Coronavirusi -Si e menaxhuan komunat shpërndarjen e ndihmave për nevojtarët

Që nga përhapja e COVID-19 më 13 mars në Kosovë që pasoi edhe me mbylljen e bizneseve, shumica e Komunave kanë ndarë mjete buxhetore për t’u dalë në ndihmë familjeve në nevojë.

Por edhe shumë donacione kanë ardhur nga bizneset, mërgimtarët dhe qytetarët kosovarë që ndihmuan me dhurimin e pakove ushqimore-higjienike apo edhe miell.

Edhe pas afër dy muaji që nga përhapja e coronavirusit, ndihmat po vazhdojnë ende dhe nuk ka ende  si të dhëna përfundimtare se sa familje kanë përfituar.

Bazuar në të dhënat që KALLXO.com ka siguruar nëpër disa komuna dhe nga njoftimet e tyre, përzgjedhja e familjeve është bërë përmes listës të cilën nëpër disa komuna është bërë nga administratori i fshatrave apo lagjeve me arsyetimin se njeh më mirë nevojtarët.

Por që ka edhe nga komuna të tjera që shpërndarja është bërë nga lista e Qendrës për Punë Sociale, bazuar këtu me numrin e familjeve që jetojnë me asistencë sociale.

Kurse, pakot në disa raste janë dërguar direkt tek familjet në shtëpitë e tyre, si masë parandaluese e përhapjes së COVID-19 në grumbullimin e njerëzve, ndërsa ka edhe vende që qytetarët janë mbledhur në një pikë të fshatit për të marrë ndihmat.

Kështu që vetëm Komuna e Drenasit përgjatë kësaj kohe 2600 pako i ka ndarë nga mjetet buxhetore, kurse me donacione janë rreth 1300 pako.

Kjo komunë përmes një shkrimi në “Facebook”, ka njoftuar se kanë përfunduar ndarjen e 2000 pakove ushqimore-higjienike nga buxheti komunal për familjet në nevojë dhe një numër i caktuar janë shpërndarë sipas kërkesave specifike për grupe të caktuara të margjinalizuara.

Sipas tyre, shpërndarja e këtyre ndihmave është bërë në dy faza: Në fazën e parë me datë 24.04.2020,  janë shpërndarë 1500 pako, ndërsa pjesa tjetër janë shpërndarë gjatë ditës së mërkurë dhe të enjten.

Kurse, pakot ushqimore-higjienike janë shpërndarë tek secila familje përmes administratorëve të vendbanimeve, me qëllim për të evituar grumbullimin e qytetarëve.

Listat e përfituesve të kësaj ndihme janë përzgjedhur nga administratorët e vendbanimeve, me arsyetimin se ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë për ndihmë në këtë situatë emergjente.

Lidhur më këtë, kujtojmë se ditë me parë KALLXO.com raportoi se në fshatin Çikatovë të Re të Drenasit, gjatë shpërndarjes së ndihmave, një qytetar nuk ishte lejuar që të marr ndihma dy herë nga administratori i fshatit e që si përfundim rasti përfundoi në stacionin policor.

Në anën tjetër, edhe Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim me donatorë deri më tani ka ndihmuar me pako ushqimore dhe higjienike rreth 6000 familje në nevojë sociale.

Ndërsa listat e familjeve përfituesve të këtyre ndihmave janë përzgjedhur nga përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të Mitrovicës, për arsye se ata e dinë më së miri se cilat familje kanë nevojë të ndihmohen në këtë situatë emergjente.

“Me këtë rast Komuna e Mitrovicës nga buxheti i saj ka ndarë mbi 2000 pako ushqimore dhe higjienike, ndërsa të tjerat janë siguruar falë zemërgjerësisë dhe vullnetit të mirë të donatorëve dhe bizneseve të ndryshme, për të cilat jemi shumë falënderues në emër të komunës dhe të gjithë qytetarëve mitrovicas”, thuhet në komunikatën për media të Komunës së Mitrovicës më 29 prill.

