Ilustrimi: Trembelat

Çmimet tavan për produktet esenciale, opozita kërkon që të rishkruhet projektligji

Projektligji për çmimet tavan, apo masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, që do të diskutohet sot (e enjte) në lexim të parë, në Kuvend, po kërkon mbështetjen e deputetëve për miratim.

Qëllimi i kësaj nisme legjislative është që të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Ndonëse opozita ka mirëpritur idenë e një projektligj të tillë, ata kanë shprehur edhe kritikat e tyre për mënyrën se si është shkruar projektligji.

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala nga PDK, thotë se projektligji është një ide interesante dhe e qëlluar për shkak të krizës ekonomike. Por, shpjegon se përbërja e ligjit bie ndesh me konceptin e tij.

“Por, përbërja e ligjit bie ndesh me konceptin e ligjit, sepse ligji është i shkruar jo mirë, i hartuar jo mirë dhe bie ndesh me parimet bazike të ekonomisë së tregut të lirë. Ajo çka është e rëndësishme është kostoja, pra nuk e ka dhënë arsyshmërinë e kostos. E veçanta tjetër që na bën të dyshojmë është se ligji në esencë në fillim është i përkohshëm, por në substancë të tij nuk ka as datë të fillimit e as datë të mbarimit, pra të paktën nuk është i përkohshëm, por është një ligj që hyn në fuqi dhe mbetet”- tha Shala për KALLXO.com.

“Ka elemente të ligjit që bien ndesh me ekonominë e tregut të lirë dhe mund të ankimohet apo mund të rrëzohet kushdo që e ankimon ligjin në gjykatë nga bizneset të cilat preken direkt nga ky ligj”- shton ai.

Si të nevojshëm për qytetarët, po e cilëson nismën edhe Pal Lekaj, anëtari i këtij komisioni nga AAK-ja, por nuk përjashton mundësinë se projektligji ka nevojë për ndryshime substanciale.

“Në parim ky Projektligj është i mirë dhe i nevojshëm për qytetarët e Kosovës, por në materie në formën që ekziston është i dobët dhe i dëmshëm. Projektligji ka nevojë për ndryshime substanciale, me qëllim që materia e Projektligjit të jetë në interes të plotë të qytetarëve dhe e përshtatshme për bizneset dhe kompanitë operuese në tregun e Kosovës”- u prononcua Lekaj për KALLXO.com.

Lekaj theksoi se për momentin, projektligji për masat e përkohshme, dëmton interesat dhe funksionimin e rregullt të të gjitha firmave prodhuese dhe kompanive tregtare në Kosovë.

“Pra, nenet e caktuara dëmtojnë apo cenojnë ekonominë e lirë të tregut, e rrjedhimisht kjo dëmton edhe elementet e Demokracisë në vendin tonë, e kjo nuk duhet të ndodhë”- shton ai.

KALLXO.com ka tentuar të marr qëndrime rreth këtij projektligji nga deputeti Avdullah Hoti i LDK-së, por i njëjti ka kërkuar që t’i referohemi një postimit të tij në Facebook, për këtë çështje.

Hoti ka shkruar se ky projektligj që do të diskutohet sot në seancën e Kuvendi të Kosovës, do t’i jap goditje të rëndë ekonomisë së tregut dhe konkurrencës së lirë në Kosovë.

“Projektligji i parë cakton marzhat tregtare për produktet themelore ushqimore (drithëra, miell, bukë, oriz, pasta, vaj ushqimor, kripë, vezë, sheqer etj.) Po ashtu, cakton çmimin maksimal, si dhe i detyron tregtarët të mbajnë rezerva në depo dhe masa tjera që mund t’i teken Qeverisë. Një qasje e tillë e kufizimit të konkurrencës mund të vlejë vetëm kur shpallet gjendja e jashtëzakonshme”- shkruan Hoti në Facebook.

Në anën tjetër, Ferat Shala i PDK-së konsideron që ky projektligj duhet të rishkruhet, duke ritheksuar se është ide e mirë por, “është shkruar keq”.

“Rekomandimet janë që ligji duhet të rishkruhet, duhet të jetë pjesë involvuse inspektoratet, me ligj të përcaktohen kompetencat e tij. Në esencë ligji duhet të jetë i hapur për të gjitha grupet e interesit, shoqërinë civile e veçanërisht për pjesën e ekonomisë së tregut sepse nuk mundet me diktat politik të rregullohet tregu”- thotë Shala.

Lekaj ka thënë se si AAK kanë kërkuar dhe janë më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë, se sa për projektligjin në fjalë.

