Çeku Do Rekrutim Të Serbëve në FSK

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Agim Çeku qëndroi të hënën në fshatin Shillovë të Gjilanit, me qëllim që të rekrutojë në FSK të rinj serbë nga ky vendbanim.
 
Çeku tha se në këtë fshat  vjen për herë të tretë, derisa kërkoi që serbët e këtushën nga 18 deri 25 vjeç të aplikojnë për pranim në FSK, të mos e humbin këtë rast, pasi forca është profesionale dhe multietnike.

Ministri tregoi se FSK-ja në përbërjen e saj ka 16 serbë, tri prej tyre femra, duke shtuar se edhe zëvendësin e ka nga ky komunitet.
 
Çekun në Shillovë e shoqëroi edhe nënkryetari për komunitete i komunës së Gjilanit Milan Stojanoviq që u tha të rinjve t’i plotësojnë sa më shpejt vendet e garantuara për serbë brenda strukturave të FSK-së, pasi shtoi se ato vende na takojnë.
 
Në Shillovë qëndroi të hënën edhe Kevin Lynch drejtor i forcave operacionale në NATO që u tha serbëve se FSK-ja është edhe e tyre.
 
 “Mos i dëgjoni ata që u thonë, mos u bëni pjesë e FSK-së”, tha Çeku.
 
Kësaj thirrjeje të Çekut, banori i Shillovës Zhivojin Xhakliq iu përgjigj me fjalët se të rinjtë serbë nuk e kanë lehtë, pasi disa i besojnë Jahjagës, e disa Nikoliqit.

Afati për aplikim të pjesëtarëve nga ky komunitet në FSK është i hapur deri më 3 prill të këtij viti.