Ilustrim

Buxheti 2020 - Qeveria Kurti më pak projekte të reja për mjedisin

Qeveria e Kosovës në buxhetin për vitin 2020 ka ndarë 27,375,097 euro për investime në mjedis, përkatësisht rreth 10 milionë euro më pak se vitin e kaluar.

Në total, buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

KALLXO.com ka analizuar projektet kapitale për nivelin qendror, nga to shumica janë mjete të bartura nga buxheti i vitit 2019. Vetëm 1,000,000 euro do të jenë mjete të reja për projekte në krijimin e zonave të gjelberta.

Nga ky buxhet do të ndahen këtë vit 500,000 euro në ndërtimin e deponisë komunale ne regjionin e Pejës dhe 500,000 euro do të jenë mjetet nga ky buxhet për ambientin dhe gjelbërimin e tokës.

Kurse, 8,177 euro do të barten nga viti i kaluar për rregullimin e ambientit dhe rekreacionit në Kamenicë dhe 150,000 euro për krijimin e zonave të gjelberta në Gjilan.

19,444 euro nga viti i kaluar do të barten për rregullimin e hapësirës gjelbëruese të ‘Varrezat e Llukës’ në Deçan. Në skemën mbështetëse për mbeturina nga GIZ do të investohen 750,003 euro.

Kurse, për krijimin e hapësirave gjelbëruese dhe rekreative për fëmijë në Mitrovicë do të barten 200,000 euro dhe atë në Kamenicë në vlerë prej 150,000 euro.

Dhe 200,000 euro financohen në pastrimin e ambientit dhe rregullimin e stazës për këmbësorë dhe biçikleta me ndriçim dhe pushimore prej rrugës regjionale Klinë-Gjakovë deri të Ujëvara e Mirushës. Ndërsa në gjelbërimin e hapësirave publike do të ndahen 18,000 euro.

Ndërsa, 50,000 euro do të ndahen në ndërtimin e parkut të qytetit në lokacionin e ish ndërmarrjes publike ‘Radusha’ –Istog.

Investimet në shtretërit e lumenjve

Në anën tjetër, 13,664,062 euro do të investohet shumica në ndërtimin, rregullimin dhe pastrimin e shtretërve të lumenjve të Kosovës, nga to vetëm rreth 1,400,000 euro do të jenë mjete të ndara në këtë vit.

Nga ky buxhet do të financohen këto projekte; ndërtimi i argjinaturave të lumit nga ura e tranzitit deri në Zahaq, Pejë –  400,000 euro; ndërtimi i shtratit të lumit Mirusha në Gjilan 500,000 dhe rregullimi i shtratit të lumit Sitnica në Vushtrri 500,000 euro.

Kurse, të gjitha projektet në vijim do të jenë mjetet nga buxheti paraprak duke filluar nga rregullimi i shtratit të lumit ‘Krena’ – Gjakovë janë 250,000 euro; 100,000 euro për rregullimin e shtratit të lumit Drenica në Drenas; 100,000 euro për rregullimin e shtratit të Lumbardhit në Deçan dhe 100,000 euro për pastrimin dhe rregullimin e ‘Lumit të Jasharëve’ deri ne L-3/rr. ‘Azem Bejta’.

Ndërsa, për pastrim dhe zgjerimin e shtratit të lumit Runiku’, nga Runiku deri në Koliq të Poshtëm – 33,755 euro; Rregullimi i shtretërve të lumenjve në fshatrat, Hoqë e Madhe, Brestoc, Hoqë e Madhe, Nagavc, Krushë e Madhe në Rahovec – 100,000 euro.

Nga 1,000,000 euro do të investohen të rregullimin e shtratit të lumit Ibër- Mitrovicë dhe atë ë Sitnicës në Mitrovicë. Ndërsa, pastrimi i lumit Turuqec- Skenderaj në vlerë 26,282 euro, dhe rregullimi i lumit Klina nga fshati Kuqicë deri në Skenderaj me 100,000 euro.

