Ilustrim

COVID-19 arriti të infektojë rreth 1.1% të njerëzve në Kosovë, çdo i katërti qytetar i testuar doli pozitiv

Në bazë të dhënave të publikuara, COVID-19 ka arritur ta infektojë rreth 1.1 për qind të popullatës së Kosovës nga fillimi i pandemisë e këndej, ku çdo i katërti qytetar i testuar rezultoi me virus.

Sikurse të gjitha vendet e botës edhe Kosova po ballafaqohet me pandeminë e coronavirusit . Të dhënat e Worldometers.info tregojnë se në botë numri rasteve me COVID-19 ka kaluar mbi 45.7 milionë persona, duke shkaktuar mbi 1.1 milionë vdekje. Në një situatë jo të mirë është edhe Kosova ku rastet po shtohen nga dita në ditë.

Deri më tash në Kosovë janë shënuar 19,328 raste duke shkaktuar 678 vdekje. Kah fundi i muajit gusht, Blomberg e  renditi të parën Kosovën për nga numri i vdekjeve në 1 milionë banorë. Të dhënat e publikuara deri më tash tregojnë janë testuar 92,744 qytetarë për COVID-19, që i bie 5 për qind e popullatës, ndërsa nga numri i testeve të sipërpërmendura rezultuan 19,328 pozitivë apo çdo i katërti qytetar i testuar ishte me virus. Më së shumti raste pati në komunën e Prishtinës dhe të Gjilanit   

 

Me datën 13 të muaji mars të sivjetmë, KALLXO.com raportoi se në Kosovë u evidentuan dy rastet e para me  COVID-19, ndërsa nga ajo ditë, në Kosovë kurba e rasteve me virusin korona mori tatëpjetën, herë më shumë e herë më pak raste. Vlen të përmendet si lajm i mirë se me datën 24 maj 2020 nuk ishte regjistruar asnjë rast në Kosovë. Përkundër kësaj përkeqësimi erdhi më vonë me numër rekord të rasteve të evidentuara së fundmi me 30 tetor 2020 me gjithsej 418 raste brenda 24 orëve.

Sipas të dhënave të deritashme të publikuara, numri i rasteve në Kosovë ka shkuar deri në 19,328 ku nga ky numër, kanë humbur betejën me virusin 678 qytetarë, 3,126 tjerë janë ende raste aktive përderisa pjesa tjetër janë shëruar.

Ndonëse të dhënat janë të ndryshueshme dita-ditës, për nga numri i rasteve në komunat e Kosovës, prin Komuna e Prishtinës me 6,422 raste ndërsa në raport me popullatën e kësaj komunë ku sipas vlerësimeve të ASK-së për vitin e kaluar rezulton se virusi infektoi 3 për qind qytetarëve. Komuna tjetër më e prekur nga ky virus është komuna e Gjilanit, me 1,375 raste ku ne raport popullsinë e vlerësuar i bie se deri me tash është infektuar 1.8 për qind e numrit të qytetarëve të kësaj komune.

Ndërsa me numër të njëjtë të rasteve, gjithnjë sipas te dhënat e publikuara momentale, janë komunat Pejë dhe Prizren me nga 962 raste që nga fillimi i pandemisë. Virusi në komunën e Pejës, në raport me numrin e popullsinë që jetojnë në këtë komunë prej 98,141 banorë i bie se 1 për qind e tyre janë prekur nga virusi në anën tjetër në komunë  e Prizrenit virusi ka arritur ta infektojë 0.5 për qind të popullatës së kësaj komune e që vlerësohet të jetë 193,123 banorë.

Me numër të madh të rasteve,  926 raste respektivisht 929 raste janë komunat Fushë Kosovë dhe Vushtrri. Në raport me popullatën që vlerësohet se e kanë këto dy komuna, ku komuna Fushë Kosovës numëron  38.960 banorë dhe komuna e Vushtrrisë me 62,026 banorë,  virusi ka arritur të infektojë 2.4 për qind të qytetarëve të Fushë Kosovës dhe 1.5 për qind të atyre vushtrrias.

Janë regjistruar 264 raste me COVID-19 në komunën e Obiliqit nga fillimi i pandemisë e këndej, duke infektuar 1.4 për qind të banorëve të kësaj komune që vlerësohet se ka 17,899 banorë.

Komuna e Mitrovicës gjithashtu regjistroi 851 raste me COVID-19, apo 1.2 për qind e popullatës prej 68,840 banorëve.

Nëse bëhet një përmbledhje e rasteve në komuna i bie se vetëm komuna e Prishtinës i ka mbi 6,400 raste, me mbi 1,300 raste është komuna e Gjilanit, pastaj komunat në mes të 500 dhe 1000 rasteve janë komunat: Ferizaj, Pejë, Prizren, Vushtrri, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Podujevë, Gjakovë.

