Takimi i 04.05.2022 | Foto: Mirosllav Lajcak

Cilat janë pritjet e takimit në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq

Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur nga dita kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 18 gusht, me ftesën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

Dy liderët e kishin pranuar ftesën ndërkaq që të dy do të kenë takim të ndarë me Borrel-in një ditë para takimit bilateral, kishte njoftuar Peter Stano, zëdhënës i Komisionit të BE-së.

Ky takim vjen pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga qeveria kosovare.

Por pritjet për takimin e 18 gushtit nga njohësit e dialogut janë të vogla duke i pasur parasysh edhe takimet që kanë ndodhur në të kaluarën.

Violeta Haxholli, monitoruese e dialogut nga KDI, ka thënë për KALLXO.com se duke e pasur parasysh se për një vit e gjysmë janë diskutuar tri tema, ajo e energjisë, për personat e zhdukur dhe çështja e lëvizjes së lirë, pritjet janë realisht të vogla.

Edhe analistja Donika Emini, shtoi se pritje nga ky takim mund të ketë vetëm në rast se kemi angazhim të fortë në proces të ShBA-së.

Ndërkaq edhe Haxholli edhe Emini, janë shprehur se duhet të ketë një marrëveshje finale mes dy vendeve.

Haxholli ka shtuar se duke e pasur parasysh situatën në terren, temat që beson se do të diskutohen janë çështja e lëvizjes së lirë, targat e veturave dhe çështja e lëshimit të dokumenteve të përkohshme në pikat kufitare. Ndërkaq çështje tjetër që sipas saj mund të diskutohet është edhe çështja e energjisë për shkak se sipas saj në raportimet që i kanë parë, nuk po zbatohet udhërrëfyesi për energji dhe ka disa vonesa për të mbushur afatet që janë vendosur në udhërrëfyes.

“Sërish do të rikthehemi te temat për të cilat ende ka probleme në zbatueshmëri ose për temat që ende nuk ka marrëveshje. Çka do të duhej të bëhej, palët do të duhej të kishin në fokus interesin e qytetarëve që të arrijnë marrëveshje të cilat prekin direkt jetën e qytetarëve për çështjen e lëvizjes së lirë duhet të arrihet dakordim që të lehtësohet jeta e qytetarëve gjatë kalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë por duhet të ketë marrëveshje për personat e pagjetur, një çështje shumë e ndjeshme, ku shumë familje presin për ta ditë fatin e këtyre personave” – tha ajo.

Haxholli vlerëson se nuk ka vullnet politik nga ana e Kosovës dhe e Serbisë dhe se nuk pret progres të mirëfilltë.

“Besoj që situata në terren, tensionet në terren do të ndikojnë në atmosferën e takimit mes dy vendeve dhe kjo do të ndikoj në qëndrimet që do të marrin përfaqësuesit e dy vendeve lidhur me çështjet për dialogun por edhe këto tema që pritet të diskutohen unë besoj se do të jetë çështja e fundit çështja e tabelave të veturave dhe çështja e lëshimit të dokumenteve të përkohshme për të cilat do të duhet të arrihet një dakordim i tillë, të shihet se si mund të lëvizet përpara me këto dy tema” – tha ajo.

Haxholli, ka theksuar se është keq që palët nuk po merren me elementet e marrëveshjes finale sepse aty sipas saj do të duhej të ishte fokusi.

“Kosova e Serbia do të duhej të arrinin një marrëveshje finale e pastaj nëse arrihet marrëveshja finale atëherë edhe këto marrëveshjet e vogla vetvetiu do të gjejnë zgjidhje për to. Jemi shumë larg marrëveshjes finale sepse palët nuk janë duke diskutuar fare me elementet e marrëveshjes finale” – u shpreh ajo.

Sa më larg marrëveshjes finale, Haxholli tha se situata shkon në disfavor të Kosovës.

