Çka nënkupton liria e shprehjes në rrjete sociale?

Brenda pak javësh, një grua dhe një burrë përfunduan prapa grilave për shkak të postimeve të tyre në rrjete sociale.

Fillimisht, ish-kandidati për deputet nga partia Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti, kur bëri një kërcënim për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ditë më parë edhe një kosovare, Ikballe Berisha- Huduti, kur kundërshtoi vrasjen e një gjenerali iranian nga forcat ushtarake të Amerikës.

Jetojmë në kohën e informacionit ku lajmet që na servohen çdo ditë janë shumëfishuar.

Kosova është vendi që përdor internetin më së shumti në Ballkan, duke u pasuar nga Kroacia e Bosnjë-Hercegovina. Mbi 1 milion kosovarë e përdorin rrjetin social “Facebook”.

Bashkë me përdorimin e rrjeteve sociale është shtuar edhe komunikimi.

Liria e shprehjes në Kosovë është e garantuar me ligj. Por, komunikimi në rrjete sociale të paktën në dy raste ka dalë të jetë përtej kufijve të lirisë së fjalës.

Alban Zeneli, ligjërues i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Prishtinës thotë se ekziston një keqkuptim i lirisë së shprehjes te një pjesë e shoqërisë kosovare.

“Liria e shprehjes është e drejtë qytetare e garantuar me Kushtetutën e vendit. Por, bashkë me lirinë e shprehjes vjen edhe përgjegjësia e fjalës publike”, thotë Zeneli.

Sipas tij, janë disa raste kur liria e shprehjes i kalon kufijtë dhe humb kuptimin.

“Secili lloj i komunikimit që degradon në gjuhë të urrejtjes, thirrjes për dhunë, shpifje e denigrimin e personalitetit të individëve dhe formave të ngjashme janë të ndaluara jo vetëm në rrjetet sociale por përgjithësisht në komunikimin publik. Këtu nuk bëjnë përjashtim as rrjetet sociale”, vlerëson Zeneli.

Ish-kandidati për deputet i partisë Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti, pasi u paraburgos për 30 ditë, Gjykata e Prishtinës vendosi një masë ndaj tij. Kështu, ai u lirua në shtëpi, por gjyqtari vendosi që ai mos t’i afrohej kryetarit të LVV-së, Albin Kurti në një afërsi prej 500 metrash.

Por, pasi Prokuroria u ankua në shkallën e dytë, Gjykata e Apelit e riktheu atë në paraburgim.

Labinot Leposhtica nga Zyra Ligjore e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) thotë se liria e shprehjes nuk duhet të nënkuptojë edhe të drejtën për të shpifur apo kërcënuar.

Sipas Leposhticës, e drejta për liri të shprehjes mbrohet me konventa ndërkombëtare dhe Kushtetutë të Kosovës, por fjala e thënë publikisht, qoftë edhe në rrjete sociale, ka peshë dhe mund të përfundoni të akuzuar për vepër penale.

“Në secilin rast duhet të kemi parasysh se kjo e drejtë nuk është e pakufizuar dhe nuk mund të shtrihet deri aty sa neve na jep lirinë të shpifim, fyejmë apo nxisim në veprime të cilat mund të përbëjnë vepër penale”, thotë ai.

“Liria e shprehjes përpos si e drejtë themelore mbart në vete edhe përgjegjësi”, vlerëson Leposhtica.

Ikballe Hudutit, një kosovare, përmes Facebook-ut reagoi ndaj një aksioni të ushtrisë amerikane në Irak. Nga ai sulm, një gjeneral iranian mbeti i vrarë por me këtë nuk u pajtua Huduti. Pas postimit, ajo mori shumë kritika ndërsa Prokuroria e Shtetit po e heton për kryerjen e veprës penale për nxitje në akte terroriste.

Sipas Alban Zenelit, dy rastet e fundit, Haxhi Hoti e Ikballe Huduti, tregojnë se shoqëria kosovare nuk kanë njohuri mbi përdorimin e rrjeteve sociale.

“Rastet e fundit ku dy persona përfunduan prapa grilave për shkak të shprehjes së qëndrimeve publike, të cilat dolën nga shtrati i lirisë së shprehjes dhe degraduan në thirrje për dhunë, vrasje e hakmarrje, dëshmojnë më së miri mungesën e njohurive të qytetarëve tanë në raport me rrjetet sociale”, thotë ai.

