Qeveria Hoti

Brishtësia e koalicionit qeverisës e reflektuar me numrat në Kuvend

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti e ka vlerësuar si stabile qeverinë e tij, përderisa mungesa e votave për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës ka bërë që shumë nisma qeveritare të mos mund të miratohen, përfshirë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Më të vështirë situatën me numra për ekzekutivin e ka bërë edhe deputeti nga radhët e komunitetit ashkali Etem Arifi, i cili është dorëzuar për vuajtje të dënimit, pasi është dënuar për mashtrim me subvencione, ndonëse ai ende ka mandatin e ligjvënësit.

Koalicioni qeverisës më kryeministër Avdullah  Hoti përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate, Lista Serbe dhe partitë e tjera të komuniteteve jo-shumicë.

Vota vendimtare e 61-të për formimin e Qeverisë Hoti ishte ‘siguruar’ nga presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj (AAK), kjo pasi që Haxhi Shala atë kohë deputet i Nismës, e tash pjesë e grupit parlamentar të AAK-së, pranoi publikisht se do ta votojë ekzekutivin e ri,  pasi që këtë ia kishin kërkuar në shtëpinë e tij, në orën 1 pas mesnate, Thaçi dhe Haradinaj.

Lidhur me këto zhvillime, deputeti nga radhët e LDK-së, Shkëmb Manaj thotë për KALLXO.com se çështja e votave është si pasojë e numrave që i ka edhe koalicioni qeveritar, që janë minimumi i lejueshëm për të themeluar Qeverinë e Republikës së Kosovës, me 61 vota.

Sipas tij, kjo normalisht që po krijon vështirësi dhe pengesa në punën e Kuvendit.

“Mirëpo sa i përket  çështjeve që lidhen me interesin nacional dhe drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve dhe bizneseve siç është Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, unë mendoj që opozita duhet ta votojë këtë ligj dhe nuk ka asnjë arsye për të mos e votuar”, thekson deputeti.

Manaj vlerëson se Qeveria është stabile derisa nuk ka numra për ta rrëzuar atë.

“Ju e keni parë një mocion të mosbesimit që është duke u tentuar, më kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo që nuk ka arritur ti mbledhë as 40 nënshkrime të nevojshme për ta proceduar në Kuvendin e Kosovës”, thekson deputeti.

Megjithëkëtë, ligjvënësi që vjen nga partia në pushtet, thotë tutje se problemi është tek mungesa e deputetëve në seanca.

“Unë mendoj se nuk është çështje e një vote sepse nëse z. Arifi ka shkuar dhe në të ardhmen mund ti merret mandati, zëvendësimi i tij bëhet në bazë të procedurave ligjore dhe Kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

“Problemin unë e shoh tek mungesa e disa deputetëve edhe për shkak të pandemisë sepse  disa prej tyre ishin të konfirmuar pozitiv me COVID-19, por edhe mungesa  e deputetëve në seanca po krijon probleme që të mos arrihet të kemi numrin e nevojshëm prej 61 deputetëve sepse e keni parë që edhe PDK-ja dhe LVV-ja në shumë raste nuk po marrin pjesë në votim”, tha Manaj për KALLXO.com.

Manaj shton se secili deputet, pavarësisht pozitës dhe opozitës, “është i obliguar dhe është në Kuvend për ta dhënë  mendimin e vet për secilën çështje që ngritet në Kuvend përmes formës së votimit, për kundër ose abstenim ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e Punës”.

“Mospjesëmarrja në votim po i shkakton probleme të mëdha punës së Kuvendit dhe si rrjedhojë e kësaj shumë projektligje rezoluta dhe akte tjera nuk po mund të që të procedohen më tutje”, shprehet ai.

Në anën tjetër, nga shoqëria civile thonë se koalicioni qeverisës ka dështuar që të ofrojë stabilitet politik në Kosovë.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KALLXO.com se koalicioni aktual qeverisës është përballur pothuajse që nga dita e parë me mungesë të numrave, për të kaluar madje edhe projektligjet e thjeshta.

“Brishtësia e shumicës parlamentare, sidomos në pamundësi të sigurimit edhe të kuorumit të nevojshëm për votim, e ka karakterizuar punën e Kuvendit që nga votimi i Qeverisë ‘Hoti’ më 3 qershor”, tha ai.

Sipas Cakollit, duke qenë se tashmë deputeti Arifi veçse ndodhet në vuajtje të dënimit, kjo do t’ia vështirësojë edhe më shumë shumicës parlamentare funksionimin dhe kalimin e ligjeve të thjeshta.

“Sidoqoftë, vlen të përmendet fakti që vetëm në një rast, Kuvendi ka dështuar të miratojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike për një votë, ndërsa në rastet tjera, kanë qenë deri në 20 deputetë të shumicës parlamentare që kanë munguar, duke pamundësuar kështu votimin”, sqaron ai.

Njohësi i punës së Kuvendit konsideron që stabiliteti i qeverisë duhet të matet dhe të shihet nga prizmi i punëve të zhvilluara në Kuvend, e jo vetëm në bazë të vendimeve të marra nga Qeveria.

“E në këtë drejtim, është më se evidente që koalicioni qeverisës deri diku ka dështuar që të ofrojë stabilitet politik dhe të miratojë projektligje në Kuvend”, vlerëson Eugen Cakolli (KDI) për KALLXO.com.