kohës e kalon aty me personat tjerë që punojnë me të.

‘’Në kafiq gati krejt kohën e kaloj. Punoj edhe si kamarier edhe si shankist’’.

Përveç kafiterisë, Aldi punon edhe në projektin e Syndrome Down Kosova, në paketimin dhe shitjen e mjaltit natyror nën markën ‘Amë’. Ky projekt është i pari i këtij lloji në Kosovë, i cili thekson rëndësinë e punësimit të individëve me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Aldi është shumë aktiv edhe në aktivitetet sportive. Së fundmi, ai morri pjesë në mini maratonën humanitare ‘Vrapo Babadimër’ të mbajtur me 16 dhjetor në Prishtinë, ku fitoi vendin e parë dhe u dekorua me dy medalje dhe një kupë.

‘’Basketbolli më pëlqen shumë shumë. Tash që është ftohtë nuk po mundem me lujt, por kur është koha më e butë unë luaj vazhdimisht’’, thotë ai, duke treguar që basketbolli është sporti i tij i preferuar.

Përveç basketbollit, atij i pëlqen edhe futbolli. ‘’Tri ekipet që më pelqejnë ma së shumti janë Milano, Liverpooli edhe Juventusi. Milano herë fiton e herë jo, kshtu që Liverpooli është ma i mirë. E Juventusi e ka Ronaldon, manikenin’’ thotë ai duke shprehur pëlqimin që e ka për këto ekipe.

Ai gjithashtu është i anëtarësuar në klubin e notit ‘Prishtina’.

Aldi para dy viteve ka luajtur rolin e mbretit në një shfaqje në Gjakovë. Ai thotë se e ka pasur mjaft të vështirë ta mësojë tekstin.‘’E kom lujt rolin e mbretit. E kom pas vështirë se është dashtë me e mësu tekstin përmendësh. Po teksti nuk ka qenë i gjatë’’.

Sipas Aldit, personat më të rëndësishëm në jetën e tij, përveç familjes janë shokët dhe shoqet e tij në kafiteri.

‘’Personat më të rëndësishëm për mu janë këta këtu, shokët dhe shoqet e mija. Me këta rri krejt kohën edhe pse kaniherë kemi qef mu përla, por prap unë i du shumë këta’’, thotë ai. Edhe nanën me babën i du shumë, se janë kujdes shumë për mu, ata nuk mundem mi krahasu me askënd’’, thotë Aldi.

Sa i përket muzikës Aldi thotë se dëgjon vetëm muzikë popullore. Madje sipas tij vetëm muzikë ‘popullore të Gjakovës’.

‘’Unë dëgjoj muzikë vetëm popullore, popullore të Gjakovës, edhe këngëtarët e mi të preferun janë tre. Ata janë Shkelzen Jetishi, Zenel Doli dhe Korab Jetishi’’, thotë Aldi, duke filluar të këndojë një këngë të tyre.

Në anën tjetër, edhe pse shteti e ka për detyrë që në arsim të përfshihen të gjithë, në Kosovë është bërë shumë pak në këtë drejtim.

Organizata Down Syndrome Kosova, në një përgjigje për KALLXO.COM, thonë se financohen nga subvencionet, donacionet dhe nga shitja e produkteve.

‘’Organizata jonë financohet nga Project propozimet, donacionet individuale dhe biznisore, subvencionet dhe nga shitja e produkteve të prodhuara. Ndërsa nga Qeveria kemi pasur përkrahje vetëm në bazë të Project propozimeve. Në përgjithësi, personat me sindromën Down nuk kanë përkrahje të mjaftueshme nga institucionet e vendit’’, thuhet në përgjigjen e tyre.

Se personat me sindromën Down, nuk janë ndryshe prej të tjerëve e dëshmon Aldi. Atyre thjesht iu duhet një përkrahje dhe vëmendje më e madhe, në krahasim me të tjerët.

Dhe si përgjigje ata të japin diçka që nuk ka çmim, dashni pa kushte.