Ruzhdi Shehu, Kryetar i Komunës së Junikut, Foto: KALLXO.com

Çka u bë e çka s'u bë? Kryetari i Junikut përballë premtimeve të dhëna në fillim të mandatit

Largimi i 80 varrezave me mjete të rënda nga një hapësirë në fshatin Gjocaj në Junik u ngrit si çështje në emisionin në “Jeta në Komunë”, në të cilin kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu ishte përballë Asamblesë Komunale.

Sipas banorit Riza Ganijaj, kjo u bë me vendim të drejtorit të Shërbimeve Publike të Junikut, Demokrat Ganijaj, pasi që toka ku ishin varrezat ishte në emrin e babait të drejtorit të Shërbimeve Publike.

“Më kanë thirrë më kanë thanë të lagjes si më i vjetër, kujtojsha që po bohet mirë, ama ju kam thanë që gabim kanë bërë që i kanë  hekë. Më kanë vetë sa varreza kanë qenë ju kam thanë mbi 80 vorre i kanë gjujtë krejt këtej shpatit. Unë e di qetu kanë qenë varrezat e mahallës së epërm, Qerimt, tash janë në Rashiq ata,  dhe Ganiajt, krejt varre të Gjocajve kanë qenë. Po kanë  qenë të identifikueshme. Nuk e di i ka konvenu me i prishë. I ka hek varret, i ka hek krejt i ka gjujtë poshtë. Ankesa ka pas pse i kanë hekë varrezat. Varrezat gjynah janë me u hek”- kishte thënë Riza Ganijaj.

Zenel Maloku, asamblisti i AAK-së në Junik dhe banor i fshatit Gjocaj tha se veprimi i heqjes së varrezave dhe hedhja e tyre në një humnerë është një akt qyqar.

“Unë jam prej fshatit Gjocaj, nuk kam pasur askënd nga familja jem që ka hy në dhe aty, po aty kanë qenë 350 metra katror varreza, është pronë publike. Një familje 8 i ka pas, kush të jep leje me shti bager në varreza me i gjujt në shpat. Kush e jep atë lejë, atë e ka dhanë komuna me vulë. Unë kam qenë aty, kam shku me polici, kur kemi shku e kemi gjet bagerin i kish pas hek 3 hise. Unë me hek varreza? Kurrë zoti mos ma boftë. Policia kur erdh tha puna koka kry s’kemi kurrgjë këtu”- tha Maloku.

Drejtori i Shërbimeve, Demokrat Ganijaj tha se kanë qenë vetëm dy varreza dhe me dëshirën e familjes janë zhvendosur në një pjesë tjetër dhe tani ky rast është në trajtim nga organet e drejtësisë.

“Aty ka qenë një hapësirë e destinuar për varreza, kanë qenë faktikisht dy varreza që janë largu me vullnet të familjes edhe gjithë ky rehabilitimi i asaj pjese është bërë më vullnetin e banorëve që është e ndame si hapësirë për me u varrosë familjarët e tyre. Rasti ka kaluar në organet e drejtësisë edhe presim vendimin e tyre” – tha drejtori Demokrat Ganijaj.

Sipas drejtorit në këtë pronë që një pjesë është e komunës nuk e kanë në plan me ndërtu asgjë vetëm e kanë liruar si hapësirë.

“Prona që u rrafshu aty është pronë e jona familjare, rruga që ka kalu aty për në bjeshkë ka kalu përmes pronës tonë edhe me kalimin e rrugës janë dëmtuar kanalet e ujit dhe prindi ka marrë një iniciativë me e rrafshu atë pjesë dhe më pas është konsultuar me banorë se ajo ka qenë e pashfrytëzuar, pjesa që ka qenë e destinuar për varreza, aty prej rruge ka shpëtu vetëm dy varreza, vetë familjaret e tyre i kanë hjekë, një pjesë e vogël aty është pronë publike që është e destinuar për varreza dhe ne nuk kemi në plan aty me ndërtu asgjë vetëm për tokë bujqësore do të përdoret” – ka deklaruar drejtori Ganijaj.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari Shehu, i cili u shpreh së nuk ka pasë kërkesë në komunë për këtë çështje dhe se rasti është lajmëruar nga ana e Inspektoratit.

