Burg për Poetin Që Guxoi...

Përktheu: Bardh Shkreli

Një gjykatë në Katar ka dënuar me burgim të përjetshëm një poet për shkak se ka fyer sunduesin e vendit. Ky veprim ka ngjallur dyshim lidhur me përpjekjet e këtij vendi të pasur ndaj lirisë së shprehjes, sidomos tani kur liderë botorë qëndruan në Doha këtë fundjavë për bisedime në lidhje me ndryshimet klimatike.

Organizatat për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, kanë shprehur shqetësim në lidhje me poetin nga Katari Mohammed Ibn al-Dheeb al-Ajami, 37 vjeç, që prej arrestimit të tij në nëntor 2011 i cili ndër tjera akuzohet edhe për “nxitje për përmbysje të regjimit”.

Akuzat duket se janë të ndërlidhura me një poezi që ka fyer Emirin e Katarit, sheikun Hamad bin Khalifa al Thani, dhe një tjetër, të titulluar “Poezia e Jasemines”, që ndihmonte kryengritjen e paraverës tuniziane dhe kritikonte qeveritë arabe.  

Verdikti që u shpall në një dhomë të mbyllur gjykate në Doha, është i shkurtër. Ai thotë se “gjykata vendos se i pandehuri Mohamed Rashed Hassan al-Ajami është dënuar për jetë në burg”. Poeti nuk ishte në dhomën ku u shpall aktgjykimi dhe mbështetësit thonë se ai ka ndjekur vetëm një nga së paku gjashtë dëgjimet e gjykatës.

Al-Ajami, i cili ka një grua dhe katër fëmijë të vegjël, nuk e ka parë familjen e tij që nga arrestimi i vitin e kaluar.

Katari, një prej vendeve më të pasura të botës, vendi i transmetuesit global al-Xhazira, si dhe një kritikues i fortë i ish-udhëheqësit të Libisë Muamar Gadaf, përpiqet të paraqitet si një ndërmjetës i diplomacisë dhe kampion i lirisë dhe lirisë së shprehjes në Gjirin Persik. Në një fjalim të tij në muajin shtator, Emiri Al Thani tha, “ne vendosmërisht besojmë në rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të drejtën personale për të shprehur mendimet”.

Megjithatë, një projektligj i miratuar nga këshilli legjislativ i Katarit në qershor të këtij viti, që u kritikua shumë, parasheh vendosjen e gjobave deri në 170.000 euro për çdokënd që transmeton informacion i cili do të “hidhte në dyshim marrëdhëniet miqësore midis shtetit dhe shteteve arabe” apo abuzimin ose ofendimin e familjes udhëheqëse.

“Katari flet rreth lirisë dhe krijimit të një qendre për lirinë e shtypit”, tha Ali el-Hattabi, aktivist i të drejtave të njeriut, i afërt me al-Ajami-in i cili ishte në Doha kur u mor vendimi. “Por ky është një lloj standardi dyfishtë”, i tha ai Byrosë, duke iu referuar në Qendrës për Lirinë e Medias në Doha, e cila u hap në vitin 2008.

Dënimi ndërkombëtar

Amnesty International ka bërë thirrje të revokohet vendimi për dënimin e al-Ajamit. “Është për të ardhur keq nga Katari, të cilit i pëlqen të paraqesë veten ndërkombëtarisht si një vend që promovon lirinë e shprehjes, ndërsa vetë bën një abuzim flagrant të kësaj të drejte”, tha Philip Luther ,drejtor i Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

“Autoritetet e Katarit janë më të ndjeshme ndaj Pranverës Arabe, dhe al-Ajami ka folur rreth tiranisë, lirisë dhe të drejtave. Autoritetet duan ta përçojnë këtë mesazh tek njerëzit”, thotë Ali el-Hattabi, aktivist i të drejtave të njeriut.

