Foto: REL/AFP

COVID-19 dhe dëmet në shëndetin mendor të njerëzve

Në shumë mënyra, Claudia (nuk është emri i saj i vërtetë), një tregtare 33 vjeçare arti, ndihet e përgatitur për bllokadën në Londër për shkak të COVID-19. Si një alkooliste e cila është shëruar e që ka pasur “një apo dy kriza mendore”, ajo ka kaluar kohën në qendra rehabilituese. Lëvizjet e saj atje ishin të kufizuara.

Ajo duhej ta përcillte një rutinë të rreptë, duke u zgjuar nga gjumi dhe duke i ngrënë ushqimet e saj në të njëjtën kohë çdo ditë. Ajo rutinë tani po i mirëshërben asaj. Së bashku me pjesën tjetër të banorëve të Britanisë, ajo është në bllokadë ndërsa vendi po lufton për të ngadalësuar përhapjen e COVID-19. Banorët e Britanisë lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm në rrethana të kufizuara. Qeveria i ka udhëzuar banorët që të shmangin takimin me këdo që nuk jeton me ta, përfshirë edhe me familjarët.

“Në ditë të vështira i them vetes ta rregulloj shtratin, të bëj dush dhe të ha”, thotë Claudia. Cdo mëngjes ajo shkruan gjëra për të cilat janë mirënjohëse: ajo nuk jeton më në një “shtëpi të sigurta” me 12 gra të tjera, por në një banesë më vete; foshnja e re e motrës së saj, të cilën ende nuk e ka takuar, është e shëndetshme. Ajo gjithashtu shmang mediat sociale. Edhe kështu, ajo është në ankth: “Unë shqetësohem që brenda një ose dy jave do të kem ndjesinë sikur do të me duhet të bërtas”.

Ngjarjet tronditëse, duke filluar nga fatkeqësitë natyrore e deri tek luftërat, mund të dëmtojnë shëndetin mendor të njerëzve. Pandemia e COVID-19 nuk është e ndryshme. Ajo ka sjellë frikën e kësaj sëmundjeje ngjitëse si dhe frikën e më të dashurve që mund të jenë subjekt i kësaj sëmundjeje. Ka krijuar një pasiguri të madhe për çdo aspekt të jetës. Dhe, me një të pestën e botës nën bllokadë, izolimi i tejzgjatur po sjell gjithashtu vetminë, ankthin dhe depresionin.

Karantinat dhe “distancimi social”, masat politike të nevojshme për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit të ri që shkakton COVID-19, janë kundër natyrës njerëzore. Prekja dhe rrjetet sociale janë thelbësore si për njerëzit ashtu edhe për primatët jo-njerëzorë: babunët femra që kanë më shumë partnerë mbarështues, ose miq, shfaqin nivele më të ulëta të kortizolit, një lloj hormoni i stresit.

Kanë kaluar më pak se një muaj qyshkur qeveria italiane vendosi një karantinë kombëtare, megjithatë tendosja për shëndetin mendor të njerëzve ka filluar të shfaqet. Më shumë se 13,100 njerëz atje kanë vdekur nga COVID-19; të paktën dy infermierë që punonin në njësinë e kujdesit intensiv, ku po mjekonin pacientë që vuanin nga sëmundja, kanë bërë vetëvrasje.

Federata Kombëtare e infermierisë italiane tha se njëra nga infermierët që kanë bërë vetëvrasje, Daniela Trezzi, kishte qenë e sëmurë dhe se zonja Trezzi ishte thellësisht e shqetësuar se ajo kishte infektuar pacientë (megjithëse autoriteti shëndetësor lokal tha se nuk kishte testuar pozitivisht me këtë virus).

Në Gjermani, vend ky që vendosi kufizime pas Italisë, ministri i financave të shtetit Hesse, për të cilin u tha se ishte i shqetësuar thellësisht për ndikimin ekonomik të pandemisë, vrau veten më 28 mars.

Ndërgjegjësimi për tensionim në shëndetin mendor të njerëzve po rritet. Në Britani, Agjencia Qeveritare e Shëndetit Publik së bashku me Dukën dhe Dukeshën e Kembrixhit, lëshuan një sërë udhëzimesh mbi “shëndetin mendor dhe aspektet e mirëqenies së coronavirusit” më 29 mars.

Në të njëjtën javë, 62% e britanikëve thanë se për ta duket të jetë më e vështirë të rezultojnë pozitivë për të ardhmen e tyre krahasuar me atë se si ndiheshin para epidemisë, sipas një sondazhi të bërë nga Ipsos Mori.

