Foto: Ilustrim

Burgu ku puna përdoret për t’i edukuar të dënuarit për vrasje 

I dënuar me 12 vite burgim, Urimi (emër i zëvendësuar për shkak të ruajtjes së identitetit të vërtetë) ka nisur rrugëtimin e tij për t’iu kthyer jetës normale.

Urimi ndodhet në burg për një vepër të vrasjes dhe është duke bërë përpjekje që t’i lehtësojë vetes ambientimin kur të dalë nga burgu.

Mbi 2 mijë qytetarë të Kosovës mbahen në burgje pasi janë të dënuar për krime të ndryshme. Një pjesë e tyre kalojnë këtë fazë pa marrë pjesë në sistemin e edukimit dhe avancimit profesional dhe si rrjedhojë përfundojnë në liri pa profesione e mundësi për të rinisur jetën.

Urimi* ka zgjedhur një formë tjetër. Ai për 16 muaj që është duke punuar së bashku me katër të burgosur të tjerë me në servisimin e automjeteve të cilat i përkasin Shërbimit Korrektues. Grupi në fillim kanë ndjekur një trajnim për të zhvilluar aftësitë e tyre, ndërsa tani punojnë në një punëtori brenda burgut e cila u mundëson të servisohen.

“I ka 16 muaj që jam duke punuar, më ka ndihmuar shumë, që të largohen nga pavijoni, je larg dhe të duket se je duke punuar, në liri është e njëjta. Nuk e çon mendjen që je në burg. Është shumë pozitiv në proces të ri-socializimit sepse ke të bësh me stafin që janë këtu sepse edhe me të burgosurit e çojmë mirë shumë”, rrëfen Urimi.

Puna e ka motivuar për jetën e re që pritet të nisë pas disa muajsh kur ai do jetë në liri, ndërsa përpos përvojës puna brenda burgut i mundëson të ketë edhe disa benificione të vogla. Të burgosurit përfitojnë nga 1 euro pagesë për ditët e punës ndërsa shpërblehen edhe me pushime dhe ditë të vikendit. Në këto pushime atyre u lejohet që në mënyrë të kontrolluar të vizitojnë familjet e tyre.

Vetëm një pjesë e vogël e të burgosurve kalojnë në programet e tilla. Disa nga të dënuarit refuzojnë këto programe, ndërsa të tjerët nuk arrijnë të futen në to për shkak se në disa qendra nuk programe të tilla.

“Për mendimin tim secilit të burgosur duhet t’i caktohet një punë sepse puna duhet të jetë prioritet dhe kalon më shumë këtu dhe e ndihmon shumë komunikimi me të tjerë, por kjo ndihmon shumë edhe në aspektin psikologjik”, thotë Urimi, i cili vazhdon punën si automekanik.

Smerkonica është njëri nga burgjet e hapura në Kosovë që mundëson punën për të burgosurit. Programet aty po i teston edhe një i dënuar tjetër për vrasje.

“Mbjellim tranguj, domate, spec, patates, qepë. Punojmë, jemi 4 punëtorë, e çojmë mirë, kalojmë mirë. Na ndihmon shumë sepse e kalojmë kohën, koha kalon ma shpejt e ma mirë. Paradite punojmë 2 orë, me speca, tranguj, domate, në Smrekonicë kuzhinë, në Mitrovicë dhe tjera kah”, tregon i burgosuri.

Mbjellja e serave, rritja, përkujdesja e deri te korrja, servisimi i automjeteve, prodhimi i letrave higjienike, qepja  janë aktivitete të cilat i kryejnë në baza ditore të burgosurit që gjenden në Burgun e Smrekonicës.

Kjo u jep hapësirë të njëjtëve që të mos qëndrojnë brenda qelive, por të shfrytzojnë kapacitetet e tyre punëtore dhe të përfitojnë njohuri nga ajo që bëjnë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij burgu, Xhevdet Maqastena tregon se aktivitetet që zhvillohen brenda burgut që drejton, ndikojnë pozitivisht te të burgosurit.

