D4D: Dy Vjet Pas Reforma Zgjedhore në Pikën Zero

Të pranishëm në tryezën e diskutimit për  dy publikimet, ishin përfaqësues të subjekteve politike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të tjerë institucional.

Publikimi i D4D-së “Deforma zgjedhore” , vlerëson  se në vend se reforma zgjedhore të nisej me qëllim për parandalim të manipulimeve, u nis me qëllim për të krijuar zonat dhe për të zgjedhur presidentin drejtpërsëdrejti.

“Në vend se të nisej me qëllim për të parandaluar manipulimet, reforma u nis me qëllim për të krijuar zonat dhe për të zgjedhur presidentin drejtpërdrejt nga populli. Komisioni për reformë zgjedhore bëri disa përmirësime, injoroi disa pika, por drafti u hodh tutje dhe e gjitha nisi nga e para, nga liderët e fuqishëm politikë” thuhet në publikim.

Liderët politikë kanë zhbërë një pjesë të përmirësimeve që kishte bërë Komisioni dhe së fundi ndërprenë mbledhjet e rregullta, thuhet në publikim.

“Në forum të liderëve janë ngritur çështje që deri tani nuk janë identifikuar si problematike, por duket se u shkaktojnë kokëçarje disa partive. Ka tendenca për zhbërje të përparimeve të mëhershme, si për shembull të lejohet që deputetët sërish të mbajnë poste ekzekutive”, vlerësohet në publikimin e D4D-së “ Deforma zgjedhore”.

Në publikimin “Përkthimi i besimit të qytetarëve” Instituti D4D, bazuar në anketimet e bëra ndër tjera ka vlerësuar perceptimin e të anketuarve mbi përfaqësimin politik dhe pjesëmarrjen në zgjedhje.

Sipas D4 D, rezultatet e këtij reflektimi nuk janë inkurajuese, por ato përbëjnë një bazë për krahasime të ardhshme.

“Shumica e kosovarëve nuk e shohin parlamentin si reflektim të shoqërisë. Një pjesë e madhe e respondentëve,  mendojnë se nuk janë të përfaqësuar dhe kanë vendosur të mos votojnë. Përveç votimit, kosovarët nuk mendojnë lartë për anëtarësinë në grupe qytetare. Votuesit kanë shfaqur mbështetje të fuqishme për lista të hapura, në një shkallë më të lartë të parapëlqimit për kandidatë, sesa parti”, vlerësohet në këtë hulumtim.                 

58 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se janë për votim me lista të hapura, 33 për qind për lista të mbyllura, kurse 10 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

 51 për qind e respondentëve sipas hulumtimit e shohin si më të rëndësishëm kandidatin, ndërkaq 43 për qind subjektin politik.

Nga anketimi i bërë nga D4D-ja, 50 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se në zgjedhjet e 2010-ës kanë votuar për po të njëjtën parti sikurse në 2007-ën, ndërkaq 19 për qind e tyre kanë mohuar ta kenë votuar partinë e njëjtë.

Ambasadorja zvicerane Krystyna Marty Lang që si partner mbështetës i Institutit D4D për publikimet e bëra, mori pjesë në tryezën diskutuese, është shprehur se manipulimet dhe parregullsitë në zgjedhjet e kaluara kanë dëshmuar për nevojën për reformë zgjedhore.

“Për fat të keq ky proces nuk është finalizuar, nuk e di nëse puna është në progres, por ende ka shumë për të bërë. Tani jemi në proces të zgjedhjeve lokale, të cilat janë zgjedhje lokale mjaft të rëndësishme për Kosovën, sepse për herë të parë do të organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës” tha ambasadorja Marty Lang,

 Ajo tha ndër tjera se ndonëse nuk ka ende ligj zgjedhor të finalizuar shpreson se “…do të kemi zgjedhje transparente të lira dhe fer”.

Deputeti i PDK-së Halit Krasniqi, ndonëse konstatimet e publikimeve i ka quajtur impresive dhe motivuese për partitë  politike, disa nga konstatimet i ka vlerësuar të njëanshme.

“Konstatime, kishte të njëanshme, por megjithatë janë impresive dhe motivuese për të gjitha partitë politike çfarëdo qofshin konstatimet që i kemi dëgjuar“, ka thënë ndër të tjera deputeti Haliti.

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu është shprehur se nuk ka pasur vullnet polik për të bërë reformë zgjedhore.

“Ne si subjekt politik jemi të bindur që reformë zgjedhore nuk do të ketë asnjëherë, me njerëz të cilët kanë ardhë në pushtet nga vota e vjedhur”, tha deputetja Haxhiu.

Ndërsa Ardian Gjini i AAK-së, fajtore kryesore për zvarritje të procesit për reformë zgjedhore, e ka bërë partinë më të madhe në pushtet.

Mund të ju them me bindje të plotë dhe me sinqeritet se në fillim të procesit të reformës kur është kriju komisioni për reformë zgjedhore, ka qenë PDK-ja ajo që e ka zvarritë procesin, diku për një vit e kanë zvarritë procesin, nuk kanë pas interes për me shku shpejt me atë proces.

Pjesëmarrës në diskutim ishte edhe kryetari i Partisë së Fortë, Visar Arifaj.

Arifaj e ka vlerësuar publikimin e D4D-së si “tendencioz” pasi nuk është përfshirë Partia e Fortë, ndonëse kjo parti është regjistruar këtë vit dhe nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet e mëparshme.

“…Arsyeja kryesore pse ende nuk kanë ndodhë këto reforma është për shkak se ne nuk kemi qenë ende pjesë e atyre kështu që  shpresojmë që pas këtyre zgjedhjeve të jemi edhe ne të angazhuar në reformat zgjedhore edhe besoj se do të ketë rezultate të mëdha” ka thënë, ndër tjera, Arifaj.