Ndërkaq, Komuna e Rahovecit nuk ka ndarë mjete në këtë aspekt, por që 1500 pako janë shpërndarë vetëm nga bizneset private, mërgimtarët dhe vullnetarë të tjerë.

Zëdhënësi i Komunës së Rahovecit, Veli Gashi në një prononcim për KALLXO.com tregoi se 640 familje jetojnë me asistencë sociale në këtë komunë, por që thotë së nga ndihma kanë përfituar në disa raste edhe nga dy herë, për shkak të nevojave.

Ai bëri të ditur se shpërndarja e pakove ushqimore-hixhenike është bërë përmes listës së Qendrës për Punë Sociale e që më pas i është përcjellë kryetarëve të fshatrave dhe të lagjeve.

Kurse, zëdhënësi i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi bëri të ditur për KALLXO.com se deri tash janë shpërnda nga komuna bashkë me donatorë 2900 pako, por që janë në pritje deri sa te përfundojnë procedurat e prokurimit edhe do te shpërndahen edhe 1200 pako nga buxheti qe është ndarë nga Komuna.

Lidhur me shpërndarjen e tyre ai bëri të ditur se shtabi emergjent është përkujdesur për shpërndarjen e tyre.

“Shtabi emergjent i ka formuar ekipet për shpërndarje. E kemi një depo ku janë vendosur gjerët ushqimore mielli edhe gjerat higjienike pastaj ne koordinim me kryetarët e këshillave të fshatrave janë shpërnda te familjet”, tha Bytyqi.

Ndërkohë që edhe komuna e Suharekës ka njoftuar të premten se donacionet për të ndihmuar qytetarët e kësaj komune po vazhdojnë ende. Kjo komunë ka bërë të ditur se ka pranuar një donacion me miell në vlerë 1 mijë euro.

Në mesin e shumë donacioneve, kjo komunë ka publikuar javë më parë se edhe një shtetas turk ka njoftuar se i ka dhuruar 1500 kilogram miell për familjet në nevojë.

Komuna e Malishevës nuk ka pranur të jap të dhëna pasi që deklaruan për KALLXO.com se ndihmat janë duke vazhduar e që për momentin nuk kanë numrin e saktë.

Sipas tyre, ndihmat janë ndarë përmes shtabit emergjent dhe kryetareve të fshatit.

Ndërsa, nga Komuna e Skenderajt kanë bërë të ditur për KALLXO.com se 1500 pako ushqimore i kanë shpërndarë dhe bashkë me ato nga donatorët arrijnë afër 3500.

Këto ndihma po shpërndahen nga Qendra për Punë Sociale. Gjithashtu ata paralajmëruar se do të bëjnë prapë shpërndarjen e tyre dhe që asnjë familje me nevojë nuk do të mbesin pa to.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me komunat e tjera por që deri në momentin e publikimin e këtij raportimi nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë se për t’u dalë në ndihmë edhe familjeve që jetojnë me asistencë sociale, Qeveria e Kosovës ka miratuar Pakon Fiskale Emergjente për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.

Numri i të prekurve me coronavirus është 862, prej tyre 622 të shëruar dhe 28 viktima.

Për disa ditë radhëzi Kosova ka shënuar numër më të madh të të shëruarve se sa të infektuarve.

Në anën tjetër, kujtojmë se më 13 prill KALLXO.com ka raportuar se të gjitha kontratat për furnizimet me pako ushqimore dhe higjienike për familjet në nevojë janë zhvilluar me procedurë të negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë. Nëntë komuna kanë zhvilluar aktivitete të prokurimit për të blerë produkte ushqimore për t’u shpërndarë qytetarëve në nevojë: Kaçaniku, Vushtrria, Drenasi, Suhareka, Obiliqi, Fushë Kosova, Klina, Prizreni dhe Lipjani.

 

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).