Çështja e Politizimit të KPM-së në Kuvend

Kryetari i KPM-së Shefki Ukaj në njërën anë dhe tre anëtarët tjerë të bordit, në anën tjetër, kanë drejtuar shkresa në adresë të kuvendit, lidhur me gjendjen e krijuar.

Dy anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, Vesna Jovanoviq dhe Nevzat Hydaverdi, janë angazhuar në zgjedhjet lokale që do të mbahen më tre nëntor, përkundër kufizimeve ligjore.
    

Nevzat Hydaverdi është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor si kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës përmes partisë turke, Kosova Turk Birligi.

Anëtarja tjetër e KPM-së, Vesna Jovanoviq, po ashtu është gjetur duke kryer aktivitete politike në emër të Iniciativës Qytetare Serbe për Partesh.

Kurse kryetari i KPM-së, Shefki Ukaj, akuzohet se mban postin paligjshëm, sepse gjatë procedurës së përzgjedhjes, nuk tregoi që ishte këshilltar komunal i Lidhjes Demokratike të Kosovës në komunën e Prishtinës.

Komisioni Parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, që mbikëqyrë KPM-në, ka shqyrtuar  të mërkurën dy shkresat nga anëtarët e bordit të KPM-së, lidhur me situatën e krijuar.

KPM-ja si organ i pavarur, i themeluar nga kuvendi i Kosovës ka për obligim mbikëqyrjen e frekuencave të transmetimit medial në Kosovë.

Komisioni parlamentar për arsim, kulturë, rini, ndonëse  shqyrtoi shkresat e anëtarëve të KPM-së, nuk mori ndonjë vendim.

Komisioni vendosi që pas konsultimeve me Zyrën Ligjore të Kuvendit, në takimin e radhës, të marrë vendim për  anëtarët e KPM-së.

Kryetari i komisionit Idriz Vehapi (PDK), tha se gjendja në këtë komision nuk është e mirë dhe se do të konsiderohet me prioritet.

“Duke pasur parasysh se ai është institucion i pavarur, anëtarët e komisionit pasi janë zgjedhë me votën e deputetëve kanë qenë përgjegjës t’i nënshtrohen ligjit për KPM-në, t’i kryejnë punët dhe detyrat konform ligjit”,  i tha Vehapi Gazetës Jeta në Kosovë.