Burrat e Politikës

“Mirë ne që jemi të shquar për t’i sajuar krizat edhe kur s’i kemi, po ju ç’keni që doni ta ndërroni presidenten?”, më pyeti një miku im gazetar, tek ndiqnim bashkë në një nga lokalet e Tiranës, votimin për Presidentin e ri të Shqipërisë. E përqendruar më shumë te votimi për kandidatin e vetëm, z.Bujar Nishani, i cili sipas të gjitha gjasave dhe për gëzimin tim po zgjidhej Presidenti i Ri i vendit, nuk shkova më tej në pyetjen e mikut tim, për të cilin duhet të pranoj se është njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë. Por, ai e kishte marrë shumë seriozisht “krizën” e vogël presidenciale në Kosovë, ndaj vijoi këmbëngulës: “Interesant popull jemi, nuk rrimë dot pa kriza. Sa e zgjidhim ne këndej një të tillë, e nisni ju andej një tjetër. Sa po rehatohet Shqipëria me president, ju doni ta hiqni tuajën. Po ç’keni me të aman, goxha prezencë ka ajo presidentja juaj Atifete Jahjaga”.

Duke e kuptuar se miku im, njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë, e kishte marrë shumë për zemër diskutimin e hapur rishtas, për largimin e mundshëm të presidentes Jahjaga shkaku i marrëveshjes së shkurtit 2011 midis kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të opozitës Isa Mustafa dhe kreut të AKR-së Behxhet Pacolli, aso kohe i detyruar të lërë postin e presidentit shkaku i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mua nuk më mbetej gjë tjetër veçse të bëhesha pjesë e bisedës. Edhe pse ky diskutim më dukej shterp dhe pa pikë bereqeti, nuk mund t’i ikja grishjes së mikut tim të dëshpëruar për lëkundjen eventuale të pozitave të Presidentes Jahjaga.

Më tepër e shtyrë siç thashë nga grishja e tij për këtë bisedë dhe pa asnjë dëshirë për t’iu rikthyer bëmës së radhës ndër bëmat që përditë pjell realiteti në Kosovë, u mundova ta qetësoj mikun tim gazetar sa i përket frikës së tij për një krizë eventuale presidenciale në Kosovë.

I shpjegova atij se Kosova i ka kaluar me sukses krizat e krijuara nga rrëzimi që Gjykata kushtetuese u bëri dy presidentëve paraprakë: Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit, prandaj edhe nëse do ketë një krizë të tretë, edhe ajo do kalohet si dy të parat. Falë ndoshta edhe ambasadores së re të SHBA-ve, e cila pritet që shumë shpejt të  zëvendësojë ambasadorin aktual, të përgojuar aq shumë për përfshirjen e tij, në zgjedhjen e dy presidentëve të fundit (kujtoj këtu zgjedhjen me sms të Pacollit dhe zgjedhjen nga zarfi të Jahjagës)…

Po ashtu, i shpjegova mikut tim se e preferuara e tij, presidentja Jahjaga, kishte ardhur në këtë post brenda një nate, falë një kompromisi të momentit mes burrave të politikës kosovare, ndihmuar edhe nga diplomacia burrërore amerikane… Se po ashtu, me vetëdëshirë, pa e mbajt kurrkush prej krahësh e kishte pranuar postin, edhe pse që në krye e kushtëzuar sa i përket kohëzgjatjes së mandatit.

Sipas gjasave përpjekjet e mia për ta qetësuar e qartësuar mikun tim gazetar nuk kishin dhënë rezultate sepse ai, sikur të mos kishte dëgjuar asgjë prej atyre që i kisha thënë deri atë çast mua drejtua me pyetjen: Mirë moj mirë, po me Presidenten ç’keni?

Ndërsa për menjëherë mu kujtua batuta “po me urën ç’patën?”, shkëputur nga një film socrealist, më erdhi të qesh. Sikur të kishte qenë në një mendje me mua, miku im qeshi dhe ai e pyeti sërish: po pra po, po me urën ç’patët?

