Sheshi ne Prishtine

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Çka rregullon Projektligji i ri për Regjistrimin Popullsisë

Qeveria e Republikës së Kosovës më 23 dhjetor 2021 e ka aprovuar Projektligjin për Regjistrimin Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.

Me këtë projektligj do të rregullohet mënyra e organizimit të procesit të Regjistrimit, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.

Ky ligj gjithashtu rregullon shtrirjen territoriale të Regjistrimit, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tërësi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në Regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.

Sipas nenit 2 paragrafi 5 i këtij ligji, regjistrimi siguron të dhëna për numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike dhe karakteristikat e tjera socio-ekonomike të popullsisë, numrin dhe shtrirjen e vendbanimeve, objekteve të banimit, ndërtesave që shfrytëzohen për qëllime banimi ose destinim tjetër, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë, numrin e ekonomive familjare dhe karakteristikat tjera për individët.

“Personat e huaj që punojnë brenda vendit për biznese ose organizata ndërkombëtare, dhe familjet e tyre, me kusht që ata i plotësojnë kriteret për vendbanim të zakonshëm në vend. Personeli diplomatik dhe ushtarak i Kosovës regjistrohen si popullsi rezidente”, thuhet në këtë pikë, ku ligji i vjetër nuk e ka të përcaktuar.

Ndërsa, personeli ndërkombëtar diplomatik, i zyrave të tjera ndërlidhëse dhe stafi ushtarak i KFOR-it nuk përfshihen në Regjistrim.

Në nenin 4 të këtij flitet për obligimin qytetar.

“Çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe për të afërmit e tij/saj. Çdo person është i lirë të tregojë më shumë se një përkatësi etnike në rastet e natyralizimit, apo prindërve të përkatësive të ndryshme etnike. Çdo person është i lirë të mos e deklarojë përkatësinë e saj/tij etnike dhe religjioze”, thuhet në ligji.

Ndërkaq, për personin nën moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, zyrtarit për regjistrim i ofron të dhënat njëri nga prindërit, person tjetër madhor, ose kujdestari.

Tek autoriteti dhe metoda e regjistrimit, të cilën e tregon neni 5 i këtij ligji, regjistrimin e organizon dhe e realizon Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes organeve përkatëse, të përcaktuara me dispozitat e këtij ligji.

Në ligjin e vjetër, metoda e regjistrimit është tradicionale derë më derë, përmes pyetësorëve të regjistrimit.

Ndërsa me ligjin e ri metoda e grumbullimit të të dhënave në regjistrim përcaktohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sa i përket kohës dhe afatit të regjistrimit në nenin 6 përcaktohet se kohëzgjatja i propozohet Qeverisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ndërsa Vendimi për datën e regjistrimit merret nga Qeveria, jo më vonë se 9 muaj para datës së regjistrimit.

Ndërkaq, anketa pas-regjistruese realizohet jo më vonë se një muaj pas përfundimit të Regjistrimit.

Sipas nenit 7 regjistrimi përfshinë: popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat/shtëpitë në territorin e Republikës së Kosovës.

Me ligjin e ri te neni 10 për rezultatet e regjistrimit thuhet se rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit publikohen më së voni pesëmbëdhjetë muaj pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave të regjistrimit. Ndërsa raportet e tjera publikohen brenda tri vjetësh, pas regjistrimit.

Ndërkaq sa u përket rezultateve preliminare të Regjistrimit, jo më vonë se tre muaj pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave të Regjistrimit.

“Rezultatet përfshijnë së paku: Numrin e popullsisë rezidente sipas gjinisë, numrin e ekonomive familjare dhe numrin e banesave”, thuhet në ligjin e ri.

Sipas ligjit të ri te neni 20 përcaktohen detyrat dhe përgjegjësitë e personelit të Regjistrimit.

Sipas këtij ligji personeli i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, së bashku me ekspertët, përgatit infrastrukturën dhe instrumentet e Regjistrimit, planifikimet, trajnimet, mbikëqyrjen, përpunimin, analizimin, tabelimin e të dhënave të grupuara, prodhimin dhe publikimin e rezultateve të Regjistrimit.

Personeli i Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjithashtu organizon dhe përgatit dokumenteaconin, shpërndan informacionet e nevojshme, bën sensibilizimin, mbështet me logjistikë dhe bënë administrimin e Regjistrimit në terren.

“Koordinatori dhe monitoruesi – bëjnë koordinimin ndërmjet KKR-së dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, si dhe mbikëqyr procesin e Regjistrimit në komunën e tij/saj, mbikëqyrësi – merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim, ndihmon dhe e kontrollon punën e regjistruesve, mbikëqyrësi rezervë – merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim dhe aktivizohet në punë, me propozim ASK, në rastet kur kërkohet”, thuhet në ligj.

Ndërkaq, regjistruesi merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për regjistrim, shkon derë më derë për ta zhvilluar intervistën, duke i plotësuar saktë pyetjet në module/ pyetësorë të regjistrimit dhe regjistruesi rezervë – merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim dhe aktivizohet në punë me propozim të mbikëqyrësit në rastet kur kërkohet.

Financimi i regjistrimit edhe me ligjin e ri bëhet nga dy burime buxheti i Kosovës dhe donatorët.

Ndërsa neni 23 përcakton sanksionet kundërvajtëse me gjobë.

“Personeli i angazhuar në Regjistrim, për çdo shkelje të rregullave të parapara në Nenin 9 të këtij ligji, ndëshkohet me gjobë në shumën prej tridhjetë euro deri në dymijë euro”, thuhet në ligjin e ri.

Me ligjin e vjetër personeli i angazhuar për regjistrim, për çdo shkelje të rregullave të parapara me nenin 9 të ligjit, ndëshkohet me gjobë prej pesëqind deri njëmijë euro.

Sipas ligjit të ri me përjashtim të të dhënave sipas nenit 4, paragrafit 3 të këtij ligji, personi i cili refuzon t’i jap të dhënat që i kërkon regjistruesi ose personi tjetër i autorizuar për Regjistrim, të përcaktuara në Nenin 4 të këtij ligji, ose me vetëdije jep informata të pakompletuara dhe të pasakta, dënohet me gjobë si vijon: Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë në shumën prej tridhjetë euro deri në dymijë euro, personi fizik që ushtron biznes individual, dënohet me gjobë në shumën prej dyqind euro deri në pesëmijë euro, personi juridik dënohet me gjobë në shumën prej pesëqind euro deri në njëzetmijë euro.

Regjistrimi i popullsisë së Kosovës, pritet të bëhet në vitin 2022.

Ministri i Financave Hekuran Murati, kishte thënë se regjistrimi i popullsisë është dashtë të bëhet në vitin 2021, por për shkak të pandemisë regjistrimi është shtyrë për 2022.

“Regjistrimi i popullsisë është bërë në vitin 2011 dhe normalisht do të duhej që të bëhej në vitin 2021, por për shkak të pandemisë dhe të rrëzimit të qeverisë, regjistrimi do të bëhet në vitin 2022”, kishte thënë Murati.

Kërkesën për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë e kishte bërë edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Sipas Krye-shefit Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, zgjedhjet lokale dhe pandemia e bëjnë të papërshtatshme edhe shtatorin e këtij viti.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë në Kosovë ishte rreth 1.8 milionë.

Qeveria e Kosovës Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, ia ka propozuar Kuvendit më 28 dhjetor.