Ndër të tjera janë edhe rregullimi i shtatit të lumit Toplluha – Suharekë në vlerë 57,150  euro; Rregullimi i shtratit të Lumit Sitnica në Lipjan me 600,000 euro; Rregullimi i shtratit te Përrockës në Hajvali – 200,000 euro; Rregullimi i shtratit të Lumit Marec – 200,000 euro; Rregullimi i shtratit të lumit Krivareka deri te ura në Domaroc në vlerë 350,000 euro; Rregullimi i shtratit dhe zonave të degraduara të lumit Desivojce – 250,000 euro.

Rregullimi-pastrimi i lumit Hogosht deri te ura e Domarocit-Ranillug – 100,000 euro; Pastrimi dhe punimi i shtratit të lumit Ibër me materiale rrethanore Leposaviq 50,000 euro; Ndërtimi i shtratit të lumit në Irzniq në lagjet Berisha, Mushkolaj dhe Dodaj – Deçan 50,000 euro; Pastrimi dhe rregullimi i lumit Drenica- Bardh i Madh – Fushë Kosovë 100,000 euro; Ndërtimi i shtratit të lumit Janjevë – 200,000 euro; Rregullimi i Përroit Kravarica në territorin e Prishtinës dhe të Graçanicës në vlerë prej 50,000 euro.

Investimet në kanalizime

95,000 euro do të ndahen këtë vit për projektin e kanalit kryesor të ujërave të zeza dhe atmosferike në Rr. Lekë Dukagjini, Dardani, Gjakovë – mjete këto të vetme në drejtim të ndërtimeve të kanalizimeve.

Ndërsa, në rrjetin e kanalizimit në fshatrat Prekaz-Mikushnicë të Skenderaj do të ndahen mjetet e bartura në vlerë 161,000 euro; ndërtimi i kanalizimit në shtratin e lumit në Doberqan – 400,000 euro; kanalizimi në Qirez-Likoc në Skenderaj në vlerë 100,000 euro.

Ndërtimi i kanalizimit të ujerave të zeza që lidh fshatrat Plloqicë-Bubël në Komunën e Malishevës me 200,000 euro.

Kurse, nga 50,000 euro do të financohet ndërtimi i kanalizimit në Strazhë dhe ai në Ivaje, në komunën e Kaçanikut. Për fazën e dytë të projektit të kanalizimit Kaliqan- Onoberdë-Stupë në Istog do të ndahen 99,768 euro.

Ndërtimi i kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Novosellë, Radac, Jabllanicë e madhe, Dubovë e madhe dhe Ozdrim më 300,000 euro. Kanalizimi fekal në 6 fshatra në Deçan më 1,812,500 euro.

Investimet në projektet për trajtimin e ujërave të zeza

Nga buxheti i vitit të kaluar do të barten mjetet për impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë më 3,000,000 euro, në Podujevë më 2,670,000 euro.

Ndërsa, këtë vit pritet ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj më 500,000 euro dhe 1,000,000 euro për në Gjilan. Dhe për në Shtime do të investohet me 1,190,000 – të bartura nga buxheti i vitit 2019.

Buxheti për fushën e mjedisit për vitin 2020 është 27,375,097 euro buxhetuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambienti, në mënyrë specifike në këto nën programe: Mjedisi, Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore dhe Agjensioni Kosovar për Mbrojtjen e Mjedisit, dhe kjo shumë përfshin të gjitha kategoritë e shpenzimeve, duke përfshirë edhe projektet kapitale.

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, Kuvendi i Kosovës me 63 vota pro, miratoi Buxhetin e Kosovës për vitin 2020.

Në anën tjetër, Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve në mbledhjen e Qeverisë kur u votua buxheti ka thënë se mbi 300 milionë euro kanë mbetur nga obligime të papaguara, për të cilat ai tha që janë një barrë shumë e madhe për buxhetin e ri.

“Ne si qeveri e re kemi trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga qeveria e kaluar dhe komunat në një total prej 328 milionë euro, këto obligime përbëjnë një barrë të madhe për buxhetin dhe në vend se në të fillojmë me implementimin e programimit tonë duhet t’i përdorim të hyrat për shlyerjen e obligimeve të papaguara”, kishte deklaruar ai.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.