Burgim Për Dërguesit e SMS-ve (TV)

Ismajl Berisha u dënua me 3 vjet e 10 muaj burgim, ndërsa Fatmir Shabani me 2 vjet e 9 muaj.

Në fjalën përfundimtare të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm dhe kërkuan nga gjykata të lirohen nga akuza.

“Nga gjykata duam vetëm drejtësi“, thane tre të akuzuarit.

Arben Kadriu përfaqësues i akuzës tha se gjatë procedurës paraprake dhe shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar gjendja faktike dhe fajësia e Ismajl Berishës, Fatmir Shabanit dhe Sylë Buzukut që, sipas tij, në bashkëveprim kanë kryer veprat penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe kanosje.

“Në bazë të Ligjit mbi Amnistinë heq dorë nga dispozitivi II (armëmbajtja pa leje – mbajtja në pronësi , kontroll dhe posedim të armëve – granatë) i aktakuzës, meqë kjo vepër penale është përfshirë në amnisti“, tha prokurori Kadriu.

Pika 1.1.10 e nenit tre të Ligjit për Amnisti të miratuar në kuvend më 11 korrik, liron nga ndjekja penale: armëmbajtje pa leje, personat që një gjë të tillë e kanë bërë para 20 qershorit 2013. Tash të dënuarit, e hodhën një granatë që e kishin pa leje drejt shtëpisë së familjes së dëmtuar Pireva gjatë vitit 2012.

Prokurori në fjalën përfundimtare përmendi edhe një SMS me përmbajtje kërcënuese dërguar familjes Pireva.

“O ju kofsh fal fëmive  t᾽Hetemit se nuk e dishum ku jon rat, se pa ta gju bumen mrena prom, po fojshum po qillojnë fmija e ata nuk kanë faj, se nu takofsha me ty e me Lutën ja nin zonin Sylës“, shkruhet në një SMS derguar familjes Pireva.

Prokurori Kadriu si rrethana rënduese përmendi shkallën e përgjegjësisë penale, sidomos ndaj Ismajl Berishës meqë i njëjti e ka shfrytëzuar gjendjen ekonomike të Fatmirit dhe Sylës duke u dërguar mbushje telefonike.

“Të pandehurit nuk e pranojnë fajësinë, nuk shprehin keqardhje dhe nuk janë penduar“, tha në fund Arben Kadriu.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismajl Berisha, avokati Shemsedin Pira tha se SMS-të e dërguara nuk kanë lidhshmëri me numrin e telefonit që e ka përdorur Ismajl Berisha. Avokati përmendi se ka mbetur pa u ndriçuar motivi i të pandehurit për të vepruar në këtë mënyrë.

“Ai është njeri i martuar, baba i tre fëmijëve dhe pse ky do të futej në një aventurë të rrezikshme“, tha avokati Pira.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Shabani, avokati Ramiz Sylejmani kërkoi nga gjykata që klienti i tij të lirohet nga akuza.

“Prokuroria nuk na ka sjellë prova të mjaftueshme dhe nuk kemi prova se cili nga të akuzuarit e ka përdorë atë bombë“, tha Sylejmani.

Ndërsa Sabit Maliqi avokat i të akuzuarit Sylë Buzuku i shprehu keqardhje familjes së dëmtuar.

Ai tha se ka pritur që prokurori të heqë dorë nga i mbrojturi i tij, meqë me asnjë dëshmi e as dëshmitar nuk është vërtetuar të jetë involvuar në këtë vepër penale Sylë Buzuku.

“ Nga telefoni i Sylës nuk ka asnjë SMS, e kjo nga fakti se ai nuk është i involvuar“, tha Maliqi.

Këta persona ishin akuzuar nga prokuroria në Gjilan se me 1 dhjetor 2012 kanë hedhur granatë dore në shtëpinë e familjes Pireva.

E po ashtu se prej 7 korrikut 2012 deri në momentin e arrestimit më 27 dhjetor 2012, kanë kanosur Ekrem dhe Hetem Pirevën si dhe gruan e Ekremit, Lutfije Demollin.

I dëmtuari Hetem Pireva i tha Gazetës Jeta në Kosovës se pas marrjes së aktgjykimit do të kërkojë kompensim.

“ Nga të akuzuarit do të kërkojmë kompensim mbi dëmin material, moral dhe jomaterial“, tha Pireva.

Ndërsa i liruari nga akuza Sylë Buzuku ishte i lumtur pas lirimit prej saj.

Ai për Gazetën Jeta në Kosovë tha se më kanë akuzua kinse kam gjuajtur bombë, por kjo nuk është e vërtetë.

Syla shpjegon se emrin e tij e kanë përmendur vetëm sa për ta përfshirë në atë punë që ai thotë se  nuk e ka bërë.

Syla tha se do të shkojë te dajat meqë edhe më herët ka shkuar edhe tash do të shkojë ( të dëmtuarit Hetem dhe Ekrem Pireva  e kanë djalë të motrës Sylën ) .