Çka po ndërtohet në Dren të Leoposaviqit, 'bondstel apo stacion i policisë?'

Një debat i gjatë në mes përfaqësuesve politik të Serbëve gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile nuk ka arritur të japë një përgjigje të saktë se çka saktësisht planifikohet të ndërtohet në Leposaviq.

Banorët e fshatit Dren të komunës së Leposaviqit ka kohë që janë duke protestuar ndaj vendimit të qeverisë për shpronësimin e disa parcelave në të cilat sipas policisë do ndërtohet një stacion policor.

Por mungesa e informacionit ka krijuar paqartësi dhe protesta në atë zonë.

Sipas përfaqësuesve politik në atë pjesë, Qeveria nuk ka pasur debat me qytetarët paraprakisht.

Për këtë temë është diskutuar në emisionin #KallxoPernime.

Aleksandar Jabllanoviq, përfaqësues politik i serbëve në atë pjesë ka thënë se kjo gjendje është si pasojë e mungesës së bashkëpunimit, mungesës së komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe komunave.

Sipas tij lajmi për shpronësimin e tokës i ka zënë të papërgatitur edhe qytetarët dhe kryesinë e komunës, e cila është në dorëheqje.

“Për këtë të gjithë kemi dëgjuar në media. Për një punë aq serioze dhe një sipërmarrje kaq serioze, siç është shpronësimi i tokës, veçanërisht për sipërfaqen për të cilën bëhet fjalë, prej 84 ha, kërkohet një analizë më e thellë. Mendoj se autoritetet qendrore paraprakisht është dashur ta informojnë komunën e Leposaviqit, nëse komuna ka ndonjë plan për të ndërtuar në atë zonë kadastrale”, ka thënë Jabllanoviq.

Ai ka shtuar se zona e shpronësimit përfshinë 13 parcela private një parcelë të kishës, në të cilën gjenden varrezat e fshatit dhe kisha.

Qeveria e Kosovës në fillim mes të janarit të këtij viti kishte marrë vendim për shpalljen me interes të veçantë publik të disa pronave të paluajtshme në komunën e Leposaviqit.

Sipas komunikatës së ZKM-së, këto prona janë në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, komuna e Leposaviqit dhe se këto prona janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’.

 

Qeveria merr dy vendime për shpronësime për interes publik të disa pronave në Leposaviq dhe Zubin Potok

 

Kreshnik Gashi nga Kallxo ka thënë se aty do të ndërtohet një stacion i policisë e jo bazë, ku do të qëndrojnë 3-4 policë.

Në debatin për veriun në KallxoPernime, Gashi ka thënë se problem në këtë pjesë të vendit vazhdon të jetë mos informimi i banorëve.

“Mungesa e dhënies së informacionit ka krijuar një narrativë krejt tjetër tek banorët, që këtu po ndërtohet diçka sekrete, që këtu po ndërtohet diçka kundër komunitetit, diçka që në të ardhmen mund të jetë e rrezikshme”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar që në sistemin tonë është e pakuptueshme që të ndërtohet ndonjë bazë sekrete.

“Në sistemin tonë, njerëzve që iu shpronësohen pronat prej Qeverisë së Kosovës janë të gëzuar pasi që marrin shumë para, marrin shumë beneficione në këtë drejtim. Por ajo çka mund të konstatojmë këtu është që sërish kemi dështim në komunikimin me qytetarët atje, me sqarimin e situatës e po ashtu me komunikim të drejtpërdrejt me njerëzit që është duke iu marr prona”, ka shtuar Gashi.

183 milionë euro, është borxhi që Qeveria e Kosovës ka ndaj qytetarëve të cilëve ua ka shpronësuar pronat.

Por Gashi ka thënë se këto janë shpronësime të shtrenjta që kanë ndodhur për autostrada, rrugë e zona të ndryshme ku qeveria ka blerë prona nga qytetarët për t`i shfrytëzuar për interes të gjerë.

“Nuk ka shancë që qytetarit t`i merret prona dhe të regjistrohet në regjistrin kadastral pa e pasur një vendim për kompensim të tij dhe pa një vendim për pagesë në konton e qytetarit nga shteti. Çdo vit që këtyre qytetarëve ju rrinë borxhet në Qeverinë e Kosovës, marrin kamata prej 7%”, ka shtuar më tej Gashi.