“Ne nuk kemi pasë kërkesë asgjë për këtë temë, të gjitha masat janë marrë, janë lajmëruar edhe organet e Ministrisë së Ambientit dhe kanë verifikuar, rasti është lajmëruar nga ana e Inspektoratit, por ne nuk mund të lëshohemi në këto gjykime pa pasur një vendim të drejtësisë” – ka thënë kryetari Junik Shehu.

Përveç varrezave në Gjocaj, në debat u ngrit edhe mirëmbajtja e varrezave në lagjen Bajraktari.

“Ne i kemi edhe varrezat e qytetit në lagjen Bajraktar atje edhe i kam bërë edhe disa foto këtu mundeni me i pa mbeturinat që janë rrugës për të varrezat, gjatë tri vite qeverisje asnjëherë nuk ajnë pastruar varrezat, d.m.th kur ndërron jetë dikush vetë familjarët duhet t’i pastrojnë varrezat” – u shpreh asamblisti i AAK-së, Dervish Bajraktari.

Kryetari Ruzhdi Shehu për varrezat e qytetit tha së janë duke e hartuar projektin dhe pastaj duhen donacione për realizim pasi që nuk mjafton buxheti komunal.

“Ne jemi duke e hartuar projektin e varrezave sepse kur kanë nis më punu kanë nis veç qashtu, mate në të majtë e në të djathtë e na qashtu nuk punojmë, projekti është finalizu e tani duhet me gjet donacione së ne kemi buxhet të vogël” – deklaroi kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu.

Problemi i furnizimit me ujë të pijshëm në Junik

Një premtim me prioritet ka qenë edhe furnizimi më ujin të pijshëm për banorët që jetojnë në lagjen “Agim Ramadani”.

“Unë ju garantoj lagjes ‘Agim Ramadani’ së me ardhjen time do ta trajtoj më prioritet sa i përket furnizimit me ujë të pijes nga sistemi i ujit të pijes në Junik”- kishte premtuar kryetari Shehu më 19.09.2021.

Premtimi se kjo lagje do të jetë pjesë e sistemit të ujit të pijes në Juniku nuk është përmbushur nga kryetari Shehu, ajo çka komuna ka ofruar si zgjidhje për këta banorë janë dy kroje. Mirëpo gjatë verifikimit në terren të ekipit “Jeta në Komunë” vetëm njëri nga krojet e kësaj lagje ka qenë funksional për banorët.

Një banor ka treguar edhe për investimet që ata bashkërisht i kanë bërë më banorët e lagjes që dy krojet të jenë funksionale në lagjen “Agim Ramadani”.

“Kemi investuar gjithë kapak me mjete financiare e kemi sjellë edhe këtë kroin këtu, gypin e kemi blerë vetë, d.m.th pusin e kemi bërë vetë, ka fakte, ka dëshmi, nuk jam për me e shajtë kryetarin” – thotë Shpetim Jasiqi, banor i lagjes Agim Ramadani.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Demokrat Ganijaj, hodhi poshtë pretendimet e banorit se është investuar nga vetë banorët për bartjen e gypave dhe funksionalizimin e krojeve në këtë lagje.

“Komuna në bashkëpunim më Hidrodrinin e ka bërë financimin për gypin kryesor nga ‘Oda e Junikut’ deri në lagjen Agim Ramadani për vendosjen e atyre dy krojeve, bashkërisht me banorët e lagjes e kemi rregulluar e kemi bërë një krua më të mirëfilltë, nuk është e vërtetë që banorët kanë investuar në gypa, të gjitha ato i kemi marrë nga Hidrodrini” – tha drejtori i Shërbimeve Publike, Demokrat Ganijaj.

Pakënaqësinë e tij e shprehu edhe një nga banorët që jeton në lagjen “Agim Ramadani”. Sipas tij edhe kroi që është ofruar si zgjidhje për ta është i papërdorshëm pasi që sa herë ka reshje të shiut uji turbullohet.

“Deri sot hala nuk e ka rregullu, e ka qitë këtë kru qitu për momentin, ka thanë është uji i Junikut e ka kap apet me të lagjes është uji i turbullt, si të bjen shi krejt është i turbullum, as një sen s’ka bo deri sot”- ka thënë banori Xhevat Hykosmani.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Demorat Ganijaj dha shpjegim edhe për mosfunksionimin e njërit krua në lagjen “Agim Ramadani”.

