Bustet e Dëshmorëve u Vodhën për Hekurishte

Bustet dy dëshmorëve, Pajazit Ahmeti dhe Alban Ajeti, ishin vjedhur për t’u shitur si hekurishte nga të miturit F. Sh. (1995) dhe M. R. (1996), nga Gjilani.

Ata bustet kishin tentuar t’i shitnin në Kishnicë, në një deponi hekurishtesh, por aty nuk i kishin pranuar.

Më pas, ata ishin kthyer në fshatin Pasjak, duke u ndihmuar nga një person tjetër për t’i copëtuar bustet, me qëllim të bartjes sa më të lehtë. Bustet të dëmtuara, janë gjetur nga ana e policisë, në një shtëpi të boshatisur në këtë fshat.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, tha se dyshohet që vjedhja është kryer në mes datës 17 deri më 20 shkurt. “Por ne si datë të kryerjes së kësaj vepre e kemi marrë 20 shkurtin, datë në të cilën edhe janë arrestuar të dyshimtit”.

Prokurori I. S. ka kërkuar nga gjykata që ndaj dy të miturve të caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi që ata janë përsëritës të veprave penale dhe lënia e tyre në liri do të mund të rezultonte me kryerje të veprave të tjera.

Gjyqtari N. M. mori vendim që dy të miturve t’iu caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Dy të miturit e kanë pranuar se e kanë kryer veprën penale.

Bustet e dy dëshmorëve ishin të vendosur që nga viti 2003 në oborrin e ish-komandës së TMK-së në Gjilan.

Vjedhja e busteve ka nxitur reagimin e shumë qytetarëve gjilanas, sikurse dhe të strukturave komunale dhe shoqatave të dal nga lufta e UÇK-së. Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, ka falënderuar Policinë e Kosovës për efikasitetin e treguar me rastin e arrestimit të kryesve të kësaj vepre.