Ligji për shpronësim thotë se Qeveria e Kosovës, në përputhje me pikën 3 të nenit 4, mund të shpronësojë prona.

Pika 1 thotë se shpronësimi i pronës së paluajtshme kryhet vetëm nëse shpronësimi lidhet drejtpërdrejt me një interes të ligjshëm publik, se interesi publik nuk mund të arrihet pa shpronësim, se interesi publik – që rezulton nga shpronësimi – është më i madh se interesi që do të shkaktonte ndikim negativ si rezultat i shpronësimit.

Në pikën 3 të nenit 4 thuhet se Qeveria ka autoritet ta shpronësojë pronën për çdo qëllim ligjor, që nuk është përcaktuar në pikat 2.4.1. deri në 2.4.4. të atij neni, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në pikën 1.

Dushan Radokoviq nga ACDC, ka thënë për emisionin #KallxoPernime se qeveria anashkaloi disa hapa në procesin e shpronësimit të pronave në fshatin Dren të Leposaviqit.

Sipas tij nuk ka pasur diskutim paraprak me qytetarë e as bashkëpunim me autoritetet komunale.

Ai ka shtuar se janë në pyetje 83 hektarë, pra 13 parcela, këtë hapësirë ai e ka krahasuar me disa stadiume në Prishtinë.

“Ne po ndërtojmë bazën më të madhe kufitare në Evropë, njerëz. Çfarë jemi ne? Amerika nuk ka aq shumë baza në vendet e saj apo ambasada nuk ka aq shumë. Po bëjmë një nga bazat më të mëdha, me sipërfaqe 83 hektarë. Këto janë 110 stadiume në Prishtinë. A mund ta besoni se sa baza janë? Nuk do të jetë, është si Bondsteel. Ne po bëjmë Bondsteelin 2. Pra, kjo është diçka, le të themi jonormale”, ka shtuar ai.

Ai e ka ngritur dilemën edhe lidhur me efikasitetin e policisë kufitare në atë pjesë të vendit duke shtuar që nga 100 % e mallrave qe kalojnë nëpër ato rrugë alternative, vetëm 20% e mallit ngelet në veri dhe 80 % e këtyre mallrave shkojnë në Prishtinë.

“Pse nuk arrestohen ato kompani që transportojnë naftë, aty e kemi problem. Inspeksioni, policia, pse nuk i ndalon ato mallra që shkojnë në Prishtinë? Ato mallra nuk mund të fluturojnë nga pjesa veriore e Mitrovicës në Prishtinë, në Gjilan, në Gjakovë”, ka thënë më tej ai.

Më 2 shkurt të këtij viti kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq i ka dërguar letër proteste 5 ambasadorëve të QUINT-it dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it për shpronësimin e pronave në Leposaviq.

“Njoftojmë opinionin se kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në emër të popullit serb dhe pronarëve të tokave, të cilat po i sekuestrohen nga shpronësimi i paligjshëm i qeverisë së Albin Kurtit, ka dërguar një letër proteste për ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë, si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së si dhe komandantit të KFOR-it”- thuhet në njoftim.

Lista Serbe i shkruan ambasadorëve të QUINT-it, ankohet për vendimet e qeverisë për shpronësime

 Serbët e Leposaviqit ankohen te Avokati i Popullit për shpronësimin e pronave

Për Aleksandar Arsenijeviq, nga Iniciativa “Mbijetesa serbe”, çështja e shpronësimeve duhet të jetë problem për të gjithë.

Arsenijeviq e ka quajtur të kundërligjshëm shpronësimin që është bërë në fshatin Dren të komunës së Leposaviqit.

“Ky anashkalim i procedurës, injorimi i procedurës, është pra një shpronësim i kundërligjshëm. E kam marrë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pra këtu thotë: mbrojtja e pronës e paraparë në nenin 17 paragrafi 2 i Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, ku ndër të tjera thuhet: Askush nuk mund të privohet në mënyrë arbitrare nga prona e tij. Kushtetuta e Kosovës, neni 46, paragrafi 3 thotë: Askush nuk mund të privohet në mënyrë arbitrare nga prona personale. Në këtë rast, njerëzit po privohen nga pronat në mënyrë arbitrare”, ka thënë Arsenijeviq.

Ai ka insistuar se në kaq hektarë nuk bëhet fjalë për ndërtimin e ndonjë stacioni policor, por ndonjë kazermë.

“Më lejoni të them vetëm 83 hektarë, zoti Kreshnik, ju e dini si është procedura, kështu që po të vendosni 400 dele, nuk do të mund të mbante aq tokë, dhe imagjinoni sa ushtarë dhe roje nevojiten, pra ushtarë, policë, forca speciale për të mbajtur atë bazë. Pra nuk është ndonjë stacion policor i vogël, por një kazermë serioze, me policë që do të vendosen aty. E dini se për çfarë ankohen njerëzit”, ka shtuar më tej ai.

Avokati i këtyre banorëve që nga tetori ka dorëzuar ankesë tek Avokati i Popullit dhe kanë paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme për këtë shpronësim të tokës.

Dushan Radokoviq nga ACDC ka folur edhe për siç tha ai gjëra që e shqetësojnë komunitetin serb në Kosovë.

Në #KallxoPernime ai ka thënë se janë 12 kërkesa të këtyre banorëve që i janë adresuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e të cilat sipas tij mund të zgjidhen vetëm me një telefonatë. 

“Këtu do të ju jap një nga shembujt e fundit që u dha, është problem me certifikatën e martesës për personat që njëri është nga Kosova, dhe tjetri nga Serbia. Me propozim, përkthimi i Kuvendit të Kosovës, i cili nuk disponohet në gjuhën serbe. Propozimi i Prishtinës për Qeverinë e Kosovës që kur ndodhin incidente të raportojnë gjendjen reale faktike se çfarë po ndodh në terren, sepse ka serbë që janë në jug të Ibrit, kanë fëmijë në veri, kështu që nuk e kanë të njohur gjendjen aktuale, mandej problemi me verifikimin e diplomave”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 124-të, në fillim të këtij muaji, miratoi dy vendime.

Sipas njoftimit zyrtar është marrë vendim me të cilin autorizohet Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për kryerjen e punëve përgatitore për përcaktimin e përshtatshmërisë potenciale të një ose më shumë parcelave të pronës së paluajtshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’’ në dy zona kadastrale, në fshtrat Dren dhe Leshak të komunës së Leposaviqit.

Po ashtu është marrë vendim për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’’.

Për vendimin e dytë bëhet fjalë për këto zona kadastrale: Bistricë e Shalës, Bregu i Madh, Dren, Leshak dhe Koshtovë, Komuna Leposaviq dhe zonat kadastrale: Bërnjak, Zubin Potok, Banjë dhe Jasenovik i Epërm në komunën e Zubin Potokut.

Qeveria merr dy vendime për shpronësime për interes publik të disa pronave në Leposaviq dhe Zubin Potok

 

‘Qeveria nuk ka komunikim me veriun e vendit’

Alban Zeneli, profesor ka propozuar disa forma se si Qeveria do të duhej të komunikonte me qytetarët e kësaj pjese.

Zeneli ka thënë se është ndërprerë komunikimi me atë pjesë e vendit dhe se një video e kryeministrit Kurti në gjuhën serbe nuk mund të kryej punë, pasi që sipas tij veriu i Kosovës është ekspozu një narrative të rreme.

 “Kur flasim për këtë, që policia e Kosovës të kuptohet si organ që ofron siguri për atë komunitet, nuk kuptohet kështu ose mund të ngriten teori konspirative mbi qëllimet e Policisë së Kosovës atje. Qeveria duhet të gjejë ndikuesit lokal të cilët krijojnë opinion publik, qoftë të cilët mund të jenë, qoftë në mediat sociale, që nuk kontrollohen nga Serbia, edhe liderë politik që nuk janë të ndikuar nga Serbia”, ka thënë Zeneli.

Ai ka shtuar gjithashtu se dy televizionet lokale TV Mir dhe TV Most, duhet të shfrytëzohen për informimin e qytetarëve në atë pjesë, por Jablanoviq ka thënë se TV Most është tv nacional dhe shpërndan lajmet e Shërbimit Publik të Serbisë dhe Zyrës për KIM. Ndërsa TV Mir është mbyllur.