“Pse njëri krua nuk është funksional është arsyeja e keqpërdorimit, se gjatë kohës së verës po lihet lëshuar edhe kam kërkuar nga Hidordrini me e ndalë njërin kru në mënyrë që të reduktohet shpenzimi i ujit” – tha drejtori Ganijaj.

Kundërshtim për ato çka tha drejtori i Shërbimeve Publike lidhur me ujin në lagjen “Agim Ramadani” në Junik pati edhe nga asamblisti i AAK-së, Zenel Maloku.

“Më vjen shumë keq që drejtori foli për ujin në lagjen ‘Agim Ramadani’ e tha kemi bisedu me qytetarët ajo është një gënjeshtër shumë e madhe, ne kemi edhe drejtorë të tjerë të lagjes Agim Ramadani që vijnë e marrin ujë në Junik. Uji në lagjen ‘Agim Ramadani’ turbullohet shumë shpesh, sa herë bie shi ai turbullohet edhe nuk është me e përdorë as për kuzhinë” – tha asamblisti Maloku.

Në lidhje me premtimin për ujë në lagjen “Agim Ramadani2, kryetari Ruzhdi Shehu tha së është bërë një pagesë për këtë projekt dhe se janë në proces më e kyçë këtë lagje në sistemin e ujësjellësit.

“Ne kemi paguar një pagesë prej 45 mijë euro nëse nuk gaboj dhe tani jemi në proces në bashkëpunim me Hidrorinin që më e kyçë në sistem edhe lagjen Agim Ramadani” – është përgjigjur kryetari Ruzhdi Shehu.

Ku e kapi në “rrenë” Krypometri kryetarin e Junikut?

Ruzhdi Shehu pati premtuar se në mandatin e tij me prioritet do ta trajtojë rrjetin e kanalizimit dhe mbrojtjen e mjedisit, duke paraparë kyçje të gjithë kanalizimit sekondar në atë primar.

“Gjatë këtij mandati prioritet do të jetë kanalizim dhe mbrojtja e mjedisit sepse ka ndikim direkt në shëndetin e njeriut, të gjitha pjesët sekondare të kanalizimit të kyçen në rrjetin primar” – kishte premtuar kryetari Shehu më 19.09.2021.

Mirëpo nga verifikimet që janë bërë në terren nga ekipi i “Jeta në Komunë”, rrjeti i kanalizimit nuk është përfunduar në të gjitha vendbanimet në Junik, por sipas kryetarit është punuar mjaft në këtë drejtim.

“Kemi punuar mjaft për kanalizim, kemi investuar mjaft deri më tani në kanalizimin sekondar se primari është i ndërtuar, nuk u përfundu akoma por ne kemi edhe një vit mandat edhe kemi paraparë edhe 70 mijë euro investime në vitin që vjen” – ka thënë kryetari Shehu.

Kryetari Ruzhdi Shehu premtoi më 04.11.2021 se Juniku do të bëhej me Parkun e Inovacionit gjatë vitit të parë të mandatit të tij, por ky zotim nuk u përmbush nga kryetari pasi që Parku i Inovacionit ende nuk është ndërtuar as pas tri viteve mandat.

“Për Parkun e Inovacionit kemi marrë vendimin në Kuvend Komunal kemi nda parcelën, është në procedurë të shpronësimit, tani aplikimin e kam bërë edhe në Ministrinë e Tregtisë për Parkun e Inovacionit por për shkak të pronës që akoma nuk është e komunës kemi problem deri të zgjidhja, ne do të tentojmë që me u kry sa ma shpejtë kjo” – ka thënë Ruzhdi Shehu.

I pari i Junikut kur kishte marrë mandatin kishte premtuar ofrimin e shërbimeve mjekësore 24 orë në 7 ditë të javës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare për banorët e Junikut. Ky premtim është përmbushur nga kryetari, pasi që tani në Junik, QKMF-ja është funksionale gjatë 24 orëve dhe ofron të gjitha shërbimet e kujdesit parësor.

Ai e mbajti fjalën edhe premtimin për dhënien e bursave për studentët e Junikut. Premtimi ishte për ndarjen e bursave nga komuna në vlerë prej 20 mijë euro por kjo shumë është tejkaluar. Komuna e Junikut për vitin 2022 ndau 103 bursa në vlerë prej 25,700 euro, ndërsa për 2023 janë ndarë 71 bursa në vlerë prej 28,100 euro.