“Ne parim në Komision e kam përkrahur, pasi vërtet ideja për një çmim tavan për produktet bazë është në interesa të qytetarëve dhe unë jam për mbrojtjen e qytetarëve prandaj e kam përkrahur. Ndonëse ne si AAK kemi kërkuar dhe jemi më shumë për largimin e TVSH-së për produktet bazë, sesa për këtë Projektligj, sepse është zgjidhja më e lehtë dhe më e duhura për mbrojtjen e qytetarëve nga ngritja e çmimeve”- deklaroi Lekaj.

Ndërsa, Hoti i LDK-së thotë se në situata të tilla, kur është një luhatje e madhe e çmimeve, duhet përdorur mekanizma të tjerë.

“Mekanizmi i parë e prek anën e ofertës: (1) ulja e ngarkesave tatimore dhe akcizave, të cilat ulin drejtpërdrejt kostot e furnizimit, si dhe (2) subvencionimi i energjinë në veçanti. Mekanizmi i dytë e prek anën e kërkesës, duke mbrojtur të ardhurat e familjeve përmes: (1) indeksimit për normën e inflacionit të pagave në sektorin publik, pensioneve dhe ndihmave sociale, si dhe (2) rritjes së pagës minimale në ekonomi”- shpjegon Hoti.

Për miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Kosovës, Shala thotë se nëse marrin garancinë shtetërore se ligji do të përmirësohet gjatë dy leximeve, do e mbështesin.

“Nëse ne marrim garancione shtetërore që ligji gjatë dy leximeve do të përmirësohet, ne jemi dakord, në të kundërtën ne nuk mund të mbështesim një ligj që është edhe i paligjshëm, antikushtetues, i pazbatueshëm dhe i dëmshëm për ekonominë. Ne e përkrahim idenë sepse është e mirë”- ka thënë Shala.

Pal Lekaj për këtë çështje tha se vendimin përfundimtar se a përkrahin si grup parlamentar do e shohin nga plotësim-ndryshimi i Projektligjit dhe konsulta e brendshme të grupit.

Ndërkaq, Avdullah Hoti ka thënë se nëse kjo nismë legjislative, miratohet ashtu siç është përgatitur nga Qeveria, sipas tij do të falimentojnë tregtarët e vegjël dhe të mesëm.

“Në treg do të mbeten vetëm disa tregtarë të mëdhenj, të cilët mund të përballojnë marzhat shumë të ulëta për shkak të ekonomizimit të shkallës që tanimë e kanë arritur. Sapo të falimentojnë tregtarët e mesëm e të vegjël, të mëdhenjve do tu rriten shitjet dhe fitimet. Ky do të jetë efekti përfundimtar i këtij projektligjit, krahas çrregullimeve masive në ofertë në afat të shkurtër”- shton ai.

Kosumatori, si komponentë e rëndësishme e ekonomisë

Selatin Kaçaniku nga Shoqata “Konsumatori”, thotë se që tani tregu është i destabilizuar dhe se sipas tij ky projektligj më shumë merret me pasojat dhe jo me problemet.

“Projektligji sikur mëton të merret me pasojat e jo me problemet. Me këto parti e politikanë, Presidencë, Kuvend, Qeveri, ministri, në veçanti me MINT-in, nuk shihet askund Shteti, populli, as qytetari apo familja konsumatore, as interesi i tyre, as kënaqëshmëria, që është mandat i tyre dhe detyrohen nga vota dhe paraja jonë publike”- është prononcuar Kaçaniku për KALLXO.com.

Ai deklaroi se ky projektligj nuk e meriton përkrahjen pasi sipas tij “ i mungon studimi paraprak dhe konsultimi me qytetarët konsumatorë”.

Çka rregullon Projektligji që cakton marzhat tregtare? 

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, në mbledhjen e javës kaluar miratoi në parim projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Sipas memorandumit shpjegues, ky ligj ka për qëllim të rregullojë masat mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg në pajtim me këtë ligji dhe mënyrën e zbatimit të tyre.

Produktet themelore sipas këtij projektligji janë: Drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, lëndët e drurit për djegie, produktet tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë.

Në këtë link mund të shihni të plotë, procesin legjislativ të këtij projektligji.

Në mbledhjen e javës së kaluar të komisionit, ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari ka thënë se nga prodhuesit e produkteve kanë konfirmim se ata nuk po lëvizin me çmime por, siç tha ajo, janë tregtarët.

“Sa kemi vërejtur që te prodhuesit nuk është problemi por, tregtia. Nga prodhuesit e kemi konfirmimin se ata nuk po luajnë me cmime por janë tregtarët”- ka deklaruar Hajdari.

Anëtarët e komisionit u dakorduan se ky projektligj, në vazhdimësi ka hapësirë për plotësime dhe ndryshime.

Ndërsa sot, si pikë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës, në shqyrtim të parë është Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Për shkak të krizës, Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë ka vendosur çmimet tavan për shitjen e derivateve të naftës, të cilat përditësohen çdo 24 eventualisht 48 orë në fundjavë.