Ilustrim

Coronavirusi, tenderët e komunave për “bukë e kripë” për nevojtarët

Që nga 13 marsi kur në Kosovë u paraqitën rastet e para me COVID-19, komunat e Kosovës kanë filluar furnizimet me pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë.

Të gjitha kontratat janë zhvilluar me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë.

Nëntë komuna kanë zhvilluar aktivitete të prokurimit për të blerë produkte ushqimore për t’u shpërndarë qytetarëve në nevojë: Kaçaniku, Vushtrria, Drenasi, Suhareka, Obiliqi, Fushë Kosova, Klina, Prizreni dhe Lipjani.

Komuna e Kaçanikut ka nënshkruar kontratë për “Furnizim me ushqim për nevoja emergjente” në vlerë prej 22 mijë eurove me kompaninë “Viva Fresh”.

Kontrata është nënshkruar me 3 prill ndërsa kjo kompani pritet ta furnizojë komunën me 500 thasë miell 50 kg, 500 copë vaj kuzhine me nga pesë litra për shishe, 500 copë kripë kuzhine me nga 5 kg, 500 copë sheqer me nga 5 kg, 500 copë oriz me nga 2 kg, 500 makarona me nga 500 gr, 500 biber i kuq me nga 500 gr, 500 copë farë buke me nga 500 gr, 500 detergjenta prej 3 kg, 500 Shampon për flokë 250 ml, 500 sapuna.

Komuna kishte planifikuar që të shpenzonte për këtë furnizim 25 mijë euro.

Sipas komunës, këto gjëra elementare do t’u jepen familjeve në nevojë.

Komuna e Vushtrrisë ka planifikuar të shpenzojë 45 mijë euro për blerjen e pakove higjienike e ushqimore për familjet në nevojë.

Kontrata është nënshkruar me 30 mars me kompaninë “Proex SH.P.K.”.

Kontrata e nënshkruar kap vlerën prej 49 mijë e 600 euro, duke e tejkaluar vlerën e parashikuar për 4 mijë e 600 euro.

Sipas komunës me këtë shumë do të blihen 1,000 pako me material higjenik dhe artikuj ushqimor për ndihmë familjeve në nevojë.

Komuna e Drenasit ka planifikuar të shpenzojë për pako emergjente ushqimore 30 mijë euro.

Me të njëjtën shumë, është nënshkruar kontrata “Furnizim me pako emergjente për nevojtar” me kompaninë “ATC SH.P.K”. Kontrata është nënshkruar me 27 mars.

Më anë të kësaj kontrate, komuna e Drenasit do të furnizohet me miell, vaj, sheqer, kripë, makarona, qumësht, detergjent, pasul, shampon, shampon për enë, domestos, sapun për duar, shampon për duar, oriz, fide, biber i kuq, vegetë, mish i grirë konservë.

Komuna e Suharekës ka planifikuar të shpenzojë 20 mijë euro për “Fondi emergjent – Furnizim me pako ushqimore dhe higjienike”.

Komuna ka nënshkruar kontratë me kompaninë “ENERGIE” SH.P.K në vlerë prej 19 mijë e 728 euro.

Më këtë kontratë komuna do të furnizohet me 300 pako ushqimore dhe higjienike të cilat do të përfshijnë miell, vaj ushqimor, oriz, kripë, sheqer, pasta, detergjent, sapun, shampon, vegetë, qepë, patate. Kontrata është nënshkruar me 23 mars.

Komuna e Obiliqit ka planifikuar të shpenzojë për pako ushqimore për familjet në gjendje të rëndë shumën prej 60 mijë eurove.

Ndërsa kontrata e nënshkruar me 31 mars me kompaninë Fatmir Mjeku B.I. kap vlerën prej 59 mijë e 976 eurove.

