Daniel Serwer

Daniel Serwer i shkruan Hashim Thaçit

Presidenti i Kosovës Thaçi i është përgjigjur postimit të Shawn Byrnes në Peacefare.net të ditës së shtunë me këto cicërime (tweets):

Hashim Thaçi @ HashimThaciRKS · 13 Mars – I zhgënjyer kur sheh miqtë e Kosovës dhe miqtë e mi, Daniel Serwer dhe Byrnes, duke u mashtruar nga lajmet e rreme. Nuk ka asnjë marrëveshje sekrete apo çfarëdo qoftë midis Kosovës dhe Serbisë. Një gjë e tillë mund të arrihet përmes një procesi transparent me udhëheqjen e SH.B.A., dhe ju ftoj të na ndihmoni. Richard Grenell është duke bërë një punë të shkëlqyeshme.

Hashim Thaçi @ HashimThaciRKS · 13 Mars – Uashingtoni ka vëmendjen e plotë në dialogun Kosovë-Serbi. Barra bie mbi brezin tonë për t’i dhënë fund konfliktit dhe të hapë rrugën për integrimin euro-atlantik dhe prosperitetin ekonomik. Ne kemi nevojë për mbështetje për këtë proces, jo pengesa, as kundërshtim. Kjo ka të bëjë me fëmijët tanë.

Kjo është përgjigjja ime ndaj Presidentit, të cilin e kam njohur që nga vizita e tij e parë pas luftës në SHBA në 1999:

I dashur Hashim,

Unë jam plotësisht dashamirës ndaj ambicieve euro-atlantike të Kosovës dhe vazhdimisht kam dhënë përpjekje për këtë qëllim. Por nuk është mençuri të besosh që Uashingtoni i kushton “vëmendje të plotë” dialogut Kosovë-Serbi, proces ky që ka qenë një proces tërësisht jotransparent. Madje, shumë pak në Uashington janë në dijeni për atë se çfarë që po ndodh, dhe shumë pak prej tyre qajnë kokën për këtë. Kjo mungesë vëmendjeje u ka dhënë mundësinë lobistëve të kontraktuar nga Beogradi të ndikojnë në një administratë që kujdeset pak për Ballkanin dhe aspak për Kosovën, të cilën e konsideron si një produkt të Administratës përbuzëse të Klintonit.

Më e keqe sesa mungesa e vëmendjes amerikane dhe paragjykimi proserb është se populli i Kosovës dhe Serbia nuk dinë asgjë për atë që po diskutohet në takimet tuaja të përsëritura me Presidentin Vuçiq. Qytetarët tuaj kanë kërkuar transparencë. Unë kam kërkuar më shumë se një herë për një përditësim në lidhje me këtë. Nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kjo ju bën juve subjekt të thashethemeve, të cilat nuk janë domosdoshmërisht të sakta. Vetëm transparenca të cilën ju e premtoni mund ta rregullojë këtë problem.

Richard Grenell është një njeri që ka dështuar si Ambasador në Gjermani dhe po dështon si Drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare. Sidoqoftë, ai është duke bërë mjegullnaja të madha në Ballkan, duke bërë shfaqje me marrëveshje të vogla transporti duke i paraqitur si hapa të mëdhenj progresi. Ai po punon gjithashtu shumë për të bërë presion ndaj kryeministrit Kurti duke e kërcënuar me tërheqjen së trupave dhe ndihmave amerikane.

Albini është kërrusur, por akoma nuk është thyer ndaj kërkesës së SH.B.A.-së që ai ta largojë tarifën ndaj mallrave serbe. Qëllimi përfundimtar i Grenell është shkëmbimi i territorit dhe popullatës që po përkrahet nga administrata e Trump dhe ju keni dhënë indikacione se mund ta pranoni një gjë të tillë. Shumica e popullatës suaj, përfshirë serbët në jug të lumit Ibër, janë kundër kësaj ideje të pakuptimtë, e cila do ta bënte Kosovën një burim destabiliteti në të gjithë Ballkanin dhe më gjerë.

Ju, sigurisht, që mund të ma dëshmoni se unë jam gabim duke menduar se jeni gati t’i vëni në pazar pjesë të Kosovës me popullsi serbe për disa pjesëza të Serbisë me popullsi shqiptare: t’i jepni parlamentit të Kosovës llogaridhënie të plotë dhe të ndershme për bisedimet tuaja me Vuçiqin. Kjo duhet të përfshijë agjendat, çdo projektligj ose propozim nga secila palë dhe një transkriptim të plotë të dialogut në nivelin më të lartë dhe në çdo grup pune. Pastaj ta dorëzoni përgjegjësinë për dialogun te qeveria, pasi që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se një gjë e tillë është e saktë dhe parlamenti kosovar tani e ka konfirmuar atë. Duke e bërë Albinin udhëheqës do t’i largoni një numër kritikash që rëndojnë mbi ty dhe do t’i vendosni serbët në një pozicion të vështirë pasi kryeministrja e tyre – një dishepull i presidentit – nuk mund të pretendojë ta ketë mandatin e popullit ashtu siç e ka Albini.

Pa dyshim, ju jeni të zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve që e sollën Albinin në pushtet, pasi që këto zgjedhje e vendosën partinë tuaj në vendin e tretë. Mirëpo, të punosh me ata që kanë përfunduar në vendin e dytë për të rrëzuar Kryeministrin nuk do t’i bëjë aspak mirë Kosovës. Kjo rrezikon të zgjojë një stuhi që do t’i japë fund perspektivës së pezullimit të taksës ose progresit të mëtejshëm me dialogun me Serbinë.

Për një atdhetar kosovar, dhe shpresoj se kam të drejtë të supozoj se do të dëshironit të konsideroheshit një i tillë, shpejtësia nuk do të duhej të jetë prioritet. Nuk ka asnjë dobi në arritjen e një marrëveshjeje përpara se të mbahen zgjedhjet në Serbi me datë 26 prill. Presidenti Vuçiq do të jetë më i lirë të bëjë koncesione për Kosovën pas zgjedhjeve sesa më parë. Kosova do të tregohej shumë e mençur nëse vendosë të presë edhe më gjatë: derisa atëherë kur amerikanët të dalin në vendvotime me 3 nëntor.

Nëse atëherë do të kemi President Biden – një mik i vërtetë i Kosovës – mund të prisni që ai ta emërojë një të dërguar më serioz për të bashkëpunuar me Evropën, diçka që Grenell nuk mund ta bëjë kurrë, sepse ai dhe Presidenti Trump e përçmojnë Bashkimin Evropian në arritjen e një marrëveshjeje serioze midis Kosovës dhe Serbisë. Aksioni i përbashkët BE dhe SHBA është një parakusht për të ushtruar presion të papërballueshëm për të ndikuar te Beogradi. Grenell madje as nuk po përpiqet ta bëjë këtë. Nëse Trump rizgjidhet, kushdo që është në pushtet në Kosovë do t’i duhej të përkulet përsëri për t’i dalë në mbrojtje vendin tuaj nga sulmet e ideve të këqija për ndarje, dhe me këtë preferencat e Grenell do të vazhdojnë të gjenerojnë.

Shumica e qytetarëve tuaj duan një marrëveshje me Serbinë që e njeh shtetin e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur brenda kufijve të saj aktualë dhe i mundëson asaj anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Diçka kësisoj nuk është pjesë e ofertës akoma. Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një marrëveshje e keqe në mënyrë që të marrë një marrëveshje të mirë, në kohën e duhur dhe me ndihmën e SHBA dhe BE. Deri atëherë, progresi gradual është gjithçka që mund të shpresohet. Qeverisja e suksesshme kërkon që të inkurajoni qytetarët tuaj të jenë të durueshëm. Gjërat e mira vijnë për ata që kanë durim të presin.

Artikulli është marrë nga peacefare.net

Daniel Serwer është analist amerikan, Profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve, njohës i çështjes së Kosovës

*Titulli është i redaksisë