Flamuri i Kosovës - Foto: REL/AFP

Brukseli dhe Uashingtoni duhet të punojnë së bashku drejt një marrëveshjeje për Kosovën

Vetëm një ndërmjetësim i përbashkët ku përfshihen SHBA dhe BE mund të shtyjë përpara dialogun e bllokuar Kosovë-Serbi, drejt qëllimit përfundimtar të normalizimit të marrëdhënieve.

Ndërmjetësimi i përbashkët i BE-s dhe SHBA-s në dialogun Kosovë-Serbi, me përfshirje të nivelit të lartë, duket të jetë premtues. Rusia gjithashtu duhet të përfshihet në mënyrë që të pranojë rezultatin e procesit të normalizimit Kosovë-Serbi.

Në atë mënyrë, normalizimi do të çojë në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), dhe që të dyja, Kosova dhe Serbia, do të mund të bëhëshin anëtare të BE-s. Që dialogu të kthehet në normalizim, ai duhet të përmbushë tri gjëra: konsensus më të madh mbi temat e marrëveshjes; bashkërendim në mes të ndërmjetësve; dhe, zotim ndërkombëtar për pranimin e rezultatit të marrëveshjes.

Disa vëzhgues ballkanikë parashikojnë një marrëveshje të përshpejtuar midis Kosovës dhe Serbisë që do të mund të arrihej përpara shtatorit dhe para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale të SHBA-s. Mirëpo kushtet për një marrëveshje të qëndrueshme dhe me përfitme të ndërsjella nuk janë pjekur akoma, ndërkohë që të dy qeveritë, në Kosovë dhe Serbi, do të përballen me zgjedhje të reja.

Përmbajtja e “marrëveshjes ekzistuese” është kryesisht e panjohur. Pandemia e koronavirusit po vazhdon gjithashtu. Ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Francës e kanë konfirmuar se një marrëveshje e suksesshme do të marrë kohë: “Një qasje serioze kërkon negociata të strukturuara mirë, të thella, me BE-n si një ndërmjetës besnik.” Ata nuk e kanë përmendur ndërmjetësimin amerikan.

Shumë tema, pak konsensus

Marrëveshja mund të përfshijë: një shkëmbim territorial në të cilin Serbia merr pjesë të veriut të Kosovës në këmbim të një pjese më të vogël të Serbisë jugore; një Asociacion mbinstitucional i Komunave Serbe në Kosovë – një mekanizëm ky që më parë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës; dhe, status ekstraterritorial për kishat ortodokse serbe – kjo përndryshe nuk ka qenë një çështje e hapur. Njohja e Kosovës nga Serbia është përmendur vetëm nga pala kosovare, ashtu si edhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Amnistia për krimet e luftës të kryera në Kosovë ishte një opsion i diskutuar në Kosovë. Mirëpo reagimi i publikut ndaj kësaj ishte i qartë dhe definitiv: të gjithë kriminelët e luftës duhet të gjykohen për krimet që i kanë bërë dhe të gjithë viktimat e kohës së luftës duhet të marrin drejtësinë që kërkojnë.

Serbia ishte agresori në luftërat ballkanike të viteve 1990 dhe fajtori kryesor i krimeve të luftës – një marrëveshje Kosovë-Serbi nuk duhet të vendos një barasvlerë të rreme.

Kosova ka nevojë që të arrijë një qeveri konsensuale, përmes zgjedhjeve të reja, përpara se të mund të ri-angazhohet në normalizim. Një alternativë mund të jetë një qeveri e unitetit kombëtar me një mandat një apo dy vjeçar, që përfshin Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës ose Partinë Demokratike të Kosovës. Porosia e qartë e votuesve për ndryshim në zgjedhjet e tetorit 2019 ishte shtrembëruar nga manovrimet politike që rrëzuan qeverinë e re. Partitë duhet që edhe një herë ti paraqesin platformat dhe programet e tyre politike, përfshirë ato për bisedimet Kosovë-Serbi.

Presidenti Aleksandar Vuciq pritet që të fitojë një shumicë tjetër të fuqishme në zgjedhjet që planifikohen të mbahen në muajin qershor në Serbi, jo vetëm për shkak të konkurrencës së kufizuar politike. Serbia ka pësuar rënie në vlerësimet për demokracinë e saj, por do të duhet që të artikulojë qëndrimet e veta konsensuale se si do të pranojë dhe normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Objektivat që në fillim

Normalizimi dypalësh nënkupton: njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimin e kufijve përgjatë kufijve të njohur ndërkombëtarisht dhe shkëmbimin e ambasadorëve.

Serbia mund të mos jetë e gatshme për një marrëveshje fare nëse nuk dëshiron ta pranojë shtetësinë e Kosovës ose kufijtë e saj. Kosova nuk duhet të bëjë lëshime sa i përket subjektivitetit të saj ndërkombëtar; përkundrazi duhet ta shtyej përpara këtë sa më shumë, edhe nëse kjo do të nënkuptonte se një marrëveshje do të zgjaste deri në vitin 2021.