Më këtë kontratë, komuna do të furnizohet me 2,400 thasë miell, 3,600 litra vaj, 1,200 kg kripë, 1,200 copë biber, 1,200 copë vegetë, 1,200 copë sheqer, 3,600 litra qumësht, 2,400 kg oriz, 4,800 copë makarona, 1,200 litra shampon të enëve, 1,200 litra shampon për trup, 1,200 copë sapun për duar, 1,200 copë detergjent, 1,200 kg pasul. Kontrata është nënshkruar me 31 mars.

Komuna e Fushë Kosovës ka planifikuar të shpenzojë 5 mijë euro për blerjen e miellit për nevojat e qytetarëve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.

Komuna ka nënshkruar kontratë me 27 mars me kompaninë “Eurolona & Feha SH.P.K.” në vlerë prej 4 mijë eurove dhe do të blihen 10 mijë kg miell.

Por, komuna e Fushë Kosovës përsëri ka nënshkruar kontratë për blerjen e 37 mijë kg miell me kompaninë e njëjtë si herën e parë, “Eurolona & Feha SH.P.K.” në vlerë prej 14 mijë e 800 eurove. Kontrata e dytë është nënshkruar me 8 prill.

Komuna e Klinës për furnizim me miell, vaj dhe kripë ka planifikuar të shpenzojë 20 mijë euro.

Kontrata  e nënshkruar me kompaninë “Albini SH.P.K.” kap vlerën prej 15 mijë e 400 eurove.

Me këtë kontratë, komuna e Klinës pritet të furnizohet me 30 mijë kg miell, 2,000 litra vaj ushqimore dhe 2,000 pako kripë kuzhine. Kontrata është nënshkruar me 1 prill.

Komuna e Prizrenit ka planifikuar që të shpenzojë 33 mijë euro për blerjen e pakove për familjet në nevojë.

Komuna ka nënshkruar kontratë me kompaninë  “EURO FOOD“ ShPK në vlerë prej 32 mijë e 990 eurove me 27 mars.

Komuna ka planifikuar të blejë 1 mijë e 237 pako të cilat do të përmbajnë miell, vaj, ajvar, marmeladë, oriz, pasul, patate, qepë, gjyveq, bizele, makarona, kripë, vegetë, biber i kuq, sheqer, djath, ullinjë, qumësht, pashtetë.

Komuna e Lipjanit ka planifikuar të shpenzojë 50 mijë euro për blerjen e produkteve higjienike dhe ushqimore për familjet në nevojë. Përmes një kontrate me 2 lote.

Loti i parë për Furnizimi me artikuj ushqimor dhe material higjenik është nënshkruar me datën 30 mars dhe kap vlerën prej 30 mijë 175 eurove. Me këtë lot komuna do të furnizohet me vaj, sheqer, kripë, qumësht, makarona, pasul, oriz, fide,biber, vegetë, çaj, konservë, patate, detergjent, shampon për flokë, shampon për enë, domestos, sapun për duar, shampon për duar, dorëza higienike, masak mbrojtëse.

Loti i parë është nënshkruar me kompaninë “Viva Fly SH.P.K”, ndërsa loti i dytë është nënshkruar me kompaninë “Dani Company SH.P.K” dhe kap vlerën 17 mijë e 500 eurove.

Ndërsa në Lotin e dytë do të furnizohet me 50 mijë kg miell.

Në total, komuna ka nënshkruar kontratë prej 47 mijë e 675 eurove.

Komunat: Skenderaj, Gjakovë, Istog, Ranillug, Junik, Kamenicë, Kllokot, Mamushë, Pejë, Ferizaj, Hani i Elezit, Partesh, Shtërpcë, Shtime, Zubin Potok, Dragash, Prishtinë, Rahovec, Gjilan, Leposaviq, Malishevë, Mitrovicë, Novobërdë, Viti, Zveçan, Deçan nuk kanë zhvilluar ndonjë procedurë tenderuese për blerjen e pakove emergjente me gjëra ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë.