Çdo i Katërti Maqedonas i Armatosur Ilegalisht

OJQ-ja “Civil”, e cila po drejton një fushatë kombëtare për kontrollin e armëve në pronësi private, thotë se vendi ka nevojë urgjente për një fushatë tjetër çarmatimi, sepse përpjekjet e mëparshme të koordinuara nga policia kanë dështuar në masë të gjerë.

“Civil” vlerëson se rreth 110,000 deri në 170,000 persona në vend kanë rreth 500,000 armë pa leje.

OJQ-ja ka llogaritur se midis vitit 2004 dhe 2010, autoritetet kanë arritur të mbledhin dhe të shkatërrojnë rreth 23,000 armë zjarri, që sipas tyre nuk është e mjaftueshme.

“Bëjmë apel për dënime më të rënda [për armëmbajtje pa leje]… si dhe për aksione që forcojnë besimin në institucione, si dhe ndërgjegjësim publik, tha në Shkup, Xhabir Derala, kryetar i organizatës “Civil”.

Maqedonia bëri fushatën e parë të çarmatimit pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, midis guerilëve shqiptarë dhe forcave të sigurisë.

Operacioni u krye nga forcat e NATO-s dhe u krijua që të siguronte që guerilët të dorëzonin armët para se të faleshin dhe të riintegroheshin në shoqëri. Në vetëm 45 ditë, NATO-ja mblodhi rreth 7,500 mjete armatimi.

Edhe pse operacioni u konsiderua paqësor, ekspertët paralajmëruan se arsenale të mëdha ende mbesin të paregjistruara në Maqedoni.

Në ndryshimet e vitit 2010 në ligj, pronarëve të armëve iu dha një vit për të dorëzuar armët e paligjshme, ose kohë për të kërkuar legalizimin e tyre.

Pasi ky afat skadoi në mes të vitit 2011, policia pranoi që fushata ishte e pasuksesshme dhe se numri i mjeteve të mbledhura nuk i kaloi 100.