Croatia Sigurimi Ndeshet me Rregullat e BQK-së

Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte ngritur gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti dy aktakuza ndaj Gresa Shabanit e cila punon si drejtoreshë ekzekutive e Croatia Sigurim-it.

Gjykata Themelore i shqiptoi asaj në fund të muajit maj dënimin me gjobë prej 200 eurosh për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, ndërsa në fillim të qershorit ia edhe shqiptoi dënimin me gjobë prej 300 eurosh për veprën penale të kanosjes. Shabani aktualisht nuk akuzohet për ndonjë vepër tjetër. 

Rregullorja për mbikëqyrjen dhe licencimin e kompanive të sigurimit e të ndërmjetësuesve të këtij tregu parasheh ndalesa për personat e përfshirë në raste penale. 

Bazuar në rregulloren e saj, BQK-ja obligohej të suspendonte drejtoreshën ekzekutive të Croatia Sigurimi-it, gjatë kohës sa ndaj saj ishin ngritur dy aktakuza për kryerje të veprave penale.  

Por Shabani vazhdon të mbajë pozitën e saj në degën në Kosovë të Croatia Osiguranje përkundër rregullave të mbikëqyrësit shtetëror të industrisë së sigurimeve. 

“Nëse ndonjëri nga administratoret, punonjësit ose personat që ka interes të rëndësishëm në një kompani të sigurimeve është i akuzuar me ndonjë akuzë penale, ABPK-ja (Autoriteti Bankar i Pagesave i Kosovë s) lëshon urdhrin për suspendimin e përkohshëm të këtij personi”, thuhet në nenin 79 të kësaj rregullore e miratuar në vitin 2001 e që është në fuqi edhe tash. Suspendimi zgjat deri në nxjerrjen e ndonjë vendimi nga gjykata.  

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të bëjë verifikimin e këtyre informatave dhe më pas do të veproj konform kornizës ligjore në fuqi.Besnik Kada

“Aplikantët që janë marrë me ndonjë aktivitet që ka rezultuar me akuza kriminale, të zgjidhura ose pezull, automatikisht do të diskualifikohen”, shtohet në rregullore. 

Banka Qendrore pohon se do të bëjë verifikimin e informatave që lidhen me rastin dhe më pastaj do të marrë vendime. 

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës do të bëjë verifikimin e këtyre informatave dhe më pas do të veproj konform kornizës ligjore në fuqi”, thotë Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së, për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Akuzat

Prokurori Hivzi Bajraktari dorëzoi në Gjykatën Themelore më 29 mars të këtij viti aktakuzën kundër Shabanit për veprën penale rrezikim i trafikut publik. Ajo është gjetur fajtore për rrezikim të trafikut publik në muajin maj. 

Sipas akuzës, Shabani në muajin shtator të vitit 2012, duke shkelur rregullat e trafikut, i ka shkaktuar dëme trupore personit Qerkin Brajshori.

“Në pranverë të vitit të kaluar unë po udhëtoja drejt Podujevës. Kam qenë në shpejtësinë e parë dhe duke lëvizur shumë ngadalë kur e kam goditur veturën e një personi nga mbrapa. Ai ka thënë se po i dhemb qafa dhe e ka ftuar ndihmën e shpejtë. Unë e kam pranuar fajësinë dhe kam paguar gjobën prej 200 eurosh”, thotë Shabani. 

“Unë e kam pranuar fajësinë dhe kam paguar gjobën prej 200 eurosh. Gresa Shabani.

Disa ditë më vonë, më 3 prill, ndaj Shabanit u ngrit aktakuzë për kanosje. 

Shabani akuzohej se në muajin janar të këtij viti kishte kërcënuar se do ta dëmtonte një ish-punonjëse të Croatia Sigurimi, Anduena Mekulin.

Aktakuza e ngritur nga i njëjti prokuror Hivzi Bajraktari përshkruan se në lokalin “Apartmanent”, Shabani me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit kishte kanosur se do ta dëmtonte ish-punonjësen Mekuli. Kësaj të fundit nuk i ishte vazhduar kontrata nga kompania. 

