Komuna e Rahovecit

Telashet e Komunës së Rahovecit me tenderë

Dobësi në prokurim, një sërë rekomandimesh për punët që duhen kryer dhe punësimi i personave me kontrata mbi vepër, ishin vetëm disa nga gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA) në katër vitet e fundit në Komunën e Rahovecit.

Në raportin për vitin 2015, Auditori i ka dhënë Komunës 15 rekomandime për fusha të ndryshme të qeverisjes lokale, ndërsa në raportin për vitin 2016, Komunës i janë adresuar gjithsej 13 sosh.

Kurse, në raportin për 2017-n, ZKA i ka dërguar kësaj Komune 13 rekomandime. Numri i rekomandimeve të adresuara është rritur dukshëm në raportin për vitin 2018 -gjithsej 20 të tilla.

Sa i përket fushës së prokurimit, në raportin për vitin 2015, Auditori thekson se në tri raste Komuna ka hyrë në obligime më shumë se ndarjet buxhetore të parapara për projektet e caktuara kapitale.

Rasti i parë është se projekti për ndërtimin e shkollës në fshatin Apterushë sipas buxhetit 2015-17 ishte planifikuar 426,000 euro, ndërsa Komuna kishte lidhur kontratë në shumën prej 537,489 euro.

Rasti tjetër është kur projekti për ndërtimin e rrugëve në Rahovec ishte planifikuar me buxhetin e vitit 2015 në vlerë 374,408 euro, ndërsa kontrata ishte lidhur në vlerë 514,087 euro.

“Po ashtu, projekti ‘Rregullimi i qendrës se vjetër të qytetit me gurë’ me buxhet 2015-2017 ishte planifikuar 185,480€, ndërsa Komuna kishte nënshkruar kontratë 286,860€. Komuna kishte realizuar 23 procedura (procedura të hapura dhe kuotim i çmimeve) jashtë planit të prokurimit”, thuhet në raport.

Hyrja e Komunës në kontrata më shumë se sa ndarjet buxhetore të parapara me ligj të buxhetit, sipas ZKA-së, rrit rrezikun që projektet e tilla të vonohen, madje edhe të mos përfundohen.

Rekomandimi: Kryetari duhet të kryejë një rishikim të brendshëm për të përcaktuar pse kërkesat e prokurimit nuk janë adresuar në të gjitha rastet e prokurimit dhe të ushtrojë më shumë kontrolle për të siguruar se dobësitë sistematike të identifikuara janë adresuar. Të siguroj se Komuna nuk do të hyjë në obligime më shumë se sa ndarjet buxhetore të parashikuara me ligjin e ndarjeve buxhetore.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2016, ZKA-ja ka identifikuar dobësi në procedura të prokurimit.

“Në projektin “Blerja e instrumentit gjeodezik” Komuna kishte lidhur kontratë me operatorin ekonomik (OE) me çmimin më të lartë, edhe pse sipas komisionit për vlerësimin e ofertave operatori me çmim më të ulët i kishte përmbushur kriteret dhe ishte i përgjegjshëm”, ka gjetur në një rast Auditori.

Kontrata ishte lidhur në vlerë 11,978 euro, ndërsa çmimi i ofruar nga kompania konkurrente ishte 9,250 euro.

“Më tutje, zyra e prokurimit nuk e kishte njoftuar me shkrim OE të eliminuar nga tenderi lidhur me arsyet e eliminimit. Në tri raste, zyra e prokurimit nuk kishte njoftuar me shkrim operatorët ekonomik për arsyen e eliminimit të tyre nga tenderi”, thuhet në raport.

Sipas Auditorit, shpërblimi i kompanive me çmim më të lartë ndikon në dëmtimin e buxhetit komunal.

Rekomandimi: Kryetari duhet të analizojë arsyet pse në rastet e mësipërme nuk janë zbatuar kërkesat e prokurimit me konsistencë dhe në të ardhmen të sigurojë se janë shpërblyer OE me çmimet më të volitshme për Komunën, si dhe do të bëhet me shkrim njoftimi i OE për eliminim nga tenderi.

