Ilustrimi: BIRN/Igor Vujicic

‘Burimet ndërkombëtare’ që nuk po konfirmohen dhe ndikimi i tyre tek lexuesi

Në 18 muajt e fundit, e gjithë bota është përballur me një armik të panjohur, pandeminë COVID-19.

Muajt e parë të përhapjes së virusit shkaktuan panik të madhe pothuajse tek të gjithë, përfshi edhe vet ekspertët mjekësor, të cilëve iu dashtë gati 1 vit për të gjetur ilaçin që do t’i bënte imun njerëzit ndaj virusit.

Njerëzit që deri në atë kohë po jetonin jetët e tyre lirshëm, u “bllokuan” si shkak i vendimeve të qeverive botërore për izolim total, deri në gjetjen e një zgjidhje tjetër.

Kjo mbyllje ia hapi rrugën një ballafaqimi deri në ekstrem ndaj informacioneve ta pafundme në internet.

Sot, qasja në internet dhe në informacione s’ka qenë kurrë me e lehtë. Por kjo poashtu është tregues se as informacionet s’kanë qenë asnjëherë më të ndërlikuara e me të paverifikuara.

Mungesa e edukimit medial ka bërë që njerëzit të mos interesohen për të vazhduar gjurmimin e mëtutjeshëm për informacionin që e kanë lexuar apo dëgjuar diku.

Në fillimet e pandemisë, në Kosovë nuk kanë munguar shkrimet në mediat online apo faqet e rrjeteve sociale të cilat nuk kanë pasur burim të saktë të informacionit.

Javën e kaluar në Kosovë ka filluar vaksinimi masiv nga institucionet shëndetësore në Kosovë, por nëpër rrjetet sociale ende shohim qytetarë që komentojnë se “qytetarëve po iu vendoset një çip”.

Është e vështirë për të gjetur saktë se kush ka qenë autori i parë i këtij informacioni të rremë, por është fakt që ky diskutim ka bërë bujë brenda territorit tonë.

Këtë e thotë edhe ekspertja e edukimit mbi median dhe informacionin, Gentianë Paçarizi.

“Vitin e kaluar, kur pandemia COVID-19 po bënte kryeartikujt nëpër të gjitha mediet vendore dhe ndërkombëtare, ka pasur njerëz të shumtë që u kanë besuar teorive konspirative për shkak se ato raportoheshin edhe prej medieve ndërkombëtare”, thotë fillimisht Paçarizi.

Sipas saj, në raste të tilla kur informacionet për një çështje janë të shumta, ajo çfarë njerëzit duhet bëjnë është të krijojnë shkathtësi të leximit kritik.

“Andaj, për të mos rënë viktima të dezinformimit, është e rëndësishme që qytetarët të pajisen me shkathtësi bazike të leximit kritik të artikujve informativë, dhe po të njëjtat shkathtësi t’i përdorin edhe kur këta artikuj bazohen në medie apo ekspertë ndërkombëtarë”, shtoi ajo.

Mirëpo nëse në 18 muajt e fundit bota dhe Kosova kanë qenë të ngarkuara me informacione mbi pandeminë COVID-19, në Kosovë tash e disa vite qytetarët ngarkohen me informacione ditore e javore mbi zhvillimet politike, procesin e dialogut Kosovë-Serbi, apo qëndrimet e zyrtarëve ndërkombëtar mbi zhvillimet politike në Kosovë e rajon.

Që nga vera e vitit 2018, fillimisht në baza ditore e pastaj në ato javore, kryetitulli i shkrimeve në media online e televizive ka qenë tema “korrigjimit të kufijve”.

Kjo temë diskutimi, ndonëse jetike për nga rëndësia që ka, ka qenë e shoqëruar në shumicën e kohës me shkrime që të thirrua në burime vendore, e shpesh herë ndërkombëtare.

Ndonëse mediat vendore mund të kenë marrë informacione nga burimet të ndryshme, ekspertja e edukimit mbi median dhe informacionin, Gentianë Paçarizi thotë se “ekziston mundësia që burimet s’janë kredibile”.

“Është e nevojshme që nëse një artikull raporton për ndarjen e Kosovës duke u bazuar në medie ndërkombëtare; lexuesi të pyesë se cilat janë ato medie dhe përmes një klikimi të shpejt ta shikojë rankimin e atyre medieve në uebfaqe të ndryshme që masin kredibilitetin e një mediumi”, thotë fillimisht ajo.