Në arsyetimin e aktakuzës, prokurori Bajraktari thotë se Gresa Shabani në mbrojtjen e dhënë në polici për t’i ikur përgjegjësisë penale e mohon veprën dhe “tenton t’i fsheh faktet për ndriçimin e kësaj vepre”.

Megjithëse nuk ka sqaruar se si ka tentuar t’i fsheh faktet e akuzuara Shabani, prokurori Bajraktari i drejtohet gjykatës në këtë aktakuzë duke konstatuar se “pa mëdyshje vërtetohet se e pandehura ka kryer veprën penale të kanosjes”.

Gresa Shabani mohon se ka kërcënuar ish-punonjësen e Croatia Sigurimi dhe thotë se zënka ndërmjet tyre nuk kishte të bënte me punën. Ajo thotë se Mekuli nuk kishte marrëdhënie pune me kompaninë që para se ajo të vinte në pozitën e drejtores. 

“Personi në fjalë është personi që vazhdimisht më ka provokuar dhe ka përdorur mjete të nivelit më të ulët vetëm për të njollosur emrin tim”, thotë Shabani. “Kjo sigurisht se nuk mund të pajtohet me arritjet e mija, gjë që edhe vazhdimisht e ka shprehur në rrethana dhe situata të ndryshme edhe vetë”.

Por Andeuna Mekuli thotë se nuk ka asgjë personale në reagimin e saj dhe flet për kërcënim nga ana e Shabanit. Kjo e fundit u dënua më 6 qershor në Gjykatën Themelore të Prishtinës për kanosje dhe u gjobit me 300 euro. 

Gresa Shabani udhëheq këtë kompani pas largimit nga kjo pozitë të ish-drejtorit Ivica Pezo.

Shabani ka prezantuar dokument të gjykatës sipas të cilit ajo më nuk ka ndonjë aktakuzë. 

 

Croatia Sigurimi u drejtua edhe nga Ivica Pezo e Leme Xhema

Kompania Croatia Sigurimi në Kosovë që nga hapja e saj më 2005 deri në fund të vitit 2011 është udhëhequr nga kroati Ivica Pezo. 

Në shtator të vitit 2012, faqja zyrtare e kompanive kroate të sigurimeve njoftonte për dënimin e Pezos. 

Ai ishte dënuar për shkak se kishte keqpërdorur autorizimin zyrtar duke nënshkruar kredi fiktive në vitin 1995 në kohën kur drejtonte një filiale të bankës “Kroacia”. 

“Ish-drejtori i degës së bankës ‘Kroacia’ në Metkovia dhe drejtori aktual i sigurimit për territorin e Kosovës dhe të Shqipërisë, Ivica Pezo (59) nga Metkovia, nga Gjykata e Qarkut në Dubrovnik u gjet fajtor për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe detyrave zyrtare dhe u dënua me një vit burg”, shkruan në këtë publikim zyrtar në faqen e kompanive kroate të sigurimeve.

Gjykata e Qarkut në Dubrovnik kishte konstatuar se Pezo kishte në nënshkruar kredi bankare në vlerë prej 281.849 kunash kroate (afro 40 mijë euro), në emër të një njeriu që kurrë nuk ka qenë një klient banke.

Gazeta ka dërguar pyetje edhe në e-mailin privat të Ivica Pezos por nuk ka marrë përgjigje, sikurse nuk ka marrë koment nga qendra e Croatia Sigurimit në Zagreb.

Pezo e mbajti pozitë n e drejtorit ekzekutiv në “Croatia Sigurimi” në Kosovë deri më 31 dhjetor të viti 2011. 

“Ju njoftojmë që BQK-ja ka marrë vendim që KS Croatia Sigurimi të shkarkojë z.Ivica Pezo nga pozitat e këshilltarit të bordit drejtues. njoftimi i BQK

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar një vendim të BQK-së që në vitin 2012 ia ndalonte Pezos që të punobte në Croatia Sigurim.

