Çfarë mund të nënkuptojë për BE-në një qeveri djathtiste në Itali

Fitorja e ekstremit të djathtë në zgjedhjet e Italisë ka të ngjarë të përkthehet në një bashkim të Italisë me Poloninë dhe Hungarinë duke adoptuar një qëndrim euroskeptik për çështjet e Bashkimit Evropian, thonë ekspertët për Euroneës.

“Do të ketë patjetër një ndryshim në pozicionimin e qeverisë italiane në krahasim me dy qeveritë e kaluara të Mario Draghi”- thotë për Euronews Luca Tomini, shkencëtar politik nga Universiteti i ‘Free Brussels’.

“Unë mendoj se ajo që duhet të presim është një qëndrim më euroskeptik i qeverisë italiane për disa çështje. Ndoshta do të ketë një riorganizim të Italisë së bashku me qeverinë e Polonisë veçanërisht”- shtoi ai.

Partia e ekstremit të djathtë ‘Vëllezërit e Italisë’, e udhëhequr nga Giorgia Meloni, dhe partnerët e saj të koalicionit – ‘Liga e Veriut’ populiste e Matteo Salvinit dhe ‘Go Italy’ (Forza Italia) e Silvio Berlusconit – morën më shumë se 43% të votave.

Ata fituan më shumë vota se sa koalicioni i qendrës së majtë i udhëhequr nga ‘Partia Demokratike’ e Enrico Letta-s (26.2%) dhe platforma e të cilit u pa si një vazhdimësi e politikave të ndërmarra gjatë një viti e gjysmë të fundit nga kryeministri teknokratik në largim Mario Draghi.

Meloni, e cila ka të ngjarë të bëhet liderja e parë femër e Italisë, tani pritet ta udhëheqë qeverinë më të djathtë dhe euroskeptike që ka pasur Italia që nga Lufta e Dytë Botërore.

‘Më shumë veto’

Draghi, i cili e kishte mbrojtur me sukses eurozonën përmes krizës së trazuar të euros, ishte i respektuar si në Itali ashtu edhe në të gjithë kryeqytetet e BE-së. Qëndrimi i tij i shkurtër si kryeministër i Italisë u karakterizua me diskutime të shumta në BE mbi rimëkëmbjen ekonomike të bllokut pas COVID-it, por edhe mbi përgjigjen më të mirë ndaj luftës ruse në Ukrainë dhe pasojave të saj negative në çmimet e energjisë dhe inflacionit.

Një kryeministër i ri si Meloni mund t’i japë fund kësaj qasjeje

“Giorgia Meloni ka pohuar gjithmonë se ajo dëshiron ta vendosë Italinë në radhë të parë, pak si Amerika e Trumpit në radhë të parë, dhe e ka vënë theksin tek rëndësia e shteteve-kombe në procesin e integrimit evropian”- thotë për Euroneës Leila Talani, Drejtore e Qendrës për Politikën Italiane në Kings College London.

“Mund të presim më shumë pikë vetoje dhe kompetenca vetoje apo shprehje të vetos nga kjo qeveri”- shtoi ajo.

Shumë vendime të BE-së duhet të miratohen unanimisht nga të gjitha vendet anëtare, të tilla si ato që kanë të bëjnë me buxhetin e bllokut të BE-së dhe politikën e jashtme duke përfshirë sanksionet. Polonia dhe Hungaria kanë kërcënuar rregullisht se do ta vënë veton ndaj politikave të rëndësishme të BE-së në mënyrë që të marrin lëshime nga Brukseli për çështje të tjera dhe Italia tani shihet se po ndjek të njëjtin shembull.

“Qeveria e re do ta shikojë BE-në si një kufizim dhe jo si një mundësi për ta ushtruar ndikim përtej kufijve. Ajo nuk do të ketë një politikë të përcaktuar qartë të BE-së, edhe për shkak të dallimeve të mëdha të brendshme midis tre anëtarëve të saj partiakë dhe atyre përkatës. Lidhjet e partive politike të BE-së: ECR, ID dhe EPP”- thotë për Euronews Alberto Alemanno, profesor në ‘Jean Monnet’ i së Drejtës së Bashkimit Evropian në HEC Paris.

“Meqenëse zgjedhjet e BE-së së shpejti do të afrohen, tundimi si për Melonin brenda ECR-së ashtu edhe për Salvinin brenda grupit ID për ta marrë anën e Polonisë dhe Hungarisë mund të bëhet i papërmbajtshëm”.

“Për ta përmbledhur, Italia nuk do të jetë më një forcë për të mirën brenda BE-së, por një shtet anëtar i lirë që do të marrë – në vend të dhënies – sa më shumë që mundet dhe do të pushojë së kontribuari në vendimmarrje të mëdha. Do të jetë vetëm transaksionale, pa lënë vend për solidaritet”- shtoi ai.

Sundimi i ligjit, migrimi dhe politika e jashtme

Italia mund të përplaset me Brukselin për një sërë çështjesh, duke përfshirë sundimin e ligjit, të drejtat e brendshme civile, të drejtat e pakicave dhe politikën e migracionit.

Plani i rimëkëmbjes dhe elasticitetit të Italisë, të cilin Draghi e negocioi me Brukselin, mund të bëhet gjithashtu një fushëbetejë e re. Ajo kërkon që Italia të vazhdojë me reformat e administratës dhe sistemit të saj të drejtësisë në mënyrë që të ketë qasje në 200 miliardë euro në financimin e BE-së.

“Mund të ketë ndryshime në qasjen e tyre ndaj reformave që kërkoheshin nga Evropa për të qenë në gjendje të merrnin paratë”- tha Talani. “Jam pak i shqetësuar, sidomos për reformën e konkurrencës”.

Ndërkohë, se çfarë mund të nënkuptojë një qeveri e re e ekstremit të djathtë për politikën e jashtme dhe sanksionet kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, mbetet e paqartë.

“Meloni e ka ndryshuar gjithashtu linjën e saj politike muajt e fundit, për shembull, në lidhje me politikën ndaj Rusisë. Kjo kontribuon në paparashikueshmërinë e linjës pro-evropiane të qeverisë së ardhshme italiane”- thotë Arturo Varvelli, Udhëheqësi i Këshillit Evropian për Zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë (ECFR) në Romë.

Politika e jashtme e qeverisë Meloni mund të ngjajë me diçka të ngjashme me qasjen e ‘interesit kombëtar’ të Draghit – e ngulitur në normat ndërkombëtare, megjithëse me një avantazh të fortë djathtist ndaj saj.

“Sidoqoftë, ekziston padyshim një rrezik që forcat populiste, anti-BE dhe anti-transatlantike të mund ta ndryshojnë ende qeverinë e re nga ky kurs i ri,” shtoi ai. /Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala