Çalimi në menaxhimin e pandemisë në universitetet publike

Për shkak të pandemisë së COVID-19, ligjëratat e vitit të ri akademik 2020/2021 në universitetet publike dhe private në Kosovë janë duke u zhvilluar online.

Por, ushtrimet, pjesa praktike, provimet dhe shërbimet administrative janë duke u mbajtur fizikisht.

Por edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës se universitetet duhet të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, të njëjtat janë duke hasur në vështirësi.

KALLXO.com çdo muaj bën monitorimin e fakulteteve të 7 universiteteve publike në të gjithë Kosovën për të parë se sa po respektohen masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në muajin dhjetor, KALLXO.com ka vizituar 21 fakultete të 7 universiteteve publike në Kosovë. Në fakultetet e monitoruara është hasur në studentë pa maska dhe duke mos e mbajtur distancën, në mungesë të dezinfektuesve nëpër hapësirat e fakulteteve, mungesë të termometrave për matjen e temperaturës dhe mosrespektim i disa rekomandimeve të tjera të dhëna nga IKShPK.

Para se të fillonin ligjëratat, universitetet publike kanë krijuar shtabet emergjente dhe manualet për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ngecja e Universitetit të Mitrovicës në respektimin e masave anti COVID-19 

Tri fakultetet e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” – Fakulteti i Gjeo-shkencave, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore, ndodhen në objektin e njëjtë, por ndajnë hapësira në ndryshme.

Në tualetet e Fakultetit të Gjeo-shkencave gjatë monitorimit nuk ka pasur sapun dhe letër higjienike, ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike dhe  Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore ka pasur sapun, por ka munguar letra higjienike.

Në sallat dhe amfiteatrot e këtyre fakulteteve nuk ka pasur shënjëzim për mbajtjen e distancës dhe numrin e personave të cilët lejohen të qëndrojnë brenda atyre hapësirave.

Ndërsa, në fakultet kanë qenë të vendosur posterët informues për COVID-19 dhe nuk janë hasur studentë/staf të cilët nuk kanë vendosur maska.

Por sipas zëdhënësit të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Ahmet Jashari, universiteti është i pajisur me tri termometra për matjen e temperaturës.

Gjatë muajit nëntor, monitoruesit kanë gjetur se studentët janë lejuar të lëvizin edhe pa maska mbrojtëse nëpër hapësirat e brendshme. Disa prej tyre nuk i kanë bartur maskat në formën e duhur.

Mungesa e termometrit në fakultete

Dy fakultete të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” – Fakulteti i Arteve dhe Fakulteti për Menaxhim, Hotelierisë dhe Turizmit nuk janë të pajisur me termometra për matjen e temperaturës.

Këtë e kanë konfirmuar për monitoruesen e KALLXO.com, dekanët e dy fakulteteve, Hysen Nimani dhe Adem Dreshaj.

Gjatë monitorimit, KALLXO.com ka parë që nëpër sallat e këtyre dy fakulteteve nuk është shenjëzuar distanca e uljes së studentëve dhe nuk ishte shënuar numri maksimal i personave të lejuar në një sallë të fakultetit.

Dekani i Fakultetit për Menaxhim, Hotelierisë dhe Turizmit, Arsim Dreshaj kishte deklaruar se shenjëzimi nëpër salla nuk është i nevojshëm.

“Kjo nuk është e nevojshme sepse nuk lejohen studentët”, kishte thënë Dreshaj.

Në hyrje të dy fakulteteve është vendosur aparati për dezinfektimin e duarve.

Ndërsa shenjëzimi për lëvizje në Fakultetin e Arteve është bërë vetëm tek zyrat e referentëve dhe jo në hapësirat e tjera.

Mungesa e shenjëzimit në Universitetin e Ferizajt

Në dy fakultetet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj – Fakultetin e Arteve të Aplikuara dhe Fakultetin e Menaxhimit, nuk janë të vendosura posterët me udhëzimet për masat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së COVID-19 as brenda, as jashtë objektit.

Gjatë montorimit të KALLXO.com është vërejtur që nëpër këto fakultete mungon edhe shenjëzimi se sa persona lejohen brenda hapësirave të objektit dhe sallave të mësimit.

Sekretari i Përgjithshëm i UShAF, Armend Hysa ka thënë për KALLXO.com se objekti i Universitetit dezinfektohet dy herë në javë.

