Cilat janë lëndët e para që importohen nga Serbia pasi të hiqet tarifa 100%

Pas paralajmërimit të kryeministrit Albin Kurti se nga data 15 mars do të pezullohet tarifa 100 përqind për lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Kosova pritet të importojë pa tarifë shtesë lëndët e para për industrinë ushqimore dhe ndërtimore.

Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Klubit të Prodhuesve të Kosovës kanë shprehur përkrahje për heqjen e tarifës.

Ndërkaq, nga Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se rreth 64 milionë euro janë lëndë e parë e importuar nga Serbia apo rreth 14% e importit.

Qeveria e kaluar, në nëntor të vitit 2018, pati vendosur tarifë 100 përqind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, por që qeveria Kurti paralajmëroi që tarifa do të hiqet për lëndën e parë nga data 15 mars, dhe nëse Serbia ndal fushatën kundër Kosovës ai tha se do të largohet tarifa për të gjitha mallrat për 90 ditë.

Sipas të dhënave të Doganës, Kosova importon nga Serbia, lëndët e para për industrinë ushqimore dhe ato ndërtimore.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi në një prononcim për Gazetën Jeta në Kosovë, lëndët e para siç janë gruri, metali dhe gazi medicinal do të fillojnë të importohen nga Serbia për shkak të kostos më të lirë.

“Ka një numër të madh të lëndëve të para që ne i kemi importu prej Serbisë, normalisht që tashmë ka edhe një orientim nga tregjet tjera. Por, Kosova nuk ka lëndë të parë, dhe të njëjtën duhet me importu. Arsyeja që kemi importu një pjesë të lëndës së parë nga Serbia ka qenë për shkak të kostos. Ka për shembull, si rasti të shishet e xhamit apo ambalazhimi i qelqit ka qenë mbi 90% import nga Serbia dhe gjatë gjithë kohës sa ka qenë taksa, një pjesë e madhe e prodhuesve tanë është dashur për t’i importu edhe me pagu taksën për shkak së nuk ka pas alternativa të tjera për t’u furnizuar. Ka disa produkte që realisht si lëndë e parë janë importu prej Serbisë dhe do të vazhdojë të importohen”, tha Rukiqi.

“Gruri, metali dhe gazi medicinal janë disa prej atyre, produkteve që kanë në masë të madhe edhe me një kosto më të lirë prej Serbisë, normalisht që gjatë koha sa ka qenë tarifa në fuqi këto janë importu nga vendet tjera, por tash për shkak të kostos sigurisht që mund të presim që një pjesë e këtyre produkteve të fillojnë prapë të importohen prej Serbisë”, tha ai.

Rukiqi shtoi se prodhuesit vendor do të akomodohen edhe me këtë situatë, pavarësisht që gjatë kësaj periudhe kanë përfituar më shumë.

Gjithashtu, deklaroi se qytetarët janë vetëdijesuar për konsumimin e produkteve vendore dhe që sipas tij, kosovarët e kanë “shkëputur” linjën me produktet serbe.

“Elementi i vetëdijes është i rëndësishëm në këtë rast, por ka edhe një riorientim të përgjithshëm të konsumatorëve të cilët e kanë shkëput këtë linje me produktet serbe dhe tashmë normalisht furnizohen me produkte tjera”, tha kryetari i OEK-së.

Ndërkaq, Klubi i Prodhuesve të Kosovës kanë deklaruar se përkrahin këtë qëndrim, dhe që shpresojnë se kjo masë do rezultojë në eliminimin e të gjithave barrierave tregtare si ato tarifore dhe jo tarifore.

“Ne si Klub jemi prapa çdo vendimi i cili do të mbronte dhe avanconte interesat shtetëror të Kosovës. Të gjitha vendimet duhet të merren në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe BE-në”, thuhet në komunikatën e tyre për media.

“Gjithashtu shpresojmë që kjo masë do rezultojë në eliminimin e të gjithave barrierave tregtare si ato tarifore dhe jo tarifore, po ashtu të krijojë mundësinë që përfundimisht të krijohen marrëdhënie për tregti të lirë me Serbinë e cila mbështetet në parime të ndërsjella”, thuhet më tej.

Reagimet karshi qëndrimit të Kurtit

ShBA në kohët e fundit e ka rritur presionin ndaj qeverisë Kurti për të larguar tarifën 100 përqind duke u zotuar gjithashtu se Serbia duhet të ndalojë fushatën për çnjohje.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se njoftimi nga kryeministri Albin Kurti për heqjen e shkallëzuar të tarifës 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake nuk është i mjaftueshëm për administratën amerikane.

Në një postim në Twitter, Grenell ka thënë se nuk e mbështesin gjysmë-masën e kryeministrit Kurti.

“Nuk e mbështesim gjysmë-masën e Kryeministrit Kurti. Qëndrimi ynë është mjaft i qartë: tarifa duhet të hiqet tërësisht. Z. Kurti po bën një gabim të rëndë – dhe kjo i është bërë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Richard Grenell.

Grenell është gjatë vizitës së tij në Kosovë në muajin janar, kishte kërkuar nga qeveria e re në formim që ta largojë menjëherë taksën, pa reciprocitet.

Ndërkaq, më 11 shkurt kishte shkruar se taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet në Kosovë.

Ndryshe nga ShBA-të, Bashkimi Evropian e ka mirëpritur këtë vendim të Kurtit.

“Ne e mirëpresim këtë njoftim si hap të parë dhe po presim të shohim më shumë detaje. Ky hap mund të ketë efekt pozitiv në kthimin e tregtisë rajonale dhe të ofrojë mundësi për vazhdimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar prej Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim duke shtuar se Serbia dhe Kosova duhet të krijojnë një ambient lehtësues për rikthimin e dialogut në të mirën e të dyve.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha dje se njoftimi për anulimin e pjesshëm të taksës është një mashtrim i ri nga Albin Kurti, dhe se i dërguari amerikan Richard Grenell ka absolutisht të drejtë duke thënë se SHBA nuk i mbështet “gjysmë masat” e kryeministrit Kosovar, raporton Tanjug.rs.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar heqjen e tarifës sa më parë.

Thaçi ka thënë se kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe vendimeve të mençura e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur marrëdhëniet me SHBA-në.

“Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompei dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien”, ka shkruar Thaçi.

Për këtë vendim të Kurtit është mbledhur të premtën edhe Kryesia e Kuvendit.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se do të mbajnë seancës së jashtëzakonshme të së hënës me 2 mars, që u kërkua nga opozita për çështjen e tarifës.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës më 9 nëntor të 2018-es pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 përqind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 përqind.

Mirëpo më vonë tarifë 100% u vendos edhe për brendet ndërkombëtare.

‘Taksa’ politike e taksës doganore ndaj Serbisë

.