Sipas Zenelit, askush nuk përfundon në burg për shprehjen e mendimit në rrjete sociale, përveç në rastet kur qëndrimet kanë përmbajtje për dhunë, thirrje kundër rendit kushtetues apo kur mendimet e shprehura rrezikojnë jetën e ndonjë personi.

“Këto raste përbëjnë vepra penale”, thekson Alban Zeneli.

Në Kosovë, nocioni i shpifjes dhe fyerjes rregullohet me Ligjin Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Sipas Labinot Leposhticës, kur kemi të bëjmë me këto nocione, dënimet janë të përcaktuara vetëm me mjete financiare.

“Nëse publikon diçka të pavërtetë ose fyen dikë, sanksioni mund të jetë vetëm financiar, pra pala përgjegjëse mund të detyrohet të paguajë kompensim financiar lartësinë e të cilit do ta përcaktojë gjykata varësisht prej rrethanave të secilit rast konkret”, thotë Leposhtica.

Por, njëjtë nuk është kur veprimet përbëjnë vepra penale.

“Ndryshe nga rastet kur ne i nënshtrohemi Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, nëse përmbajtja  e shprehjes tonë përmban në vete elemente që nxisin akte të dhunës apo shtyjnë në kryerjen e veprave penale apo cenojnë apo lëndojnë ndjenjat e dikujt prej grupeve etnike, fetare, racore apo grupeve tjera, në këto raste mund të kemi aktakuzë për vepër penale dhe rrjedhimisht dënime me burg”, thotë zyrtari ligjor nga BIRN.

Nevoja për edukim medial

Përdorimi i madh i internetit dhe i rrjeteve sociale ka shtuar nevojën për edukim medial.

Në mënyrë që t’i kuptojmë dhe t’i përdorim më mirë mediat dhe rrjetet sociale, ligjëruesi i gazetarisë në UP, Alban Zeneli, thotë se futja e lëndës për edukim medial në sistemin arsimor është e nevojshme.

“Nëse i lexoni komunikimin e qytetarëve të Kosovës në rrjete sociale shpeshherë të mbushet mendja që janë të shkruara nga një tavolinë të dehurish në kafene e jo nga njerëz që gjenden në vende të ndryshme. Kjo gjë tregon, po ashtu që një formë e edukimit për median është i domosdoshëm në sistemin publik të shkollimit parauniversitar për të mësuar përdoruesit e rrjeteve sociale edhe për përgjegjësitë e komunikimit publik”, thotë ai.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë në vend duhet t’i trajtojë rastet e kërcënimeve në rrjete sociale njësoj si ato në forma tjera.

“Qindra kërcënues të tjerë në rrjetet sociale ende vazhdojnë të kërcënojnë pa dhënë llogari për veprimet e tyre. Pra, sistemi i drejtësisë duhet t’i trajtojë njësoj secilin kërcënim nga çdokush pa marrë parayshë adresen politike, ekonomike, biznesore”, vlerëson Zeneli.

Ka disa lloje të veprave penale që mund të kryhen përmes rrjeteve sociale. Fatkeqësisht qytetarët e Kosovës kam përshtypjen që nuk janë mjaftueshëm të informuar për këtë çështje, sepse komunikimin që e shohim në faqe të ndryshme përmbanë vazhdimisht gjuhë problematike që në disa raste mund të konsiderohet edhe si vepër penale”, thotë tutje ai.

Komunikimi në rrjete sociale nuk duhet të kuptohet si komunikim privat apo personal. Sipas Alban Zenelit, ky lloj komunikim përmes rrjeteve shoqërore duhet, në disa raste, t’u nënshtrohet normave ligjore.

“Duhet se pari ta kuptojnë se komunikimi në rrjete sociale s’është më privat dhe personal por është publik. Rrjedhimisht edhe sjell përgjegjësi publike. Bashkë më këto dyjat, komunikimi në rrjete sociale i nënshtrohet edhe disa normaleve ligjore e kushtetuese përpos atyre morale që nuk janë të denueshme”, thotë ai.

“Pra, secili që ka një profil në rrjetin social duhet ta ketë parasysh se çdo fjalë e tyre që shkruhet e që ka për qëllim të fyejë, poshtërojë apo thërrasë në dhunë është e dënueshme. Madje, me Kodin Penal, Neni  182, specifikohet se përdoruesit e rrjeteve sociale s’bën të ngacmojnë asnjë person përmes komunikimit pasi konsiderohet si vepër penale dhe mund të dënohen deri në 3 vjet  burgim”, deklaron ai.

LEXO edhe Propaganda online e partive politike

Shitësit e rrenave në Kosovë, me shumë para e pak shqetësime

www.kallxo.com