Por monitoruesja e KALLXO.com nuk ka vërejtur asnjë aparat për dezinfektimin e duarve nëpër hapësirat e universitetit.

Në Universitetin e Ferizajt mungon edhe termometri për matjen e temperaturës.

“Pasi mësimi është duke u zhvilluar online dhe stafi administrativ punon me orar të reduktuar si dhe frekuentimi i stafit akademik dhe studentëve në UShAF është shumë i vogël nuk e kemi parë të nevojshëm të kemi termometër për matjen e temperaturës”, ka thënë Hysa për KALLXO.com.

Mungesa e sapunit dhe letrës higjienike është vërejtur edhe nëpër banjot e këtij universiteti. 

Studentët pa maska brenda Universitetit të Gjilanit

Në hapësirat e Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka” monitoruesit e KALLXO.com kanë hasur në një numër të madh të studentëve pa maska dhe pa distancë.

Në Fakultetin e Shkencave Aplikative dhe Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Kadri Zeka”, në Gjilan janë të vendosura posterë me udhëzimet kundër COVID-19.

Ndërsa në banjot e të dy fakulteteve ka pasur sapun por ka munguar letra higjienike.

As shenjëzimi se sa persona lejohen brenda sallave nuk është bërë nëpër këto fakultete.

Por hapësirat e fakulteteve dezinfektohen sipas nevojës dhe kanë të vendosur aparate të dezinfektimit me dezinfektues.

Në hapësirat e Fakultetit të Edukimit, Mjekësisë dhe të Filologjisë në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë nuk është bërë shenjëzimi se sa persona lejohet të qëndrojnë brenda sallave të fakulteteve.

Në  Fakultetin e Edukimit dhe të Filologjisë është bërë shenjëzimi për mbajtjen e distancës në tërë objektin, ndërsa në atë të Mjekësisë shenjëzimi është bërë vetëm në oborrin e fakultetit.

Monitoruesit e KALLXO.com kanë vërejtur se në banjot e të tre fakulteteve ka të vendosur sapun dhe letër higjienike.

Mungesa e shënjëzimit brenda sallave të mësimit

Gjatë monitorimit, në Fakultetin e Arteve dhe në Fakultetin Teknik janë parë studentë të cilët nuk kanë pasur të vendosura maskat.

Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike janë vendosur shenjat për lëvizje ndërsa në Fakultetin e Arteve ka munguar shenjëzimi.

Nëpër hapësirat e të tri fakulteteve të Universitetit të Prishtinës janë vendosur posterët me udhëzimet për mbrojtjen nga COVID-19.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala ka treguar se ata e kanë termometrin për matjen e temperaturës në hyrje të Fakultetit, në FShMN dhe në Fakultetin e Arteve kanë thënë se nuk posedojnë një termometër të tillë.

Në të tri fakultetet nuk kanë qenë të vendosura shenjëzime se sa persona lejohen brenda hapësirave të caktuara.

Në fakultetin e Arteve nuk ka pasur dezinfektues, në FShMN dezinfektues ka pasur në hyrje të Fakultetit dhe tek zyrja e dekanit. 

Ndërsa për dy ditë rresht, KALLXO.com ka testuar nëse aparatet e dezinfektimit në hyrje të Fakultetit Teknik dhe ai në korridor janë të mbushur me dezinfektues. Më 17 dhjetor aparati në hyrje të Fakultetit Teknik nuk ka qenë i mbushur me dezinfektues.

KALLXO.com e ka vizituar Fakultetin Teknik edhe më 18 dhjetor, por përsëri aparati në hyrje nuk ka qenë i mbushur me dezinfektues.

Kurse aparati i cili gjendet brenda objektit të këtij fakulteti, më 17 dhjetor ka qenë i zbrazët, ndërsa më 18 dhjetor, i njëjti është mbushur.

Në tri fakultetet e Universitetit të Prizrenit – Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, Filologjik dhe Shkencave të Jetës dhe Mjedisit është vërejtur mungesa e shenjëzimit për mbatjen e distancës. Por nëpër të tri këto fakultete janë të vendosur posterët informues.

Sapun ka të vendosur në të tri fakultetet, ndërsa mungesa e letrës higjienike vërehet në Fakultetin i Shkencave Kompjuterike dhe në Fakultetin Filologjik. Monitoruesit kanë vërejtur dezinfektuesin e vendosur nëpër hapësirat e të tri fakulteteve në Prizren.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.