Buxheti 2014 i Zhvillimit dhe i Mbijetesës (TV)

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, projektbuxhetin e vitit 2014 e ka quajtur “mbijetesë për institucionet qeveritare” dhe jo-zhvillimor.

Edhe analistët ekonomikë vlerësojnë se projektbuxheti 2014 nuk sjellë asgjë të re, përveçse rritje të shpenzimeve për mallra e shërbime dhe zvogëlimin e investimeve kapitale.

Por ministri i Financave, Besim Beqaj, këtë projektbuxhet e konsideron si zhvillimor. Madje ai thotë se projektbuxheti është i hartuar në atë mënyrë që i përballon premtimet e kryeministrit Thaçi për rritje pagash.

Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa në mbledhjen e 13 nëntorit e miratoi projektbuxhetin për vitin 2014, duke i rekomanduar Kuvendit që ta miratojë në lexim të parë.

Miratimin e këtij projektbuxheti e kundërshtoi nënkryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa nga LDK-ja, Naser Osmani, i cili i dha disa vërejtje në tekst dhe kishte shumë paqartësi sa u përket shifrave të paraqitura në të. Abstenoi anëtari i këtij komisioni nga grupi parlamentar i AAK-së, Xhevdet Neziraj.

Në këtë komision mungonin disa nga anëtarët e opozitës si Hykmete Bajrami dhe Sali Asllanaj nga LDK-ja, si dhe Albana Fetoshi nga Vetëvendosje.

Shatri në emisionin Jeta në Kosovë, thotë se vetë struktura e shpenzimeve për vitin 2014 shkon duke u degraduar dhe zvogëlohen investimet kapitale, rritet pjesa e shpenzimeve dhe jo e kursimeve dhe investimeve.

Analisti ekonomik, Ibrahim Rexhepi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se projektbuxheti 2014 nuk sjellë asgjë të re krahasuar me atë të 2013-ës.

“Projektbuxheti 2014 nuk sjellë diçka të veçantë krahasuar më atë të vitit 2013. Investimet kapitale janë rreth 90 milionë më të shkurtra sesa në vitin 2013. Por edhe në strukturën e tyre nuk ka asgjë të re, meqenëse dominon infrastruktura dhe janë neglizhuar sektorët e tjerë të rëndësishëm”, ka thënë ai për gazetën.

Lavdim Hamidi nga gazeta “Zëri”, po ashtu mendon se projektbuxheti nuk është zhvillimor, pasi që pjesa më e madhe e tij shkon në infrastrukturë, paga dhe mëditje.

“Është një buxhet që parashihet të shpenzohet më shumë në infrastrukturë dhe në paga dhe mëditje. Nuk është buxhet zhvillimor, nuk i jepet përparësi shumë sektorit privat”, ka thënë ai për gazetën.

A mund të realizohen premtimet e Thaçit gjatë fushatës?

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e fundit lokale të 3 nëntorit, ka premtuar miliona investime nëpër komunat më të mëdha si dhe rritje të pagave deri në 100 për qind gjatë mandatit katërvjeçar.

Beqaj tha se “Projektbuxheti parasheh që të mundësojë rritjen e pagave”.

Analisti ekonomik, Ibrahim Rexhepi, nuk e përjashton mundësinë që ngritja e pagave të ndodh gjatë mandatit katërvjeçar, por thotë se nuk mund të ndodh deri në atë përqindje që është premtuar gjatë fushatës.

“Nuk e përjashtoj mundësisë që për katër vjet nuk mund të rriten pagat. Por matematikisht qeveria nuk do të ketë mundësi t’i rrisë më shumë sesa 11 për qind, që do të thotë se është larg premtimeve që janë dhënë nëpër fushata parazgjedhore”, ka thënë ai.

Jose Sulemane, përfaqësues i FMN-së për Kosovë, i ka thënë Gazetës Jeta në Kosovë më herët se nuk mund të japë një shifër të saktë rreth nivelit të rritjes së pagave, meqë bisedimet me qeverinë e Kosovës janë ende në proces. Por ai shtoi se kjo rritje duhet t’i përshtatet rritjes ekonomike të vendit.

“Vendi juaj nuk ka një rritje 10 ose 15 për qind, por ka një rritje 2 deri në 3 për qind, kështu që rritja e pagave duhet të asociojë  me rritjen ekonomike në tërësi”,  ka thënë Sulemane në fund të shtatorit.