Kryetari i Junikut, tutje premtoi së në kabinetin e tij, 30% do të jenë gra në krye të drejtorive komunale. Nga 7 drejtori sa ka në total Komuna e Junikut, dy grave apo 30% i është besuar udhëheqja me drejtori. 

Kryetari i Junikut kishte premtuar edhe 200 mijë euro investime për qendrën e Junikut por një investim i tillë ende nuk ka ndodhur. Për këtë projekt diskutuan edhe asamblistët e AAK-së në Junik.

“Në projekt-buxhet i keni nda 150 mijë euro, ndërsa për vitin 2025 i keni planifikuar edhe 90 mijë euro, ndërsa për tri vjet qeverisje as edhe një kubëz ose një rrugë nuk është nisur për qendër, asnjë projekt nuk është prezantuar për qendrën e Junikut. Ku janë 150 mijë euro që janë premtuar për qendrën e Junikut për vitin 2024”- ka thënë asamblisti i AAK-së, Dervish Bajraktari.

Kryetari Shehu tregoi se ky projekt tani është në fazën e projektimit dhe sapo të jetë gati do të dërgohet në Kuvend Komunal për miratim.

“Ky projekt është hartuar, kam lidhur marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Arkitekturës dhe jam duke e pritur projektin final të prezantimit, pastaj të miratimit dhe të fillimit të procedurave faza, faza të këtij sheshi” – ka thënë kryetari Shehu.

A po ruhet trashëgimia kulturore në Junik?

Komuna e Junikut në karakteristikat e saj si vend ka edhe trashëgiminë kulturore që e pasuron më shumë këtë qytet. Pjesë e kësaj trashëgime janë kullat e shumta në Junik. 

Kur erdhi në pushtet kryetari Ruzhdi Shehu, kishte premtuar restaurimin e katër kullave në Komunën e Junikut. Por pas tri viteve mandat ende asnjë kullë nuk është restauruar.

Në një përgjigje të Komunës së Junikut thuhet se është bërë mirëmbajtja e kullave, Qendra Rajonale e Turizmit, Biblioteka e Qytetit, Valavica dhe Mulliri i Sallajve.

“Ne rehabilitim të kullave kemi bërë, që u përmend kulla në qendrën kryesore të turizmit që është akoma nën menaxhimin e komunës, biblioteka ka qenë deri tani por tani është zhvendos edhe ata e kemi rehabilituar përmes organizatës për trashëgimi kulturore edhe mullirin te Sallajt i kemi jep mbështetje” – deklaroi kryetari Shehu.

Ish-drejtori i Zhvillimit Ekonomik në Junik, Leonard lolluni tregoi për atë se si gjatë qeverisjes së LDK-së nuk është investuar në këto asete kulturore dhe sipas Llollunit këto projekte ishin realizuar gjatë mandatit të kryetarit paraprak që vinte nga radhët e AAK-së, Agim Kuçi.

“Në qeverisjen e kaluar janë restauruar shtatë kulla, Biblioteka komunale që është restauruar në kullë ka qenë projekti i yni që ka investuar BE-ja, Qendra rajonale e turizmit ka qenë projekt që ka investu Komisioni Europian, Qendra rajonale e turizmit prej momentit që ka ardhur kryetari në pushtet nuk ka qenë funskionale, ajo nuk ekziston si qendër rajonale e kemi edhe një kullë tjetër që e ka ndërtu ish-kryetari Agim Kuçi, tani edhe ajo kullë ka mbetur në mëshirën e fatit”- ka thënë Leonard Llolluni.

Kryetari Ruzhdi Shehu për Qendrën e turizmit tha së është mbyllur, por sipas nevojave qendra hapet për zhvillimin e aktiviteteve.

“Qendra është e mbyllur, kur kemi nevojë për aktivitete shkojmë e hapim edhe i zhvillojmë, ditën e gështenjës e kemi mbajtë atje” – ka deklaruar Shehu.

“Pas shiritëve të prerë” – gjendja e projekteve në Junik

Objekti i Stacionit të Autobusëve, i cili ishte përuruar më 24.12.2022 nga kryetari Ruzhdi Shehu, nuk e ka të njëjtën gjendje gati dy vjet më pas. Ekipi i “Jeta në Komunë” në këtë stacion i cili i ka kushtuar komunës 98 mijë euro, ka gjetur xhama të thyer, ulëset e dëmtuara, hapësira që ishte paraparë për sportele të stacionit nuk ishin funksionale dhe hapësira brenda ishte e papastër.