 

Jabllanoviq me qëndrim ndryshe për Asociacionin, e quan të vjetruar 

Në kohën kur po diskutohen modalitetet dhe mundësitë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, lideri i partisë serbe të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, ka thënë që ajo është projekt i vjetër.

Ai në emisionin #KallxoPernime ka shtuar se duan një institucion, i cili mund edhe të quhet Asociacion i Komunave Serbe, siç janë marrë vesh Beogradi e Prishtina, përmes të cilit, të drejtat e tyre që i kanë të garantuara me kushtetutë dhe ligj të Kosovës t’i shfrytëzojnë pa pengesë dhe pa kufizim.

“Projekt i para 10 viteve. Nuk është njëjtë të formosh Asociacion tash si të formosh Asociacion para 10 vitesh. Asociacioni i Komunave Serbe duhet t’u ofrojë serbëve një stabilitet. Një paqe më afatgjate. Një Republika Srpska e re, serbëve nuk do t’ju ofrojë paqe. Do të ndodhemi në një situatë ku do të kemi disa të drejta por do të jemi vazhdimisht në njëfarë konflikti me shqiptarët, të cilët janë shumicë. Kjo nuk është në interes të serbëve”, ka thënë Jabllanoviq.

Ndër tjerash ai ka shtuar se nuk e pranon që as Prishtina e as Beogradi t`ua qëndisë të ardhmen e tyre politike.

Përderisa Kreshnik Gashi nga Kallxo ka thënë se komunat në Kosovë janë qeveri në veti.

Ai ka shtuar se komunat kanë kompetenca në ekonomi, në shëndetësi në siguri komuna e ka mundësinë edhe me hap universitetet e veta, komuna e ka edhe ndërtimin, pra lejet e ndërtimit i jep komuna.

“Komuna përcakton ku do të ndërtohen fabrikat, komuna mund ta jap pronën e saj në shfrytëzim, mund të vendos për të thirrë invesitorë, komunat mund të ndërtojnë ambulanca, me punësu mjekë, me ble pajisje, komuna e zgjedh edhe komandantin e policisë, pra i dërgon tre emra te ministri i Punëve të Brendshme, e ky i fundit e zgjedh njërin”, ka thënë Gashi.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si ‘plani franko-gjerman’.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë dy ditë më parë pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ne do ta pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do ta konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti në Twitter.

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se vizita e tij në Prishtinë është në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti pas drekës me Lajçak: Ne e pranojmë propozimin e BE-së

 Frika e serbëve të Kosovës, bashkimi me Shqipërinë?

Aleksandar Arsenijeviq nga Iniciativa “Mbijetesa serbe” në emisionin #KallxoPernime ka thënë se zgjidhja e parë për serbët në veri të Kosovës do të ishte fillimi i formimit të Asociacionit të komunave serbe.

Sipas tij mosformimi i Asociacionit, që vjen nga marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka pasur ndikim të madh në zhvendosjen e popullatës serbe në 10 vitet e fundit.

“Ne për këtë kemi dhënë gjithçka por nuk kemi fituar asgjë, ka qenë shkëmbim për Asociacionin e komunave serbe, heqja e barrikadave, qetësimi i protestave te qytetarëve. Dhe në fund nuk fituam asgjë nga këto. Qeveria që zgjati 10 vjet nuk i përmbushte as detyrimet e veta dhe vetëm mes tyren. Njerëzit bojkotonin, dhe më lejoni të themse ata madje bojkotonin, dhe më pas ne fituam një qeveri që shtyn vetëm disa nga interesat e veta”, ka thënë Arsenijeviq.

Ai ka shtuar se ekziston një frikë te serbët e Kosovës për bashkimin me Shqipërinë.

“Ne kemi deputetë të cilët publikisht avokojnë për bashkimin me Shqipërinë, pastaj konfederata, e dimë që konfederata është vetëm një periudhë kalimtare për federatën, frika që kanë njerëzit është ajo rreth bashkimit, dhe frika e vetme është se kanë frikë nga ajo periudha e Enver Hoxhës. Le të kuptohemi. Jam përpjekur, unë e kam bërë një analizë serioze për këtë. Jam i ri, nuk e njoh atë periudhë, por flas edhe me njerëz me të moshuar”, ka thënë Arsenijeviq.