“Ju njoftojmë që BQK-ja ka marrë vendim që KS Croatia Sigurimi të shkarkojë z.Ivica Pezo nga pozitat e këshilltarit të bordit drejtues dhe nga çdo pozitë tjetër në kompani brenda tre ditësh nga pranimi i këtij urdhri”, thuhet në këtë njoftim që i është dërguar kompanive të sigurimit në Kosovë në mars të viti 2012 dhe që është nënshkruar nga Agron Ramadani, drejtor i Mbikëqyrjes së Sigurimeve në BQK.

Zëdhënësi i BQK-së Besnik Kada thotë se banka kishte bërë një raport ekzaminimi për Croatia Sigurimin për vitet 2009 e 2010. 

“Pas përfundimit të këtij raporti ishte marrë vendim që Pezo të shkarkohej nga pozita e këshilltarit të bordit drejtues dhe i ishte pamundësuar angazhimi në çfarëdo pozicioni brenda kompanisë”, thotë ai. 

“Arsyeja kryesore e marrjes se këtij vendimi ishte se z.Pezo në cilësinë e drejtorit menaxhues gjatë periudhës së ekzaminimit ka lejuar të ushtrojë detyra menaxhuese në këtë kompani personin që nuk ishte aprovuar paraprakisht  nga BQK-ja”, thotë zëdhënësi i Bankës Qendrore Besnik Kada. Ai nuk precizon se për cilin zyrtar bëhet fjalë.

Pezo në janar të këtij viti ishte pjesëmarrës edhe në një rast gjyqësor në Kosovë ku e paditur ishte Croatia Sigurimi, nga dy ish-punonjës të saj. Një aktvendim i Gjykatës Themelore i përpiluar më 15 maj të vitit 2013 e përshkruante Pezon si i deleguar në Croatia Sigurimi nga Croatia Osiguranje në Zagreb. 

Banka Qendrore pohon se nuk është në dijeni nëse Pezo vazhdon të mbajë këtë pozitë (si i deleguar) përkundër vendimit për suspendim. “Banka Qendore e Republikës së Kosovës nuk ka ndonjë informatë zyrtare apo provë se z.Ivica Pezo ushtron ndonjë post në këtë kompani”, thotë Kada. 

Në këtë kompani ishte e punësuar edhe Leme Xhema e cila mbante pozitën e drejtoreshës për financa në Croatia Sigurimi.

Ajo qëndroi në këtë pozitë edhe përkundër se ishte e dënuar për korrupsion nga Gjykata e Qarkut në  Prishtinë në vitin 2008.

Emri i saj figuron si drejtoreshë për financa në një raport financiar të kompanisë  të vitit 2009.  Croatia Sigurimi deklaroi më 2009 të hyra totale në vlerë 2, 357,436 euro, prej të cilave 331,317 euro fitim.  

Gjykata Supreme më 3 gusht të  vitit 2011 shqiptoi dënimin në mungesë prej tri vitesh burgim për Leme Xhemën.

Ajo ishte dënuar për transferimin e 300 mijë eurove që e kishte bërë gjatë kohës që ushtronte pozitën e drejtoreshës së PTK-së. 

Me këtë veprim Xhema i kishte krijuar përftim të paligjshëm kompanisë “Norway Invest”, duke dëmtuar kështu ndërmarrjen publike kosovare.

EULEX në vitin 2008 për këtë rast kishte dënuar edhe menaxherin e kësaj kompanie Uve Johansen me dy vjet burgim me kusht, si dhe kthimin e 300 mijë eurove në konton e PTK-së.

Leme Xhema, që nga që nga gushti i vitit 2011 është në listën e personave në kërkim në faqen  zyrtare të “Interpol”.

Sipas raporteve financiare të publikuara në webfaqen e saj, Croatia Sigurimi deklaroi më 2009 të hyra totale në vlerë 2, 357,436 euro, prej të cilave 331,317 euro fitim.