Çmimet n’hava, komuna e Mitrovicës paguan 10 euro një maskë

Komuna e Mitrovicës ka paguar 10 euro për një maskë me filtër të tipit FFP2 në një tender për furnizim me materiale për mbrojtje nga COVID-19. Për 700 copa ‘maska FFP2’, komuna e udhëhequr nga Agim Bahtiri ka paguar 7 mijë euro.

Të njëjtën maskë, pra FFP2, Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.

Të dy tenderët janë shpallur me procedurë emergjente pa publikim të njoftimit për kontratë.

Përveç maskave FFP2, Komuna e Mitrovicës ka blerë edhe dezinfektuesin më shtrenjtë se Komuna e Dragashit.

Me kontratën e cila është nënshkruar brenda një jave, Komuna e Mitrovicës ka blerë “dezinfektues për ambiente pune” të sasisë 1 litër me çmim prej 15 euro.

Kurse Komuna e Dragashit, përmes kontratës e cila është nënshkruar brenda 8 ditëve, ka blerë “gel dezinfektues” po ashtu të sasisë 1 litër me çmim prej 5.5 euro.

Në Mitrovicë janë blerë 500 litra “dezinfektues për ambiente të punës” me një vlerë total prej 7,500 euro, kurse në Dragash janë blerë 250 litra “gel dezinfektues” të cilat i kanë kushtuar 1,375 euro Komunës. Në kontratat e publikuara nuk janë dhënë specifika shtesë të këtij dezinfektuesit, pra nuk dihet nëse kanë përmbajtje të njëjtë.

Komuna e Mitrovicës në kontratën 33.8 mijë euro që e ka nënshkruar me “KIGA” SH.P.K më 6 prill përmes një procedure të negociuar, ka blerë edhe 1 mijë veshje me një çmim prej 18 eurove, që në total i kanë kushtuar Komunës, 18 mijë euro.

Kompania fituese “KIGA” SH.P.K. do ta furnizojë brenda 5 ditëve QKMF-në në Mitrovicë me 6 produktet e kërkuara. Në kontratën për “Furnizime Emergjente Mjekësore – Preparate dhe pajisje tjera për shkak te pandemisë COVID-19” janë blerë edhe 50 mburoja për fytyrë, 1500 kalaqe dhe 10 pako maska.

Edhe Komuna e Dragashit ka nënshkruar kontratën 37.4 mijë euro përmes një procedure të negociuar për furnizim me material mbrojtës, të cilën e ka nënshkruar më 14 prill. Komuna e Dragashit ka blerë veshje të madhësisë L, XL dhe XXL, të cilat i kanë kushtuar më lirë se Komunës së Mitrovicës.

Komuna e Dragashit ka porositur 200 veshje komplet të madhësisë L që gjithsej kanë kushtuar 2 mijë euro, 320 veshje komplet të madhësisë XL gjithsej 3,200 euro dhe 530 veshje komplet të madhësisë në total prej 5,300 euro.

Kompania e cila do ta furnizojë Komunën e Dragashit me 12 produktet e porositura është “Avdullah Nebiu B.I.”. Njëjtë si në Komunën e Mitrovicës, edhe në Dragash kohëzgjatja e kësaj kontrate është 5 ditë.

Komuna e Dragashit është furnizuar edhe me 7 mijë dorëza mjekësore latex për ekzaminim – jo sterile të madhësia M, 20 mijë dorëza mjekësore latex për ekzaminim – jo sterile të madhësisë L, 500 dorëza mjekësore latex për ekzaminim – sterile, 5 mijë maska për fytyrë, 250 litra Alkool 95% dhe 110 maska mbrojtëse – Vizir (anti-fog).

Përhapja e pandemisë së coronavirusit ka detyruar shumë institucione që të furnizohen në mënyrë emergjente me materiale për mbrojtjen e stafit.

Që nga 13 marsi, kur është shënuar rasti i parë me coronavirus në Kosovë, komuna e institucione të tjera publike kanë blerë mjete mbrojtëse të njëjta por me çmime të ndryshme.

Komuna e Deçanit ka nënshkruar kontratë për blerjen e një dezinfektuesi 50ml për 4 euro. Por, kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj e kishte ndal blerjen e këtij produkti.

Komuna e Podujevës, në anën tjetër, ka paguar 15 euro për një palë uniforma njëpërdorimëshe, kurse për të njëjtën Komuna e Deçanit kishte paguar vetëm 4 euro.

Dallime në çmime kishte edhe në blerjen e dezinfektueseve 500ml. Ujësjellësi Prishtina e ka paguar 4 euro një dezinfektues 500ml, kurse Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë e ka paguar 8 euro një dezinfektues 500ml.

“Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian”.