“Njerëzit po përballen me emocionet e tyre po aq sa po përballen me ekonominë”, tha Andrew Cuomo, guvernatori i New York, shteti më i goditur nga Amerika, më 21 Mars. Katër ditë më vonë ai vendosi një linjë telefonike falas për ata, të cilët po vuanin nga shëndeti mendor.

Disa janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj stresit gjatë një pandemie. Punëtorët e kujdesit shëndetësor janë më të ekspozuar ndaj virusit. Ndjenja e shoqërisë dhe të qenit pjesë e një ekipi që po i ndihmon njerëzit mund ta inspirojë shpirtin e tyre.

Por shumë mjekë dhe infermierë po detyrohen të izolohen larg familjeve të tyre sepse mund të jenë të infektuar, gjë që e rrit tensionimin e tyre, tregon Dhruv Khullar, një mjek në New York.

Mungesa e pajisjeve mbrojtëse personale për mjekët në shumë vende vetëm se do ta përkeqësojë këtë stres. Nicholas Christakis, tani në Yale, ka punuar si mjek në vitet 1990 gjatë epidemisë së HIV/Aids. Kishte një ” frikë të madhe  midis punonjësve shëndetësorë që nëse kujdesesh për një pacient që ka sëmundjen HIV ka mundësi  do të kontraktsh këtë sëmundje,” kujton ai.

Por atëherë ata kishin pajisje të mjaftueshme mbrojtëse. Kjo e bëri rrezikun e infeksionit, i cili vjen bashkë me punën, më të durueshëm. COVID-19 është shumë më i lehtë për t’u infektuar. “Situata aktuale ngjan me një situatë sikur ta dërgosh lakuriq një zjarrfikës në një ndërtesë në flakë” thotë ai.

Në mesin e popullatës në përgjithësi, disa mund të jenë veçanërisht të shqetësuar. Ata që kanë humbur punën e tyre, të cilët tani janë me miliona, mund të kenë humbur jo vetëm të ardhurat e tyre, por edhe identitetin, rutinën dhe pjesën më të madhe të rrjetit të tyre shoqëror, thotë Jan-Emmanuel De Neve, kreu i Qendrës së Kërkimit të Mirëqenies në Oksford University.

Beqarët që dikur kalonin ditë të mira me miqtë, ose ata që jetojnë veçmas nga partnerët e tyre, papritmas e gjejnë veten duke kaluar pjesën më të madhe të kohës si të vetëm. Shumë njerëz që bëjnë stërvitje në ekipe ose grupe – ose thjesht kënaqen duke kaluar kohë jashtë – duhet ta bëjnë këtë me një dhomë plot rrëmujë apo përmes klasave online.

Mike, një britanik 29-vjeçar që punon në financa në Bruksel, ndjehet i lehtësuar që deri më tani atij akoma i lejohet të dalë në punë (megjithëse policia e largon atë sa herë që ai ulet për një moment për të të pushuar ca): “Përndryshe unë thjesht do të ndjehesha sikurse Robinson Crusoe me Netflix.

“Izolimi do të ndikojë në shëndetin mendor edhe të atyre që duket se rrezikohen më pak nga virusi: 67% e britanikëve midis moshës 18 dhe 34 vjeç thanë se po hasin në vështirësi të mbijetojnë, krahasuar me 54% të atyre midis moshës të 55 dhe 75.

Nëse bllokadat vazhdojnë me muaj, njerëzit në moshë do të vuajnë veçanërisht në mënyrë akute. Edhe para se të mbylleshin në shtëpitë e tyre, ata kishin më shumë të ngjarë të ndjeheshin të vetmuar. Gratë e moshuara në Evropë ka të ngjarë se jetojnë më shumë se dy herë si të vetme krahasuar me burrat e tyre. Ata mbështeten në faktin se familja dhe miqtë vazhdojnë të mbajnë gjendjen e tyre morale, ose thjesht sa për rutinë.

Alfredo Rossi, një 80-vjeçar në Casalpusterlengo, një nga zonat e para të Italisë që u vu nën bllokadë në muajin shkurt, thotë se ajo që e shqetëson atë më shumë në lidhje me masat kufizuese është të mos jetë në gjendje të shohë nipërit e tij që jetojnë vetëm 16 km (dhjetë milje ) larg në Piacenza përtej lumit Po.

Dhuna në familje, tashmë endemike kudo, rritet ndjeshëm kur njerëzit fillojnë e tensionohen për shkak të kushteve të kufizuara të jetesës dhe shqetësime për sigurinë, shëndetin dhe paratë e tyre, thotë Phumzile Mlambo-Ngcuka, kreu i UN Women, agjenci e Kombeve të Bashkuara, KB. Bazuar në vlerësimet e mëparshme, ajo mendon se në disa vende të cilat janë nën bllokadë, dhuna në familje mund të rritet me rreth një të tretën.

Shtrirja e bllokadave është e pashembullt. Megjithatë, hulumtimi në ngjarjet e mëparshme tronditëse dhe llojet e tjera të izolimit ofrojnë disa të dhëna rreth ndikimit të mundshëm të shëndetit mendor. Sipas një rishikimi të shpejtë të efekteve psikologjike të karantinave, botuar në 14 Mars në The Lancet, një revistë mjekësore britanike, disa studime sugjerojnë se ndikimi i karantinave mund të jetë aq i rëndë sa të rezultojë në një diagnozë të çrregullimit të stresit post-traumatik ( PTSD).

Gjendja, e cila mund të përfshijë simptoma të tilla si hiper-vigjilencë, rikthimi i kujtimeve të këqija që mund të zgjasin me vite, u bë një diagnozë formale psikiatrike në vitin 1980 kur veteranët ende po përjetonin stres nga lufta e Vietnamit, e cila përfundoi në vitin 1975.

Një studim i vitit 2009 mori pamje nga punonjësit e spitalit në Pekin të cilët në 2003 ishin të ekspozuar ndaj sindromës së rëndë akute të frymëmarrjes (SARS), e cila, si COVID-19, është shkaktuar nga një coronavirus. Autorët zbuluan se, tre vjet më vonë, qëndrimi  në karantinë jepte një parashikim të simptomave të stresit post-traumatik.

Një studim tjetër, nga viti 2013, përdori të dhënat e veta për të krahasuar simptomat post-traumatike të stresit tek prindërit dhe fëmijët që kishin qëndruar në karantina, sepse ata jetonin në zona të prekura ose nga SARS ose nga shpërthimi i H1N1 në vitin 2009, me ata që nuk kishin qëndruar nëpër karantina.

Ky zbulim gjeti se rezultatet mesatare të stresit post-traumatik ishin katër herë më të larta tek fëmijët të cilët ishin izoluar. Në mesin e prindërve që ishin karantinuar, 28% raportuan simptoma mjaft serioze për të garantuar një diagnozë të një çrregullimi të shëndetit mendor të lidhur me traumën. Për ata që nuk kishin qenë në izolim, shifra ishte 6%.

Sa më i gjatë qëndrimi në karantinë, aq më i madh do të jetë efekti në shëndetin mendor të njerëzve. Një studim tjetër, i cili gjithashtu mori në konsideratë ndikimin e SARS, zbuloi se ata që ishin në karantinë për më shumë se dhjetë ditë kishin shumë më shumë gjasa të shfaqnin simptoma të PTSD sesa ata të cilët kishin qenë të izoluar për më pak se dhjetë ditë.

Cynthia Dearin, një konsulente në Australi që kaloi katër vjet në Irak midis viteve 2006 dhe 2010 në kampe të ndryshme ushtarake që kufizonin lëvizjen e saj, tha se sa herë që kthehej në Irak pas një “pushimi nga depresioni”, ajo ndjente një “depresion të menjëhershëm të Bagdadit”.

Të jetosh në një zonë lufte është shumë e ndryshme nga të jetuarit në mes të një pandemie, por ajo sheh paralele në humbjen e lirisë dhe ndjenjën e rrezikut. “Ne gjithashtu patëm mundësi për të lënë bllokadën,” reflekton ajo. “Ajo që është më ndryshe tani është se askush nuk mund t’i ikë kësaj.”

Në Irak, shumë bashkëkohës të saj iu rrekën alkoolit për ta mposhtur mërzitjen dhe frikën. Rritja e shitjeve të alkoolit na bën me dije se shumë po bëjnë të njëjtën gjë sot. Në Britani, shitja e alkoolit ka pësuar një rritje me dy të tretat në javë deri në 21 mars krahasuar  me vitin 2019, sipas Nielsen, një firmë kërkimore e tregut.

Ata që janë izoluar me dëshirë në rrethana më pak tronditëse, mund të japin shembuj se si ta lehtësojnë krizën aktuale.

