COVID-19 zbraz buxhetin, Qeveria kërkon leje nga Kuvendi

Qeveria e Kosovës do të kërkojë leje nga Kuvendi i Kosovës për tejkalimin e rregullës fiskale në rast që gjatë implementimit të pakos emergjente do të detyrohen të rrisin deficitin buxhetor apo të ulin bilancin bankar nën përqindjet e parapara. Kjo kërkesë ka ardhur pasi parashihet një rënie e të hyrave të planifikuara për rreth 198 milionë euro për shkak të ndikimit të COVID-19.

Përveç rënies së të hyrave, Qeveria ka planifikuar një pako emergjente në vlerë 170 milionë euro. Uljen e të hyrave dhe nevojën për shpenzime shtesë për t’u përballur me COVID-19, Qeveria po synon të mbulojë përmes kredive dhe zvogëlimit të bilancit bankar.

Pra, Qeveria synon që deficitin buxhetor ta financojë përmes borxheve të brendshme dhe të jashtme duke mos prekur projektet kapitale të cilat janë planifikuar me buxhetin e vitit 2020.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka thënë se ministria e drejtuar nga ai e ka dërguar në Qeveri për aprovim kërkesën për ndryshimet e kërkuara nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që pakoja emergjente të mund të implementohet në tërësi.

“Ne mund të fillojmë me implementimin e secilës pikë të pakos edhe pa marrë pëlqimin nga ana e Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Bislimi.

Në buxhetin e vitit 2020, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin mars, është paraparë që deficiti buxhetor të jetë 2%, kurse nëse Kuvendi e lejon këtë tejkalim të deficitit, atëherë ai është planifikuar të jetë 6.2%.

Sa i përket bilancit bankar të shfrytëzueshëm, i njëjti në buxhetin e miratuar për vitin 2020 ka qenë 4.5% kurse me këtë vendim është kërkuar që ai të ulet në 4.0%.

Sipas buxhetit të miratuar të vitit 2020, të hyrat e këtij viti ishin planifikuar të jenë 2 miliardë e 20 milionë euro (2,020,000,000 euro). Nëse Kuvendi e miraton kërkesën e Qeverisë atëherë të plani i të hyrave buxhetore do të ulen për 198 milionë euro dhe do të jenë 1 miliard e 822 milionë euro (1,822,000,000 euro).

Në kërkesën e qeverisë nuk është paraparë ulja e shpenzimeve. Shpenzimet në buxhetin 2020 janë paraparë të jenë 2 miliardë e 357 milionë euro (2,357,000,000 euro), ndërsa me ‘rishikimin’ e propozuar nga Qeveria e Kosovës shpenzimet do të rriten për 29 milionë euro, apo në total do të jetën 2 miliardë e 386 milionë euro (2,386,000,000 euro).

Ministri në detyrë Bislimi ka thënë për KALLXO.com se nuk është kërkuar rishikim të buxhetit, pasi rishikimi do të bëhet në muajin qershor.

Bislimi thotë se nga Kuvendi është kërkuar vetëm lejim për tejkalimin e rregullës fiskale.

“Kjo nuk do të thotë që tejkalimet do të ndodhin, por kemi kërkuar leje për çdo eventualitet, në rast se gjatë implementimit të pakos do detyrohemi të rrisim deficitin buxhetor apo ulim bilancin bankar nën përqindjet e parapara”, ka theksuar Bislimi për KALLXO.com.

Qeveria e ka obliguar Ministrinë e Financave dhe Transfereve që brenda 6 muajve nga kalimi i situatës së pandemisë të hartojë një plan afatmesëm brenda të cilit do të përshtat kufirin e tejkalimeve të përkohshëm të autorizuara nga Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe t’i sjell ato në përputhje me nenin 22A të ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Në paragrafin e parë të nenit 22A – Vendosja dhe përshtatja e kufirit të deficitit thuhet se “asnjë Ligj për ndarjet buxhetore nuk duhet të përfshijë një deficit të përgjithshëm që kalon nivelin prej 2% të Bruto Produktit Vendor (GDP) së parashikuar”.

Sipas vendimit të Qeverisë, bazuar në situatën e pandemisë si dhe në zbatim të Pakos Fiskale Emergjente të aprovuar më 30 mars, disa nga masat e pakos mund të zbatohen nga buxheti aktual përmes alokimeve të parakohshme, ose/dhe me disa rregullime që bëhen nga Qeveria e Kosovës bazuar në autorizimet e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2020.

“Megjithatë, për disa elemente tjera kërkohet rregullimet buxhetore, të cilat mund të ndodhin në proces, por kjo nuk e pengon zbatimin e pakos në elemente të caktuar”, thuhet në vendim.

