Foto: REL/AFP

Çmime të ndryshme për dezinfektim

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të dezinfektojnë hapësirat publike si masë për parandalim të përhapjes së infektimit me COVID-19. Komuna e Prishtinës ka paguar më shtrenjtë për dezinfektimin e hapësirave të brendshme të institucioneve publike krahasuar me institucionet tjera.

Komuna e Prishtinës në fund të muajit gusht ka nënshkruar kontratë për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim të objekteve të institucioneve arsimore. Ky tender është negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, pra pa procedurë të hapur. Vlera e paraparë e kësaj kontratë ka qenë 15 mijë euro.

Tenderi i është dhënë operatorit ekonomik “KRASNIQI” SH.P.K më datë 26 gusht me çmim prej 14 mijë e 960 euro. Kontrata e nënshkruar është 8 cent për m2 të objekteve të institucioneve arsimore për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim.

Në anën tjetër, Ministria e Financave ka dhënë tender për dezinfektim të hapësirave me një çmim shumë të ulët se ai i Komunës së Prishtinës.

Ministria e Financave për dezinfektim të hapësirave pagoi 0.04 cent për një metër katror (m2).

Më datë 11 shtator Ministria e Financave nënshkroi kontratë për dezinfektim të hapësirave të Ministrisë së Financave  dhe Thesarit me një çmim prej total prej 1 mijë e 398 euro me kompaninë “FAUNA GROUP SH.P.K”. Edhe pse prej OE është kërkuar leja për të bërë dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim, në kontratë nuk është cekur që këto tri shërbime do të oferohen.

 

Një kontratë për dezinfektim e ka nënshkruar edhe komuna e Kamenicës, e udhëhequr nga Qendron Kastrati. Kjo komunë, në muajin shtator nënshkroi kontratë për dezinfektim të hapësirave të brendshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19 me një çmim prej 0.03 cent për m2.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 9,000 mijë euro, por kontrata e nënshkruar me “FAUNA GROUP SH.P.K” ishte me një çmim prej 990 euro.

Ndërsa, shërbimet e dezinfektimit në fillim të pandemisë ishin relativisht më të shtrenjta. Komuna e Malishevës kishte lidhur kontratë me 4 maj për dezinfektimin, deinsktimin dhe deratizimin e 86,191 m2 për një cmim prej 18,174 euro, apo 21 cent për m2.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës gjithashtu ka hapur tender për furnizim me material mbrojtës kundër virusit COVID-19.

Këto pajisje mbrojtëse që do jenë të destinuara për shkolla përfshijnë 200 copë tepih me bazë klori për dezinfektim të mbathjeve të cilat janë paguar për 19 euro copa.

Janë blerë 150 termometra laserik për matjen e temperaturës për 35 euro copa.

Janë blerë edhe 9,000 dezinfektues të duarve me bazë alkooli për 2.4 euro, 5,000 copë shampo të duarve për 1.8 euro copa, 80 kuti klor për 45 euro copa, 5,000 copë dezinfektues me spërkatje për 3.2 euro dhe 160 copë sprej për shënjëzim për 4 euro.

Kjo kontratë është nënshkruar përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Më datë 28 gusht kjo kontratë u nënshkrua me operatorin ekonomik “Teknika”SH.P.K ME VLERË 59, 890 euro.

Ndërkohë, tenderi për dezinfektim, për të cilin Komuna e Istogut kishte parashikuar kontratë deri 41 mijë euro, u anulua.

Kriteret diskriminuese në dosjen e tenderit për të cilat mori vërejtje edhe nga USAID e anuluan tenderin.

Në muajin maj, Komuna e Istogut inicoi aktivitetin e prokurimit me titull “Dezinfektimi i hapësirave publike”.

Kjo kontratë parashihej të kishte kohëzgjatje deri në dymbëdhjetë muaj. Vlera e kontratës që kishte parashikuar komuna ishte në shumën e 41 mijë eurove.

Për këtë tender, komuna përdori procedurën e hapur të prokurimit me kriter çmimin më të ulët.

Sipas njoftimit për kontratë, parashihej që me këtë tender të dezinfektohen hapësira publike prej 60 mijë m2, hyrje të banesave publike 80 copë dhe dezinfektimin e 330 automjete të cilat janë pronë e institucioneve komunale.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u ndal në gjysmë. Gabimet e bërë në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale, të cilat u konsideruan diskriminuese, anuluan këtë tender.

Sipas njoftimit për anulimin, komuna vendosi kërkesa diskriminuese për çka se mori vërejtje edhe nga monitoruesit e USAID-it.

“Është bërë gabim në kërkesat e përshtatshmërisë profesionale me nr.III.2.2, ku është kërkuar që veprimtari e biznesit të jetë edhe dezinfektimi. Nga të gjitha kompanitë konkurruese asnjë kompani në kuadër të veprimtarive të regjistrimit të biznesit nuk e ka, me çka është bërë gabim në paraqitjen e kërkesave, si dhe diskriminim me OE tjerë. Ky aktivitet anulohet edhe për shkak të vërejtjeve të marrura nga monitoruesit e USAIDI-t, për diskriminim”, thuhet në njoftimin për anulim.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të Internews Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.