“Është Kosova ajo që ka më shumë nevojë ta përmbyllë çështjen e dialogut duke e ditë që shumë shtete presin që të arrihet një marrëveshje finale Kosovë – Serbi dhe ato do të lëvizin me hapa drejtë njohjes por edhe duke e ditë që shumë çështje brenda vendit në raport me serbët e Kosovës kanë mbetur peng për shkak të mungesës së një marrëveshje mes dy vendeve” – shtoi ajo.

Haxholli, tregoi se Kosova do të duhet të mundohet më shumë që të nxjerr njohjen nga Serbia dhe të arrij një marrëveshje finale sepse disa procese sipas saj si brenda ashtu edhe jashtë vendit po varen nga mungesa e marrëveshjes me Serbinë.

Ndërkaq, analistja Donika Emini, tha për KALLXO.com se tensionet në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk janë të reja dhe sipas saj para çdo takimi palët kanë qenë të tensionuara dhe janë shty për takim duke marrë shkas nga tensionet e krijuara në terren.

“Ky dialog ka kohë që është shndërruar në proces për shtensionim të marrëdhënieve se sa që ka qenë dialog me agjendë të qartë për të shtyrë palët para në proces. Në mes të kësaj krize, çdo tentim për negocim ka me qenë edhe më i vështirë, sidomos tash kur palët veç janë barrikaduar dhe kanë ndërtuar narrativa jashtëzakonisht armiqësore ndaj njëra-tjetrës” – tha Emini.

Sipas saj nëse Brukseli dhe Uashingtoni kanë strategji të qartë, takimi mund të rezultojë me diçka konkrete.

“Nëse Brukseli i mbështetur nga Uashingtoni kanë strategji të qartë, atëherë ka gjasë që takimi të rezultojë në diçka konkrete, përndryshe ky takim mund të jetë veç një ngjarje në tentativë për të ofruar zgjidhje ose për të prolonguar edhe më tej tensionimin në veri – pasi që mund të shihet edhe si event ku palët do të vazhdojnë takimet tjera në funksion të gjetjes së zgjidhjes afatgjatë” – tha ajo.

Emini tregoi se temat që do të duheshin të diskutohen nuk duhet të jenë të natyrës teknike.

“Duhet të diskutohet dhe të përmbyllet çështja e hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë. Çdo zvarritje jo vetëm që prolongon palët nga marrëveshja përfundimtare, mirëpo edhe është burim i krizave të ngjashme si kjo e lëvizjes së lirë (ID dhe tabelat e regjistrimit)” – u shpreh Emini.

Sipas Eminit lufta në Ukrainë sikur ka mobilizuar BE-në dhe ShBA-në për të prodhuar stabilitet dhe paqe ne Ballkan dhe ky momentum sipas Eminit do të duhet të përdoret për marrëveshje përfundimtare ku Kosova ende ka përparësi në raport me Serbinë dhe ka një momentum në favor të saj.

Emini tregoi se në Bruksel janë dy skenarë:

“1) Fillim i një procesi në nivel eskpertësh që mundet potencialisht me i dhënë kohë palëve për zgjidhje të qëndrueshme. Kjo edhe e prolongon potencialisht edhe një tensionim të gjendjes në veri. 2) Marrëveshje e ngjashme me vitin e kaluar ku nxjerren disa pika që prodhojnë zgjidhje afatshkurtë mirëpo asgjë konkrete që i jep fund kësaj teme” – tha ajo.

Në rast se ka përfshirje aktive të ShBA, Emini tha se mund të shënojë edhe fillimin e fazës së fundit të dialogut, mirëpo sipas saj, aty Asociacioni mund të jetë kryetemë e dialogut.

“Asociacioni mund të jetë kryetemë e dialogut – një temë që ende është shumë sensitive për palën Kosovare e cila nuk ka dhënë detaje konkrete rreth kësaj çështje përveç arsyeve pse ky aranzhim është i dëmshëm për Kosovën” – përfundoi ajo.

Një muaj më parë, kishte dështuar të mbahej takimi i paralajmëruar mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkaku i këtij të fundit.

Sipas përgjigjeve të dhëna nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, takimi ka dështuar për shkak të mosgatishmërisë nga ana e Serbisë për një takim të tillë.

Kryeziu kishte thënë se kryeministri Kurti vazhdimisht ka shprehur gatishmërinë për një takim të nivelit të lartë.

“Kurti përveç gatishmërisë për takime, ai tashmë ka shprehur edhe gatishmërinë dhe interesimin që sa më parë të fillojnë diskutimet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse” – ka thënë Kryeziu.

Kurti dhe Vuçiq, kanë mbajtur vetëm dy takime.

Në takimin e parë i cili ishte mbajtur më 15 qershor të vitit të kaluar pala kosovare ka pasur 4 propozime, 3 nga të cilat janë refuzuar.

“Takimi ishte konstruktiv nga ana jonë. Ne do të marrim pjesë në këtë proces i cili është i vështirë. Pala tjetër fliste për ide të vjetra. Ne dhamë katër propozime të reja” – kishte thënë Kurti në paraqitjen e tij para mediave.

Në profilin e tij në Facebook, kryeministri Kurti kishte shkruar 4 propozimet që pala kosovare i ka shpalosur në takim:

  1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
  2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
  3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
  4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.

Ndërkaq, pas takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se kryeministri Kurti e ka pyetur nëse do ta njoh pavarësinë e Kosovës.

“Njeriu erdhi që të mos pajtohej për asgjë. Njeriu erdhi që të thotë ‘erdha të të pyes se kur do ta pranosh pavarësinë e Kosovës’. Përgjigja ime ishte kurrë. Pastaj ai shpërtheu” – kishte thënë Vuçiq.

Edhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kishte thënë se takimi nuk ka qenë i lehtë.

“Të dy liderët kanë pasur deklarata të sinqerta rreth asaj se çfarë duan palët nga dialogu. Për Bashkimin Evropian është e rëndësishme që të dy liderët konfirmuan se nuk ka rrugë tjetër përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë” – kishte thënë ai pas takimit.

Takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit, u mbajt më 19 korrik ku Kurti kishte kërkuar nga pala serbe nënshkrimin e një deklarate të paqes.

“Unë propozova një marrëveshje të shkruar me 6 nene si një deklaratë e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, që u refuzua, pra atë çfarë kisha kërkuar herën e kaluar që të kemi një deklaratë të paqes e kam përgatitur në mënyrë në një tekst me gjashtë nene, mirëpo u refuzua ende pa u lexuar” – ka thënë Kurti.

Presidenti i Serbisë, para pesë ditëve ka thënë se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në rundin e ri të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime” – tha Vuçiq për gazetarët në Beograd më 11 gusht.

Vuçiq kishte thënë se pala e Kosovës tashmë e ka konfirmuar se është duke e imponuar vullnetin e vet.

“Atyre nuk u intereson se çfarë do të thotë Beogradi, kështu që unë as nuk e di se për çfarë është dialogu” – kishte thënë Vuçiq.

Më 31 korrik të këtij viti ishin vendosur mjete të rënda në fshatin Zupç të Zubin Potokut, por të cilat u larguan një ditë më vonë.

Kryeministri Kurti kishte thënë para mediave se janë të vendosura 9 barrikada në veri të Ibrit dhe deri sa të largohet edhe barrikada e fundit, vendimet e 29 qershorit për reciporitetin e letërnjoftimeve dhe regjistrimin e targave në RKS nuk do të shtyhen.

Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate kishte thënë se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.

Ndërkaq, më 12 gusht, kryeministri Kurti tha se ai është “kryeministër i shpresës” ndërsa ka shtuar se në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq është “president i frikës dhe kërcënimit”.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se qëllimi i vetëm i takimit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është që ta ruaj paqen dhe stabilitetin.

“Serbia nuk kërcënon askënd dhe asgjë, por vetëm dëshiron të sigurojë përputhjen me rregullat ndërkombëtare, normat juridike ndërkombëtare nga Rezoluta 1244 e OKB-së deri në Traktatin e Brukselit” – ka thënë ai.