Edhe pse situatë komike, nuk mund të mos përgjigjesha. “Ne, qytetarët e thjeshtë, që përditë rrekemi dëshpërimisht në vorbullën e një jete pa perspektivë, pa të ardhme, pa alternativë,  nuk patëm asgjë as me urën e as me Presidenten miku im. Gjetkë fle lepuri, gjetkë. Te burrat e politikës! Ata patën e ç’patën me presidenten. E bënë brenda natës presidente, e vunë në krye të shtetit, ia dorëzuan çelësat e të parës së vendit me synimin e qartë se do ja merrnin shumë shpejt ashtu si ja kishin dorëzuar”.

E ndërsa dialogoja kështu me mikun tim gazetar, njohës i mirë i zhvillimeve në Kosovë, nuk mund të mos sillja në vëmendjen time (edhe pse isha betuar e përbetuar disa herë që do ta ruaja higjienën shpirtërore e të mos merresha më me ta) burrat e politikës kosovare! Ashtu të fryrë si gjela, Sokratë të vetëkënaqur nga ato që i quajnë fitore vetanake, idhnakë të papërballueshëm në humbje e dështim, makiavelistë të mbaruar në allishverishet politike të bëra më së shumti në prapaskenat dhe kuintat e politikës, rasputinë djallëzorë kur vjen puna te përfitimi dhe natyrisht përfitues të pangopur deri në makutëri , të cilët se kanë për gjë të bëjnë be e rrufe mbi Bibël e Kuran për ndershmëri, drejtësi e paanshmëri…

E presidentja Jahjaga nuk mund të pozicionohet ndryshe (në përfytyrimin tim natyrisht) veçse si një ingranazh i huaj mes rropullive të këtyre burrave të politikës, që shpejt e nxitimthi do ta përpijnë atë.

Dorën në zemër ajo është në të drejtën e saj për ta çuar deri në fund mandatin e plotë 5- vjeçar! Është zgjedhur nga 80 deputetë të parlamentit të Kosovës, ka marrë rreth 15 vota më shumë se mori në kohën e tij Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova… Burrat e politikës ia mundësuan këto vota, duke e bërë kështu një presidente konsensuale të pakontestueshme. Duke e pozicionuar në të drejtën e saj kushtetuese për ta çuar deri në fund mandatin 5 vjeçar. Andaj, edhe apetitet e saj për të qëndruar në krye të shtetit edhe katër vitet e ardhshme janë të përligjura. Nuk është faji i saj që në llogaritë e tyre burrat e politikës që e zgjodhën nuk kishin marrë parasysh rritjen e apetiteve të saj politike.

Nëse ajo nuk tërhiqet, çka duket se assesi nuk do të ndodhë, atëherë burrave të politikës do ju duhet të bëhen sërish tok (nëse vërtet duan ta rrëzojnë Jahjagën) për të sajuar shkeljen e radhës kushtetuese të një presidenti të Kosovës.

Kjo edhe ka gjasë të ndodhë!

Edhe pse, dorën në zemër personalisht nuk arrij të kuptoj pse do duhej ta hiqnin nga rruga gruan që vetë e vunë në krye të shtetit. Deri më tash, përpos për një prezencë realisht atraktive, Presidentja Jahjaga nuk është shquar për elementë të integritetit. Nuk është se është shquar për vendime të forta e të mençura. Ajo edhe më tej vazhdon të konsiderohet nga opinioni si gruaja që u zgjodh nga këta burra të politikës për tu shërbyer atyre, për të qenë marionetë e tyre.

Dhe në përgjithësi, ashtu në qëndrimin e tërhequr dhe paksa të mefshtë ajo u ka shërbyer atyre, burrave të politikës, pa ju dalë ndesh në udhën e tyre. Përpos në rastin kur do të ruajë pozitat e veta.

Prandaj, personalisht nuk shqetësohem fare sesi do të jetë përgjigja e Gjykatës Kushtetuese dhe se a do të qëndrojë në kolltukun e presidentes edhe në katër vitet në vijim Atifete Jahjaga. Do të shqetësohesha vetëm nëse ajo do më kishte dhënë argumente të besoja te ajo, te integriteti i saj, të besoja vërtet te gruaja të cilën me respekt do ta quaja dhe konsideroja si gruaja e politikës!