Çerdhja e Fëmijëve Tronditet nga Shembja e Dheut

Çerdhja “Lulevera”, në lagjen Dardania në Prishtinë, është tronditur në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, për shkak të shembjes së dheut gjatë gropimeve për ndërtimin e një objekti banesor në afërsi. 

Për shkak të kësaj shembjeje janë rrëzuar krejt rrethoja e metaltë e çerdhes, duke shkaktuar dridhje të objekteve përreth dhe jostabilitet të rrymës elektrike.

Përgjegjësja e objektit të çerdhes “Lulevera”, Zyhrie Likaj, tregoi se rreth orës 8 të mëngjesit kishte dridhje të fuqishme të objektit dhe rryma elektrike kishte marrë kontakt.

“Ka pasur dridhje të fuqishme, rryma elektrike mori kontakt dhe me vrap e kemi ndërprerë atë. Pastaj e kemi thirr komunën që të vijnë të shohin se çka po ndodhë”, tha Likaj.

“Menduam se kishte tërmet”, tha ajo.

Përveç rrethojës, që kishte rënë tërësisht bashkë me dheun e shembur, në shkallët e çerdhes ishin krijuar të çara.

Edhe në objektin tjetër banesor afër çerdhes ishte ndërprerë rryma elektrike.

Drejtori i Inspektoratit në komunën e Prishtinës, Muhamet Gashi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se janë kontaktuar për rastin dhe se kanë kërkuar masa shtesë të sigurisë nga investitori.

I pyetur nëse plotësohen kushtet që të ndërtohet një objekt banesor në një hapësirë të tillë, Gashi nuk ka dhënë shumë sqarime.

“Pronari është i pajisur me leje ndërtimi, hapësira është rreth 450 metra katrorë”, tha Gashi.


Oborri i çerdhes “Lulevera”, rrethuar me rrethoje të përkohëshme | Foto: Gazeta JNK

Çerdhja publike “Lulevera” në lagjen Dardania, me 1700 metra katrorë hapësirë, ka 9 grupmosha nga një deri në gjashtë vjeç, me gjithsej 210 fëmijë.

Më shumë për çerdhet në Prishtinë lexoni këtu: Çerdhet e Paarritshme Publike.