Në anën tjetër, gjatë vitit  2017, Komuna e Rahovecit, sipas ZKA-së, ka lidhur kontratë pa procedura të prokurimit.

Në dy raste, te kontratat “Shërbime të internetit” dhe “Ofrimi i shërbimeve në grumbullimin e mbeturinave” ishin lidhur pa procedura të prokurimit, duke kontraktuar çmimin mujor 15€ për secilën.

“Shërbimet ishin kontraktuar sipas marrëveshjes që ishte lidhur/nënshkruar direkt nga drejtori i shkollës me operatorin ekonomik”, thuhet në gjetjen e Auditorit.

“Mos aplikimi i procesit të prokurimit, zvogëlon transparencën për shpenzimin e parasë publike dhe komuna mund të marrë shërbime me çmime jo të favorshme (konkurruese) që reflekton në shpenzimin e parregullt të buxhetit për këtë kategori”, thuhet në raport.

Rekomandimi: Kryetari i Komunës të sigurohet që është duke u aplikuar Ligji i Prokurimit Publik, me qëllim që çdo shërbim të kontraktohet duke u bazuar në konkurrencë.

Kurse, raporti i Auditimit për vitin 2018, ka theksuar shkelje edhe në menaxhimin e pagesave për investime.

Sipas raportit, në raste komuna kishte ekzekutuar pagesat në mungesë të raportit për pranimin e punëve ku vlera në total e pagesave ishte 15 mijë e 206 euro.

“Shkaku i kësaj dukurie ishte neglizhenca nga ana e stafit dhe përgjegjësia për të implementuar ligjet dhe rregullat në fuqi, ku për pasojë kanë dështuar kontrollet e brendshme”, thotë gjetja.

Rekomandimi: Kryetari duhet të sigurojë që personat përgjegjës kontrollojnë dokumentacionin e nevojshëm para ekzekutimit të pagesave si dhe të forcoj masat e kontrollit që punët apo mallrat pranohen nëpërmes dëshmive përkatëse apo raporteve të pranimit.

Dobësi kishte edhe në zbatim të kontratave. Auditori ka konstatuar se komuna e Rahovecit ka vazhduar të pranojë punë e fatura për një kontratë edhe pas skadimit të kontratës. Fjala është për projektin e “ndërtimit të ndërtesës së përbashkët për banim të familjeve me nevojë në Rahovec”.

“Kontrata është tri vjeçare, vlera e se cilës është: 517,784€ e nënshkruar më 22/12/2014, dhe do të duhej të përfundonte në dhjetor të vitit 2017, megjithatë kemi vërejtur se në bazë të situacioneve gjatë vitit 2018 janë realizuar dhe paguar 90,000€ pas skadimit të kontratës”, thuhet në raportin e Auditimit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor, i cili ishte publikuar në qershor të vitit 2019. Kjo vonesë sipas Auditorit kishte ndodhur për shkak se komuna e kishte nënshkruar një kontratë që nuk mund të zbatone në mungesë të parave.

Tek zbatimit i kontratës, Auditori ka gjetur se në një rast komuna kishte lejuar që të tejkaloheshin paramasat dhe parallogaritë e vendosura në kontratë, duke paguar për disa pozicione më shumë se sa ishte kontraktuar. Kjo sipas Auditorit ishte bërë për shkak të planifikimit jo të mirë të projektit.

“Tejkalimi i pozicioneve të përcaktuara në marrëveshje kontraktuale përbën shkelje të Kontratës dhe si e tillë rrit rrezikun që operatori të mos kryej punët sipas standardeve dhe cilësisë së përcaktuar sipas kontratës fillestare”, thuhet në konstatimet e Auditorit.

“Kryetari duhet të sigurojë se njësitë kërkuese vlerësojnë në mënyrë të drejtë kërkesat, duhet të sigurohet që fillimisht të mos lejoj inicimin e asnjë procedure të prokurimit në mungesë të një projekti ekzekutiv si dhe duhet të shtoj kujdes në përcaktimin e pozicioneve ku gabimet e tilla të mos përsëriten”, thuhet në rekomandimin e Auditorit për kryetarin e Komunës.

Auditorit në fushën e prokurimit dhe zbatimit të kontratave kishte gjetur shkelje edhe tek pagesat e bëra për biznese të ndryshme.

“Nga testimi i pagesave për qëllime të pajtueshmërisë, në 49 raste komuna kishte pranuar faturën së bashku me dokumentacionin mbështetës para datës së kërkesës për zotim të mjeteve, shuma e këtyre pagesave është 2,692,026 euro. Kjo dukuri rezulton nga planifikimi jo i duhur i buxhetit, inicimi i procedurave të prokurimit dhe nënshkrimi i kontratave në mungesë të disponueshmërisë së mjaftueshme financiare dhe zotimit të mjeteve”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditorit i ka rekomanduar kryetarit që të “sigurojë që zyra e prokurimit të ketë kontrolle të shtuara që para nënshkrimit të kontratës të bëhet zotimi i mjeteve”.

Janë evidentuar edhe gabime aritmetikore, por edhe mungesë të projektit ekzekutive, siç ishte rasti me projektin për “meremetimin e rrugëve dhe trotuarëve Llot II”.

“Kryetari duhet të sigurojë që hartimi i projekteve ekzekutive të realizohet në pajtim me kërkesat ligjore dhe zyra e prokurimit para inicimit të procedurave të prokurimit për ekzekutimin e punëve të posedoje projektet e kompletuara”, thuhet në rekomandimin e Auditorit.

Theksimi i çështjet nëpër vite në Komunën e Rahovecit

Pasqyrat Financiare të Komunës së Rahovecit vazhdimisht kanë qenë me theksim të çështjes. Pra, Auditori thotë se disa çështje të theksuara në raport kisha gabime.

Në vitin 2015, Auditori kishte gjetur se pasuritë e komunës ishin nënvlerësuar për shkak se në regjistrat kontabël nuk ishin regjistruar 120 hektarë toka bujqësore dhe 8 lokale të komunës si dhe ishin nënvlerësuar investimet në vijim për 352,871€.

“Përveç kësaj, komuna ka bërë keqklasifikim të shpenzimeve, ku nga kategoria e investime kapitale kishte paguar për mallra dhe shërbime, subvencione dhe bashkëfinacime të cilat ishin të planifikuara me buxhet”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2015 si arsye për “theksim të çështjes”.

Lëshime kishte edhe në vitin 2016. Auditori kishte theksuar si çështje faktin se në regjistri kontabël i pasurive nuk ishte i plotë sepse tokat në vlerë prej 541,787€ dhe 6 pagesa në vlerë 120,036€, të ekzekutuara në vitin 2016 për investime kapitale, nuk ishin regjistruar në regjistrin kontabël të pasurive.

“Po ashtu, komuna kishte bërë keq klasifikim të shpenzimeve dhe nga kategoria e investimeve kapitale kishte paguar 74,299€ për mallra dhe shërbime”, thuhet në raportin e vitit 2016.

Në raportin e Auditorit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2017, çështja që nuk kishte pamje të drejtë dhe të vërtet kishte të bënte buxhetit final, i cili ishte prezantuar gabimisht në vlerë 11,738,000€ duke e nënvlerësuar buxhetin për 437,213€.

Auditori ka gjetur se buxheti final i Komunës së Rahovecit, sipas të dhënave të thesarit, ishte 12,175,359 euro.

“Shpenzimet për mallra dhe shërbime në vlerë 77,221€, si dhe ato për subvencione dhe transfere në vlerë 60,865€, ishin buxhetuar, dhe realizuar gabimisht nga investimet kapitale. Pasuria e shpalosur në pasqyrat financiare vjetore nuk ishte e saktë; dhe detyrimet kontingjente në pasqyrat financiare, ishin nënvlerësuar për 29,195,129€”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2017.

Në vitin 2018 kishte më shumë çështje që i kishte veçuar Auditori si të pasakta.

“Ne tërheqim vëmendjen tuaj për faktin se llogarit e arkëtueshme për tatimin në pronë 53,515€ dhe obligimet e papaguara 133,918€, nuk ishin shpalosur drejtë në pasqyrat financiare vjetore. Si dhe shpenzimet në vlerë 137,982€ ishin keq klasifikuar, prej të cilave 97,684€ ishin të buxhetuara dhe aprovuara me ligjin e buxhetit”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin e përfunduar me 31 dhjetor 2018.

Auditori ka dhënë shpjegime shtesë për këto lëshime.

“Shpenzimet për mallra e shërbime dhe paga e mëditje në vlerë 113,456€, ishin realizuar dhe raportuar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale, nga kjo vlera prej 97,684€, ishte buxhetuar dhe miratuar me ligjin e buxhetit. Këto mjete ishin shpenzuar kryesisht për kontratat: mirëmbajtje sezonale e rrugëve, rrënimi i objekteve pa leje, marrëveshja e bashkëfinancimit. Po ashtu shpenzimet për paga dhe mëditje si dhe shpenzimet për subvencione ishin paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë prej 24,526€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Punësime me kontrata mbi vepër

Punësimet e personave me kontrata të veçanta, e kanë karakterizuar Komunën e Rahovecit në periudhën e fundit katërvjeçare.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, Komuna gjatë vitit 2015 kishte angazhuar 35 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta.

“Pagesa për këto shërbime ishte bërë nga kategoria mallra dhe shërbime në shumë 43,404€. Në identifikuam 8 punonjës që ishin angazhuar në periudhë më gjatë se 6 muaj. Të njëjtit kanë qenë të angazhuar edhe në vitin 2014. Te gjitha kontratat ishin lidhur për pozita të zakonshme, e jo për ekspertë të fushave përkatëse dhe për të njëjtat nuk është zhvilluar procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit”, thuhet në raportin për vitin 2015.

Ndërkaq, sipas Ligjit të shërbimit civil afati i kontratave për shërbime të veçanta duhet të jetë më i shkurtër se gjashtë muaj.

“Lidhja e kontratave për shërbime të veçanta për më gjatë se 6 muaj është në kundërshtim me ligjin e shërbimit civil, dhe angazhimet për pozita të zakonshme ndikon në rritjen e shpenzimeve të shërbimeve kontraktuese dhe kjo tregon që shërbimet të mos jenë në përputhje me nevojat reale të komunës”, thuhet në raport.

Në anën tjetër, kjo Komunë gjatë vitit 2018 është përballur me sfida dhe parregullsi në fusha të ndryshme, thonë gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Ndër to ishin edhe parregullsitë me punësimin e personave me kontrata mbi vepër.

ZKA ka bërë të ditur se Komuna në fjalë lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta me 9 punonjës.

Ndërkaq, nga 6 mostrat e audituara ka rezultuar se komuna ka angazhuar dhe paguar këta punonjës në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj, përfshirë parregullsitë të tjera.

“Komuna fillimisht kishte përdor bazën e gabuar ligjore duke lidhë kontrata për punë dhe detyra specifike me kohëzgjatje 120 ditë sipas Ligjit të Punës, për angazhimin e stafit civil (si anketues, zyrtar etj) dhe pas përfundimit të këtyre kontratave, ka vazhduar edhe për 6 muaj tjerë me marrëveshje për shërbime të veçanta, bazuar në Ligjin e Shërbimit Civil”, thuhet në raportin e Auditorit.

Një dukuri e tillë sipas menaxherit të personalit ka ndodhur për shkak të keq interpretimeve ligjore.

Mospërfillja e formularëve për shfrytëzimin e veturave

Zyrtarë të Komunës së Rahovecit nuk kanë plotësuar formularët obligues për shfrytëzimin e automjeteve zyrtare.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2018 ka theksuar se në këtë Komunë ka pasur menaxhim joadekuat të autoparkut, në tri raste specifike.

“Siç kërkohet nga UA Nr.3-2008 – për menaxhimin e automjeteve zyrtare, janë përcaktuar formularët për përdorim të veturave zyrtare. Në tri raste gjate përdorimit të veturave në drejtorin e Administratës, Arsimit dhe QKMF, kemi gjet se nuk është plotësuar formularët për shfrytëzimin e automjeteve, siç kërkohet nga UA”, thuhet në raport.

Gjithashtu formulari, urdhër për shfrytëzimin e automjeteve nuk ishte nënshkruar nga zyrtari kompetent, autorizuesi i automjetit.

Auditori vlerëson se situata është pasoje e neglizhencës së zyrtarëve kompetentë komunalë, mosndarje e detyrave dhe mungesa kontrolleve të mjaftueshme mbi menaxhimin e autoparkut.

“Mungesa e kontrollit në menaxhimi e automjeteve zyrtare rrit rrezikun e shpenzimeve të pajustifikueshme dhe mundësinë e përdorimit jozyrtar të automjeteve komunale”, vijon raporti.

ZKA rekomandon se kryetari duhet të sigurojë se do të hartohet një politikë e brendshme e cila definon qartë kërkesat dhe përgjegjësitë për përdorimin e veturave.

“Personat përgjegjës për mbikëqyrjen e autoparkut duhet të sigurojnë se gjatë përdorimit të automjeteve zyrtare azhurnohen fletudhëtimet dhe veturat përdoren vetëm sipas aprovimeve të personave përkatës”, thuhet në raportin për Komunën e Rahovecit.

Rekomandimet sfidojnë Komunën

Gjatë katër viteve të fundit, Komuna e Rahovecit ka pranuar një varg rekomandimesh nga Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA).

Në raportin për vitin 2015, Auditori i ka dhënë Komunës 15 rekomandime, për fusha të ndryshme të qeverisjes lokale.

Në këtë raport, thuhet se Komuna ka implementuar vetëm një pjesë të rekomandimeve të vitit të kaluar.

“Kjo, për shkakun se nuk është ndjekur ndonjë proces formal për adresimin e tyre si dhe nuk është monitoruar në tërësi procesi i implementimit të rekomandimeve sipas planit të veprimit”, vijon e gjetura.

Ndërkaq, në raportin për vitin 2016, komunës i janë adresuar gjithsej 13 rekomandime.

“Ne kemi vërejtur se komuna edhe pse kishte caktuar një grup për monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, ende ka një ngecje në zbatimin e plotë të tyre”, thotë e gjetura.

Grupi për monitorim të zbatimit të rekomandimeve kishte mbajtur disa takime ku kishte diskutuar lidhur me mundësin e zbatimit të rekomandimeve. Megjithatë, nevojitet një proces konfirmues për shkallën e zbatimit të rekomandimeve dhe identifikimin e pengesave për veprim në adresimin e plotë të tyre. Një qasje e tillë është e nevojshme për të menaxhuar përmirësimet e vazhdueshme në komunë.

Kurse, për 2017 –n ZKA i ka dhënë Komunës së Rahovecit 13 rekomandime.

Në raportin e këtij viti është evidentuar nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak dhe viti i mëhershëm.

“Komuna nuk aplikon ndonjë masë apo aktivitet të shtuar për zbatimin e rekomandimeve të ofruara nga auditori. Moszbatimi i rekomandimeve ka rezultuar me dobësi të vazhdueshme të kontrolleve të menaxhmentit në sistemet financiare kyçe, si: Dobësi ne menaxhimin dhe raportimin e të hyrave dhe shpenzimeve; Menaxhimi jo i duhur i pasurive dhe obligimeve të komunës; dhe Mungesë të procesit të raportimit dhe llogaridhënies menaxheriale”, thuhet në raport.

Numri i rekomandimeve të adresuara është rritur dukshëm në raportin për vitin 2018, me gjithsej 20 rekomandime.