“Është e vërtetë që na i kanë thy xhamat, është e vërtetë edhe ulëset, më porosi janë por shumë shpejt do të merren masa ndaj gjithë atyre keqbërësve” – ka thënë kryetari Shehu.

Në shtator të vitit 2023 u promovua edhe nisja e punimeve në rrugën Gjocaj-Livadh i Madh, madje në mbishkrimin që i kishte bërë postimit, Ruzhdi Shehu e quajti këtë projekt si më të rëndësishmin për zhvillimin ekonomik në Junik. Por pavarësisht së ky projekt është konsideruar i rëndësishëm, rëndësi nuk i është kushtuar cilësisë së punimeve pasi që në këtë aks rrugor rreth një vit më pas kanë filluar plasaritjet e asfaltit dhe është vërejtur mungesa e anësoreve të rrugës.

Kryetari për gjendjen e kësaj rruge tha se ende nuk kanë përfunduar punimet dhe çdo gjë do të mbikëqyret dhe nuk do të lejohen zbrazëti sa i përket cilësisë.

“Të rruga që është ka shtrohet Restovicë-Junik ne s’kemi pranu akoma vlerësimin e punimeve, çdo gjë do të jetë në komision dhe nuk do të lejohet asnjë zbrazëti në aspektin e cilësisë, rruga ende nuk është kry” – ka thënë Ruzhdi Shehu.

Projekti i radhës që Ruzhdi Shehu zgjodhi ta promovojë ishte parku pranë lumit Erenik që ishte donacion nga KFOR-i. Mirëpo pas një viti që është përuruar ky park janë gjetur lodra për fëmijë jashtë funksioni e madje disa kishin përfunduar edhe në lumin Erenik. Nga gjendja që është verifikuar nga ekipi “Jeta në Komunë” është parë së mungon mirëmbajtja e këtij parku. Kryetari tha se për gjendjen e parkut u njoftua pasi pa videot në debatin “Jeta në Komunë”.

“Unë s’e di, tani i pashë së si janë thy (lodrat), fatkeqësisht ato i kemi bërë më një angazhim bukur të mirë që të kenë mundësi fëmijët, por zakonisht sukseset nuk kanë qef me t’i njoftë”- ka thënë kryetari Shehu.

Lagjja Mirocë ka qenë vendi i radhës ku kryetari përuroi investimet që i kishin realizuar në bashkëpunim me një organizatë. Në shtator të vitit 2024 gjendja e parkut ka ndryshuar shumë, si shkak i mos mirëmbajtjes së parkut, shumica e lodrave kanë qenë jashtë funksionit dhe të prishura, hapësira e parkut është e mbushur me barishte dhe mbeturina, gjë që e bën të pashfrytëzueshëm për fëmijët e kësaj zone.

Sa i përket mirëmbajtjes së parkut foli drejtori i Shërbimeve Publike, Demokrat Ganijaj. Sipas tij, kjo gjendje është e tillë për shkak se gjatë verës komuna përkushtohet më shumë në mbledhjen e mbeturinave. 

“Lidhur më mirëmbajtjen e parqeve, gjatë sezonës së verës i përkushtohemi mbledhjes së mbeturinave edhe për ata ka mbet” – ka deklaruar drejtori Ganijaj.

Kryetari nuk la pa promovuar edhe shtrimin e trotuarit në rrugën Junik-Restovicë. Muaj më vone gjendja e trotuareve në këtë rrugë është jo e mirë, anësoret e trotuareve janë thyer dhe disa kubëza kishin dalur nga vendi. Kryetari dha një arsyetim edhe për këtë gjendje.

“Nashta thehen, i ndërrojnë s’ka qare pa i ndërru edhe kompania edhe mbikëqyrja dhe s’do pranojmë kubëza të thyera” – ka thënë kryetari Shehu.

Kryetari Ruzhdi Shehu shpalosi disa nga projektet që ka arritur t’i realizojë deri në kohën kur po qeverisë me Komunën e Junikut, përfshirë këtu projektet në infrastrukturë, arsim dhe shëndetësi.

“Asfaltimi i rrugës së bjeshkës Junik-Gjerovicë, rikonstruktimi i rrugës Junik-Restovicë që është në proces, ndërtimi i objektit të ri të shkollës “Edomond Hoxha”, ndërtimi i rrugës unazore në proces, ndërtimi i kanalit të ujitjes, asfaltimi i rrugës Junik-Jasiq, rikonstruktimi i rrugës Gaxherr-Bajraktarë, ndërtimi i çerdhes, rregullimi i urës që lidh dy eko-fshatra në Junik, Gjocaj dhe Jasiq, rehabilitimi i ujërave të zeza në lagjet Hoxhë, Hebib, Morenicë, Krasniq, ofrimi i shërbimeve shëndetësore 24 orë, shatë ditë në javë” – janë disa nga punët që u realizuan sipas kryetarit Ruzhdi Shehu.

Shkolla në Junik me dyer emergjente, por pa shkallë emergjente

Shkolla “Edomond Hoxha” në Komunën e Junikut është objekt i ndërtuar së fundmi por në këtë shkollë ka një mangësi. 

Objektit të kësaj shkolle i janë vendosur dyert për daljen emergjente, por prapa këtyre dyerve nuk janë shkallët emergjente që do të duhej të ishin. Mirëpo në projektin e kësaj shkolle nuk ishin të parapara shkallët emergjente dhe sipas drejtorit një gjë e tillë është kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe tani janë në pritje për këtë.

“Kur është realizu shkolla, shkallët nuk kanë qenë projekt me u realizu unë kam pas kontakt më Ministrinë e Arsimit dhe kanë thënë që do ta bëjnë një projekt të përbashkët në nivel vendi dhe janë në pritje të një kontrate” – ka deklaruar drejtori Xhelal Velijaj.

Në planin qeverisës kryetari Shehu kishte paraparë edhe ndërtimin e një fushe futbolli dhe një palestre sportive, por një premtim i tillë ende nuk ka nisur të zbatohet. Ndërkaq përgjigja zyrtare e Komunës së Junikut për fushën e futbollit ka qenë së kërkesa për këtë investim i është adresuar nivelit qendror, ndërsa buxheti për sallën e sportit në shkollën “Edmond Hoxha” është ndarë për vitin 2025.

“Kemi bërë kërkesë në nivelin qendror për mbështetje financiare për ndërtimin e fushës së futbollit, ndërsa në planifikimin e buxhetit është përfshirë edhe ndërtimi i fushës së sportit në oborrin e SHFMU ‘Edmond Hoxha’” – thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut.

Performaca e Komunës së Junikut

Sipas Vlerësimit të Performancës Komunale nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Komuna e Junikut tregon rezultate negative sa i përket vijueshmërisë së fëmijëve në kopshte dhe realizimit komunal për transportin lokal publik. Këto dy fusha nga MAPL-ja janë vlerësuar me zero pikë.

Kryetari nuk u pajtua me vlerësimin që i është bërë komunës në vijueshmërinë e fëmijëve në çerdhe sepse çerdhja në Junik është funksionale dhe ka fëmijë që shkojnë në çerdhe sipas kryetarit.

“Çerdhja është e hapur janë nxënësit aty, por nuk e di pse nuk e kanë pranu aty, raportimi është përgatit nga Drejtoria e Arsimit por nga MAPL-ja nuk është vlerësuar”- ka thënë Shehu.

Mirëpo sipas këtij vlerësimi Komuna e Junikut ka punuar shumë mirë në përmbushjen e kriterit për punësimin e personave me nevoja të veçanta në institucionet komunale për çka edhe është vlerësuar me 100 pikë.

Ndërsa kriteri për mbledhjen e tatimeve në pronë nga komuna e Junikut është përmbushur me 51.54%. Kryetari i komunës për këtë çështje tha së ka rritje te pagesave sa i përket tatimit në pronë pasi që kohen kur ata kanë marrë qeverisjen ka pasur shumë borxhe.

“Rritje kemi sepse borxhe kemi gjetur shumë të grumbulluara për këtë arsye edhe realizimi del në shkallën jo të kënaqshme, është një komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët, qoftë përmes shkresave qoftë edhe përmes takimeve që ata ta paguajnë borxhin sepse ato borxhe rriten gjithmonë” – ka thënë kryetari Ruzhdi Shehu.