“Të gjithë të dënuarit kanë mundësi të punojnë, Ligji mbi ekzekutimin e sanksioneve penale e jep mundësinë që të burgosurit të punojnë brenda institucionit. Kjo është për dy arsye, e para është për dobi personale dhe të institucionit, por më qenësorja është që të dënuarit të përgatiten për periudhën post penale, pra pas vuajtjes së dënimit që përkon me misionin e shërbimit korrektues që ka të bëj me ri-socializim, ri-edukimi dhe aftësimi profesional me aq sa ka mundësi SHKK”, tregon drejtori Maqastena.

Drejtori Maqastena thotë se involvimi i të burgosurve në punët që kryhen brenda burgut të Smrekonicës bazohet edhe në identifikimin e profesioneve që u bëhet të njëjtëve në fazën e pranimit në këtë burg.

“Sigurisht që këto punë që bëjnë ndikojnë në aftësimin profesional sidomos në punën e automekanikes, kuzhinës, dhe aktivitetet tjera si ujësjellës e të tjera, të dënuarit përpiqen dhe mundohet që këto aftësi këto kualitete t’i përdorin edhe në jetën post- penale”, tha tutje Maqastena.

Burgu i Smrekonicës aktualisht ka 130 të burgosur ndërsa shënon aktivitete të ndryshme si, pastrim, kopshtari, bujqësi, blegtori, prodhim të letrave higjienike, rrobaqepësi, mirëmbajtje, ngarkim-shkarkim, ngrohtore, auto-mekanik, elektrikë, floktari, ndërtimtari dhe punë që lidhen me ujësjellës.

Në Kosovë, ekzistojnë 11 burgje dhe qendra korrektuese në të cilat janë të vendosur persona të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale si, vrasje, vjedhje, sulme, për korrupsion, por edhe për vepra që ndërlidhen me terrorizëm dhe ekstremizëm.

Aktualisht në Burgun e Smrekocinës i cili është i tipit të hapur, ekzistojnë më shumë se 15 aktivitete në të cilat marrin pjesë të dënuarit.

Brenda burgjeve të Kosovës, ekziston një udhëzim administrativ me të cilën bazohet edhe paga që marrin të burgosurit në rast se kryejnë punë brenda hapësirave të burgjeve.

Në ditë një i burgosur paguhet 1 euro ndërsa të njëjtat para që grumbullohen, të burgosurit kanë të drejtë t’i shfrytëzojnë si brenda ashtu edhe jashtë hapësirave në rast se lirohen.

Burgu i Smrekonicës, funksionon pa rojë në kulla vrojtimi për shkak se është i tipit të hapur dhe të burgosurit që janë vendosur aty kanë benificione të ndryshme pasi që janë në përfundim të dënimeve të tyre.

Shërbimi Korrektues i Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, është përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen dhe zbatimin e sanksioneve penale.

SHKK si veprimtari ka ri-socializimin e personave të dënuar gjatë mbajtjes së dënimit dhe ri-integrimit të tyre në shoqëri në mënyrë që të parandalojë kriminalitetin në të ardhmen.

Brenda SHKK-së përveç organizmit, zbatimit dhe mbikëqyrjes së ekzekutimit të sanksioneve penale një nga detyra e këtij shërbimi është edhe organizimi i programeve që i kontribuojnë riedukimit, përgatitjes për lirim dhe mbikëqyrjes afatgjate të personave të dënuar.

Një nga synimet e SHKK-së është të kontribuojë në uljen e recidivizmit përmes programeve që i dedikohen rehabilitimit dhe ri-integrimit të burgosurve, e po ashtu ofrimi dhe mundësimi i qasjes për të burgosurit në programe të arsimimit dhe aftësimit profesional.

KALLXO.com gjatë një hulumtimi të cilin ka kryer për disa muaj me radhë, ka zbuluar se 63 për qind e të burgosurve të cilët kanë qenë të dënuar për ekstremizëm dhe terrorizëm nuk kanë kaluar përmes procesit të aftësimit profesional brenda burgjeve të Kosovës.

Kjo tregoi një mangësi të madhe në mënyrën e procesit të ri-socializimit dhe ri- integrimit të të burgosurve dhe kryesisht atyre që janë të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, arsyeja se pse të dënuarit për terrorizëm nuk kanë marrë aftësime profesionale është se nuk kanë pasur dëshirë të ndjekin aktivitete të tilla të cilat u japin shprehinë e punës dhe aktraktivitetin brenda burgjeve gjatë kohës së vuajtjes së dënimit