Jeremy Corbyn, deputet britanik dhe drejtor financiar i grupit parlamentar gjithë-partiak Brtiani-Katar ka reaguar me kriticizëm. “Kjo është një shkelje e tmerrshme e fjalës së lirë i dhe ligjeve të lirisë së shprehjes dhe unë shpreh shqetësimin tim lidhur me këtë rast dhe situatën e të drejtave të njeriut në Katar në përgjithësi”.

“Unë do t’i shkruaj  Ambasadës së Katarit në lidhje me këtë rast dhe do t’ua tërheqë vëmendjen anëtarëve të tjerë të grupit”, tha ai për Byronë. “Në përgjithësi  qëndrimi i Qeverisë  Britanike ndaj shumicës së vendeve të Gjirit Persik në lidhje me të drejtat e njeriut është i butë, për shkak se shitja e armëve dhe marrëdhëniet tregtare janë më prioritare. Bahraini ka qenë shembulli më i qartë”, shtoi Corbyn.

Corbyn ka dërguar një mocion në dhomën e ulët të parlamentit Britanik, i cili “i bën thirrje Qeverisë Britanike që urgjentisht tia paraqes reagimet e saj Qeverisë së Katarit lidhur me këtë censurim kaq ekstrem të qytetarëve të saj dhe ta inkurajojë atë në lirimin e tij sa më të shpejtë”.

Për më tepër, Komiteti i OKB-së Kundër Torturës ka shprehur shqetësim me masat ligjore të Katarit këtë muaj – përfshirë të drejtën për të kontaktuar të afërmit dhe gjykimet brenda periudhave të arsyeshme – e cila nuk është  duke u respektuar, dhe ka qortuar Katarin lidhur me raportimet e torturës dhe abuzimit të punëtorëve emigrantë .

Marrëdhëniet Mbretëri e Bashkuar – Katar

Emir Sheikh Hamad bin Khalifa al Thani ka ndjekur mësimet në Akademinë Ushtarake Britanike të Sandhurstit, ndërsa ka diplomuar në vitin 1971. Ai rregullisht e viziton Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë edhe dy vizita gjatë këtij viti, ndërsa ishte gjithashtu i pranishëm në inaugurimin zyrtar të ndërtesës së  famshme “Shard”, në jug të Londrës, e cila është 95 për qind në pronësi të Katarit.

Mbretëria e Bashkuar mbështetet kryesisht në importet e gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Katari, ndërsa sipas raporteve të Qeverisë Britanike importet nga Katari po shënojnë rritje rapide dhe shumë shpejt do të përmbush 20 për qind të nevojave të LNG për Britaninë e Madhe. Katari organizon konferencën ndërkombëtare mbi ndryshimet klimatike, në të cilën  merr pjesë një delegacion nga Mbretëria e Bashkuar përfshirë sekretarin për  energji dhe ndryshime klimatike Edward Davey dhe ministrin Greg Barker.

Në korrik të këtij viti, Kryeministri David Cameron u është drejtuar me një shkresë zyrtarëve të Katarit duke mbështetur djaloshin  13 vjeçar Adam Jones, i cili thuhet se mbahet nën “arrest shtëpiak” në Doha nga të afërmit e babait të tij të vdekur që nga viti 2009. Jones ka shprehur dëshirën e tij për t’u bashkuar me nënën e tij britanike ndërsa kryeministri Cameron ka premtuar se do të ndihmojë Adamin dhe familjen e tij.

Zëdhënësi i Zyrës së Commonwealth-it  i ka thënë për Byronë, “ne kemi dialog të rregullt mbi të drejtat e njeriut me Qeverinë e Katarit dhe punojmë afër me institucionet e Katarit në një spektër të fushave relevante siç janë sundimi i ligjit,qeverisja e mirë dhe të drejtat e njeriut, duke ofruar mbështetje, këshillim si dhe ngritje e kapaciteteve sipas nevojës.’

The Bureau of Investigative Journalism
http://www.thebureauinvestigates.com/2012/11/30/life-in-jail-for-poet-who-dared-insult-qatari-leader/