Përveç vetmisë që e përjetojnë, astronautët, të cilët kalojnë periudha të zgjatura larg nga të dashurit e tyre apo, në fakt, larg nga çdo qenie tjetër njerëzore, vuajnë nga gjumi i çrregulluar, rrahje të shpejta e të pakontrolluara të zemrës, ankth dhe luhatje në aspektin e humorit. Duke bashkëpunuar së bashku, ata gjithashtu mund të kenë përleshje me anëtarët e tjerë të ekuipazhit.

Qiftet që papritmas e gjejnë veten në afërsi të detyruar mund ta pëlqejnë një gjë të tillë. Ka raporte se disa qytete në Kinë, të tilla si Xi dhe Dazhou, kanë parë një nxitje në procedurat e divorcit që kur masat e bllokadave filluan së implementuari në pjesë të vendit në fillim të marsit.

Duke shkruar për New York Times, Scott Kelly, një ish-astronaut që kaloi një vit në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, sugjeroi që mbajtja e një rutine dhe shkrimi i një ditari mund të ndihmojë për t’i kaluar sa më lehtë orët e vetmisë. Ai gjithashtu inkurajoi njerëzit që të dalin jashtë, nëse do të mund ta bënin një gjë të tillë.

Ai zbuloi se pasi “u izolova në një hapësirë të vogël për disa muaj, unë fillova të dëshiroja natyrën – ngjyrën jeshile, erën e fresket të papastërtisë si dhe ndjenjën rrezeve të ngrohta të diellit në fytyrën time. ”

Edhe nën kufizimet më të rrepta, njerëzit gjejnë mënyra për të përballuar. “Njerëzit po zbulojnë se ata jetojnë në rrugë përplot njerëz,” thotë Robin Dunbar, një antropolog dhe psikolog evolutiv në Universitetin e Oksfordit. Fqinjët mund të jenë irritues, por në një krizë, ata gjithashtu mund të jenë një ngushëllim për njëri-tjetrin.

Janë krijuar grupe në shumë vende për të mbështetur personat që janë të cenueshëm. Sipas Julianne Holt-Lunstad, një ekspert për konceptin e vetmisë në Universitetin Brigham Young, studimet kanë treguar se ata të cilët mendojnë se kanë “njerëz që mbështesin ata” në rrjetet e tyre sociale kanë më pak të ngjarë të reagojnë ndaj rrethanave stresuese sesa ata që nuk kanë.

Thjesht duke e ditur se ka edhe të tjerë, tek të cilët mund të mbështeteni, ndikon në zvogëlimin e presionit të gjakut dhe në të rrahurat e zemrës, thotë ajo.

Të mos bësh jetë pjesë-pjesë tash e tutje

Abigail, një punonjëse 32-vjeçare e bamirësisë në Bruksel, thotë se fqinjët e saj studentë e bënin me nerva sepse luanin muzikë me zë të lartë. Por ndërsa ajo e kalon këtë bllokadë si e vetme, ajo tash i njeh ata më mirë. Tani e muzika nuk e bën me nerva atë:

“Ata bënin festa”. Në Belgjikë, Britani, Itali dhe Holandë njerëzit kanë filluar t’i cakërrojnë dhe tii godasin tiganët e tyre nga dritaret dhe dyert e tyre për të falënderuar mjekët dhe punëtorët e tjerë që po ndihmojnë.

Bisedat me miqtë dhe familjen përmes video-thirrjeve ndihmojnë shumë, edhe pse – ngatërrimi i shumë prej softverëve i bën ata një zëvendësues të papërsosur për një takim sy me sy. Një version i kalimit të kohës me një mik thjesht ngadalëson “shkallën e prishjes” së asaj marrëdhënie, thotë profesori Dunbar, por kurrë nuk do të jetë në gjendje të zëvendësojë përvojën e takimit me dikë që është prej mishi dhe gjaku.

“Nevojitet të shohësh qerpikët e syve – të bardhët e syve” dhe të jesh i aftë t’i mbash fizikisht”, thotë ai, në mënyrë që të ruhet një miqësi dhe të kesh ndjesinë e një lidhjeje shoqërore. Për Claudian, do të vijë ai momenti kur të takohet edhe një herë me skuadrën e saj e futbollit, e cila për të është njëkohësisht stërvitje dhe një lloj terapie në grup, në vend se thjesht të bisedojë me ta në mënyrë virtuale. “Do të jetë diçka e bukur,” thotë ajo.

Marrë nga The Economist