Foto: Antigonë Isufi

Brenda mistereve të Qyqavicës

Me pasuri të madhe natyrore, në thellësi të maleve të Qyqavicës, gjendet lokaliteti antik-mesjetar i quajtur Gjytet. Me tradita të ndryshme e me bukuri të rralla natyrore, ky vend është cak i vizitorëve të fshatrave të Artakollit-Vushtrri.

Përderisa zëri i qyqes jehonte maleve të Qyqavicës, disa vizitorë ngjiteshin në rrugën malore e cila të shpie deri tek një shkëmb madhështor. Ata kishin ardhur ta vizitojnë Gurin e Kishës dhe të kalojnë kohën e lirë në ambient të pastër.

Sipas rrëfimeve të banorëve të fshatrave Stroc e Bivolak të Vushtrrisë, para pesë-gjashtë vitesh ky vend ishte i stërmbushur me nxënës të shkollave fillore. Shumica e nxënësve këtë impozant historik e njihnin si një vend që ka një shkëmb, një krua në të cilin uji rrjedh nga guri, vend i cili vizitohet në ditën e Shën Gjergjit.

Historiani Habib Mustafa tha ky vend daton që nga periudha ilire, romake dhe bizantine dhe se në bazë të gjurmimeve në shkëmbinj, ata i takojnë përiudhës së neolitit. Sipas tij emrin karakteristik Gjytet e ka marrë nga fjala qytet.

“Emrin e ka marrë Gjytet për shkak se banorët e atëhershëm nuk kanë shqiptuar fjalën qytet. Gjyteti ka pas dyer të fortifikuara me kulla, ka qenë i rrethuar me mure të forta që ende ka pjesë të tyre. Muri që e rrethon është i punuar me gurë dhe tulla me material lidhës nga romakët, ndërsa muri tjetër vetëm me gurë dhe pa material lidhës nga ilirët”, rrëfen Mustafa. Sipas tij koha dhe njerëzit i kanë shkatërruar ato.

Ish-nxënësja e shkollës “Liria” në Stroc, Rinesa Isufi tha se emrin Gjytet se ka dëgjuar kurrë në jetë, vetëm Gurin e Kishës që të gjithë shkojnë me 6 maj.

“Më pëlqen të shkoj tek Guri se sa kam qenë në shkollë fillore gjithmonë kemi shkuar më shoqëri. Është vend interesant ta kaloj kohën e lirë”, tha gjimnazistja Isufi.

Vushtrria si qytet i gurit është i njohur për rrugët me kalldërm. Por për dallim prej gurëve të vegjël që kanë mbizotëruar në këtë qytet, kalldërmet e Gjytetit kishin madhësi më të madhe. Por nuk kanë mbetur asnjë prej tyre, sepse edhe ata që kanë qenë janë marrur.

Sipas Mustafës para disa vitesh një banor i fshatit i kishte shkatërruar dyert e hyrjes së Gjytetit dhe i kishte përdorur për nevoja vetanake, ndërsa disa serbë kishin tentuar të marrin disa prej eksponateve antike. Ndërsa në vitin 1874, gurët e kësaj kështjelle ishin marrë për të shtruar hekurudhën Mitrovicë- Shkup.

Disa nga gjurmët e gjendura janë vegla të punës, çekan i bakrit dhe tulla ku ka mbetur gjurma e këmbës së zbathur.

Foto: Antigonë Isufi

Gjiganti i maleve

Të ngjitesh e të vrojtosh vendin mbi 25 metra lartësi, është sikur të jetosh në një vend ku askush nuk ekziston dhe nuk ka asgjë të shkatërruar nga dora e njeriut. Në bazë të fjalëve të historianit afër këtij shkëmbi para shumë shekujsh ishte e ndërtuar një kishë, prej nga e ka marrë emrin Guri i Kishës.

Me nostalgji Dafina Klinaku, banore e fshatit Bivolak kujton se me sa shumë mundime ngjiteshin lartë në shkëmb, duke u mbajtur herë për gurë, herë duke ngulur gishtat në dhe e herë duke u mbajtur për pemë.

“Ka qenë kënaqësi e përzier me lodhje me u ngjit përmbys deri lart, herë me thonjë e duke fshirë djersët e ballit”, kujton 19 vjeçarja.

Ajo tha që sa ishte filloriste e vizitonte shpesh ndërsa tash ka pesë vite që nuk ka shkelur aty këmba e saj.

Sipas rrëfimeve të Mustafës, një ngjarje e çuditshme kishte ndodhur para disa vitesh. Dikush kishte supozuar se nën Shkëmb ka dukat. Një vendas kishte gravuar një pjesë të gurit për ta gjetur thesarin dhe arriti në përfundim me shkatërrimin e një pjese të madhe të tij.

Ai vend pastaj u bë strehë për delet e fshatrave.

Ndërsa tash nën atë pjesë qytetarët me kreativitetin e tyre kanë ndërtuar një pushimore me dërrasa. Aty pushojnë ata që ngjiten lart në shkëmb dhe të rinjët e kalojnë kohën e lirë.

Foto: Antigonë Isufi

Kroni i etheve

Matanë Shkëmbit ku dikur gjendej Kisha, gjendet Kroni i cili sipas gojëdhënave i shëron ethet, prej nga e ka marrur edhe emrin.

Rit i pashkruar, por pothuajse i përvjetshëm është lidhja e penjëve të hollë me ngjyra të ndryshme në një pemë rrëzë një cope gërmadhe.

Në ditën e Shën Gjergjit fëmijëve i lidhin penj me ngjyra të ndryshme në duar, i pastrojnë me hithër, fletë molle e ftoi që të bëhen më të fortë e më të shëndetshëm. Mbesa shpalos tregimet e gjyshit 74 vjeçar që i mban mend ritet qe praktikohen aty.

“Para se ta lidhin penjin në degët e pemës e mendojnë një dëshirë me shpresën që ajo t`i realizohet së shpejti”, tha Anita Jashari.

Fëmijët përpos që mbajnë të lidhur në dorë ata ylberizojnë edhe pemën e cila në vitin e ardhshëm mban shumë pak prej tyre të vitit të kaluar. Pemët në këtë vend janë historikisht të gjata dhe interesante qëndrojnë fisnike mbi gurë.

“Drunjët në këtë vend janë të mëdhenj dhe qindra vjeçar”, shkruan Habib Mustafa në librin “Strofci gjatë historisë”.

Në këtë krua vizituesit vijnë e marrin ujë vetëm për ta provuar, por ka edhe banorë që këta ujë e përdorin për pirje çdoherë. Sipas legjendave, njerëzit që lëngojnë nga sëmundja e pijnë ata ujë që të shërohen, ndërsa ata që nuk janë të sëmurë që të gëzojnë shëndetin dhe të bëhen të fortë si guri.

“Ujë pijnë edhe sot, por ethet nuk iu shërohen”, tha Habib Mustafa.

Gjyteti, hynë në kategorinë e trashëgimisë arkelologjike, si lokalitet arkeologjik nën mbrojtjen e përkohshme të Ministrisë së Kulturës. Duke u bazuar në listën zyrtare të Ministrisë së Kulturës, 1595 asetet e trashëgimisë arkeologjike nuk janë në mbrojtje që nga 10 tetori 2019.