Burrat Mbizotërojnë Edhe në Media

Teuta Sahatqija, kryetare e bordit të Grupit të Grave Deputete, u shpreh se ky grup është një ndër grupet më aktive parlamentare, por shtoi se nuk mjafton vetëm kaq për t’u ballafaquar tërësisht me portretizimin negativ të gruas në media. Më tej, ajo u shpreh se është koha për ta njohur, pranuar dhe shpërblyer, rolin e gruas në shoqëri.

Edhe pse tre mediume në Kosovë udhëhiqen nga femra, TV 21 nga Afërdita Saraçini, Koha Group nga Flaka Surroi dhe e përditshmja Kosova Sot nga Margarita Kadriu, pjesëmarrëset në këtë tryezë mendojnë se ende kanë nevojë për t’iu dhënë më shumë hapësirë grave.

“Jemi shoqëri që ende nuk kemi arritur të jemi shoqëri e barabartë, dhe ende po na mungon përfaqësimi i barabartë i gruas dhe burrit nëpër emisione dhe debate të ndryshme”, tha Sahatqija.

Më tej, ajo shtoi se “gruaja e Kosovës nuk është problem për shoqërinë kosovare, por ajo është zgjidhje për shoqërinë tonë.”

Alma Lama, anëtare e bordit të Grupit të Grave Deputete, tha se “media është ajo që e portretizon rolin e shoqërisë dhe krijon role të gabuara, ose të qëlluara.”

Lama vazhdoi se media është instrumenti i fuqishëm i ndryshimeve në shoqëri.

“Të gjithë janë të vetëdijshëm se situata nuk është vetëm bardh e zi. Pas reagimit tonë si grup, për faktin që Kosova nuk ka asnjë ambasadore grua, tani kemi pesë kandidate për t’u përzgjedhur ambasadore të Kosovës. Por është shumë tragjike, që një media lokale mori këtë lajm, për ta përqeshur rolin e gruas në politikën e jashtme kosovare”, theksoi Lama.

Sipas deputetes Lama, një ish-gazetare, nga mungesa e një legjislacioni të mirëfilltë, në Kosovë ka diskriminim dhe mediat po i trajtojnë gratë në politikë me diskriminim.

Luljeta Vuniqi nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore shprehu shqetësimet të gjetura në raportin e qendrës rreth “Imazhit të Grave Politikane në Mediat e Kosovës”.

“Qëllimi i këtij raporti ka qenë pasqyrimi i gjendjes aktuale të grave në politikë. Hulumtimi e krahason përfaqësimin e grave dhe burrave në politikë dhe mediat shpesh i kanë ndryshuar raportet e përfaqësimit”, tha Vuniqi.

Më tej, ajo shtoi se gratë janë të afta, por iu mungon hapësira për t’u shprehur dhe për një përfaqësim të barabartë me burrat. 

Drejtorja e përgjithshme e Radiotelevizionit 21, Afërdita Saraçini-Kelmendi, tha se madje edhe vetë gjuha shqipe, në shumë raste është “maskuliste” dhe diskriminuese ndaj fermës, dhe se duhet të diskutohet me albanologët për të bërë ndryshime, në mënyrë që të ketë barazi gjinore.

“Çështjet e barazisë gjinore janë edhe prioritet për anëtarësim në BE, andaj gratë deputete gjatë gjithë kohës duhet të kërkojnë sa më shumë hapësirë për përfaqësimi e tyre, si në media, ashtu edhe në gjithë shoqërinë tonë”, shtoi Saraçini-Kelmendi.

Saraçini-Kelmendi vazhdoi se Kosova është shembull në rajon për dhënien e mjaftueshme të hapësirës në media për gratë, edhe atë veçanërisht për barazinë gjinore, por përfaqësimi duhet të jetë i barabartë dhe jodiskriminues ndaj grave, siç mund të vërehet në disa media në Kosovë.

Anamari Repiq, zëvendësdrejtoreshë e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), tha se mediumi publik e ka të domosdoshme përfaqësimin e gruas dhe për këtë nuk nevojitet ligj i veçantë, por mjafton të zbatohen vetëm rregullat e gazetarisë.

“Ne ende kemi paragjykime se si duhet të përfaqësohet grua në shoqëri, dhe ne si publik duhet ta përmirësojmë këtë”, shtoi Repiq.

Me këto konstatime nuk u pajtua Saraçini-Kelmendi, e cila shtoi se “nevojitet një ligj për përfaqësimin e gruas në media, pasi që dominimin i burrave në media vazhdon, dhe hapësira për gruan varet [ende] nga ata”.