Çfarë fshihet pas tërheqjes së Rusisë nga qyteti Kherson?

Më 9 nëntor, Sergey Surovikin, komandanti i forcave ruse në Ukrainë, rekomandoi një tërheqje nga bregu i djathtë i lumit Dnipro gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.

Ministri rus i Mbrojtjes Sergey Shoigu u pajtua publikisht me të. Në tetor, Kremlini filloi përgatitjen e publikut rus për një tërheqje nga ky rajon, për të cilin ata supozuan se do të ishte jopopullor nga rusët pro luftës. Ndërkohë, burime pranë Kremlinit besojnë se njoftimi ka për qëllim të jetë një ftesë për Ukrainën për rifillim të negociatave.

Në frontin e Khersonit, humbjet tona janë shtatë deri në tetë herë më pak se ato të armikut. Ne po mendojmë para së gjithash për jetën e ushtarëve rusë. Vendimi për ta ngritur mbrojtjen në bregun e majtë të Dnipros [për t’u tërhequr nga Kherson] nuk ishte i drejtpërdrejtë, por ai do të mbrojë jetën e ushtarëve tanë dhe efektivitetin luftarak të trupave tona, ka deklaruar Surovikin.

Kësisoj, Sergey Surovikin, komandanti i forcave ruse në Ukrainë, ia shpjegoi zyrtarisht nevojën e braktisjes së Kherson ministrit të Mbrojtjes Sergey Shoigu. Shoigu pranoi argumentin dhe urdhëroi tërheqjen e trupave në televizion drejtpërdrejt.

Burime të Meduza pranë Kremlinit raportuan një muaj më parë se trupat ruse mund të largohen të paktën nga një pjesë e rajonit Kherson. Në fillim të nëntorit, ata thanë se Kremlini e konsideroi dorëzimin e Khersonit një “skenar të mundshëm, por të padëshirueshëm”. Vendimi final, sipas burimeve, duhet të merret nga presidenti Vladimir Putin.

Administrata e Putinit shkroi një manual për propagandistët për ta përgatitur publikun për një tërheqje në Kherson. Ai i këshilloi ata ta përshkruanin Ukrainën si manipuluese dhe gjakatare, duke theksuar se “trupat ruse kërkojnë të shpëtojnë jetën e civilëve dhe personelit”.

Surovikin e përsëriti praktikisht çdo pikë të manualit, ashtu si Sekretari i Këshillit të Përgjithshëm për Rusinë e Bashkuar, Andrey Turchak, i cili që nga maji ishte i sigurt se Rusia do ta kishte prezencën e saj në Kherson “përgjithmonë”.

“Djemtë tanë pranë Khersonit ishin subjekt i rreziqeve të mëdha. Ata mund të shkëputen nga linjat e furnizimit në çdo moment, dhe ruajtja e mbrojtjes në atë situatë do të ishte jashtëzakonisht komplekse…Qëllimi kryesor i manovrës së sotme është mbrojtja e popullatës duke ruajtur sa më shumë personel të jetë e mundur”, ka shkruar Turchak në Telegram.

Kremlini e di mirë se rusët që e mbështesin luftën do t’i marrin lajmet për tërheqjen e ushtrisë ruse nga Khersoni “shumë negativisht”. Burimet e Meduza pranë administratës së Putinit pranuan se “kjo paraqet problem”.

Autoritetet shpresojnë se për shkak të mobilizimit, shumica e rusëve do të identifikohen me temën e shpëtimit të jetëve të ushtarëve, për të cilën ka vënë bast edhe propaganda e mëparshme. “Kur anëtarët e familjes suaj, miqtë tuaj të ngushtë, apo edhe të njohurit më të largët, po luftojnë, ju ndërlidheni ndryshe me veprimet ushtarake”, tha një burim.

Sipas një burimi tjetër nga Kremlini, Këshilli i Sigurimit diskutoi një tërheqje nga Khersoni në fillim të nëntorit në lidhje jo vetëm me situatën shumë të vështirë në front, por edhe në kontekstin e një rikthimi në negociatat me Ukrainën.

“Nuk është vetëm një domosdoshmëri ushtarake, një hap i tillë është gjithashtu një ftesë për negociata. Ka disa ndryshime në pozicionet e negociatave,” tha një burim. Sipas një burimi tjetër të Meduza, negociatat janë të mundshme, por jo “në një afat të afërt”. Dhe nëse ndodhin, qëndrimi zyrtar i Rusisë do të jetë se Khersoni, të cilin e aneksoi zyrtarisht në muajin shtator, është “territor i pushtuar nga Ukraina”.

Kremlini ka të ngjarë të mos kërkojë një traktat paqeje të plotë në një raund të ri negociatash, por më tepër një armëpushim të përkohshëm. Kremlini beson se ushtritë ruse dhe ukrainase mund të dakordohen për këtë pa përfshirjen e presidentit të secilit vend. Sipas burimit të lartcekur Rusia do të ishte e gatshme ta kthente një pjesë të Khersonit të pushtuar në këmbim të një armëpushimi, duke i blerë kohë ushtrisë ruse për ta përgatitur një ofensivë të re të plotë.

Pak orë përpara se të shpallej tërheqja nga Khersoni, Maria Zakharova, përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme të Rusisë konfirmoi se “Rusia mbetet e hapur për të negociuar me Ukrainën – natyrisht, duke marrë parasysh realitetet e momentumit aktual”.

Përmes një video-adresimi nga 7 nëntori, Volodymyr Zelensky i ka përmendur pesë kushte për negociatat me Rusinë. “Përsëri: rivendosja e integritetit territorial, respektimi i Kartës së OKB-së, dëmshpërblimet për të gjitha dëmet e shkaktuara nga lufta, ndëshkimi i çdo krimineli lufte dhe garanci se kjo nuk do të ndodhë më”, tha presidenti ukrainas.

Megjithatë, ai nuk e përsëriti pohimin e tij të mëparshëm se negociatat janë të pamundura për aq kohë sa Vladimir Putin mbetet president i Rusisë. Politico ka vënë në dukje se, ndërsa zyrtarët amerikanë nuk i thanë drejtpërdrejt Zelenskit ta ndryshonte qëndrimin e tij, ata përcollën se Kievi duhet ta “demonstrojë gatishmërinë e tij” për t’i dhënë fund luftës me mjete paqësore.

Sipas dy burimeve pranë Kremlinit, qëndrimi i Vladimir Putin nuk ka ndryshuar. Presidenti rus është i vendosur që Ukraina duhet të paktën ta njohë Donbasin dhe Krimenë si territor rus. Idealisht, ai ka si synim ta njohë të drejtën e Rusisë për të gjitha territoret e pushtuara./Meduza

Meduza është një faqe e pavarur lajmesh në gjuhën ruse dhe angleze, me seli në Riga të Letonisë.