Flamuj të Ukrainës, Foto: Presidenca e Ukrainës, ueb-faqja zyrtare

Çfarë do të thotë fitorja për Ukrainën dhe për Evropën?

Për më shumë se dy muaj, Vladimir Putin është përpjekur me dhunë ta fshijë shtetin modern ukrainas nga harta e Evropës.

Kjo do të thotë që Ukraina duhet të fitojë. Në fakt, fitorja është e domosdoshme nëse kontinenti evropian dëshiron të jetë në gjendje të jetojë në paqe dhe të punojë kolektivisht për t’i përballuar sfidat globale.

Është e qartë se Putini nuk ka arritur ta detyrojë Kievin të kapitullojë. Planet e Rusisë për ta asgjësuar Ukrainën dhe për të aneksuar më shumë territor të saj e kanë çimentuar vullnetin e Ukrainës për të luftuar dhe për ta fituar këtë luftë. Pra, duhet të pyesim: si duket fitorja në të vërtetë?

Për qeverinë e Ukrainës, së pari do të thotë që ushtria ruse është mposhtur në fushatbetejën e Donbasit dhe është spostuar përsëri atje ku ishte vendosur para 24 shkurtit 2022. Ndërkohë, sondazhet tregojnë konsensus mes njerëzve në lidhje me kthimin e Krimesë dhe Donbasit në kontrollin e Kievit dhe kundërshtimin e një armëpushimi me Rusinë derisa ajo t’i tërheqë plotësisht trupat e saj.

Ajo që nevojitet është krijimi i një forumi diplomatik efektiv për ta negociuar tërheqjen e mëtejshme ruse nga pjesët e pushtuara të Donbasit, një zgjidhje për të ardhmen e Krimesë, kompensim financiar për dëmin që ka shkaktuar, ndjekje penale të individëve që kanë kryer krime lufte (Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës ka regjistruar tashmë më shumë se 8,000 raste të dyshuara), perspektivën e anëtarësimit në BE për Ukrainën dhe krijimin e forcave të armatosura të qëndrueshme të pajtueshme me NATO-n që mund ta mbrojnë vendin në një koalicion kombesh të gatshme.

Si do të dukej humbja? E thënë thjesht, çdo gjë që rezulton në një konflikt të zier afatgjatë që e mbyll Ukrainën në një zonë gri paqëndrueshmërie. Një rezultat jopërfundimtar që ende i jep Rusisë një dorë për të pushtuar dhe aneksuar më shumë territor është i papranueshëm. Kremlini po planifikon një aneksim të ri të rajonit Kherson me emrin Tavriya Veriore. Njohja zyrtare nga Kievi e fitimeve territoriale të Putinit me armë do të rezultonte në vdekjen politike të Volodymyr Zelenskiyt dhe do ta rrezikonte më tej shtetin ukrainas.

Fitorja nuk do të jetë e lehtë, por ukrainasit gjithnjë e më shumë besojnë se mund ta arrijnë një fitore. Ky besim, i cili dukej si çmenduri në fillim të luftës, është vërtetuar nga suksesi luftarak dhe mobilizimi total i shoqërisë ukrainase. Ky fakt i ka bindur aleatët kryesorë perëndimorë se “Ukraina mund të fitojë”. Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, deklaroi me vendosmëri se “ne do të vazhdojmë të ecim më tej dhe më shpejt për ta larguar Rusinë nga e gjithë Ukraina”.

Objektivat e Ukrainës përkojnë me ato të aleatëve të saj. Për më tepër, këto synime tani mbështeten nga një Akt i miratuar rishtazi për Huadhënien e Mbrojtjes së Demokracisë së Ukrainës, sipas të cilit qeveria amerikane do t’i ndajë 33 miliardë dollarë, kryesisht për mbështetje ushtarake. Një koalicion prej 40 vendesh ka krijuar një grup të përhershëm këshillues të mbrojtjes për ta koordinuar këtë ndihmë.

Ukraina duhet ta mposht Rusinë në atë që, në fund të fundit, duhet të konsiderohet një luftë koloniale. Rivendosja e integritetit territorial të Ukrainës dhe, në fund të fundit, paqja do të nënkuptojë shembjen e Putinizmit si doktrinë dhe fundin e pretendimeve ruse për dominim territorial gjetkë në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. Demonstrimi se një “grumbullim i tokave historike ruse” është e dënuar me dështim është e vetmja bazë solide për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Evropë.

Fitorja e Ukrainës do t’i parandalonte gjithashtu luftërat e ardhshme. Rusia përdor territoret e pushtuara rishtazi për të organizuar konflikte të mëtejshme. Krimea e aneksuar ishte e domosdoshme për operacionin e saj ushtarak në Siri dhe tani për sulmet e saj në Mariupol dhe Kherson. Njësia e shkëputur e Transnistrisë në Moldavi, e mbështetur për dekada nga Rusia, është një depo armësh de-fakto, me një bazë ushtarake që mund të përdoret për ta sulmuar Odesën. Bjellorusia tashmë po përdoret për të lëshuar raketa në Kiev.

Të mos harrojmë se po flasim edhe për sistemin ushqimor të botës.

Një fitore e Ukrainës do ta zvogëlonte rrezikun e një zie urie masive. Heqja e sanksioneve si përgjigje ndaj një tërheqjeje të plotë ruse nga Ukraina do të çonte gjithashtu në një ekonomi ruse më të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

Ukraina dhe Rusia janë furnizues kritikë të ushqimit në pjesën më të madhe të jugut global. Në disa vende, si Somalia, Rusia dhe Ukraina përbëjnë 100% të importeve të grurit. OKB-ja parashikon që 8-20 milionë njerëz tani do të mbeten të uritur nga efektet e dëmshme të rritjes së çmimeve dhe zinxhirëve të prishur të furnizimit për drithërat, vajin e gatimit, plehrat dhe karburantet.

Zgjidhja e kësaj lufte në një mënyrë të qëndrueshme nënkupton se miliona ukrainas do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi, duke e hequr barrën e kujdesit nga vendet që i presin ata. Më shumë se 5 milionë njerëz janë të shpërndarë nëpër qytetet evropiane dhe fatura për ndihmë ndaj tyre është 17 miliardë euro. Shumica kërkojnë me ngulm të kthehen në shtëpitë e tyre. Dhe Ukraina ka nevojë për këta njerëz për modernizimin e saj të ardhshëm dhe rritjen ekonomike.

Rezultati i kësaj lufte ose do të çojë në një të ardhme më të ndritur, ose do të shkatërrojë miliona njerëz në luftë dhe mjerim – dhe jo vetëm në Ukrainë. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i japim fitores së Ukrainës një shans luftimi./The Guardian

Orysia Lutsevych është udhëheqëse e Forumit të Ukrainës të Chatham House.

Përgatiti: Nuhi Shala/ KALLXO.com