Komunat që kanë më shumë se 100 raste dhe më pak se 500 janë komunat: Viti, Gllogoc, Lipjan, Skenderaj, Malishevë, Suharekë, Obiliq, Deçan, Rahovec, Kamenicë, Klinë, Shtime, Istog, Dragash, Kaçanik.

Komunat që regjistruan më pak se 100 raste janë: Mitrovica Veriore, Mamushë, Zubin Potok, Han i Elezit, Zveqan, Graqanicë, Leposaviq, Kllokot, Junik, Novobërdë, Shtërpcë Partesh

678 vdekje nga COVID-19, prin Prishtina

Të dhënat tregojnë se deri më tash kanë gjetur vdekjen si pasojë e virusit 678 qytetarë të Kosovës, ku numri më i madh i të vdekurve është regjistruan në kryeqytetin e vendit, Prishtina. Në Prishtinë janë regjistruar 83 vdekje ku kjo komunë ka edhe numrin më të madh të rasteve aktive apo siç raportohet 1,488 raste

Ndërsa në jug të Kosovës, në Komunën  e Prizrenit janë shënuar 54 vdekje duke u renditur kështu e dyta. Nga 46 raste me fatalitet nga virusi janë regjistruar në komunat Pejë dhe Gjakovë, dy raste me vdekje më pak pati në Komunë e Ferizajt apo 44 vdekje, 40 vdekje pati në komunën e Gjilanit pastaj edhe në komunat tjera me numër më të vogël.

Gjithnjë sipas të dhënave të raportuara, vdekje nuk pati në komunat Graçanicë, Kllokot, Junik, Novobërdë dhe Partesh.

Cilat janë sfidat që ballafaqohen komunat në pandemi?

Ministria e Pushtetit Lokal, doli me një raport lidhur me situatën e pandemisë në komunat e Kosovës.

Sipas raportit, 38 komunat e Kosovës kanë themeluar shtabet e tyre të emergjencave ku janë përfshirë të gjitha institucionet relevante në menaxhimin e pandemisë, ku shtatë komunat: Kamenicë, Mamushë, Podujevë, Novobërdë, Malishevë, Graçanicë dhe Shtërpcë kanë mbajt 102 takime ndërsa komunat tjera kanë mbajtura takim në vazhdimësi.

Sa i përket mbajtjes së mbledhjeve në Kuvendet Komunale 31 komuna kanë mbajtë 51 mbledhje komunale për dallim nga komunat me shumicë serbe Leposaviq, Zubin Potok, Novobërdë, Zveçan, Graçanicë, Ranillug dhe Shtërpcë që nuk e kanë mbajtë asnjë mbledhje

Komunat kanë ndarë mbi 4.7 milionë euro buxhet për menaxhimin e pandemisë. Më së shumti buxhet ndau Komuna e Prishtinës

“Sa i përket ndarjes së mjeteve për menaxhimin e pandemisë, nga 38 komuna gjithsej, 33 prej tyre kanë ndarë mjete financiare për menaxhimin e pandemisë së COVID – 19 në vlerë prej 4,771,008.74 euro. Komuna e cila më së shumti ka ndarë buxhet për menaxhim të COVID – 19 është komuna e Prishtinës me 1,380,000.00 euro, pastaj komuna e Fushë Kosovës me 404,000.00 euro, komuna e Podujevës me 366,520.00. Ndërsa, komunat të cilat nuk kanë ndarë mjete janë: Novobërdë, Pejë, Gjakovë, Istog dhe Kllokot.”, thuhet në raport.

Sipas të njëjtit raport, planifikimi i të hyrave vetanake ka qenë mbi 83.1 milionë euro ndërsa realizimi përgjatë periudhës janar-qershor ishte mbi 26.9 milionë euro apo 32.44 për qind.

Ndërsa sa i përket buxhetit, komunat kishin planifikuar buxhet mbi 582.5 milionë euro ndërsa realizimi ishte në vlerën e mbi 180.3 milionë euro apo 31 për qind e buxhetit të planifikuar.

Komuna ballafaqohen si në mungesë të hyrave ashtu edhe me mungesa të pajisjeve higjienike

“Sa i përket sfidave të komunave, komunat janë ballafaquar dhe akoma ballafaqohen me disa sfida dhe probleme të theksuara, si: varësia buxhetore nga niveli qendror, inkasimi i ulët i të hyrave vetanake, infrastruktura e dobët në sfondin e shëndetësisë, mungesa e pajisjeve higjienike, si dhe sfida të tjera.”, tregon raporti.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes.

Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit të kaluar.Bartja e maskave, mbajtja e distancës sociale prej së paku 1.5 metra dhe higjiena personale janë mënyra më e mirë për mbrojtje nga infeksioni COVID-19