Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Çka ndodhi sot gjatë bastisjes së EULEX-it në zyret e OVL-UÇK-së

E gjitha nisi mëngjesin e sotëm, kur papritur në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, arrijnë pjesëtarë të shumtë të policisë së EULEX-it të cilët filluan të bastisin zyrat e kësaj organizate.

Kjo bastisje u bë disa ditë pasi kjo organizatë ka pranuar tri dosje radhazi që sipas tyre përmbajnë dokumente nga hetimet që po bëhen në Dhomat e Specializuara, gjykatë kjo që ka mandat  të hetojë krimet e luftës të kryera në Kosovë nga viti 1999 e tutje.

Bastisja në zyret e OVL-UÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Para mediave ishte paraqitur fillimisht Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve i cili kishte thënë , se njësia e policisë së EULEX-it është futur në zyrat e OVL-së pa asnjë paralajmërim.

“Në kërkuam arsyeje pse janë fut pa paralajmërim pa ndonjë urdhëresë që t’i bastisin zyrtar por mendoj se turpi i gjithë kësaj është nga institucioni më i lartë nga institucionet tona, dhe ne sot kërkojmë që të këndellen dhe të mbushen mend të gjitha ata që janë ul në postet kryesore të vendit”, ka thënë Jashari.

Pas tij ishte deklaruar edhe Sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku i cili kishte thënë se ishte duke pirë kafe kur kanë arritur policia si dhe sipas tij me ta është një hetues i Gjykatës Speciale.

Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

“Isha duke pirë kafe dhe e pashë korridorin e mbushur që besoj ata janë konsultuar me shtetin dhe me ta është hetuesi i dhomës së specializuar dhe i cili i ka marrë edhe dosjet e tjera të Gjykatës”, tha ai.

Ai kishte deklaruar se kishte kërkuar nga ana e pjesëtarëve të EULEX-it të paraqesin edhe urdhër-bastisjen por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

Pak minuta më vonë, u bë edhe arrestimi i parë. Në pranga ishte vendosur Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati.

Fillimisht nuk u dhanë detaje për arrestimin e Gucatit ndërsa më pas, ishte avokati i OVL-UÇK-së, Tomë Gashi i cili deklaroi se kryetari ishte arrestuar për ndërhyrje në hetimet e Gjykatës së Hagës.

Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Maratona e bastisjes nuk kishte përfunduar me kaq. Ekipe të specializuara të policisë së EULEX-it vazhduan bastisjen edhe pas arrestimit të Gucatit.

Madje pak para orës 13 ekipi i KALLXO.com kishte raportuar për forca shtesë të EULEX-it të cilët janë parë të kenë arritur te zyrat e OVL UÇK një orë pasi një kontingjent i policisë speciale filluan bastisjen në zyrat e kësaj organizate.

Edhe avokati i cili po përfaqëson OVL-UÇK-në nuk kishte dijeni se për çfarë po bastiseshin zyrtar e organizatës.

Në një deklaratë për KALLXO.com pak pasi kishte filluar bastisjet se Gashi ka thënë se “Zyrat e OVL-UÇK janë duke u bastisur. Kam ardhur këtu para 30 minuta. Nuk është paraqitur asnjë urdhër për bastisje as para kryetarit të OVL-UÇK as para kurrkujt. Jemi duke pritë ende të shikojmë se çfarë do të ndodh nuk na kanë thënë asgjë deri më tani”.

Avokati Tomë Gashi flet për aksionin policor të EULEX-it në zyret e OVL UÇK

Pak minuta pas arrestimit të kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, rrugën për në organizatë kishte marrë nënkryetari Nasim Haradinaj.

Ai në një deklaratë për KALLXO.com kishte thënë se “Ndaj Z. Hysni Gucatit ende nuk është kryer procedura e arrestimit, m’tha që po e arrestojnë edhe janë duke më pritur edhe mu me shku atje, jam nis prej Deçanit, sepse më duhet të shkoj edhe unë atje me i nënshkru procedurat dhe si nënkryetar më duhet ta shoqërojë Gucatin”.

Në shenjë pakënaqësie për atë se cfarë po ndodhte në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës, ishin mbledhur edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj organizate.

Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Madje të njëjtit protestuan në shenjë pakënaqësie të këtij aksioni të policisë së EULEX-it.

Protestuesit kanë hedhur shishe të plastikës në drejtim të zyrtarëve policor të EULEX-it, por për të mbajtur rend ishin ftuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Bastisja në zyret e OVLUÇK. Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com

Për aksionin i cili po ndodhte në zyret e OVL-UÇK-së, foli edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Deklarimi i Haradinajt erdhi pas arrestimit të Gucatit.  Haradinaj ka ritheksuar qëndrimin e tij ‘se publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do e dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit’.

Sipas Haradinajt nuk duhet të krijohet imazhi se Kosova dëshiron ta pengoj punën e Gjykatës Speciale.

“Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë.  Apeloj te organet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t’i ik drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Për këtë bastisje të EULEX-it reagoi edhe Teuta Haxhiu nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e cila tha se është për keqardhje “spektakli”, që po ndodh në zyret e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

“I bëjmë thirrje drejtësisë transparente që mos të bëhen spektakle të tilla ngase të gjithë të ftuarit ata veteranë që janë ftuar nga Tribunali i Hagës të gjithë kanë qenë vullnetarë dhe janë të gatshëm të përgjigjen. Por spektaklet nuk i ndihmojnë drejtësisë”, tha ajo.

Për bastisjen reagoi edhe Presidenti Hashim Thaçi. Thaçi ka thënë se asnjë i pandehur potencial nuk do t’i ikë drejtësisë, prandaj, nuk ka asnjë arsye për ekspedita apo aksione spektakulare. Ndërsa ka shtuar se integriteti dhe dinjiteti i secilit qytetar duhet të respektohet.

“E tërë bota e dinë se Kosova ishte viktimë. UÇK-ja dhe tërë populli i Kosovës janë përballur me gjenocid dhe spastrim etnik. Kosova gjithmonë ka qenë dhe do të jetë në anën e të vërtetës, bashkëpunimit, drejtësisë dhe të drejtës ndërkombëtare, e përcaktuar për ndërtimin e shtetit demokratik, ligjor dhe shumetnik, atdhe të të gjithë qytetarëve të saj. Ky është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe përkushtim i institucioneve të shtetit të Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Presidentit Thaçi.

Pas arrestimit të Gucatit, disa orë më vonë u arrestua edhe Nënkryetari i OVL- UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Ai është ndaluar dhe më pas shoqëruar nga Policia përderisa po shkonte për intervistë në një studio televizive.

Bastisjet vazhduan prapë ndërsa përfunduan orët e mbrëmjes. Pas përfundimit të bastisjes nga ana e EULEX-it në zyrat e OVL-UÇK-së, u deklaruan avokati Tomë Gashi e sekretari organizativ Faton Klinaku.

Lajmi i parë ishte përfundimi i bastisjes ndërsa më pas që Gucati e Haradinaj do niseshin për në Hagë.

“Janë më tepër se tetë orë që kanë zgjatur bastisjet në zyrat e OVL-UCK-së, besoj që kemi parë një skenë të panevojshme, fillimisht është dashur që policia jonë të jetë prezentë dhe jo të gjitha bastisjet dhe arrestimi të bëhet nga policia e EULEX-it. Po besoj se ata tani janë duke u transferuar për në Hagë z. Hysni Gucati dhe z. Nasim Haradinaj. Ne kemi qenë prezent gjatë bastisjes dhe gjatë arrestimit të Gucatit ndërsa arrestimi i Haradinajt u bë deri sa ai po shkonte në një medium”, ka thënë avokati Tomë Gashi pas përfundimit të bastisjes.

Deri sa po deklaroheshin para mediave avokati Gashi e sekretari Klinaku, sërish pati protestë nga ana e veteranëve.

Kësaj radhe ata brohoritën kundër policisë së EULEX-it të cilët po bëheshin gati të dilnin dhe të largoheshin nga zyrat e OVL-UÇK-së drejt zyrave të tyre.

E pasi ata u larguan, pjesëtarët e OVL-UÇK-së u drejtuan në zyrat e tyre të cilat u bastisën sot. Në një mbledhje e cila zgjati pak minuta u morën edhe vendimet e para.

Madje ai dha detaje edhe të sekuestrimeve që ndodhën në këto zyra.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se njësitet e EULEX-it i kanë marrë dy kompjuterë dhe disa pamje nga kamerat e sigurisë, dhe sipas tij asgjë nuk ka pasë të dyshimtë.

“Asgjë nuk patën të dyshimtë vetëm ka marrë disa pc dhe kamera të sigurimeve”, tha Klinaku para mediave.

Tutje, ai tregoi se kryetarin e Organizatës, Hysni Gucatin, e kanë dërguar menjëherë për në Hagë dhe ia kanë marrë telefonin, ndërsa me nënkryetarin thotë se ka biseduar në telefon para se të niset edhe ai për në Hagë.

Klinku gjithashtu tha se janë në dijeni që përgjohen por nuk kanë asgjë për të fshehur.

E pas përfundimit të bastisjeve, erdhi  edhe njoftimi i parë zyrtar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në njoftim thuhet se ndaj Gucatit ka pasur një fletarrest.

“Hysni Gucati u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, ka thënë Bennett në një njoftim për media.

Ai në njoftim ka thënë se sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës.

“Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS-në”, thuhet tutje në njoftim.

Pak minuta pas njoftimit të parë, në njoftimin e dytë të po të njëjtës zyrë u dhanë edhe detaje të tjera të arrestimit.

Kësaj radhe u përmend se Gucati ishte arrestuar nën arsyetimin e frikësimit të dëshmitarëve hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Pas arrestimit të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 25 shtator 2020, Hysni Gucati u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gjithashtu kjo zyrë ka njoftuar se për datën dhe orën e paraqitjes së parë të Hysni Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të njoftojnë me kohë ndërsa kanë bërë publike edhe adresën ku mund të ndiqet edhe seanca publike ndaj Gucatit.