Vendimi i Qeverisë, i cili pritet të shkoj në Kuvend, nënvizon se nuk ka ndryshime në ndarjet buxhetore. Gjithashtu thuhet se Ministria e Financave dhe Transfereve ka identifikuar burime shtesë të financimit të deficitit, i cili pritet të financohet nga burimet e brendshme dhe të jashtme të financimit, përmes letrave me vlerë, kredive ndërkombëtare si dhe granteve. Pra, Qeveria synon që të hyjë në borxh për të financuar pakon emergjente.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka thënë se deri më tani asnjë projekt i vetëm kapital nuk është anuluar.

Por, Bislimi thotë se i kanë udhëzuar organizatat buxhetore që të dakordohen me Ministrinë e Financave dhe Transfereve para se të iniciojnë ndonjë projekt të ri kapital.

“Presim që për shkak të vështirësive në aktivitetin ekonomik, do të ketë ngecje si në inicim ashtu edhe ekzekutim të një pjese të projekteve kapitale që pastaj do të përkthehej në nën-shpenzim nga kjo kategori. Ky nën-shpenzim pastaj do të jetë në dispozicion për të mbuluar koston e një pjese të mirë të pakos emergjente (si dhe të asaj për rimëkëmbje)”, është shprehur Bislimi për KALLXO.com.

Në të njëjtën mbledhje të Qeverisë së Kosovës kur është aprovuar vendimi për tejkalimin e rregullës fiskale, është aprovuar edhe nisma e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për negocimin e paketës së marrëveshjeve ndërkombëtare me qëllim të sigurimit të financimit publik për përballimin e situatës së krijuar nga coronavirusi, me disa institucione ndërkombëtare financiare.

Këto institucione janë, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe anëtarët e tjerë të Bankës Botërore, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Islame për Zhvillim, Agjencitë zyrtare për përkrahjen (financimin) e eksportimit, Institucionet zyrtare financiare bilaterale të vendeve të jashtme ose të Bashkimit Europian, Banka Europiane e Investimeve.

Kufiri i përgjithshëm i autorizimit të dhënë për marrëveshjet financiare të huasë është 250 milionë euro ose ekuivalent, me afat dispozitave të Kushtetutës së Kosovës, të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe dispozitave tjera në fuqi.

Ndërkohë, ministria e Financave ka njoftuar se tashmë është aprovuar një kredi në vlerë 51.6 milionë euro nga Fondi Monetar Ndërkombëtarë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Fiskale Emergjente në vlerë 170 milionë euro për adresimin e problemeve ekonomike të bizneseve dhe sektorit privat të shkaktuara nga coronavirusi.

Në muajin mars mbi 98 mijë qytetarë janë përfshirë skemën sociale, duke marrë një asistencë shtesë mujore. Njëjtë do të veprohet edhe në dy muajt e ardhshëm, duke e arritur vlerën e intervenimit në 7.6 milionë euro.

Bizneset private të cilat e kanë ndërprerë apo kufizuar veprimtarinë e tyre ekonomike gjatë masave të Qeverisë kundër COVID-19 do të jenë përfitues të pakos emergjente.

Sipas Ministrisë së Financave,  kompanitë që janë prekur nga masat, Qeveria ka vendosur që t’i asistojë me tri ndërhyrje: Mbulimin e shpenzimit të pagave, me pagën minimale prej 170 euro për dy muajt e ardhshëm, deri në maksimumin e 41 milionë eurove; subvencionimin e qerasë deri në maksimumin e mundshëm prej 50% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për dy muajt e ardhshëm me një total prej 12 milionë eurove; si dhe do t’u paguhen kontributet pensionale punëtorëve të sektorit privat që janë prekur nga masat për dy muajt e ardhshëm, në total prej 8  milionë eurove.

Për stafin mjekësor, policët dhe zjarrfikësit janë ndarë një shpërblim shtesë në shumën fikse prej 300 eurove, për secilin nga dy muajt e ardhshëm.

Përkundër faktit që masat e Qeverisë nuk kanë qenë të plota për marketet, furrat dhe barnatoret, Qeveria ka paraparë shpërblim edhe për punëtorët e këtyre sektorëve. Për këtë qëllim janë ndarë 3 milionë euro, ku do të ketë nga një pagesë shtesë për punëtorët  për dy muajt e ardhshëm, në vlerë prej 100 euro në muaj.

Pako emergjente ka përfshirë edhe kompanitë vet-prodhuese, komunitetet pakicë do të subvencionojë edhe bujqësinë, kulturën dhe sportin.

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).