Burgu i Dubravës Nuk e Sjell Pukën në Gjykim

Njësia e transportit të të burgosurve nga Dubrava, disa herë të hënave ishte vonuar që ta sjellë Kolë Pukën në gjykim në Prishtinë. Por, këtë të hënë, nuk e ka sjellë fare. Kur janë kontaktuar nga EULEX-i, zyrtarët përgjegjës janë arsyetuar se nuk kanë automjete.

Të premten, kolegji i gjykatësve në rastin e Kolë Pukës, Zef Marlekut dhe Lon Palushit kishin caktuar që seanca të vazhdonte të hënën, me fillim nga ora 10. Për mbajtjen e kësaj seance paraprakisht me urdhëresë ishte lajmëruar edhe Burgu i Dubravës.

Si çdo herë, gjykata e kishte njoftuar Burgun e Dubravës, sikurse dhe Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për orarin e seancave dhe kohën e fillimit të tyre. Në urdhrin e gjykatës, Burgu i Dubravës ishte njoftuar se i pandehuri Kolë Puka duhet të sillej të hënën, me fillim nga ora 10, në gjykatë për seancë.

Të hënën, të gjitha palët kishin ardhur me kohë dhe prisnin fillimin e gjykimit, por i pandehuri Puka nuk ishte sjellë ende. Zyrtarët e EULEX-it, përfshirë gjykatësit, mendonin se Puka ishte në rrugë e sipër për në gjykatë. Kjo pasi që, çdo të hënë, njësiti për transportin e të burgosurve e vononte sjelljen e Kolë Pukës.

Por pas më shumë se një orë pritjeje, zyrtari ligjor i EULEX-it tha se “dikush nga Dubrava ka vendosur që Kolë Puka të mos vijë sot në seancë, dhe më e keqja është se nuk ka përgjegjësi”. Ai tha se po mundohen të aranzhojnë një transport nga EULEX-i, pasi që Burgu i Dubravës përmes telefonit iu kishte thënë se nuk ka më automjete për transport.

Megjithë përpjekjet, EULEX-i nuk arriti të siguronte transportin për Kolë Pukën, kështu që seanca u shty për të mërkurën nga ora 10. Për këtë seancë gjykata do të dërgojë një urdhëresë të re për Burgun e gjykatës.

Gati çdo të hënë, kur caktoheshin seancat, njësia e transportit të të burgosurve nga Dubrava, vononte Pukën deri në 1 orë. Disa herë, kryetari i kolegjit ua tërhiqte vërejtjen për mosardhjen me kohë, por njësiti çdo herë arsyetohej se pranimi i të burgosurve bëhej shumë vonë.

Ky njësit e ka për obligim të transportojë të burgosurit në të gjitha gjykatat e Kosovës, sipas kërkesave që kanë këto të fundit.