Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq. Foto: Facebook/Aleksandar Vuçiq.

Brukseli apo Moska? Vuçiq duhet të vendosë cilën ta zgjedhë

Tani që ka fituar një mandat të dytë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq – i cili dëshiron ta udhëheqë vendin e tij drejt BE-së, por i mbetet besnik Moskës – duhet të vendosë se çfarë të bëjë me mandatin e tij të fortë.

Rezultati i zgjedhjeve serbe ishte pak a shumë një përfundim i paramenduar. Aleksandar Vuçiq i fitoi zgjedhjet atje. Presidenti i ri është i vjetri. Edhe nëse dikush dëshiron ta delegjitimojë atë duke e përshkruar si një autokrat ose lider të një “demokracie hibride”, nuk ka dyshim se ky pushtetar, i cili ka mbajtur poste të ndryshme në 10 vitet e fundit, ka një recetë ekonomike për sukses.

Edhe pse shumë të rinj serbë janë të përgatitur të largohen nga Serbia në kërkim të mundësive më të mira për jetë, nëse nuk janë zhvendosur tashmë në Frankfurt ose Vjenë, votuesit me sa duket donin t’i tregonin mirënjohjen e tyre Vuçiqit për ringjalljen ekonomike të Serbisë. GDP-ja për frymë banori është rritur me 40% në pesë vitet e fundit, papunësia po bie, borxhi kombëtar është i ulët dhe vendi prej shtatë milionësh mund të mburret me rezerva të bollshme valutore.

Një ngritje pa ideologji drejt fitores

Është një strategji që ka shpërblyer me njerëzit që kanë më shumë para në llogaritë e tyre bankare dhe janë në gjendje të vendosin më shumë ushqim në tavolinën e tyre të bukës. Vuçiq – stabilokrati i shumë kritikuar që i pëlqen t’i ngacmojë mediat, të japë vende pune në baza partiake dhe që e ka në kontroll policinë, shërbimet sekrete dhe gjyqësorin – nuk fitoi duke iu drejtuar patosit nacionalist. Përkundrazi, politika e tij është e lirë nga ideologjia dhe Partia e tij Progresive Serbe (SNS) e paraqet veten si një lëvizje tërheqëse, e cila ka arritur ta zbeh opozitën dhe t’i margjinalizojë nacionalistët ekstremë. Programi është Vuçiq dhe ka të bëjë me pushtetin.

Por tani presidenti do të duhet të vendosë: Brukseli apo Moska?

Duke u lëkundur midis Lindjes dhe Perëndimit

Me luftën në Ukrainë, marrëdhënia e Serbisë me Rusinë, një rehati e karakterizuar në të kaluarën si “dashuri patologjike”, po kalon përmes një test stresi.

Dikush mund të thotë se Serbia nuk e di se çfarë dëshiron. Ashtu sikurse lideri jugosllav Tito në kohën e tij, Vuçiq po luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Serbia e merr gazin nga “miku i saj më i mirë” Rusia me çmim të ulët, por në të njëjtën kohë – gjatë 15 viteve të fundit – ajo ka marrë subvencione prej rreth 3 miliardë eurosh nga programi i Asistencës së Para-Aderimit të BE-së.

Që nga viti 2014, negociatat e Serbisë me Brukselin për t’u antarësuarnë bllokun e BE-së janë zvarritur. Mirëpo Lufta Rusi-Ukrainë ka injektuar një shtysë të re në bisedimet e antarësimit me gjysmë zemre. Pas vitesh të shumta nga Brukseli mbi kërkesën e ripërsëritur drejt shteteve të Ballkanit Perëndimor, dera e BE-së është tashmë e hapur. Çështjet në fjalë nuk janë më sundimi i ligjit, media e lirë apo korrupsioni. Sot, BE-ja dëshiron t’i mbrojë vendet e Evropës Jugore – veçanërisht Serbinë – nga kthetrat e jashtme politike të Putinit. Beogradi tani duhet të vendosë.

Beogradi nuk është i gatshëm të heqë dorë nga Kosova

Vëllai i madh sllav dhe ortodoks i Serbisë, Rusia është e dashur për Beogradin. Për vite me radhë, Moska e ka përdorur veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta bllokuar Kosovën nga anëtarësimi në organizatat ndërqeveritare. Beogradi nuk është plotësisht i gatshëm të heqë dorë nga Kosova, “djepi i qytetërimit serb”, që e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe është njohur si shtet sovran nga pothuajse 100 anëtarë të OKB-së, por jo nga Serbia apo Rusia.

Nuk është çudi që, duke ngurruar, Serbia e mbështeti rezolutën e OKB-së kundër pushtimit rus të Ukrainës. Vuçiq i kundërshtoi sanksionet me qëndrimin e tij pro-rus që gjeti favore tek shumë votues.

Tani që kjo strategji ka dhënë rezultate dhe fitorja e të fortit është konfirmuar, pyetja është se çfarë do të bëjë Vuçiq me mandatin e tij politik.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka nxjerrë një shenjë shumë të madhe “Mirë se vini” nga Brukseli. Ky është një shans historik, jo vetëm për shkak të rrethanave. Serbia është evropiane dhe duhet të bëhet pjesë e tufës së BE-së. Një gjë e tillë do të ishte mirë për të gjithë rajonin./DW

Përgatiti: Nuhi Shala