Të dyja vendet duhet të rizotohen se do t’i gjykojnë krimet e luftës. Ato duhet të përmirësojnë marrëdhëniet e tyre të tensionuara ekonomike, duke mësuar nga bashkëpunimi i kaluar i shoqatave të tyre të biznesit. Që të dyjave duhet t’iu mundësohet anëtarësimi i përshpejtuar në BE.

Pajtimi për ndërmjetësit SHBA dhe BE

Pajtimi midis ndërmjetësve BE dhe SHBA mungon, e lëre më pajtimi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, është e qartë se të dytë, BE dhe SHBA, janë më se të nevojshme në këtë proces.

Kosova dhe Serbia kërkojnë anëtarësimin në BE; shkopi dhe karrota (shpërblimi dhe ndëshkimi) e përdorur nga BE për anëtarësim mund t’i çojë të dyja vendet drejt një marrëveshjeje. BE nuk e ka njohur plotësisht Kosovën për shkak të pesë shteteve anëtare mosnjohëse, andaj, si e vetme, BE nuk ka mundësi që me të vërtetë të ndërmjetësojë normalizimin.

SHBA e njeh si Kosovën ashtu edhe Serbinë, dhe në këtë mënyrë mund të jetë një pajtues i drejtë mes tyre. Kosova vazhdimisht ka bërë thirrje për përfshirjen e SHBA-s në bisedime. Përfshirja e një niveli të lartë nga ana e administratës Trump është e mirëseardhur; tani duhet të orientohet për bërjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, me përfitime të ndërsjella.

Zotimi për rezultatin

Normalizimi varet nga ndërmjetësimi ndërkombëtar. Ndërmjetësimi i përbashkët BE-SHBA e ka shtuar angazhimin dhe besueshmërinë që më parë kanë munguar. Komuniteti shqiptaro-amerikan në SHBA i ka dhënë mbështetje kësaj: duke ngritur zërin për të lavdëruar përfshirjen e nivelit të lartë të SHBA-s, por duke kërkuar kujdes që të orientohet drejt një marrëveshjeje konsensuale, dhe jo për shkëmbimin territorial.

Pranimi rus i rezultatit të normalizimit Kosovë-Serbi është i domosdoshëm për një përmbyllje reale të shumë çështjeve të hapura dhe në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në OKB. Sidoqoftë, përfshirja ruse në proces do ta devijonte atë dhe do t’i shtrembëronte rezultatet. Ambasadori i Rusisë në Serbi ka deklaruar: “Zgjidhja përfundimtare e çështjes së Kosovës duhet të përcaktohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së duke miratuar një rezolutë të re që do të zëvendësonte Rezolutën 1244.” Nuk është kështu.

Në vend të kësaj, Kosova duhet të aplikojë për anëtarësim në OKB; Këshilli i Sigurimit do të vendoste nëse do të rekomandojë pranimin (duke supozuar se nuk do të ketë veto); dy të tretat e Asamblesë së Përgjithshme do të duhet të votojnë pro pranimit; dhe, një votim i suksesshëm do të nënkuptonte miratimin e një rezolute për pranim. Një rezolutë e re para këtij anëtarësimi do të krijonte paqartësi në lidhje me shtetësinë e Kosovës.

Në këmbim të njohjes së Kosovës, Serbia duhet të shpërblehet me pranimin e shpejtë në BE ose me ndërlidhje më të shumta ekonomike me BE-n ose SHBA-n. Kosova gjithashtu duhet të shpërblehet me pranimin e përnjëherëshëm në BE me Serbinë. BE dhe SHBA, me arritjen e kësaj marrëveshjeje dhe duke promovuar vazhdimisht qeverisjen e mirë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, do t’i bënte ata partnerë të fortë e më demokratikë të BE-s dhe OKB-së.

Një marrëveshje është e nevojshme dhe duhet që të mos marrë shumë kohë. Statusi quo-ja e tanishme është e papërshtatshme si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe njëkohësisht e padëshirueshme për bashkësinë ndërkombëtare. Bashkërendimi i ri i BE-s dhe SHBA-s, qartësia për temat, përqendrimi i ri në normalizim dhe zotimi ndërkombëtar për rezultatin mund të ofrojnë kushtet e duhura për sukses – dhe të mundësojnë një afat kohor për marrëveshje e cila do të përmbushej nga të gjitha palët.

 

Drilon S. Gashi është një specialist për zhvillim ndërkombëtar me bazë në Uashington. Ai ka punuar për tre vite në sektorin publik dhe jo-fitimprurës në Kosovë si dhe ka titullin Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Kolumbisë.

Opinionet e shprehura në rubrikën e Mendimeve janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.