“Përveç kësaj, lexuesi mund edhe të kërkojë për të njëjtin informacion në mediet cilësore ndërkombëtare që i mbulojnë zhvillimet kryesore në Kosovë, si The Guardian, BBC, CNN, etj. Nëse këto nuk kanë raportuar për të njëjtën gjë, ka shumë gjasa që ‘mediet ndërkombëtare’ të përdorura në artikull s’janë burime kredibile”, shtoi në mes tjerash Paçarizi.

Më 4 prill të këtij viti, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Vjosa Osmanin presidente të Republikës së Kosovës.

Deri te seanca ku u votua Osmani, Kuvendi u mblodh për 3 ditë rresht, por në dy rastet e para nuk vendosën ta nxjerrin në rend të ditës votimin e presidentit për shkak të frikës së mungesës së kuorumit.

Kushtetuta e Kosovës e parasheh që për të qenë votimi i suksesshëm duhet që në kuti të votimit të jenë votat e të paktën 2/3 të deputetëve apo 80 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës.

Fakti që për tre ditë rresht tentohej të vihej në rend të ditës pika për zgjedhjen e presidentes, mediat e faqet e tjera të rrjeteve sociale u vërshuan me informacione të ndryshme, shumica prej tyre me burime anonime.

Dy partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe AAK kishin deklaruar se nuk do të merrnin pjesë në votimin e presidentes, poashtu disa deputetë të LDK-së kishin dhënë mesazhe që nuk do të marrin pjesë në votim. Ky fakt e pamundësonte votimin e suksesshëm të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani.

Lista Serbe, parti parlamentare në Kosovë nuk kishte njoftuar në atë kohë paraprakisht nëse do të merrnin pjesë ose jo në seancë.

Dy ditë para seancës, portalet “Periskopi” dhe “Gazeta Blic” kishin raportuar një artikull me titull dhe shkrim të njëjtë.

Titulli i këtij artikulli ishte “Palmer telefonon Vuçiqin: E porositë që Lista Serbe ta votojë Vjosa Osmanin”

Ata u referoheshin burimeve, në mbështetjen e lajmit të dhënë në këtë artikull.

Lista Serbe nuk mori pjesë ne seancën kur u votua Vjosa Osmani.

KALLXO.com ka dërguar pyetje zyrtarisht në Ambasadën Amerikane në Kosovë për të pyetur nëse ka pasur komunikim të tillë mes Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ambasada amerikane nuk ka kthyer përgjigje asnjëherë në lidhe me këtë temë.

Ky artikull sot nuk ekziston në arkivin e portalit “Gazeta Blic”, por vazhdon të jetë në arkivin e portalit “Periskopi”.

Më 4 shtator të vitit të kaluar, përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit e qeverisë serbe u takuan në Uashington më zyrtarë të lartë të shtëpisë së bardhë, përfshirë edhe ish-presidentin Donald Trump.

Lajmet në atë kohë të thirrua në burime ndërkombëtare kanë qenë të shumta në mediat kosovare.

Raportohej se Serbia do ta njeh Kosovë dhe se është pjesë e marrëveshjes. Për këto informacione nuk ka pasur asnjëherë konfirmime zyrtare. Në fund, nga takimi i Uashingtoni, Kosova mori njohjen nga Izraeli, por jo nga Serbia.

Gentianë Pacarizi thotë se informaiconet e pakonfirmuara sado që mund të sjellin benefite të shkurtra për mediumin e caktuar, ato i shkaktojnë dëme të mëdha gazetarisë cilësore në vend.

“Tejngopja informative nga dhjetra medie nuk i ndihmon luftës kundër dezinformimit. Pak lexues shkojnë përtej artikullit informativ që u servohet nga një medium dhe ndonëse dezinformimi mund të sjellë benefite të shkurtra për mediumin përkatës qoftë duke shtuar vizitat, qoftë duke u bërë medium që përcakton agjendën ditore të opinionit publik; ai i shkakton dëme të pandreqshme gazetarisë cilësore”, thotë Paçarizi.

E si shkak i këtyre raportimeve të pakonfirmuara, Paçarizi thotë se rrezikojnë të dëmtohen edhe mediat që kryejnë punën e tyre me profesionalizëm.

“Me kohë, qytetarët humbin besimin në gazetari sepse e mishërojnë atë me një grusht mediesh që nuk respektojnë standardet minimale gazetareske”, shtoi ajo.